Në vitin 2018, 85.3% e personave të punësuar në Kosovë punonin në sektorin e shërbimeve. Megjithatë, politika tregtare e qeverisë përqendrohet kryesisht në sektorin e mallrave, edhe pse shërbimet e tejkalojnë atë për 10 herë. Është koha që qeveria ta rimendojë përqendrimin e politikës tregtare për ta mbështetur dhe ndërtuar sektorin e shërbimeve në Kosovë.
Unë kam diplomë master në administratë publike dhe aktualisht punoj në politika tregtare. Shumë njerëz që takoj nuk e kuptojnë se çfarë kuptohet me “shërbime” dhe zakonisht mendojnë për shërbimet qeveritare si çertifikatat e lindjes dhe pasaportat.
Shembuj të shërbimeve ekonomike janë: berberët ose parukierët, qendrat telefonike, këshillimet, trajtimi mjekësor, restorantet dhe shitjet me pakicë. Me fjalë të tjera, shërbimet nuk qarkullojnë në ekonomi në mënyrë të pavarur nga pranuesit e tyre.
Përqindja e PBB-së për mallrat dhe për shërbimet, 2018.
Mallrat, nga ana tjetër, kanë përkufizim të qartë dhe atribute fizike; mund të posedohen, preken dhe ndjehen. Mallrat mund të shpërndahen në vende të ndryshme në periudha të ndryshme pa e ndryshuar identitetin. Për shërbime nuk ka konsesus të përkufizimit por në përgjithësi definohen nga paprekshmëria, ndryshueshmëria, prishjeshmëria dhe pandashmëria.
Autorët Edvardsson & Gummesson i përshkruajnë shërbimet si “gjëra që mund të blihen dhe shiten, por nuk mund t’i hidhen në këmbë dikujt”.
Sipas Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), shërbimet kategorizohen në 12 sektorë kryesorë: shërbimet biznesore dhe profesionale, të komunikimit, të ndërtimtarisë, të energjisë, të turizmit, t të energjisë, të transportit, shpërndarëse, arsimore, mjedisore, financiare, shëndetësore dhe sociale. Të gjithë sektorët kryesorë së bashku kanë 120 nënsektorë.
Tregtueshmëria e shërbimeve është rritur ndjeshëm vitet e fundit për shkak të politikave të tregtisë ndërkombëtare dhe zhvillimeve teknologjike. Më herët, kompanitë i kryenin vet shërbimet e tyre juridike, të kontabilitetit dhe të ngjashme. Në ditët e sotme, edhe në Kosovë shumë kompani i transferojnë këto aktivitete si shërbime të jashtme.
Importi dhe eksporti i sektorit të mallrave të Kosovës, 2018.
Tregtia në shërbime në Kosovë
Gjatë 10 viteve të fundit, Kosova ka pasur bilanc negativ në tregtinë e mallrave. Në vitin 2018 bilanci tregtar i mallrave ishte rreth 368 milionë euro eksporte kundrejt 3.34 miliardë euro importe. Do të thotë që Kosova kryesisht importon mallra, nuk i eksporton ato .
Megjithatë, tregtia në shërbime e Kosovës në vitin 2018 qëndroi në 2.26 miliardë euro; nga kjo shumë, eksportet e përgjithshme ishin 1,5 miliardë euro dhe importet e përgjithshme ishin 705.8 milion euro. Sektori i shërbimeve është sektori i vetëm që funksionon me bilanc pozitiv.
Pesë sektorët kryesorë të eksportit gjatë vitit 2018 ishin shërbimet e udhëtimit dhe shërbimet e tjera biznesore, term që përfshin TIK-un, konsulencën, ndërtimin dhe transportin. Eksportet e udhëtimit kanë vlerë prej 1,23 miliardë eurosh. Sasia e lartë e eksportit në këtë sektor është kryesisht për shkak të vizitave të diasporës në Kosovë dhe vetëm një përqindje e vogël vjen nga udhëtimet biznesore dhe turistët e tjerë.
Sektori i shërbimeve kompjuterike, informative dhe telekomunikuese ka produktivitetin më të lartë, që do të thotë se e ka efektin më të lartë në zhvillimin e mëtejshëm të sektorëve të tjerë të shërbimeve. Në vitin 2018 siguroi 55.8 milion, një rritje prej 9.2 milionë eurosh në krahasim me vitin 2017. Eksportet e shërbimeve ndërtimore siguruan 23.1 milion euro në 2018.
