Biseda | Volume Up

Stevan Dojčinović: Mendova se publikimi i të vërtetës mjaftonte, por duhet të bëhet diçka edhe për gënjeshtrat

Nga - 25.04.2019

Gazetari hulumtues dhe fitues i çmimeve flet për zbulimin e rrjeteve të krimit, Paradise Papers dhe se si i trajton kërcënimet.

Stevan Dojčinović nuk e ka zgjedhur një jetë të lehtë.  

Si gazetar hulumtues që është, ai e kalon shumicën e kohës duke kërkuar nëpër dokumente dhe të dhëna me shpresën e bashkimit të pikave që i demaskojnë rastet e rënda të krimit të organizuar dhe korrupsionin. Si pasojë e nxjerrjes në pah të marrëveshjeve të dyshimta të privatizimit, shpërlarjes së parave dhe ministrave të korruptuar të qeverisë, ai gati çdo herë kalon në anën e gabuar të njerëzve të pushtetshëm.

Në një demokraci që funksionon mirë, kërkimi admirohet, por Dojčinović-i e kryen punën e tij në një regjion që kurrë nuk e ka konsideruar lirinë e medias si një pikë të fortë, dhe në një vend ku këto liri janë të mohuara. Reporterët pa kufi së fundmi e përshkroi Serbinë si “një vend ku praktikimi i gazetarisë nuk është as i sigurtë dhe as i përkrahur nga shteti”.  

Gazetarët e KRIK-ut janë nën vëzhgim të vazhdueshëm nga Agjencia e Inteligjencës së Serbisë.

Dojčinović së bashku me kolegët e tij në Rrjetin për Raportimin e Korrupsionit dhe Krimit (KRIK) që ai e themeloi në vitin 2015, e dinë si duket e gjithë kjo shumë mirë. Gjysma e thonjve në gishtat e tij janë krejt të bardhë. “Kam psoriazë si pasojë e gjithë stresit”, thotë ai.

Kryeredaktori, puna e të cilit ka qenë e vlerësuar në masë të madhe me çmime të shumta ndërkombëtare, ka qenë subjekt i fushatave të shpifjeve të liga nga tabloidët e mbështetur nga qeveria, shpeshherë si tentim për të penguar zbulime të rëndësishme nga faqja hulumtuese.

Rregullisht, ai ka folur publikisht sesi gazetarët e KRIK-ut janë nën vëzhgim të vazhdueshëm nga Agjencia e Inteligjencës së Serbisë (BIA) dhe për mënyrat e ndryshme në të cilat këta që janë të lidhur me hetimet e tyre kanë tentuar t’i ndalojnë.

Gazetares së KRIK-ut Dragana Pećo-s ia kanë thyer dhe kthyer përmbys banesën, por s’kanë marrë asgjë, në një tentim për ta frikësuar në vitin 2017, derisa një ministër i qeverisë po tenton ta padisë organizatën në katër padi të ndryshme.   

Paditë kanë të bëjnë me zbulimet që i kanë bërë për ministrin Nenad Popović-it gjatë raportimit të KRIK-ut si pjesë e hulumtimeve botërore të Paradise Papers në vitin 2017. Një tjetër lajm i madh që KRIK-u e ka sjellë në vitet e fundit ishin rrethanat e dyshimta të blerjes së një banese të shtrenjtë në Beograd nga Ministri i Mbrojtjes Aleksandar Vulin.

Foto: Screenshot of KRIK.rs.

Së fundmi, si përgjigje e “propagandave dhe gënjeshtrave” të publikuara nga shumica e mediave të kontrolluara nga qeveria e Serbisë, KRIK-u ka themeluar një platformë të dytë, Raskrikavanje, që ka për qëllim hetimin e raportimit nga mediat e tjera dhe demaskimin e miteve të tyre. Dojčinović tregon se lajmi shumë i raportuar në Serbi dhe në Kosovë i Aleksandar Vulin-it që thotë se ai do të hynte në grevë urie ishte, në fakt, i pavërtetë.

