Një nga hapësirat e Medica Gjakova është e arranzhuar për të ofruar atmosferën e një dhome së rehatshme të ditës. Divanët i rrethojnë dritaret e mbuluara me perde, që e shërbejnë funksionin tradicional të tyre: të krijojnë intimitet për personat që janë brenda.
Një grup i grave shpeshherë rrinë të ulura rreth një tryeze të ulët, simbol klasik i kafes dhe bisedës. Por bisedat rrallëherë janë gazmore dhe pa brenga në Medica Gjakova.
Pjesën më të madhe janë rikujtime të përvojave të dhimbshme dhe përpjekjeve për të gjetur rehatinë që u mungon në dhomat e ditës në shtëpitë e tyre.
Kur K2.0 në nëntor vizitoi rreth 10 gra, të gjitha të mbijetuara të dhunës seksuale të kohës së luftës, ishin duke e mbajtur takimin e rregullt të tyre me një psikolog.
Organizata ofron shërbime psikologjike për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë kohës së luftës që vijnë prej pjesëve të ndryshme të rajonit të Dukagjinit, por shpeshherë vizitojnë edhe të mbijetuara nga pjesët e tjera të Kosovës; për këto gra, distanca më e madhe nga shtëpitë e tyre garanton më shumë konfidencialitet dhe rrjedhimisht më shumë rehati.
Me lokacion nuk është shumë larg qendrës së Gjakovës. Me të hyrë në organizatë, secila e mbijetuar e gjen një hapësirë të tretë. Viktimat e përdhunimit gjatë luftës në Kosovë u bënë bashkë për ta formuar një lidhje të afërt të motrave, një shtyllë e mbështetjes për njëra tjetrën.
Vasfije Krasniqi-Goodman
Vasfije Krasniqi-Goodman shihet si frymëzim nga plot të mbijetuar të dhunës seksuale të kohës së luftës në Kosovë, për guximin e saj që e tregoi duke folur publikisht për atë se si u përdhunua kur ishte vetëm 16 vjeç.
Para një audiencës në studio, ajo i ekspozoi dy autorët e krimit — një polic serb dhe një burrë pa uniformë — dhe luftën e saj të gjatë në kërkim të drejtësisë, në një gjykim të komplikuar dhe shumë të kritikuar. Pavarësisht faktit se ajo i identifikoi dy autorët e krimit, gjykatat i shpallën të akuzuarit të pafajshëm; Fondi për të Drejtën Humanitare, organizatë që i monitoron gjykimet e krimeve të luftës, thotë se gjykata dështoi në ndjekjen penale të autorëve të krimit si rrjedhojë e hetimeve të parregullta dhe jo për shkak të mungesës së dëshmisë.
Rasti i Krasniqi-Goodman e ka theksuar faktin se të mbijetuarve u mohohet drejtësia, për shkak se vetëm disa nga rastet e dhunës seksuale të kohës së luftës në Kosovë kanë arritur deri te procesi i ndjekjes penale. Pas paraqitjes publike të saj, Prokurorja Speciale Drita Hajdari tha për emisionin televiziv BIRN Kosovo, Jeta në Kosovë, se ajo e ka rihapur hetimin për rastin.
Gjatë vizitës në nëntor, K2.0 e pati mundësinë të takohet me të mbijetuarat e një fshati afër Pejës. Brenda organizatës, ato njihen si grupi i emëruar sipas fshatit të tyre. Pjesa më e madhe e këtyre grave, që sot janë të moshës 40-60, u përdhunuan në shtëpitë e tyre nga forcat serbe gjatë një sulmi në zonën e tyre; disa u përdhunuan para familjarëve të tyre.
Për shkak se e kanë njohur njëra tjetrën për shumë vite, tani për njëra tjetrën ofrojnë rehati dhe mbështetje kur janë duke i rikujtuar përvojat e përbashkëta të traumës, stigmës dhe izolimit; bisedat me psikologun dhe njëra tjetrën mbesin si e vetmja mënyrë nëpërmjet të cilës mund t’i largojnë shtresat e heshtjes dhe turpit.
