Pikëpamje | Media

Situata “eskaloi” në medie

Nga - 24.08.2022

Në vend se ta kundërshtojnë kaosin informativ, disa medie në Kosovë e ndihmuan atë.

Më 29 qershor 2022, Qeveria Kurti mori vendim për aplikimin e masave të reciprocitetit me Serbinë, për dokumentet personale. Kjo nënkuptonte që qytetarët e Serbisë që hyjnë në Kosovë, nga 1 gushti do të pajiseshin me një fletëdeklarim të përkohshëm, që do t’i zëvendësonte dokumentet e lëshuara nga Serbia –– masë që aplikohet ndaj qytetarëve të Kosovës që hyjnë në Serbi prej vitit 2011. 

Ky vendim shkaktoi reagim të fortë në veri të Kosovës. Në mbrëmjen e 29 korrikut, grupe qytetarësh bllokuan pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak përmes barrikadave dhe protestave. Një reagim të ngjashëm pati edhe në shtator 2021, kur nisi zbatimi i vendimit sipas të cilit çdo automjet me targa serbe që hyn në Kosovë, duhej të zëvendësonte targat e lëshuara nga Serbia me targa të përkohshme –– edhe kjo përpjekje për të zbatuar reciprocitet me Serbinë.

Përderisa Kosova dhe Serbia, që prej vitit 2011 vazhdojnë dialogun për normalizim të marrëdhënieve, me ndërjmetësimin e Bashkimi Evropian (BE), ngjarje të këtilla janë tregues se të dy vendet i pret një rrugë e gjatë drejt normalizimit.

Në prag të fillimit të zbatimit të vendimit për dokumente identifikuese, presidenti serb, Aleksandar Vučić deklaroi për agjensionin rus Tass se: “Situata për popullin tonë në Kosovë dhe Metohi është shumë e vështirë. Ne nuk kemi qenë asnjëherë në situatë më të vështirë se sot. Regjimi i Prishtinës po tenton ta përdorë situatën në botë, si Zelensky i ri, i përfaqësuar nga Albin Kurti, deklaron luftë hegjemonizmit. Fillimi i aksioneve të ndalojë dokumentat serbe fillon sonte në mesnatë.” 

Ndërsa, pas tensionimit të situatës, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe zyrtarë tjerë shtetërorë u takuan me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier. Ky i fundit përcolli kërkesën e qeverisë së Shteteve të Bashkuara për ta shtyrë zbatimin e vendimit për një muaj për shkak të, siç u shpreh ai: “keqkuptimit, dezinformimit dhe keqinformimit lidhur me këtë vendim”. Qeveria Kurti u zotua ta shtyjë zbatimin deri më 1 shtator 2022 dhe si rezultat, barrikadat u tërhoqën.

Megjithkëtë, periudha midis 31 korrikut dhe 1 gushtit mjaftoi që ngjarja të bëhej kryetitull në mediat vendore, rajonale dhe përtej. U shkrua gjerësisht dhe nga këndvështrime të ndryshme dhe lajmet që iu servuan publikut jo rrallë ishin të njëanshme dhe të pa konfirmuara.

Narrativat e luftës dhe konfliktit

Një prej lajmeve të para që u prodhuan në Kosovë pas vendosjes së barrikadave ishte ai për plagosjen e një pjesëtari të Policisë së Kosovës, gjatë ushtrimit të detyrës në veri. Ky keqinformim shkaktoi reagim të madh nga përdoruesit e rrjeteve sociale. 

Organizata që bëjnë fact-checking në Kosovë për Facebook shpejt e vlerësuan këtë lajm si të pavërtetë. Lajmin e demantoi Policia e Kosovës. Më pas Berat Buzhala, në emër të Gazetës Nacionale, që kishte publikuar lajmin në fjalë, kërkoi falje për gabimin dhe keqraportimin.

Megjithatë, një prej karakteristikave kryesore të mbulimit të ngjarjeve në përgjithësi ishte të ushqyerit e narrativave të konfliktit. 