Para bisedës së tij Volume Up në Prishtinë sesi t’i bashkojmë gazetarët e Ballkanit, K2.0 u ul bashkë me Dojčinović-in për të diskutuar “trurin e propagandës” Aleksandar Vučić-in, duke folur për median, dhe sesi gazetaria hultumuese ndërkufitare është e nevojshme tani më shumë se kurrë.

K2.0: Së pari, dua të flas për gjendjen e lirisë së medias në Serbi. KRIK-u shihet si një nga organizatat e pakta mediale të lira në Serbi dhe jam i vetëdijshëm për reagimin e ashpër që e merrni. Si do ta përshkruaje situatën e mediave në vendin tënd?

Stevan Dojčinović: Mund të flas me orë të tëra për lirinë e medias. Nuk e di sa është e ditur kjo në Kosovë por ne nuk kemi një shtyp të lirë në Serbi. Po mendoj, në përgjithësi, mund të gjesh ndonjë por jo prej medias qendrore apo medias që ndiqet nga miliona shikues. Kemi medie të lira që veprojnë në internet, por vetëm një gazetë me qarkullim të vogël, një kanal televiziv që është i lirë por nuk është njëri nga [kanalet] më të mëdha televizive në vend.

Për shembull, nëse i zbulon rastet e mëdha të korrupsionit në Serbi, ato shkojnë vetëm tek një numër i vogël i mediave të pavarura dhe nuk mbërrijnë te një audiencë më e madhe dhe numri më i madh i njerëzve nuk informohen rreth kësaj çështjeje, kryesisht sepse ata informohen nga mediat që kontrollohen nga qeveria, që në shumicën e rasteve bëjnë propagandë dhe publikojnë gjëra të këqija për opozitën dhe gazetarët e pavarur.

Ka probleme me median në çdo vend të Ballkanit, mirëpo në Serbi kjo është në një nivel krejt tjetër. Nuk mund ta gjesh asnjë vend tjetër në Ballkan ku nuk ke media të fuqishme. Në Serbi nuk kemi as media që e mbështesin opozitën, e le më media të pavarura; media qendrore është vetëm ajo çka thotë qeveria.

Të ngriten nervat sepse mbushesh me gënjeshtra që nga minuti që zgjohesh në mëngjes.

Në Mal të Zi, për shembull, janë disa gazeta si Vijesti që janë ende media të forta që e kundërshtojnë qeverinë, por Serbia është i vetmi vend në Ballkan ku nuk mund ta gjesh një media të vetme që është e pavarur, përderisa në Kosovë, një tjetër shembull, mund të gjesh disa media që nuk janë të lidhura me qeverinë.

Është vështirë ta shpejgosh ndjenjën që ta jep raportimi i medias në Serbi është e neveritshme dhe të ngriten nervat sepse mbushesh me gënjeshtra që nga minuti që zgjohesh në mëngjes.

I ke disa “zona të lira” ku mund të shkosh, pak media që janë të lira dhe gjithashtu Twitter është shumë i rëndësishëm në Serbi sepse audienca nuk është e madhe dhe zakonisht njerëzit aty e kuptojnë çka po ndodhë dhe i shpërndajnë artikujt; Twitter është vendi ku mund të gjesh informacione të vërteta se çka po ndodhë në Serbi. Twitter është shumë i rëndësishëm për ne gjithashtu, është një lloj hapësire e lirë ku mund të shkosh dhe të lexosh disa lajme të vërteta.

Por, jashtë kësaj, çdo gjë është e mbushur me propagandë dhe gënjeshtra nga çdo kënd. Njerëzit kanë filluar të lodhen nga gjithë këto lajme propagandistike dhe gënjeshtra nga mediat kryesore.

Pesë kanalet televizive më të rëndësishme që frekuentohen më së shumti në vend janë të kontrolluara nga qeveria dhe nuk mund të gjesh informata të vërteta aty, asgjë.

A mendoni se, në përgjithësi, publiku në Serbi është i vetëdijshëm se çka po ndodhë me këto media? Sa shumë ndikohen nga e gjithë kjo?

