Biseda | Art

Sokol Beqiri: Nëse artisti ka një mision, ky mision është të dëshmojë se nuk ka art

Nga - 05.09.2017

Artisti nga Peja kthehet pas një dekade denoncimi të artit si medium.

Para se të takohet me K2.0 në Prishtinë te Kafja e Vogël, pronar i së cilës është vëllau i tij, Sokol Beqiri para intervistës kalon kohë duke biseduar me miqtë e tij. Ai e sheh këtë aktivitet si shumë më të afërt me artin, ose me domethënien e artit, sesa punimet që e kanë shndërruar atë në një prej artistëve më të njohur në Kosovë.

Për Beqirin, kufijtë në mes të jetës dhe artit janë gati të padallueshëm, dhe jeta mund jetë lloji më i rëndësishëm i artit. Kjo bindje gjithnjë e më shumë e ka shtyrë atë të mos i pëlqejë bota e artit, në të cilën ‘arti’ është vetëm ajo që paraqitet në ambientet e brendshme të galerive.

Fakti që Beqiri i ka prioritet marrëdhëniet me të tjerët dallohet më së shumti nga mikpritja e ngrohtë dhe sjelljet e tij të relaksuara. Para një dekade deklaroi se artit i kishte ardhur fundi, e tani Beqiri i përkushtohet një forme tjetër të punës artistike, duke i kaluar ditët e tij në menaxhimin e lokalit të tij, Exit, në vendlindjen e tij në Pejë.

Seria e Sokol Beqirit, “Fundi i Ekspresionizmit”, përfshinë disa pamje të dhimbshme nga lufta në Kosovë, por asnjëherë nuk e kishte për qëllim të bëjë akuza kundër autorëve të krimeve. Foto nga Galeria Kombëtare.

Para se të shpallte fundin e karierës së tij artistike, Beqiri njihej më së miri për punimet e tmerrshme të cilat i bëri si reagim ndaj luftës në Kosovë. Ndër këto vepra, më e njohura është seria e tij “Fundi i Ekspresionizmit: Pikturuar nga një i Çmendur” (2001), e cila përfshin projektet Milka (1999) dhe Kur Vonohen Engjujt (2001).

Duke reaguar ndaj vrazhdësisë së luftës, Beqiri gjithmonë kishte kujdes të mos e përdorte artin si mënyrë për ta akuzuar armikun. Për Beqirin, arti duhej të ishte më i madh – duhej të aspironte për universalen që të arrinte njerëzinë e mirëfilltë, e cila e tejkalon gjymtimin e luftës, politikën dhe ideologjinë.

Duke kujtuar këtë periudhë, Beqiri thotë, “vuajtja e kosovarit mund të portretizohet në art si thirrje kosovare, dhe kjo është OK. Mund të jetë një e vërtetë e prekshme, shumë emocionale. Një copë e dëshmisë nga ajo kohë. Megjithatë, nëse ndalesh me kaq, bie në kurth. Është e vërtetë që si shqiptarë, ne vuajmë e qajmë, por është edhe më e vërtetë që vuajmë e qajmë si njerëz”.

Sot, ndonëse besimet për luftën dhe vuajtjen i ka me gjasë të njëjta, Beqiri thotë se po të mund ta kthente kohën, nuk do të ishte lodhur me këto punime fare.

Ai është një prej tre artistëve shqiptarë të cilët janë ftuar për t’i ekspozuar punimet e tyre në një prej ekspozitave më të mëdha dhe më të shquara të artit në botë, documenta 14, e cila u mbajt këtë verë në Kassel dhe në Athinë. Pjesa në Gjermani është planifikuar të vazhdojë deri më 17 shtator. Sivjet është hera e parë pas një dekade që Beqiri e ka përfunduar një punim: “Adonis”, një lis i shartuar i cili u ekspozua në documenta në Athinë.

K2.0 u takua me Beqirin për ta diskutuar për këtë ekspozitë të fundit, si dhe për qëndrimin e tij rreth artin sot.

Shpeshherë ju përshkruajnë si artist ‘provokativ’. Si e shihni këtë etiketë? A bëni me qëllim punime të cilat e dini se do të shihen si provokative, apo mendoni që njerëzit thjeshtë i interpretojnë në këtë mënyrë?

