Biseda | Serbia

Staša Zajović: Shpeshherë harrohet se të drejtat e njeriut përfshijnë të drejtën për të ëndërruar

Nga - 29.12.2018

Koordinatorja e grupit Gratë në të Zeza flet për refugjatët, luftërat, pavarësinë e Kosovës dhe të drejtat e njeriut.

Për më shumë se 30 vite, Staša Zajović e ka kundërshtuar patriarkinë, politikat luftënxitëse dhe nacionalizmin; tipare karakteristike për shoqëri të rajonit. Derisa i ka tejkaluar pengesat me të cilat është ballafaquar gjatë rrugëtimit të saj prej të cilave kishte shumë ajo ka nuk është ndalur në punën e saj si aktiviste.

Si koordinatore dhe një prej themeluesve të degës serbe të grupit nërkombëtar feminist dhe antimilitarist Gratë në të Zeza, aktivizmit i Zajović vazhdimisht është karakterizuar me protesta paqësore.

Gratë në të Zeza rregullisht ia ka kujtuar publikut serb krimet e luftës që janë kryer në shtetet që dolën nga Jugosllavia. Gjatë luftës 1992-95 në Bosnje dhe Hercegovinë, ato dolën në rrugët e Beogradit dhe folën për krimet dhe vrasjet e kryera nga forcat e mbështetura nga qeveria; të njëjtën gjë e bënë gjatë luftës 1998-99 në Kosovë. Prandaj në Serbi, shumëkush i referohet atyre si ‘organizata joqeveritare më e urrejtur’ nga ata që janë në pushtet dhe mbështetësit e tyre.

Zajović thotë se ato kanë jetuar me këtë etiketim prej viteve të Slobodan Miloševic-it, i cili punoi sistematikisht për t’i demonizuar ato dhe organizatat e tjera të ngjashme në Serbi. Sipas Zajović, presidenti aktual serb Aleksandar Vučić ka vazhduar me të njëjtat politika dhe qasje.

Prandaj në nëntor të këtij viti, Gratë në të Zeza lajmëruan se do ta padisnin Vučić-in në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasbourg.

“Qeveria në Serbi nuk po e fsheh më faktin që janë duke e mbështetur një mori të organizatave të ashtuquajtura patriotike, profashiste”, u tha në një kumtesë për media të publikuar nga Gratë në të Zeza më 29 nëntor të këtij viti. “Aleksandar Vučić, [Ministri i Punëve të Jashtme] Ivica Dačić dhe [Ministri i Mbrojtjes] Aleksandar Vulin ishin pjesë e politikave dhe qeverisë që e nxiti, ndihmoi dhe frymëzoi gjenocidin e Srebrenicës dhe plot krime të tjera në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë. ata ishin pjesë e qeverisë që kreu krime të shumta në Kosovë”.

Prej vitit 2015, kur një numër i madh i refugjatëve u nisën drejt Bashkimit Evropian nga Ballkani, Gratë në të Zeza dhe Zajović kanë shprehur solidaritetin duke e ngritur zërin për ta, duke theksuar përsëri dhe përsëri që lufta sjell fatkeqësi për të gjithë, përveç atyre që i detyrojnë njerëzit të largohen dhe përfitojnë prej tyre.

Puna e Zajović-it ka ndikuar tek plot grupe feministe nëpër botë, por edhe ka bërë që ajo të ballafaqohet me plot probleme në Serbi, përfshirë këtu sulme fizike. Një shembull i tillë ishte sulmi i vitit 2014 ndaj Zajović-it dhe aktivistëve të tjerë të Grave në të Zeza në Valjevo, Serbi, kur ishin duke shkuar në ngjarjen e përvjetshme përkujtimore të gjenocidit në Srebrenicë.

Në nëntor, Zajović bashkë me aktivistë të tjerë ndërkombëtarë u prezantua me një çmim nga konferenca Sharia, Ndarje dhe Sekularizëm në Londër për “kontributin e madh të saj për kauzën e të drejtave të grave dhe sekularizmit”. Konferenca shënoi 10 vite të fushatës One Law for All që avokon “për barazi pavarësisht prejardhjes, besimeve dhe religjioneve”.