Epo, njerëzit që e përdorin internetin për t’u informuar, që lexojnë lajme nga portalet në internet dhe rrjetet sociale kanë më shumë shancë të marrin informata të sakta ata e kuptojnë çka po ndodhë më mirë. Por, një pjesë e madhe e popullatës nuk ka qasje në internet ose nuk janë në gjendje që në mënyrë të duhur ta përdorin teknologjinë moderne dhe internetin, si për shembull personat e moshuar. Kjo është pjesa e popullatës që më së shumti mbështetet në TV për informim.

Sondazhet e bëra në Serbi kanë treguar se televizioni është ende media kryesore në Serbi një qytetar i Serbisë mesatarisht kalon pesë orë në ditë duke shikuar televizor. Kjo është shumë, kjo është me të vërtetë shumë. Prandaj, televizioni është mjeti kryesor. Pesë kanalet televizive më të rëndësishme që frekuentohen më së shumti janë të kontrolluara nga qeveria dhe nuk mund të gjesh informata të vërteta aty, asgjë.

Edhe gjatë fushatave elektorale, udhëheqësit opozitar nuk kanë qasje në këto kanale televizive dhe nuk shfaqen fare aty mund ta dëgjosh vetëm opinionin e qeverisë. Shumica e njerëzve e shikojnë këtë dhe vazhdimisht ushqehen me këtë propagandë e ky është problem i madh në Serbi. Qeveria në mënyrë të përkryer e kupton se ky është mjeti i tyre më i rëndësishëm, ndaj ata mund të heqin dorë nga gjithçka, por kurrë nuk do të heqin dorë nga media.

Si e ushtron qeveria këtë kontroll ndaj medias? Çfarë mjetesh i përdorë për ta pasur tërë këtë ndikim?

Është kryesisht përmes mjeteve financiare. Qeveria jonë jep shumë para për median përmes dy kanalave të ndryshme. E para është përmes një programi të quajtur ‘projekti i financimit të medias’ që bëhet përmes një ligji dhe ishte një ide e mirë, por doli të ishte e keqe [dhe i dyti është përmes fondacionit të reklamimit].

Rezultatet ishin vërtetë qesharake sepse tregojnë që sa më shumë që një media i thyen rregullat etike, aq më shumë para merr nga qeveria.

Idea [e parë] ishte që qeveria qendrore dhe institucionet vendore t’i mbështesin projektet e rëndësishme të medias, për ta bërë median e pavarur më të fortë. Por, të gjitha paratë iu jepen tabloidëve që bëjnë propagandë dhe publikojnë gënjeshtra, prandaj ligji abuzohet dhe kjo përbën mënyrën e parë në të cilën qeveria ka ndikim në përmbajtjen e medias.

Këshilli i Mediave i Serbisë, një organ i pavarur, bën hulumtime çdo vit dhe pastaj e publikon një listë të mediave që kanë bërë shkeljet më të mëdha të rregullave dhe etikës së gazetarisë. Rezultatet [këtu] ishin vërtetë qesharake, sepse tregojnë që sa më shumë që një media i thyen rregullat etike, aq më shumë para merr nga qeveria.

OJQ-ja jonë i ka dy uebfaqe KRIK-un dhe Raskrikavanje-n. Kjo e fundit është një faqe ku ne i publikojmë hetimet dhe artikujt rreth raportimit të bërë nga mediat e tjera, kështuqë është një lloj i një uebfaqeje të veçantë e dedikuar për hulumtimin e punës së mediave të tjera. Çdo ditë, ne zgjedhim lajme të mëdha nga mediat e tjera dhe pastaj provojmë t’i demaskojmë, duke tentuar t’iu tregojmë lexuesve se ku kanë treguar gënjeshtra këto media, në të njëjtën kohë e hetojmë nga ku i marrin paratë këto media.

Në ditët e sotme nuk është e rëndësishme vetëm të publikosh storje të vërteta por gjithashtu duhet të demaskosh gënjeshtrat.

Pastaj, provojmë ta reklamojmë storjen tonë dhe synojmë audiencën e medias që e ka publikuar lajmin e pavërtetë në rend të parë. Prandaj, lajmi nuk ka për synim të lexohet nga lexuesit e KRIK-ut, sepse ata veç e dijnë se këto janë gënjeshtra, por ne provojmë t’u tregojmë lexuesve të mediave tjera çfarë gënjeshtrash po shkruajnë gazetat e tyre të preferuara.