E vërtetë është që njerëzit shpeshherë më quajnë provokativ, por asnjëherë nuk e kam pasur qëllimin e provokimit ose krijimit të një skandali, apo diçka të tillë. Thjeshtë kam trajtuar tema që shpeshherë janë parë në këtë mënyrë. Unë jam provokuar nga temat me të cilat punoj.

Në një intervistë tjetër, ju keni thënë se në jetën e përditshme jeni lokalist, por në art nuk mund të jeni lokalist. Çfarë domethënie ka kjo?

Pa qenë lokalist, nuk mund të jesh asgjë. Megjithatë, kur e trajtoj një problem lokal, nuk i qasem në mënyrë lokale. Sepse lufta nuk mund të jetë vetëm lokale. Ajo automatikisht shfaqet në një dimension tjetër.

Kur e kam trajtuar temën e luftës jam munduar të mos lë anash ndonjë element i cili mund t’i tregojë shikuesit ku ndodhi lufta. Luftën këtu e kam trajtuar si luftë. Nuk mund të jetë lokale – nëse është, atëherë duhet të përfshihet patriotizmi, e gjërat e tilla… e kupton? Në këtë kuptim nuk jam lokalist, por jam lokalist në kuptimin që e dua vendlindjen time, duke filluar nga familja ime, qyteti im, e kështu me radhë.

Keni thënë se arti nuk mund të përdoret si vegël kundër armikut, meqë kjo ide mbështetet në supozimin që mendojmë se kemi të drejtë ta urrejmë e ta luftojmë armikun, pa luftuar njëkohësisht me vetën. A mund të flisni më shumë për këtë?

Gabimi i parë që bëhet kur përdoret arti si vegël është, për shembull, të përgjithësohen të gjithë serbët sipas një besimi. Është gabim i drejtpërdrejtë i cili nuk mund të shlyhet, sepse kjo nuk është çështje e përgjithësimit. Pesha e porosisë sate dëmtohet nëse përgjithëson. Shumë herë ky gabim është shfrytëzuar nga elitat politike, dhe vlera e qenësishme e punës humbet kur përvetësohet për qëllime politike, nacionaliste, religjioze apo ideologjike. E humb fuqinë e vet. Pra mendoj se arti nuk duhet të përdoret kurrë si vegël për të bërë akuza.

"Arti im është politik. Fatkeqësisht është politik sepse politika është përzier në jetat tona më shumë se që duhet."

Sokol Beqiri

Pa analizë të vetvetes nuk mund të kemi progres. Ashtu mbetesh prapa, nëse nuk përpiqesh të gjesh fajin tënd, në çdo kuptim, jo vetëm në kuptimin kreativ. Nëse nuk e bën këtë, krejtësisht e pakuptimtë është t’i të çnderosh tjerët. Nuk ka zhvillim. Për mua zhvillimi ndodh kur gjen gabime brenda vetes dhe arrin në një pikë më të lartë. Ky është thelbi i zhvillimit: fillo nga vetja, familja, e lëviz pastaj më tej.

A e shihni artin tuaj si politik?

Është politik. Fatkeqësisht është politik sepse politika është përzier në jetët tona më shumë se që duhet. Unë e ndjeva nevojën për të reaguar. Nuk kisha llogari të pikturoja lule e gjëra gazmore kur njerëzit po vdisnin para syve të mi. Të imponohet. Politika është thjesht ajo që të imponohet. Puna ime është politike sepse kam reaguar ndaj realitetit tim. Gjithmonë jam munduar të reagoj në mënyrë sa më të drejtpërdrejtë ndaj rrethanave, fenomeneve dhe skenave rreth meje. Pasi politika dhe lufta pushtuan jetët tona, nuk kisha ku të shkoja.

Ndoshta do të isha më i lumtur po të mos isha lodhur duke i trajtuar këto tema në punimet e mia. Ose po të mos kisha pikturuar fare.

Videoprojekti i Beqirit nga viti 1999, Milka, është parabolë që krahason masakrat e Luftës në Kosovë me therrjen masive të lopëve në industrinë e ushqimit. Foto nga Galeria Kombëtare e Kosovës.