K2.0 bisedoi me Staša Zajović në Ditën Botërore për të Drejtat e Njeriut më 10 dhjetor në Beograd, ku biseduam për disa prej çështjeve më të rëndësishme të vitit 2018.

Foto: Lazara Marinković / K2.0

K2.0: Sa është e vështirë të jesh aktiviste dhe feministe në Serbinë e sotme?

Staša Zajović: Në Serbi, në përgjithësi është e vështirë të jesh person që mendon lirshëm. Veçanërisht e vështirë është të flasësh në mënyrë kritike, të qartë dhe publike për këtë regjim. Një nga temat me të dhimbshme në Serbi është qasja ndaj krimeve të luftës dhe llogaridhënia e qeverisë, prandaj targetohen shpesh Gratë në të Zeza. Aktivizmi jonë feminist sigurisht se është pjesë e kësaj teme të ballafaqimit me të kaluarën.

Për mua, duhet të them, feminizmi nuk lidhet vetëm me çështje gjinore, por qasja feministe është diçka me të cilën ndihem e lidhur. Kjo do të thotë se politikat e eksportit të armëve dhe qëndrimet ndaj luftës janë dy temat që më shqetësojnë mua si qytetare e përgjegjshme, sepse armët që prodhohen në Serbi përdoren për të vrarë njerëz në Lindjen e Mesme dhe Afrikë.

Për një qerek shekulli, Gratë në të Zeza kanë ngulur këmbë në ballafaqimin me të kaluarën, mbi të gjitha në Serbi. A e kemi arritur atë ditë, kur kemi parasysh se të njëjtit njerëz janë në pushtet në Serbi, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë, apo të paktën njerëz me të njëjtat ide që i sollën luftërat e 90-ve?

Është bërë disi e zakonshme që ata që kanë qenë pjesë e boshtit të makinerisë së prodhimit të krimit të kthehen në pushtet. Në vitin 2000 u përhap një ide e gabuar që mund të fillojmë të ndërtojmë diçka të re pa këputje radikale.

Ne që punojmë me njerëz në teren me njerëz që i kanë përjetuar tmerret e luftës e dimë se e kaluara është e tashmja për ta dhe poashtu edhe e ardhmja. Unë punoj me gra nga Vukovari dhe Srebrenica [qytete në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë që u prekën masivisht nga shkatërrimi dhe krimet e luftës kundër civilëve], dhe dëshira e tyre për drejtësi është rritur me kalimin e viteve. Kjo është dramë e madhe, për shkak se janë shumë krime të papërpunuara të luftës dhe plot vuajtje dhe trauma të thella që nuk janë pranuar.

Kjo është e tashmja e viktimave, por jo vetëm e tyre; është e tashmja e të gjithë neve që jetojmë në këtë vend. Kudo që kthehesh, ata që shfrytëzojnë dhe ata që shfrytëzohen janë pjesë e të njëjtit model kulturor.

Foto: Lazara Marinković / K2.0.

Ishte e domosdoshme jo vetëm të ekstradohen ata që dyshohen për kryerje të krimeve të luftës si pako komerciale që ne e dërguam në Hagë, përderisa qëndruam ashtu siç ishim por edhe të performohen reforma bazike institucionale, e tash është tepër vonë për këtë për purifikim, hapje të dosjeve penale, programe arsimore. Ka modele të mirënjohura që kemi mundur t’i kopjojmë, por nuk e bëmë. Tani e kemi një varg të lidhjeve oligarkike ndërmjet profiterëve të luftës dhe mafias kriminale.

Shiheni Vučić-in ai ishte ministër i informimit, tifoz i futbollit, ‘burrë i popullit’ me identitete plurale. Kushdo që kishte iluzionin se ai mund ta lante gjakun nga duart e tij, është dëshmuar se e kishte tepër gabim. Edhe disa zyrtarë evropianë menduan kështu. Ujku kimën e ndërron, por zakonin nuk e harron.

Këto ditë përsëri e kemi një mungesë të dalluar të harmonisë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Kosova i ka rritur taksat për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. A mendoni se ka vullnet politik për t’i zgjidhur problemet ndërmjet dy qeverive?