Në dy muajt e fundit, një temë e re është diskutuar në takimet e tyre: Vasfije Krasniqi Goodman.
Më 16 tetor, kjo grua 36 vjeçare e cila aktualisht jeton në Texas, SHBA, doli në Radio Televizionin e Kosovës për të treguar se si u përdhunua gjatë kohës së luftës kur ishte vetëm 16 vjeç.
Si e mbijetuara e parë që e rrëfeu publikisht traumën e saj me kaq shumë hollësi, Krasniqi-Goodman i dha hov temës së dhunës seksuale, një temë që është shpërfillur me vite. Gati dy dekada pas fundit të luftës, dhuna seksuale u bë, të paktën për disa ditë, një temë e madhe në media; reagimet mbështetëse erdhën nga organizatat e shoqërisë civile, anëtarët e publikut dhe politikanët, e këta të fundit u kritikuan shumë për hipokrizinë e tyre, pasi që dëshmitë tregojnë se me vite institucionet kanë dështuar në mbështetjen e tyre për të mbijetuarit.
Deri sa Krasniqi-Goodman ishte duke e rrëfyer historinë e saj, shumë vëmendje iu kushtua dy njerëzve të pranishëm në audiencë,: bashkëshortit të saj amerikan dhe vëllaut të saj. Mbështetja që ia dhanë dy burrat, veçanërisht vëllau i saj, u lëvdua shumë për shkak se ekziston një kulturë në të cilën të mbijetuarat shpeshherë nuk janë mbështetur fare nga familjarët e tyre, veçanërisht meshkujt, e kjo ka bërë që të shtohet stigmatizimi dhe izolimi i tyre.
K2.0 e kaloi ditën duke biseduar me të mbijetuarat e dhunës seksuale të kohës së luftës për ta marrë perspektivën e tyre për Vasfije Krasniqi-Goodman e cila foli publikisht për traumën e saj, për ndikimin që mund ta ketë ky rast në fuqizimin e tyre dhe për rëndësinë e mbështetjes nga familja.
"Ne ishim duke u bërë gati për të pirë çaj në shtëpinë e një fqinji..."
Ne ishim duke u bërë gati për të pirë çaj në shtëpinë e një fqinji dhe thash “Këqyre atë, hallall i qoftë!” Pastaj fqinji më ndali dhe më tha: “Ndërroje, ndërroje se vetëm po rrejnë”.
Vasfija ishte në TV. Unë nuk e shpreha kurrë mllefin tim tek ata, por më mbetën fjalët në fyt. Dhe i thash “Qysh mund të thuash kështu?” Ata më shikuan sepse reagimi im ishte shumë i keq. Ka disa javë që nuk e vizitoj më atë familje.
E mblodha fuqinë aty për aty. Dhe shumë mirë që doli ajo. Dhe që po e mbështesin kështu.
Unë nuk i dija të gjitha detajet, që ajo është në Shtetet e Bashkuara, apo që bashkëshortin e ka amerikan. E di që rrethanat i ka ndryshe, por prap ndihem më e fuqishme. Kur e pamë Vasfijen, ne e mbështetëm. Nuk ishim të guximshme sa ajo, por na ka fuqizuar.
Këtu në Kosovë, qëndrimet e shoqërisë sonë dihen. Rrethanat janë ndryshe [në SHBA]. Ne ende nuk e kemi atë siguri.
Unë për vete po ndihem më e fuqishme. Ndonjëherë më vjen të qaj, por e mendoj atë dhe më kthehet fuqia. Ajo e bëri një hap të tillë dhe kjo na ka dhënë guxim dhe na ka hapur gojën.
Nuk isha e mirë me veten. Nuk isha e mirë me njerëz rreth meje, me familjën dhe miqtë e mi. I kam lënduar. Kur fillova të vi këtu në Gjakovë, u bëra më e qetë. Por kemi nevojë për siguri. Këtu [në Kosovë] disa njerëz na kuptojnë e disa jo.