Në ditët e sotme nuk është e rëndësishme vetëm të publikosh storje të vërteta por gjithashtu duhet të demaskosh gënjeshtrat. Është e vërtetë se pesë vite më parë kam menduar se publikimi i të vërtetës mjafton, por tani gjithashtu duhet të bësh diçka për gënjeshtrat.

A merrni reagime të ashpëra nga mediat e tjera, a nevrikosen kur ju vërtetoni se ata po shpërndajnë gënjeshtra derisa po marrin fonde nga qeveria?

Po, ata vërtetë nevrikosen me ne, por kemi pasur probleme me ta edhe më herët sepse kurdo që ne publikojmë ndonjë lajm hulumtues në KRIK ku i zbulojmë rastet e korrupsionit, media e njëjtë gjithmonë na sulmon. Nëse e publikon një storje për korrupsionin sot, mëngjesin tjetër do t’i gjesh pesë storje plotë me gënjeshtra për ne, gjëra si për shembull ne jemi spiunë që punojmë për amerikanët dhe këso lloj lajmesh.

Prandaj, kur filluam t’i demaskojmë, niveli i problemit mbeti i njëjtë.

Si po portretizohet situata në Kosovë në mediat serbe?

Epo, kur bëhem gati të vijë në Kosovë, gjyshja ime shqetësohet sepse ajo mendon se situata këtu është pranë luftës ajo mendon se unë mund të vritem. Gjatë gjithë kohës media flet për luftën, luftën, luftën dhe njerëzit si gjyshja ime mendojnë se jam i çmendur që po vij këtu ku ka bomba dhe gjëra të tilla.

Nëse i ndjek zhvillimet duke e lexuar Informer-in apo duke e shikuar Pink TV, e merr verzionin e qeverisë për situatën në Kosovë. Zakonisht, në realitet është krejt e kundërta.

Përmes medias së tij të kontrolluar, Vučić-i tenton të paraqes lidhjet me Kosovën si të tensionuara, më të mëdha sesa që janë në të vërtetë, ndonjëherë duket sikur ne jemi pranë luftës.

Së dyti, ata japin shumë storje të këqija për udhëheqësit e Kosovës më së shumti për Hashim Thaçin dhe [Ramush] Haradinajn me deklarata vërtetë të fuqishme. Kam përshtypjen se politikanët në Serbi dhe në Kosovë punojnë së bashku pa probleme dhe kanë marrëveshje në prapaskenë të cilat ne nuk i dimë, dhe çka shohim në media është krejt e kundërta e kësaj, sepse ky është modus operandi i tij.

Vučić është në një mënyrë truri i propagandës.

 

Njerëzit në Serbi rrallë e dinë çka po ndodhë në Kosovë. Tani, ka pasur bisedime për shkëmbime territoresh apo demarkacion, por ata kurrë nuk e shpjegojnë. Ndonjëherë e kuptojmë se Vučić-i është takuar me Thaçin, por ata e fshehin këtë prej publikut dhe nuk mundohen ta shpjegojnë më shumë, përderisa në fjalime publike ata bëhen kinse e urrejnë njëri-tjetrin.

Për shembull, nëse Serbia dëshiron të pranojë diçka të madhe në negociata me Kosovën dhe Bashkimin Evropian, lajmet në faqet e para do të jenë se udhëheqësit e opozitës serbe e shitën Kosovën dhe kështu me radhë. Prandaj, është një lloj i vet-projektimit të realitetit në median qendrore.

Nëse e shikojmë si merret Vučić-i me median, mendoj se ka shumë sofistikim. Besoj se në Serbi ndodh propaganda më e mirë që bëhet në botë, më së shumti sepse presidenti ynë ka një histori të gjatë me këtë lloj të punës.

