Është një themel mbi të cilin ngriten shoqëritë tona, dhe të cilin përherë dhe me plot besim e fajësojmë për gjithçka: arsimi.
Dhe kur e këqyrim nga larg… ndoshta në fund të fundit nuk duhet me u befasu që po kopjojnë masivisht në provime parauniversitare.
Këqyre panoramën: kurrikulat e universiteteve publike nuk po akreditohen; një rektor po i boton shkrimet e doktoraturës në edicionin e fundit të një reviste të rëndomtë në Indi (me kartelë Visa); studentët po i blejnë notat e po luten për to, duke pasur sukses; kemi punësime të dyshimta të mësuesve në shkolla dhe të profesorëve në universitet; librat po e rishkruajnë historinë; klasat po ngrihen…
Pa kalu në pesimizëm (të tepërt), arsimi është fuqi e madhe atomike që rregullon probleme të vogla e të mëdha, por duhet të jetë edhe fuqi që prodhon ndërmarrës, liderë, punëtorë, qytetarë autonomë dhe mendues të pavarur kritikë, në vend se t’i frikësojë të rinjtë e t’i largojë më të mençurit e më të mirët nga vendi. Qysh ka me u rrit rinia kosovare në këto rrethana?
Ndonëse institucionet vazhdojnë me i kry punët për me i rregullu problemet thelbësore në sistemin arsimor, një grup i njerëzve kanë fuqi të madhe në këtë ekuacion: mësuesit.
Kush po u jep mësim studentëve tanë? Qysh arrijnë ata deri te klasa? Cili mekanizëm publik garanton punësim transparent, apo me fjalë të tjera, që personi i duhur përfundon prapa karrigës kryesore në klasë? Qysh i krijojnë kurrikulat? E çka bëjnë institucionet për me garantu që të gjithë të punësuarit e tyre janë krejtësisht të pastër?
Bëhuni pjesë e një diskutimi gjithëpërfshirës për këtë çështje thelbësore të mërkuren, më 27 shtator, në orën 17:30 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, në Prishtinë.
Për ta nisë diskutimin, me ne do të jenë:
Rron Gjinovci – Drejtor Ekzekutiv (ORCA)
Kushtrim Bajrami – Kordinator i Projektit (KEC)
Besa Luzha – prof. Dega e Arteve Muzikore
Ky diskutim moderohet nga Agnesa Qerimi – Menaxhere e Projektit (KYC)
Do të ofrohet edhe përkthim anglisht-shqip.
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.