Të paktën unë dhe pesë fëmijët e mi e kemi një gjuhë të përbashkët. Bashkëshorti dhe fëmijët më mbështesin. Vetëm njëri prej djemve nuk e bënte. Jeta ime ishte ferr sepse nuk më fliste me vite. Ndonjëherë madje harroja çfarë më ka ndodhur në 1999, aq e vështirë është kur nuk të flet fëmiu yt.
Ata e bënë para tij.
E thirra atë në Gjermani dhe e pyeta nëse e ka parë Vasfije Krasniqin. I thash vajzës sime të ia dërgojë videon. Ajo e bëri dhe i kërkoi atij t’i lexonte komentet. Ajo ndodhi dhe tani unë dhe djali im i kemi punët mirë me njëri tjetrin. Të gjithë duhet ta dinë këtë, që sot i biri im më mbështetë. Paramendoni, djali im më mbështetë prej kur doli ajo video dhe më thotë “Mam, më fal!” Me vite nuk folëm me njëri tjetrin dhe pastaj vjen kjo ditë. Sepse ndodhi para syve të tij. Dhe fëmiu i vogël mban në mend gjithçka.
Një nga motrat tona flet publikisht, e gjithë bota e sheh dhe vuajtja bëhet më mirë. Mendoj se pas një viti mund ta bëjë të njëjtën gjë si Vasfija. Por rrethanat janë ndryshe. Mund të më bëjë më keq se që isha. Është problem këtu në Kosovë, veçanërisht në fshatin ku jetoj. Gjithmonë më kanë vënë në shënjestër. Sa herë që dal… ditët e fëmijëve të mi në shkollë nuk ishin të mira… gjithmonë flisnin njerëzit.
Dhe tani ndalem dhe mendoj dhe i them vetes: ‘Kjo ka ndodh dhe kjo jam unë’. Do të ishte shumë mirë po të mund të dilnim te të pesëtit publikisht, sepse e di që thonë ‘ka fakte’ por kur kalon koha [pa folur publikisht të mbijetuarit] fillon t’i harrosh detajet.
Duhet ne të luftojmë për vete. Nuk duhet t’i lejojmë të na heshtin. Kur nuk luftojmë për mes vete, askush nuk mund të na bëjë keq. Dhe Vasfija ishte si një terapi për mua. Si organizata [Medica Kosova]. Shumë vështirë është, me gjithë ato që na kanë ndodhur gjatë luftës. Por Vasfija u mundua të na largojë nga errësira dhe keqardhja që e ndjenim.
Ndonjëherë thoja ‘dua të shkoj në polici dhe të flas’. Por e ndalja veten dhe thoja ‘Ngadalë, sepse kam fëmijë’. Por siç po shihet është krejt te koha. Para katër vitesh isha në gjendje të tmerrshme. Erdhi koha që po ndihem më e fuqishme dhe jam një hap para. Vetëm edhe një vit për ta marrë guximin për të dalë publikisht. Nëse nuk luftoj për vete, kush lufton për mua?
Dhe tani më shumë se kurrë duhet të jemi të bashkuara.
"Unë nuk e pashë Vasfijen kur ishte duke e treguar historinë e saj".
Unë nuk e pashë Vasfijen kur ishte duke e treguar historinë e saj. E pash lajmin kur ajo e morri mirënjohjen nga presidenti. Nuk jam e lirë të flas apo komentoj. Bashkëshorti im nuk e din për mua. Djali im e din por nuk e përmend kurrë — ai ishte aty.
Por për atë që më ka ndodhur nuk ndihem e lirë të flas me burrin tim, fqinjtë, familjen e gjërë e madje as djalin tonë. Dhe djali jonë vetëm i dëgjon lajmet dhe kurrë nuk flet për këtë. Kurrë nuk e çelë temën.
Njëherë unë dhe motra e burrit tim ishim duke biseduar dhe doli diçka në TV. Ajo tha “Me të lodhë. Vetëm e bëjnë të madhe”. Unë kam dëshirë t’i dëgjoj dhe i përcjelli lajmet sa më shumë që mundem por nuk mund t’i obligoj tjerët ta bëjnë këtë.