Shumë prej atyre që mblodhën lajme dhe i transmetuan ato, më shumë u përqendruan në parashikimin e asaj që mund të shkojë keq sesa në raportim të fakteve. Për këtë, ideimi i lajmeve në masë të madhe u ndikua nga informata të pa konfirmuara, të ardhura nga postime të ndryshme në rrjetet sociale si Facebook dhe Twitter, që në disa raste bëheshin edhe nga llogari anonime. Edhe gazetarët, që raportuan drejtpërdrejt nga vendi i ngjarjes shpesh filluan lajmin duke iu referuar këtyre informatave.

Natyrisht se dëshmitarët e ngjarjeve janë burime të besueshme për gazetarët, por nuk janë domosdo burime që pasqyrojnë ngjarjet ashtu si ndodhin. Dëshmitarët në anën jugore të barikadave shohin vetëm anën jugore dhe rrjedhimisht pikëvështrimi i tyre për ngjarjet kufizohet në atë që shohin dhe e njëjta ndodh me dëshmitarët në anën veriore.

Duke shfrytëzuar si burime postimet në Twitter dhe Facebook, gazetarët përpos që kontribuuan në thjeshtimin e situatës, ndihmuan në thellimin tutje të narrativës “ne” dhe “ata” –– pra në “tjetërizim”. Tjetërizimi ushqen konfliktet. Po ashtu është mënyrë për të mohuar humanitetin e një personi apo grupit dhe, rrjedhimisht, ata që “tjerërizohen” shihen si më pak të denjë për dinjitet dhe respekt.

Mbulimi i ngjarjeve të shkaktuara nga krizat tashmë do të duhej të ishte specializim i shumë gazetarëve në Kosovë. Marrë parasysh se ka disa kriza të tilla si kjo e fundit në veriun e Kosovës, gazetarët do duhej të ishin të trajnuar tashmë për t’i trajtuar informatat me kujdes të veçantë. Pakujdesia në të këtilla raste mund të çojë në apo të ndihmojë tensionimin tutje të situatës, siç ndodhi në vitet 2000 dhe 2004 në Kosovë.

Rasti i parë është ai që njihet si rasti Dita. Në vitin 2000, një gazetë e quajtur “Dita” publikoi emrin, adresën e shtëpisë, fotografinë, orarin e punës të një serbi të Kosovës (Petar Topoljski) duke e akuzuar për pjesëmarrje në krime të luftës. Dy javë pas publikimit të lajmit, Topoljski u gjet i vrarë. Si pasojë, gazeta u mbyll nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe hetimet edhe pse kanë vazhduar me vite të tëra, nuk kanë rezultuar në kapjen e vrasësve apo konfirmimin e akuzave. 

Rasti i dytë, raportimi i ngjarjeve të marsit 2004, kur pas ngjarjes tragjike të mbytjes së tre fëmijëve shqiptarë në lumin Ibër, informatat e dhëna për televizionin publik (RTK) nga një fëmijë që kishte qenë dëshmitar në vendngjarje, ku ai tha se disa serbë lokalë iu ishin vërsulur me qen, asnjëherë nuk u verifikuan nga gazetarët. Në disa raste, gazetarët raportuan në mënyrë sensacionale dhe të pa matur. 

Një raport i vitit 2004 nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), konfirmoi se pa këtë raportim me nivele të papranueshme të emocioneve, paragjykimeve, pakujdesisë dhe zellit “patriotik” të aplikuar në mënyrë të gabuar, ngjarjet mund të kishin marrë drejtim tjetër, duke shtuar se ato mbase nuk do të kishin arritur shkallën dhe nivelin e brutalitetit që ndodhi apo mund të mos kishin ndodhur fare. Edhe akuzat e ngritura gjatë raportimit për këtë rast nuk janë verifikuar asnjëherë dhe askush nuk është dënuar për këtë ngjarje. 