Në vitet e 90-ta ishte Ministër i Informimit në qeverinë e Milošević-it, dhe jo rastësisht, por ishte i talentuar dhe ishte i obsesionuar me median. Nga viti 2000, ishte në opozitë dhe për 12 vite vazhdoi të jetë i përfshirë në këtë fushë dhe kur e riktheu fuqinë në vitin 2012, gjëja e parë që e bëri ishte të marrë nën kontroll median me një njohuri të sofistikuar sesi bëhet kjo gjë. Ai është në njëfarë mënyre truri i propagandës.

A mendoni që ai është shkaku kryesor dhe parësor që gjendja e mediave në Serbi është kaq keq?

Jo, të tregohem i drejtë, ai nuk është personi që e ka kriju këtë sistem të kontrollimit të medias, ky sistem ishte krijuar para tij. Edhe para se media të kontrollohej përmes kanaleve të financuara. Në qeveritë e kaluara, kontrolli ndaj medias gjithashtu ka ekzistuar, por ishte në nivel të njëjtë me vendet tjera në regjion, ku mediat të mëdha e të pavarura ekzistonin.

Kur Vučić erdhi në fuqi, kontrolli ishte më brutal dhe e mbylli plotësisht median, por ai e bëri gjithë këtë në një mënyrë të sofistikuar.

Gjatë bombardimeve të NATO-s, ai po e censorizonte në mënyrë zyrtare median redaktorët do të vinin në zyrën e tij dhe ai do të kishte fjalën e fundit në atë se çka do të publikohej dhe çka jo. Tani [prej kohës që] erdhi prapë në pushtet në vitin 2012, ai ka ndryshuar mënyrën e tij, por është vështirë të vërtetohet që ai e bën ende këtë sepse nuk lë asnjë gjurmë.

Mediat në Serbi nuk janë të censorizuara, janë më shumë vet të censorizuara për shkak të parave që i marrin nga qeveria.

Foto: Screenshot of KRIK.rs.

Së fundmi keni publikuar një storje për takimin mes Zvonko Veselinović-it dhe vëllaut të Vučić-it. Veselinović-i shpesh përmendet në mediat në Kosovë në lidhje me aktivitetet kriminale dhe lidhjet që i ka me Milan Radojičić-in, i cili është i afërt me Listën Srpska dhe që ka një lidhje me Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj. Si e shihni këtë lidhje mes njerëzve, që janë të lidhur me krimin dhe polikanë të nivelit të lartë ne Kosovë dhe Serbi?

E dinim se Veselinović-i ka lidhje me njerëzit në krye të qeverisë së Serbisë, por përveç fotove që i kemi publikuar rreth takimit nuk kemi ndonjë provë tjetër. Por, e dimë se Veselinović-i merr shumë projekte të rëndësishme të shtetit me kompaninë e tij të konstruktimit të rrugës.

Ai ishte akuzuar për krime të ndryshme ekonomike gjatë [mandatit] të kaluar të qeverisë, dhe tani gjatë kohës së Vučić-it është shfajësuar. Sistemi i drejtësisë në Serbi është i njëjtë me shumicën e vendeve të regjionit dhe ai u lirua pasi u akuzua.

Gjithashtu është parë në disa prej ngjarjeve zyrtare të partisë së Vučić-it dhe tani i kemi fotot e tij së bashku me vëllaun e Vučić-it, një nga njerëzit më me ndikim në Serbi. Personi që na dha këto foto na tregoi se ata dukeshin që janë të lidhur miqësisht.

Kurrë s’ka pasur luftë për krim të organizuar — ata punojnë shumë mirë së bashku.

U takuan në malet e Kapaonikut, prandaj me shumë gjasë nuk janë takuar rastësisht dhe gjatë takimit kanë shikuar një ndeshje basketbollistike së bashku Red Stars ishin duke luajtur; kjo tregon se ata janë të afërt.

Shpesh thuhet se organizatat e krimit shpesh punojnë më mirë se vet qeveritë, duke e tejkaluar çdo lloj ndryshimi dhe duke bashkëpunuar pa probleme matanë kufinjve. Kurrë s’ka pasur luftë për krim të organizuar ata punojnë shumë mirë së bashku.