Një citat i një filozofi gjerman, Theodor Adorno, lidhet shpeshherë me punimet tuaja. Duke shkruar pas Luftës së Dytë Botërore, Adorno tha se pas Auschwitz-it, të shkruash poezi është veprim barbar. Si e keni interpretuar këtë citat dhe si flet ai për veprat tuaja?

E vërtetë është që ky citat ka pasur ndikim në mua. Me gjasë kjo vërehet nga fakti që për dhjetë vjet nuk kam dashur të merrem me art, dhe nuk jam marrë me të. Para dhjetë vitesh deklarova se pas luftës të cilën e pashë duke ndodhur këtu, arti ka vdekur. Kush jam unë të moralizoj për atë se lopët nuk duhet të therren, e njerëzit nuk duhet të vrahen?

Zakonisht prej momentit që e mendoj një koncept e deri në momentin kur e përfundoj atë vepër, kalojnë diku katër apo pesë vjet. Milka, si projekt, u lind para luftës, para vitit ’97. Pas luftës, me interesin e fokusuar të komunitetit ndërkombëtar në Kosovë, nisa të bëja projekte të cilat veçse i kisha planifikuar. Kisha shumë projekte të cilat nuk i kisha realizuar, dhe shumë oferta prej kuratorëve të mirënjohur.

Vazhdova të punoja deri në vitin 2006, kur vendosa të mos punoja më, dhe këtë e deklarova në videon “Gjthçka Që Keni Dashur Gjithmonë Të Dini Për Artin Por Keni Pasur Frikë të Pyesni”. Në këtë performancë e ndeza një flakë me pordhë.

Në këtë punim në fund erdha në përfundim se nuk mund të gjej art jashtë vetes. Për mua shumë më shumë energji duhet të shpenzohet për të krijuar marrëdhënie me njerëz, se për të prodhuar art. Brenda vetes nuk mund të gjej diçka për të shprehur që njëkohësisht nuk lidhet me marrëdhëniet që kam me njerëzit. Gjithçka përtej kësaj është kotësi. Krijimi i një produkti artistik është biznes… arti është diçka të cilin duhet ta praktikosh në jetën e përditshme. Prandaj gjithmonë kërkon energji dhe forcë.

Në një intervistë në vitin 2006, pasi kisha vendosur se arti ishte i vdekur, intervistuesi më pyeti se çfarë misioni mendoj se ka artisti. Unë thash se nuk besoj që artisti ka një mision, por nëse ka, ai mision është të dëshmojë se nuk ka art. Për mua, procesi i blerjes është mënyrë për të treguar se nuk ka art, se arti është tregti dhe biznes, si gjithçka tjetër.

Seria ‘Fundi i Ekspresionizmit’ gjithashtu bën krahasime ndërmjet skenave të tmerrshme të luftës në Kosovë dhe artit modern. Foto nga Galeria Kombëtare e Kosovës.

A ishte seria e juaj, “Fundi i Ekspresionizmit: Pikturuar nga një i Çmendur” (2001), në ndonjë mënyrë reagim ndaj asaj deklarate të Adornos?

“Fundi i Ekspresionizmit” është seri e cila përfshin veprat Milka dhe Kur Vonohen Engjujt. Të gjitha këto punime kanë për synim të tregojnë se ekpsresionizmit i erdhi fundi për shkak të dhunës. Çlirimit të emocioneve të pakontrolluara i erdhi fundi me dhunë të tmerrshme.

Me atë seri jam duke përfituar nga barbarizmi. Jam duke fituar nga Milka, për shembull. E krijon një vepër dhe e shet me çmim sa më të lartë.

Në këtë seri përfshihen tri fotografi. Dy prej tyre, me grafikë të kuqe, janë fotografi të dokumentarëve të cilat i gjeta më parë. Kur i pashë për herë të parë, e kisha një dëshirë të fortë t’i ndryshoja disi, që të përçoja një mesazh për të drejtat e njerëzve. Kur i sheh fillimisht, duken si piktura të Alberto Burri-t, veprat e të cilit dikur i doja shumë.

Një prej trupave u mbyt në ujë, e tjetri u vra, dhe ishin të djegur me flakë të kuqe, dhe krejt kjo e kishte marrë një formë e cila fillimisht duket shumë e bukur, si pikturat e Burri-t. Pastaj e kupton kontekstin.