Ndonëse lajmi për plagosje të pjesëtarit të policisë këtë herë u demantua shpejt dhe media kërkoi falje, ai shpejt u shpërnda dhe prania e tij nëpër platforma të ndryshme u shumëfishua –– duke shumëfishuar edhe mundësitë që lajmi të ndikojë tek lexuesit. Anipse nuk pati pasoja tjera, dy rastet e mësipërme tregojnë qartë se keqinformimi mund të ndihmojë përshkallëzimin e situatës.

Ndikimi i rrjeteve sociale

Rrjetet sociale luajtën rol qenësor në mënyrën se si u formësua raportimi dhe të kuptuarit e ngjarjeve të 31 korrikut dhe 1 gushtit në veriun e Kosovës. Përpos që këto platforma shërbyen si hapësira për të shprehur përkrahjen, për të ndarë informata nga vendngjarjet, ato u bënë edhe kanale të komunikimeve politike e burim për lajmet që u prodhuan.

Kështu, Twitter dhe Facebook ishin burim esencial i informacionit për qytetarët e Kosovës, por edhe audiencën ndërkombëtare. Për audiencën në Kosovë, ato u bënë platformat informuese dhe hapësira për të shprehur përkrahje politike për veprimet e Policisë së Kosovës. Madje, një fushatë e tërë me fotografi të Policisë së Kosovës u nis si shenjë përkrahjeje ndaj vendimit të Qeverisë Kurti. Edhe gazetarët u bashkuan në këtë fushatë. 

Disa gazetarë në Kosovë, përpos rolit të tyre si gazetarë, morën edhe rolin e aktivistëve. Ky lloj aktivizmi i gazetarëve në përkrahje të veprimeve të policisë u reflektua edhe në mënyrën se si ata raportuan dhe si pasojë, i plasuan audiencës në Kosovë shumë lajme të paverifikuara. Me këto role, karakterizohet gazetaria në tërë Ballkanin Perëndimor. 

Përpos kësaj, akterët politikë, si përfaqësues të qeverisë së Rusisë dhe të Serbisë i shfrytëzuan këto platforma për komunikim politik, gjë që e shtoi tutje peshën e rrjeteve sociale në raportimin për këtë ngjarje. Hashtag #Kosovo u përdor që të komentohej ngjarja nga Kosova e pastaj kjo ngjarje filloi të ndërlidhet edhe me luftën në Ukrainë. 

Afërsisht 15 minuta pas reagimit të Presidentit të Serbisë, në aplikacionin Telegram erdhi edhe njoftimi nga Ministria e Punëve të Jashtme Ruse, në përkrahje të narrativës që Vučić ndërtoi për “padrejtësinë dhe progomin ndaj popullatës serbe në Kosovë”. Edhe komunikimi i Qeverisë së Kosovës për audiencë ndërkombëtare dhe vendore indikoi ndikimin rus në këtë ngjarje. Tutje këtë qëndrim e konfirmoi në një intervistë për gazetën italiane la Repubblica edhe kryeministri Kurti. Ky krahasim e përfshiu në diskutim edhe audiencën e luftës në Ukrainë.

Në një matje për këto zhvillime, nga një mostër prej 10,000 cicërimave për këto ngjarje e korrur nga Twitter për dy ditët e krizës, 31 korrik dhe 1 gusht dhe të analizuara me softuerein për analiza cilësore dhe sasiore (MaxQDA) rezulton se fjala “Kosovo” është përmendur 8,935 herë dhe fjala “Ukraine” është përmendur 895 herë, që i bie se në rreth 10% të komunikimit për këto ngjarje, përmendet edhe Ukraina. Fjala “Putin” është përmendur 780 herë dhe fjala “Kiev” 700 herë. 

Por, çka është edhe më interesante është vend-lokacioni nga janë nisur këto cicërima. Rreth 1,000 nga 10,000 cicërimat dhe re-cicërimat vijnë nga India dhe pastaj nga Gana. 

Ferma të fabrikimit të postimit në Facebook dhe Twitter janë aq të sofistikuara që të humbin gjurmët përmes “rrjetit privat virtual (VPN)”. Por dyshimi për cicërimat nga India, Gana, Italia dhe Spanja megjithatë është legjitim. Dyshimi për reagimet lineare nga Qeveria e Serbisë duke përfshirë presidentin serb Vučić dhe ministrin e mbrojtjes Aleksandar Vulin pasohen nga reagimet e ministrisë së punëve të jashtme të Federatës Ruse, që janë në një qark kohor shumë të shkurtër. 