Edhe pse sektori i transportit siguroi 41.8 milionë euro në eksport së bashku me sigurimet, pensionet dhe shërbimet financiare, këta sektorë kanë bilanc negativ. Për ta korrigjuar këtë, është e nevojshme të analizohen thellësisht këto zona dhe të takohen drejtpërdrejt furnizuesit e shërbimeve në mënyrë që të identifikohen pengesat. Kjo duhet të bëhet nga qeveria.
Roli i shërbimeve në rritjen ekonomike
Në vitin 2018, sektori i shërbimeve kontriboi në gjenerimin e vlerës së shtuar duke përbërë 71.6r% të PBB-së së përgjithshme të Kosovës. Kategoria më e madhe brenda sektorit të shërbimeve në 2018 ishte tregtia me shumicë dhe pakicë / reparimet e automobilave, me 13.2% të PBB-së së përgjithshme.
Kategoria e dytë më e madhe është administrata publike, me 12.9% të PBB-së. Kategoria e tretë më e madhe në sektorin e shërbimeve është ndërtimtaria, me 7.8% të PBB-së. Një kategori tjetër e rëndësishme në sektorin e shërbimeve është pasuria e paluajtshme, me 7.56% të PBB-së.
Këto të dhëna tregojnë se megjithëse shërbimet po rriten në mënyrë dinamike, Kosova kryesisht po zgjerohet në shërbimet me produktivitet të ulët si restorantet dhe shërbimet e shitjes me pakicë. Kosova duhet të përqendrohet në rritjen e sektorëve të shërbimeve me produktivitet të lartë, si hulumtimi dhe zhvillimi, TIK-u dhe shërbimet profesionale. Kjo mund të bëhet duke siguruar politika më të mira tregtare që përqendrohen në përmirësimin e qasjes në shërbimet financiare ndërkombëtare si PayPal, që do ta mundësonte rritjen e transfereve financiare brenda dhe jashtë Kosovës.
Shërbimet e Kosovës të importit dhe eksportit, 2018.
Politika tregtare dhe qasja në financa
Tregtia në shërbime është shumë komplekse dhe nuk mund të rregullohet me një politikë të vetme. Politikat duhet të përcaktohen varësisht nga sektori dhe duke mbajtur parasysh objektivat zhvillimore, sociale dhe kulturore. Shërbimet kanë kërkesa të ndryshme. Për shembull, një fermer me një sasi të caktuar toke dhe pajisjesh mund të aplikojë në çdo bankë tregtare për kredi. Banka do t’ia vlerësojë dokumentacionin e pasurive të kolateralit dhe do t’ia japë kredinë bazuar në të.
Një kompani e regjistruar e këshillimit, inxhinierisë ose softuerit mund të ketë nevojë vetëm për një kompjuter për të ofruar shërbime, madje ndoshta edhe prej shtëpisë. Shumë kompani të shërbimeve nuk kanë asete që mund të ofrohen si garanci, prandaj mund të kërkohet një qasje ndryshe për financim. Qeveria e Kosovës duhet të fillojë të mendojë për politika tregtare për të mbështetur sektorin e shërbimeve dhe për t’i ndihmuar kompanitë e shërbimeve, veçanërisht duke ndihmuar fillestarët të kenë qasje më të mirë në financa.
Hapat e ardhshëm
Pavarësisht bilancit të përgjithshëm pozitiv të shërbimeve, ky sektor ende nuk është duke e përmbushur potencialin dhe tregtia në shërbime varet shumë nga diaspora.
Faktorë tjerë të rëndësishëm që mund të kenë efekt pozitiv në zhvillimin e mëtutjeshëm të shërbimeve dhe tregtisë në shërbime është që kompanitë në këtë sektor të kenë qasje më të mirë në financa dhe përmirësim në mbledhjen e të dhënave. Qeveria duhet ta shqyrtojë hartimin e një plani për të promovuar eksportet e shërbimeve në këtë sektor shumë dinamik dhe të rëndësishëm.
Për ta rritur dhe zhvilluar më tej këtë sektor dhe për t’i orientuar shërbimet drejt zonave me prodhimtari të lartë, Kosova urgjentisht duhet ta bëjë një vlerësim kombëtar të shërbimeve dhe tregtisë në shërbime sipas sektorëve. Kosova duhet të përcaktojë politikat e zhvillimit të shërbimeve kombëtare dhe sektoriale dhe të identifikojë cilat strategji dhe politika duhet të hartohen dhe zbatohen për ta rritur kontributin e sektorit të shërbimeve në tregti dhe zhvillim.
Foto kryesore: Arrita Katona / K2.0.