Ose është një djalë i ri i shtrirë në ujë si engjull, si Jezu Krishti, si profet – ia kanë thyer qafën dhe e kanë lënë për t’u mbytur. Kjo është një tjetër çështje e bukurisë relative të cilën e shtron Burri: mund të perceptosh diçka si të bukur, por nuk di çfarë konteksti ka.

Seria e Beqirit nga viti 2001, Kur Engjujt Vonohen, e shokoi publikun në ekspozitën e parë, me përzierjen e temave klasike dhe të dhunës së rëndë. Foto nga Galeria Kombëtare e Kosovës.

A u tmeruan njerëzit nga këto punime?

Shumë. Me këtë po, por sidomos me serinë “Kur Engjujt Vonohen”. Ajo vepër është riprodhim i një vepre të Andrea del Sartos-it, i cili paraqet Abrahamin para se të sakrifikojë të birin e tij Isakun, para se ta ndalë një engjull, dhe ndoshta është pranëvënie e iluzionit të cilin e prodhon arti dhe realitetit. Në riprodhimin tim e kam bërë një birë në mes të pikturës. Kur afrohesh, e dëgjon një zë, i cili të tërheq më afër për të shikuar brenda birës, dhe aty e sheh një xhirim njëzetsekondësh që paraqet një person duke u rrahur derisa i hiqet koka. Pra ky iluzion që e prodhon arti, që engjulli do të vijë e do ta zgjasë dorënj, shkatërrohet me atë video njëzetsekondëshe.

Në pikturën dhe projektin dekorues të cilin e organizuat me fëmijë në vitin 1999 në rrënojat e Pazarit të Madh në Pejë, i cili u dogj gjatë luftës, ju mbajtët të veshur një uniformë origjinale të një krimineli serb. Në vend se të veproni sipas impulsit e ta digjnit, ju e kapërcyet krimin të cilin e simbolizonte ajo uniformë duke e pikturuar jelekun me ngjyrë pembe, ngjyrë të cilën e quani “ngjyrë të paqes, mirëkuptimit dhe tolerancës”. Çfaër qëllimi kishit këtu?

Më erdhi një nxitje për të krijuar diçka. Mendova se si do ta bëja dhe vendosa, por sot nuk do të isha lodhur ta bëja fare. Sepse tani nuk besoj më që mund të ndryshojmë diçka me art. Arti përdoret vazhdimisht nga elita politike për qëllime ideologjike. Artistët gjithmonë kanë qenë vegla, gjatë gjithë jetës. Nuk mendoj se arti është mënyrë për të triumfuar mbi vrazhdësinë politike. Nuk mund ta luftosh politikën me art. Politikën mund ta luftosh me politikë.

Edhe sot që po ekspozoni në documenta 14 e mbani të njejtin qëndrim kundër artit?

Pas vitit 2006 më pyetën ‘çka tash?’ dhe thashë: “mendoj se do të filloj të luaj një lojë të re, për pare”. Dikur besoja se me art me të vërtetë mund ta ndryshojmë botën, se arti mund t’i bëjë të gjitha këto. Dhe tani, ok, nëse është biznes, bëjmë biznes. Nuk po mundohem ta bind dikë se jam duke e bërë për Kosovën – ende nuk i kam thënë askujt se jam duke e përfaqësuar Kosovën në documenta. Jam duke e përfaqësuar vetëm veten, askënd tjetër.

Në documenta 14 jeni duke ekspozuar disa vepra,  prej të cilave njërën e keni bërë në vitin 2017, “Adonis”. A mund të flisni më shumë për këtë vepër?

Për documenta unë u mora më shumë me blerje, dhe jo me krijim. Pas trembëdhjetë vitesh, pasi e kam mohuar origjinalitetin e secilës ide, secilit artist, tash dua të di vetëm çfarë ka për t’u blerë dhe për t’u shitur. E pyeta dikënd nëse mund të ma shiste idenë e tij, dhe e bëri.