Ne mund të spekulojmë vetëm për lojërat politike që po luhen dhe për atë se në çfarë mënyre po përkujdesen për nevojat dhe sigurinë e njerëzve, si dhe për çështjen e vetëvendosjes. Gjithmonë ka civilë të pranishëm në të dy anët, viktima që përdoren për hir të realizimit të të ashtuquajturave interesave kombëtare.

"Ne jemi të lidhur për mendësinë patriarkale, sepse Kosovë nuk është vetëm Prishtina dhe Serbi nuk është vetëm Beogradi. Kosova është Ferizaji, Serbia është Svilajnaci".

Duhet të them se është e pakuptimtë edhe të flasim për atë se a duhet të njihet Kosova. Unë shkova në Kosovë dhe jam dëshmitare e tmerrit. Kjo lidhet me llogaridhënien, për të gjetur se çfarë ndodhi me personat e pagjetur, të cilët u transportuan në plot varreza masive në Serbi. Jo vetëm për t’i shënuar ato varreza, por edhe për t’i gjetur fajtorët dhe njerëzit që janë përgjegjës për këtë. Është barrë e madhe. Të dy palët duhet t’i gjejnë dhe ndjekin penalisht ata që janë përgjegjës.

Ne jemi të lidhur për mendësinë patriarkale, sepse Kosovë nuk është vetëm Prishtina dhe Serbi nuk është vetëm Beogradi. Ky nuk është imazhi [i vërtetë]; këto janë dritare të rreme të dyqaneve. Kosova është Ferizaji, Serbia është Svilajnaci. Më pëlqen të shkoj në Ferizaj dhe Svilajnac, sepse aty e kuptoj më së miri realitetin, më shumë se në Beograd dhe Prishtinë. Me mbështetje të papërgjegjësisë së Bashkimit Evropian, qeveritë e Serbisë dhe Kosovës po e keqpërdorin vuajtjen dhe pakënaqësinë e njerëzve dhe po e kthejnë kundër nevojave të tyre duke zbatuar urrejtje etnike.

Unë nuk e reduktoj çështjen e vetëvendosjes vetëm në çështjen e kombësisë, por edhe në lloje tjera të nevojave. Duhet të zgjerohet hapësira e lirive civile dhe identitetet duhet të definohen lirshëm.

Foto: Lazara Marinković / K2.0

Ju i keni ndihmuar refugjatëve që filluan të vijnë në Serbi në 2015, në të ashtuquajturën rrugën e Ballkanit drejt BE-së. Autoritetet serbe pretendojnë se statusi i tyre këtu është më i miri në gjithë Evropën. Çfarë mendoni për këtë?

Neve na kanë ndaluar të shkojmë në kampe të refugjatëve në Serbi dhe shtrohet pyetja: Çfarë nuk po na lejohet të shohim? Kriza e refugjatëve është militarizuar aq shumë sa që Evropa po e shndërron në një fortesë. Nuk ka asnjë shtet, prej atyre në të cilët kalon rruga e Ballkanit, që nuk ka përfituar nga tragjedia e refugjatëve, në bashkëpunim me akterët shtetëror.

Si i shpenzon Komisariati për Refugjatë [në Serbi] këto para? Pse është një sekret? Në këto territore, ka qenë e lehtë të zhvillohet mafia post-përfituese që ka lulëzuar edhe në vitet e 90-a. Tragjedia e refugjatëve është sfidë për planetin dhe gjithë njerëzimin. A mund ta ndërtojë kapitalizmi global një shoqëri ku ka rrjedhë të lirë të kapitalit dhe të mallrave, por jo të njerëzve? Për shembull, afganët në Kabul paguajnë 18,000 euro për të ardhur në Evropë në këmbë, ndërsa neve na duhen rreth 1,000 euro për të shkuar në Kabul.

Ne bashkëpunojmë vetëm me lëvizje të solidaritetit nëpër Evropë të cilat e shohin mosbindjen civile si obligim. Në emër të frikës, racizmi kulturor dhe aparteidi që u pa në vitet e 30-a tani po vazhdohet. Telat me gjemba dhe Auschwitz lanë një shenjë të përhershme tek Evropa. [Por tani] liritë civile dhe baza në të cilën Evropa po ndërtohet janë duke u dëmtuar. Ne duhet t’i rivlerësojmë ato matrica. Duhet të ngritemi kundër krimeve ndaj njerëzimit.