Kur ka storje për përdhunime në TV, ato zakonisht nuk diskutohen. Kur shoh lajme në TV, apo diçka për Vasfijen, ndihem mirë që po bisedohet për këtë temë. Që dikush po e sheh apo po dëgjon për atë që ka ndodhur. Por kur dhoma është e plot me njerëz, burri dhe djemtë e mi menjëherë e ndërrojnë kanalin. Fillojnë ta shikojnë ndonjë film apo diçka tjetër. Unë nuk mund ta shikoj deri në fund sepse nuk më lejojnë.
Është barrë, por kur bëhemi bashkë me gratë këtu ndihem më mirë. Sepse në shtëpi kurrë nuk kam dashur që dikush ta nisë atë bisedë, e të më thonë diçka.
Sigurisht se do të ishte shumë më mirë po të më mbështeste burri im. Por së pari më duhet të flas me të, ta shoh se si reagon. Dhe nuk mund të them asgjë deri në atë kohë. Ka burra që i kanë mbështetur gratë e tyre, e ka që nuk e kanë bërë. Nuk jam e sigurt se si do të reagojë. Prandaj më duhet të vazhdoj kështu.
"Burrin ma vranë në luftë".
Burrin ma vranë në luftë. Dhe prej atëherë kam jetuar me familjarë.
Nuk mendoj se e dinë fëmijët e mi për këtë. Ishin shumë të ri. Ishin aty, por në një hapësirë tjetër. Kështu që nuk e di sa dinë.
Jam ndjerë më e lirë prej që kam filluar të vi këtu. Falë psikologut që më ka dhënë mbështetje të tillë.
Kur u rritën fëmijët e mi, vazja m’i puthte duart dhe më luste të mos vija këtu [në Medica]. Ajo më luste shumë herë: ‘Të lutem mos shko sepse nuk dua të të shohin atje”.
Djali i parë jeton jashtë vendit. Djali i dytë — nuk e di sa din ai. Kur ka lajme për dhunën seksuale gjatë kohës së luftës, ai thotë: “Mam, shko atje”. Ma bën me kokë të shkoj në dhomën tjetër për t’i parë lajmet. Pastaj shkoj në dhomën tjetër dhe e shoh çfarë po ndodh.
E vetmja mbështetje që më është dhënë në jetën time ishte mbështetja e familjarëve të mi, të cilët e hapën derën për mua dhe fëmijët e mi kur ma vranë burrin.
Babi im nuk e din. Por ai është më i vjetër dhe konservator dhe nuk ndihem rehat t’i them atij. Nuk do të guxoja kurrë të flisja për këtë publikisht. Jam e lirë të dal e gjithçka, por nuk do të guxoja ta bëja atë. Ambienti është i tillë në fshatin ku jetoj.
Por më pëlqeu shumë kur doli Vasfija. Më bëri të ndihem mirë. Edhe unë dua mbështetje të tillë — ndoshta po ta kisha do të flisja edhe unë. Mendësia është shumë më ndryshe. Kur e ke mbështetjen e burrit dhe familjes dhe jeton jashtë, është ndryshe. Por jo kështu.
Do të doja të iu tregoja fëmijëve të mi dhe ata të më mbështesnin. Nuk do të ma ndinte aq për të tjerët. Po mendoj të flas me fëmijët e mi kur të jemi të gjithë së bashku.
Të gjithë vëllezërit i kam jashtë vendit. Askush nuk më ka përmendur asgjë. Por mendoj se disa prej tyre mund ta dinë sepse një familjar i imi ishte aty kur ndodhi. Kishte plot dëshmitarë. Mendoj se gratë aty mund të kenë folur me vajzat e tyre apo njerëz të tjerë. Mendoj që ka njerëz që e dinë për mua por kurrë nuk kanë thënë diçka. Thjeshtë dua të kem mundësi të flasë me fëmijët e mi dhe ta kem mbështetjen e tyre.
"Nuk i kam parë vëllezërit e mi me vite".