Shokues ishte një raport nga shërbimi ynë sekret i nënshkruar nga një ish-drejtor i qeverisë së kaluar. Agjencia e Shërbimit të Inteligjencës po e hetonte Veselinović-in dhe raporti tha se ai ka lidhje të forta me disa bosa të krimit nga Kosova, të cilët mandej i kanë lidhjet e veta me zyrtarë të lartë në qeverinë e Kosovës.

Nëse i bashkon pikat, mund të shohësh se organizatat e krimit shpesh i fusin qeveritë në kontakt me njëra tjetrën.

Disa prej emrave të përmendur në raport janë pothuajse të panjohur këtu në Kosovë, ndoshta sepse mungon raportimi për krimin e organizuar në mediat e Kosovës.

Raporti tregoi se Veselinović-i e kontrollon pjesën veriore të Kosovës, partnerët e tij kosovar i kontrollojnë pjesët e tjera të Kosovës dhe biznesi ecë shumë lehtë. Disa prej emrave të përmendur në raport janë pothuajse të panjohur këtu në Kosovë, ndoshta sepse mungon raportimi për krimin e organizuar në mediat e Kosovës. Gjithashtu, emri i njëjtë përmendet në një raport të inteligjencës gjermane nga BND (Shërbimi Federal i Intelegjencës), por në median në Kosovë nuk mund ta gjesh as edhe një artikull të vetëm për të.

Prandaj, po, krimi i organizuar funksionon, bosat punojnë së bashku pavarësisht gjithçkaje tjetër. Për shembull, gjatë luftës në Bosnje, Arkani, udhëheqësi i grupeve paramilitare që luftuan atje dhe kryen krime lufte, ishte duke punuar me ushtrinë boshnjake në të njëtën kohë duke kontrabanduar armë dhe municion. Ushtria boshnjake pastaj do t’i përdorte të njëjtat armë dhe municion për të luftuar kundër serbëve. Prandaj, ata vetëm shfrytëzojnë çdo mundësi për të bërë para dhe nuk i intereson asgjë tjetër.

Një javë më parë, një grup i kontrabanduesve të drogës u arrestuan në Kroaci. Një burrë ishte udhëheqës zyrtar i Bad Blue Boys që është një nga grupet më të forta huligane në Zagreb të cilët e përkrahin Dinamo Zagrebin dhe partneri i tij në kontrabandë ishte nga Delije, huliganë që e përkrahin klubin e futbollit Red Star në Beograd. Ata shprehin shumë urrejtje ndaj njëri-tjetrit duke organizuar përleshje dhe çdo gjë tjetër, por bashkëpunojnë në mënyra tjera.

KRIK është njëra nga mediat e përfshira në Projektin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP), i cili i ka bërë kryetituj botëror me hetimet e Paradise dhe Panama Papers, që kanë nxjerrë në pah rastet e keqpërdorimit të lartë të financave si dhe nivelin e lartë të korrupsionit nga zyrtarët policor dhe figurat e tjera të fuqishme. Tani që ka kaluar një kohë nga pubilikimet fillestare, a mendoni se ia ka vlejtë?

Gjatë Paradise Papers i kemi gjetur disa dokumente dhe e kemi publikuar pasurinë e një ministrit të qeverisë sa i përket parave dhe pronave që i posedon dhe disa kompani të lidhura me të. Ky ka qenë një lajm mjaft i madh, por ai na paditi katër herë për të njëjtën storje, por në padi të ndryshme një rast mjaft unik. Çka ishte e çuditshme ishte se gjykata i pranoi të katër paditë dhe ne tani kemi katër procese ligjore të ndryshme për të njëjtën storje, diçka që s’është parë më parë.

Dhe tani procesi është ende në zhvillim. Na ka paditur në janar vitin e kaluar. Ka shumë ndikim si ministër dhe ai nuk dëshiron të marrë pjesë në procedura, prandaj ai vetëm po e shtyn dhe po e zvarrit procesin, duke u munduar të na lodhë [sa i përket] kohës dhe parave. Kjo gjë kushton, sepse ne duhet të paguajmë avokatë vetëm për t’u përgjigjur në një process paditës ligjor kushton rreth 500 euro.

Kjo po na torturon dhe po e shkatërron plotësisht orarin dhe po na shpenzon paratë, por ia vlen sepse tani njerëzit mund ta shohin më mirë kush është në të vërtetë ai ministri i qeverisë.