Ne jemi dëshmitarë të poshtërimit brutal të refugjatëve arratisja nga varfëria, por mbi të gjitha nga lufta dhe nga pushtimi dhe politikat koloniale të Evropës. Nuk ka asnjë shtet evropian që nuk është i përfshirë në eksportin e armëve në Lindjen e Mesme nëpërmjet Saudi Arabisë, në Jemen dhe Siri.

Jeni shumë të pranishëm në gjithë rajonin. Si trajtohen viktimat në rajonin tonë? A gjejnë drejtësi familjet e viktimave?

Ne nuk kemi marrëdhënie me viktimat nga kombet tona në periudhën e pasluftës. Shikoni çfarë ndodhi në 2004 me rojet në Topčider [ku u gjetën trupat e dy ushtarëve serbë, të vrarë në rrethana të paqarta; për shkak se hetimet ushtarake dhe të pavarura prodhuan gjetje të ndryshme dhe shoqëria civile ka kërkuar një hetim të ri]. Poshtërimi i viktimave është tepër i pranishëm. Lidershipit shtetëror ia ndinë vetëm për shfajësim; kështu që ata do të vazhdojnë t’i përsëritin procedurat gjyqësore, t’i përsëritin krimet dhe qytetarët do ta paguajnë koston e këtyre procedurave gjyqësore.

Kur e kemi parasysh gjithë këtë, çfarë mund të themi për situatën aktuale sa i përket të drejtave të njeriut? Dhe për çfarë mund të shpresojmë në 2019?

Sistemi është i paqëndrueshëm. [Prej vitit 2015] rreth 15,000 njerëz janë zhdukur në det [ Mesdhe] deri sa ishin duke u arratisur nga lufta. Një numër i madh i njerëzve në Evropë janë të pakënaqur me këto ndodhi shfrytëzimi, shkelja e regjimit Shengen dhe kufizimi i lirisë së lëvizjes. Prandaj migrimi është rrotë e historisë që nuk mund të zhbëhet.

Foto: Lazara Marinković / K2.0.

Politikat e identitetit janë shkatërruese sepse i çnjerëzojnë njerëzit dhe i reduktojnë ata në elemente etnike dhe religjioze. Ka pluralitet të madh në mesin e refugjatëve. Është gjithashtu çështja që disa humanitarë besojnë se e vetmja gjë e rëndësishme për refugjatët është që ata të hanë dhe të mbijetojnë e kjo është gabim. Humanitarët që mendojnë kështu janë pjesë e sistemit të shfrytëzimit.

Shpeshherë harrohet që të drejtat e njeriut përfshijnë edhe të drejtën për të ëndërruar. Prandaj është e rëndësishme ta lexojmë [filozofin sufi] Rumin; edhe poezia është e rëndësishme, si dhe trashëgimia kulturore që është e ndërlidhur mes Lindjes dhe Perendimit.

Ju keni punuar për të drejtat e barabarta për një kohë shumë të gjatë, e pak ka ndryshuar. Hapësira për liri individuale është ende e vogël, ndërsa kriza e refugjatëve ka bërë që të rivlerësohet liria e lëvizjes. Çfarë ju motivon të vazhdoni të mundoheni të bëni ndryshime në këtë shoqëri?

Mund të duket patetike kur them se kjo është një domosdoshmëri morale, por kështu është. Kjo është lufta për humanizëm personal, lufta për humanizmin dhe dinjitetin e viktimave të padrejtësisë dhe krimeve që janë kryer në emrin tonë. Dua ta lë prapa një komunitet të njerëzve të ndjeshëm dhe të përgjegjshëm. Kjo shpeshherë është punë sizifiane, por nuk më duket e kotë.

Të gjithë e mbajnë barrën që e zgjedhin. Kam njoftuar plot njerëz nga zona e ish-Jugosllavisë të cilët i dua dhe i respektoj. Në veprimet tona të vogla kam parë mesazhe të mëdha të humanizmit. Ky shtet është i obliguar të ofrojë dëmshpërblime simbolike, si dhe lloje tjera të dëmshpërblimeve. Disa gjëra janë më pak të dukshme, por është proces politik shumë interesant. Kjo, ka rëndësi për mua.K

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën serbe.

Foto kryesore: Lazara Marinković / K2.0.