Nuk i kam parë vëllezërit e mi me vite. Ata e lanë Kosovën pas luftës dhe nuk më kanë kontaktuar prej atëherë. Fëmijët janë të rritur, të martuar apo në moshë të martesës dhe pastaj ke lidhje të reja me familje të reja dhe bëhet edhe më e vështirë.
Askush nuk e din për mua. Burri im e dinte por atë e vranë pas luftës. Ai më gjeti në një situatë të keqe pasi ndodhi ajo.
Edhe një kushërire e dinte. Kur hynë forcat serbe në fshat për herë të parë, fillimisht hynë në shtëpinë e saj. Pastaj hynë në shtëpinë time. Por edhe ajo vdiq. Fëmijët e mi kurrë nuk e kanë kuptuar. Nuk guxoj të flasë. Është shumë e vështirë. Është thuajse jam memece dhe nuk di asgjë.
Kemi shumë probleme me djemtë e mi dhe gratë e tyre. Po ta dinin, do të më largonin prej shtëpisë. Pa burrin tim, do të më largonin menjëherë. Sepse do të më thonin ‘Ti e ke bërë këtë’ dhe do të mjaftonte për të më larguar. Veçse më trajtojnë keq. Vazhdimisht më thonë ‘mbylle gojën’.
Nuk mund t’u tregoj se po vi këtu [në Medica]. U them se po mundohem të gjej informata për burrin, të marrë ndihmë prej shtetit. Kështu u them sa herë më pyesin ku po shkoj. Po ta dinte gruaja e djalit tim, ajo do të më thoshte “plaka kurvë”.
Çfarë do të përfitoja prej kësaj? Pastaj nuk do të kisha fare marrëdhënie me ta. Nuk do të kisha më jetë. Tani ndihem e bllokuar sepse nuk mund të flas me askënd. Ka shumë njerëz rreth meje, por askush nuk e din ku shkoj kur dal.
Unë nuk e kam parë Vasfijen. Kam dëgjuar për të këtu. Nuk e kam parë sepse kurrë nuk e kam në dorë telekomandën, e as nuk më pyesin çfarë dua të shikoj. I vetmi vend ku kaloj mirë është këtu me shoqet e mia. Jemi shumë të lidhura dhe kalojmë shumë mirë me njëra tjetrën. Por jo me të tjerët.
"Unë nuk e kam parë Vasfijen".
Unë nuk e kam parë Vasfijen. Dhe nuk dija asgjë për të. Vetëm dëgjova më vonë. Situata ime është e tmerrshme. Vetëm burri im e din — ai më gjeti pasi ndodhi. Askush tjetër nuk e din.
Nuk mund të bëjë asgjë brenda shtëpisë. Jetoj me burrin dhe fëmijët dhe familjarët e tjerë jetojnë afër. Gjithmonë vi këtu [në Medica] fshehtas. Them se po shkoj te mjeku. Pastaj i them burrit të gënjejë për mua nëse e pyesin vëllau apo dikush tjetër se ku jam.
Familja ime ka qejf të ndërhyjë në punët e të tjerëve. Më pyesin vazhdimisht ku po shkoj.
Sa herë jam jashtë më thonë “Ku ishe rrugaçe?” Vëllau i burrit tim vazhdimisht më thotë rrugaçe.
Fqinjtë e dinë se çka ndodh në shtëpinë tonë para neve. Prandaj kurrë nuk kam guxuar të flas. Do të silleshin edhe më keq. Më kujtohet kur ishim [refugjatë] në Shqipëri dhe kishte kamera të televizioneve, mendoja ‘nëse dal në TV do të më poshtëronin’.K
Këto tregime personale janë redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Bisedat u zhvilluan në gjuhën shqipe.
Foto kryesore: K2.0
Ky artikull u shkrua fillimisht për Kosovo 2.0 si pjesë e projektit të Equal Rights for All, bashkëfinancuar nga Komisioni Evropian.
Përmbajtjet e këti publikimi janë përgjegjësi e vetme e projektit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merren për të pasqyruar pikëpamjet e Bashkimit Evropian.