Ai është Nenad Popović, një burrë me lidhje të forta me Rusinë dhe i cili është tani ministër në qeverinë e Serbisë ai është gjithashtu shumë i pasur. Sipas Paradise Papers, prona e tij ka vlerë rreth 100 milionë euro. Prandaj, për të, luajtja me ne në gjykata nuk i kushton asgjë, por për ne do të thotë shumë para dhe kohë e humbur.

Në shkurt e kemi publikuar një storje tjetër për të, për procesin e privatizimit që ishte menaxhuar keq ku 300 njerëz mbetën pa punë. Donim t’i tregonim atij se ne nuk do të ndalemi, por e pranoj, është një makth.

Madje edhe ardhjen këtu, në Kosovë, e kam shtyer disa herë për shkak të procesit të gjyqit, kjo më humb mua plot udhëtime tjera biznesore që është dashur t’i anuloj për shkak të kësaj.

Por, ne mendojmë se ia vlejti sepse e kemi riformësuar opinionin e publikut për të. Qytetarët në Serbi tani mund ta shohin se kush është ai në të vërtetë dhe qytetarëve nuk iu pëlqen fakti që na ka paditur. Kjo po na torturon, po e shkatërron plotësisht orarin dhe po na shpenzon paratë, por ia vlen sepse tani njerëzit mund ta shohin më mirë kush është në të vërtetë ai ministri i qeverisë.

Keni probleme me biznismen të pasur, politikan të fuqishëm dhe persona të lidhur me qeverinë. A keni frikë?

Jo, mundohem mos të kem frikë. Është keq nëse redaktorët kanë frikë, pritet nga unë t’i motivoj të tjerët dhe mos ta shfaq se kam frikë dhe po mundohem ta përballoj shumicën e gjërave që janë mbi mua. Ndonjëherë, marrim kërcënime, mediat e tjera shkruajnë lajme të këqija për ne, dhe pastaj kemi disa padi më shumë që duhet të merremi me to.

Frika nuk është problem në Serbi, por presioni i vazhdueshëm

Përveç Popović-it, është një burrë nga krahu i djathtë i Britanisë që na ka paditë dhe pastaj e kemi shërbimin sekret që po na spiunon shumë, po na ndjek, ndonjëherë gazeta i publikon fotot që janë bërë me kamera të fshehura nga shërbimi sekret.

Kemi shumë presion gjatë gjithë kohës 24 orë.

Nuk mund të relaksohesh në asnjë çast, gjithë kohës duhesh të ruhesh nga njerëzit që po të ndjekin, që po të bëjnë foto dhe kështu me radhë. Frika nuk është problem në Serbi, por presioni i vazhdueshëm. Njëherë, njëra nga reporteret tona shkoi në banesën e saj dhe dera ishte e thyer, banesa ishte e kthyer përmbys, çdo gjë në kuptimin e plotë të fjalës.

Problematika më e madhe është raportimi për korrupsionin dhe krimin e organizuar. Edhe nëse shkon si reporter në zona të luftës, mund të vdesësh nga bomba dhe fatkeqësia mund të ndodhë, por nëse arrin të kthehesh prapë në shtëpi, stresi në njëfarë mënyre ndalon dhe ti e lë çdo gjë prapa, por kur e heton krimin e organizuar është një stres gjatë gjithë kohës që nuk ndalet kurrë.

Nuk e ndjen se dikush do të të vras tani, por e ndjen njëfarë rreziku të nivelit mesatar dhe presioni zgjat me vite, kështu që nuk është një ambient i shëndetshëm për të punuar.

Diskutuat sesi eksponentët politik dhe kriminal bashkëpunojnë për të zgjeruar biznesin e tyre përtej kufinjve, por si është gjendja e mediae ndër regjionale? Çfarë mund të bëjmë për të sjellë bashkëpunim mes mediave dhe gazetarëve në një nivel tjetër?