Kjo ishte pjesa më interesante. I thashë se ishte për documenta, dhe se nuk jam artist – se thjesht doja ta blija. I thashë të ma jepte çmim, dhe ramë dakord për dy mijë euro. Nuk ishte problem, përderisa kisha të drejtë ta vendosja emrin tim në të. Sigurisht, për të blerë një punim të duhet një kontratë, kështu që e kontaktova një avokat. I thashë të më jepte një deklaratë që ta blija më pas. Kur ta kesh deklaratën, bëje kontratën.

Meqë koncepti i documenta është për krizën globale, të ilustruar nëpërmjet marrëdhënieve ndërmjet grekëve dhe gjermanëve, unë e kam marrë një lis i cili u mbjell në Kassel në 1982, dhe kam shkuar në Athinë, në Universitetin Kombëtar Teknik, ku fillimisht u mposht diktatura ushtarake e cila kishte vrarë shumë studentë, dhe e shartova atje drurin. Desha të krijoja një marrëdhënie të re ndërmjet grekëve dhe gjermanëve. E zhvendosa krejtësisht. Kjo pjesë është vetëm tregti. Krejt çka duhet është të dish çfarë të marrësh dhe ku ta marrësh, si ta paketosh e ambalazosh, dhe si ta shitësh.

E shartova drurin në Greqi dhe e krijova një video. Në video shihet që e kam marrë lisin në Kassel, dhe kam shkuar në Athinë me të. Përveç videos dhe drurit, në ekspozitë është edhe një tavolinë, mbi të cilën është deklarata, kontrata, dokumentet e pagesës dhe i gjithë procesi ligjor i përfshirë në krijimin e idesë së ekspozuar.

E titullova Adonis që të krijoja një ndërlidhje virtuale. Doja të krijoja një dru të tretë, një marrëdhënie të tretë, dhe desha ta gjejë një dru në Greqi i cili kishte një histori të veçantë, dhe mësova për një dru në malet e Greqisë, druri më i vjetër në Europë, Adonisi.

"Kam çmim - si prostitutë. Eh, a po don me u kënaqë? Kaq ka me të kushtu."

Sokol Beqiri

Adonisi është simbol i bukurisë, dhe më interesoi si simbol i bukurisë i cili u lind nga një veprim i pamoralshëm. Një baba kishte bërë seks me të bijën e tij pa e ditur, dhe pastaj e bija lindi. Kur e kuptoi babai i saj, ai donte ta çnderonte atë, sepse ajo me sa dukej e kishte mashtruar. E bija shndrrohet në dru, dhe nga ai dru lind Adonisi. Më pëlqeu poeticizmi i këtij tregimi, dhe i shtoi një dimension poetik veprës.

Pra e kam blerë këtë punim, nuk është i imi. Jemi mësuar që të mendojmë për artin si praktikë e sofistikuar, dhe për artistët si njerëz të cilët janë prekur nga Zoti – jo, jo. Është si ta bësh një hamburger. Artisti e ka një kanavacë, e kuzhinieri e ka skarën. Artisti e zgjedh ngjyrën e duhur, kuzhinieri mishin. Është procesi i njejtë për të arritur një rezultat.

Dallimi i vetëm është se jemi mësuar të shohim piktura në galeri, që të krijohet një iluzion i caktuar brenda nesh, e hamburgerin thjesht e hamë pa menduar dy herë se si është bërë e kush e ka bërë.

Çka u thoni atyre që pretendojnë se kjo që ju po e bëni tani – pra zhvlerësimi i artit dhe reduktimi i tij në biznes – është prapëseprapë formë e krijimit të artit?

Më duhet të jetoj për diçka. Më duhet t’i paguaj faturat. Nëse ke nevojë për diçka, e kërkon. Mendoj se duhet të shkojë kështu: je kurator, ke një koncept, më fton në ekspozitën tënde, sepse ndoshta mendon, siç mendoi Adam [Szymczyk, kuratori i documenta], se mënyra se si kam reaguar unë është e mirë. OK, nëse mendoj se mund të bëj projekt për ty, e bëj. Ta propozoj një projekt, të pëlqen projekti, dhe menjëherë ta them çmimin. Kam çmim – si prostitutë. Eh, a po don me u kënaqë? Kaq ka me të kushtu”.K

Kjo intervistë u zhvillua në gjuhën shqipe dhe u përkthye në gjuhën angleze. Është redaktuar për gjatësi dhe qartësi.

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.