Këto reagime në platforma digjitale u pasuan nga postime dhe ripostime nga një mori përdoruesish, por anomalia është se rreth 25% e përdoruesve ishin të lidhur me kompjuterë dhe jo me telefonë të mençur, gjë që ngritë dyshimet për një tentim për ndikim. Mundësia për të vepruar nga shumë llogari është shumë më e madhe përmes kompjuterit. Reagimet në platforma sociale u bënë dhe trenduan për një kohë.

Po ashtu, “lufta në Twitter” për veriun e Kosovës krijoi një mundësi të shkëlqyer për një kategori të vetëshpallur të ekspertëve strategjikë të konflikteve. Përdorues të platformave sociale që janë shumë aktivë në komentimin e luftës në Ukrainë, për një moment filluan të flasin për “luftën” në Kosovë. Ekspertiza strategjike e tillë krijohet nga media apo media sociale duke i marrë si burime të verifikuara apo ekspertësh. 

Pas kalimit të një kohe, këta “ekspertë”, strategjikisht sillen edhe si të tillë. Në rastin e Ukrainës, ekspertët e tillë filluan të dalin në sipërfaqe rreth vitit 2014, kur Federata Ruse kishte filluar aneksimin e Krimesë. Gjatë kohës kur këto burime citoheshin nga gazetarët në Krime dhe Ukrainën lindore, ishin zyrtarë të mesëm dhe pas 8 vitesh, ata janë më të besueshëm sepse kanë krijuar përvojën dhe një rrjet të madh bashkëvepruesish. 

Dhjetëra përdorues nga vendet e BE dhe vende tjera filluan të shpjegojnë problemet e Kosovës në veri dhe ta bëjnë krahasimin e veriut të Kosovës me Ukrainën lindore dhe Rusinë me Serbinë. Burime të tilla informacioni filluan të bëhen relevante saqë edhe u shpërndanë qindra herë edhe nga lidershipi politik në Kosovë dhe Ukrainë. 

Gazetarët që paralajmëruan se situata “eskaloi” nuk kishin informata të verifikuara. Shumë lajme në Kosovë u ndërtuan mbi ide të gabuara për ngjarjet në veriun e Kosovës duke u bazuar në raportime nga qytetarë nga platformat digjitale. Kjo rezultoi në mbulim të varfër dhe njëanshëm të ngjarjeve. Derisa shumësia e opinioneve është e mirëseardhur, media duhet të jetë e kujdesshme se kë dhe si e citon apo i referohet. 

Sidomos tani, që bota është në një kaos informativ dhe lufta informative është tejet e rëndësishme, metoda objektive e mbledhjes së infromacioneve nga gazetarët ka rëndësi më shumë se kurrë. Gazetarët duhet të pajisen me njohuri të veçanta të verifikimit të imazheve dhe teksteve nga platforma digjitale, të njohin më mirë strategjitë e propagandës dhe keqinformimit të qëllimshëm nga burime të dyshimta dhe të profesionalizohen për informim të drejtë. 

 

Imazhi i ballinës: K2.0

Programi rajonal QËNDRUESHMËRIA: Aksioni i shoqërisë civile për të riafirmuar lirinë e medias dhe luftën kundër dezinformimit dhe propagandës urryese në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi zbatohet me përkrahjen e Bashkimit Evropian nga organizatat partnere SEENPM, Instituti Shqiptar i Medias, Mediacentar Sarajevë, Kosovo 2.0, Instituti i Medias i Malit të ZiInstituti Maqedonas për Media, Shkolla e Novi Sadit për Gazetari, Instituti i Paqes dhe Bianet.

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përgjegjësia për përmbajtjen e saj i takon vetëm Kosovo 2.0 dhe nuk i pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Pse kjo klauzolë?