Sot, në të vërtetë media e luan rolin më të rëndësishëm. Nuk mendoj se ishte kështu më parë, por sot është. Sepse në shumicën e vendeve tona në Ballkan, nuk ke polici të vërtetë, prokurori dhe gjyqtarë në përgjithësi ata janë të gjithë të kontrolluar nga qeveria

Prandaj, nuk është e mundur ta luftosh korrupsionin përmes kornizave të qeverisë, prandaj sot, sidomos në Ballkan, policia dhe prokurorët nuk janë ata që janë aty për t’i ndalur veprimet e këqija. Kurrë s’ka qenë një kohë më e mirë për të qenë i korruptuar se sot.

Në dekadat e fundit, jo vetëm në Ballkan, por gjithashtu në nivel botëror, ke çdo herë më shumë populistë që po vijnë në fuqi, prandaj edhe në nivel ndërkombëtar korrupsioni nuk po shihet si një punë e madhe. Tani, shumë më shumë njerëz po e bëjnë dhe po e pranojnë si një mënyrë e të bërit gjërave në një nivel më të ulët.

Të vetmit njerëz që mund t’i bëjnë këto lidhje janë një grup i gazetarëve që mund të bëjnë lajme ndërkufitare, sepse kjo është mënyra në të cilën funksionon krimi.

Kjo po ndodh edhe në BE. Një nga lajmet e medias që punon me OCCRP-në tregoi sesi anëtarët e parlamentit të BE-së po merrnin rryshfete në llogaritë e tyre bankare nga Azerbajxhani, pasi qeveria atje ishte duke arrestuar gazetarë dhe duke kryer të tjera shkelje të të drejtave të njeriut.

Mendoj se kjo lidhet me ardhjen e populistëve në fuqi. Për shembull, besoj se Vučić është shok i mirë me [Viktor] Orbán, [Reccep Taiyyp] Erdoğan dhe gjithashtu me Hashim Thaçin. Në njëfarë mënyre, idea është ta bëjnë korrupsionin të ligjshëm disi, dhe njerëzit e vetëm që ata i kanë frikë janë gazetarët, sepse ata kanë kontroll të mirë-krijuar ndaj fushave të tjera të institucioneve.

Pra po u bën thirrje gazetarëve të marrin përgjegjësi…

Po, sepse gazetaria çdo ditë po bëhet më e dobët dhe kemi nevojë t’ua kthejmë dhe ta bëjmë këtë së bashku. Për shembull, një lajm për politikanët serb të përfshirë në korrupsion dhe krim ka ndikim të vogël nëse nuk e paraqet storjen e plotë të lidhjeve të tyre me politikanët e vendeve tjera.

Të vetmit që mund t’i bëjnë këto lidhje janë një grup i gazetarëve që mund të bëjnë lajme ndërkufitare, sepse krimi funksionon kështu. Çfarë duhet të bëjmë është të provojmë t’i tregojmë rrjetet në sfond, komplotet, lidhjet mes qeverisë tona në mënyrë që njerëzit të kuptojnë çka po bëjnë qeveritë e tyre.

Nuk është askush tjetër, në kuptimin e plotë të fjalës; nuk mund të presësh nga prokurorët të marrin përgjegjësi dhe të arrestojnë një ministër në qeverinë tonë. Prandaj, lexuesit tanë në KRIK japin kontribute për ne sepse ata mund ta ndjejnë se po e bëjnë një punë që askush tjetër në vend s’mund ta bëjë. Por duhet të krijojmë rrjete në regjion që ta kuptojmë më mirë këtë bashkëpunim.

Merre për shembull rastin e [Nikola] Gruevski  [në Maqedoninë Veriore]. Kur e humbi pushtetin në mënyrë që të ikë nga vendi ai shkoi në Shqipëri, pastaj në Mal të Zi, Serbi dhe pastaj në Hungari. Kjo tregon se ai ka pasur lidhje dhe jam i sigurt që ka pasur garantues në të gjitha këto vende para se të ikte.

Kjo është e ngjashme me atë që duhet të bëjnë gazetarët: Duhet të bashkëpunojnë më shumë dhe të mundohen të bëjnë më shumë storje ndërkufitare.K

Fotoja kryesore: Atdhe Mulla/ K2.0

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista është kryer në gjuhën angleze.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.