Në thelb

Të bashkuara në përpjekjen për të drejtat elementare

Nga - 20.07.2022

E drejta e abortit po hiqet dalëngadalë.

Në maj, Mirela Čavajda, një nënë 39-vjeçare e një fëmije nga Zagrebi, në javën e 24-të të shtatzënisë u informua se fetusi që ajo mbante kishte tumor malinj. S’kishte shumë gjasa që Čavajda të mbijetonte gjatë lindjes dhe kishte shumë gjasë që foshnja të lindte me deformime të rënda. Katër spitale në Zagreb nuk e pranuan kërkesën e Čavajda për ndërprerje të shtatzënisë, duke këmbëngulur se nuk ishte në duart e tyre dhe  se në Kroaci aborti është i paligjshëm pas javës së dhjetë të shtatzënisë.

Mjekët e shpërfillën faktin se aborti lejohet me ligj pas javës së dhjetë nëse ka indikacione mjekësore se “fëmija do të lindte me defekte të rënda të lindura fizike apo mendore”, siç ishte rasti i Čavajda.

Përfundimisht, Čavajda shkoi në Slloveni, ku një bord mjekësor i dha lejen për ta ndërprerë shtatzëninë.

Ndonëse ky nuk është rasti i vetëm ku mjekët kroatë refuzuan të kryejnë abort,  përpjekja e Čavajda çoi në protesta masive në maj, nëpër qytete në mbarë Kroacinë. Në korrik, Čavajda mori çmimin Nada Dimić për promovimin e lirive shoqërore.

Situata në Kroaci është thjesht pika e fillimit në këtë turne të përpjekjes për të drejtën në abortit në të gjithë rajonin, ku feministet janë organizuar dhe po luftojnë kundër pengesave për qasje në abort.

Ligjshmëria nuk siguron disponueshmëri

Një rast tjetër përfshin pacienten M., një grua e re, e cila historinë e saj e tregoi për gazetën kroate “24 sata”, duke përfshirë dokumentacionin e plotë që mbështet historinë e saj.

Në javën e gjashtë të shtatzënisë, M. shkoi në qendrën mjekësore në Osijek për të kryer abort. Disa javë pas procedurës, në një kontrollë të rregullt tek gjinekologu, M. zbuloi se ishte ende shtatzënë. Ajo u kthye në qendrën mjekësore në Osijek, ku i thanë se aborti nuk ishte kryer për shkak të një infeksioni të supozuar.

Kur kërkoi t’i nënshtrohej sërish abortit, i thanë se është e pamundur sepse afati ligjor për kryerjen e një aborti tashmë kishte kaluar. Ndërprerja e shtatzënisë me kërkesë është e ligjshme vetëm brenda dhjetë javëve të para. Ashtu si Čavajda, M. u detyrua të shkonte jashtë shtetit. Shtatzëninë e ndërpreu në Holandë, me shpenzimet vetanake.

Ministri kroat i Shëndetësisë Vili Beroš këtyre rasteve iu përgjigj ngjashëm si paralajmërimet e mëparshme për mos-qasje në abort në Kroaci; ai shmangu përmendjen e çdo lloj rregullimi apo ristrukturimi serioz të personelit dhe bordeve spitalore, të cilat do të siguronin realizimin e plotë të së drejtës ligjore për abort. Kryesuar nga Koalicioni i Gjelbër-i majtë, partitë liberale dhe të majta u përgjigjën duke paraqitur mocion, për të dytën herë, për ta shkarkuar Beroš për shkak të situatës në sektorin e tij.

Elizabeta Matković nga kolektivi fAKTIV me seli në Zagreb tha se edhe pse është i ligjshëm, shpesh nuk ka qasje në abortin në Kroaci. Fotografia: Luka Pešun.

“Fakti se aborti është i ligjshëm në Kroaci, nuk do të thotë se është i disponueshëm”, tha anëtarja e kolektivit feminist fAKTIV, Elizabeta Matković, duke shtuar se aborti nuk është falas. Çmimet variojnë nga 1,500 deri në 4,000 kuna (200 deri në 550 euro) në spitale të ndryshme. “Përveç kësaj, rreth 60% e gjinekologëve mbështeten në kundërshtimet e ndërgjegjes, kështu që shpesh nuk mund të kryesh abort edhe nëse ke para”, tha Matković.

Ajo theksoi se nuk janë vetëm gjinekologët ata që bëjnë thirrje në kundërshtim të ndërgjegjes. Edhe infermierët dhe anesteziologët e bëjnë këtë herë pas here, kështu që ka pasur raste kur abortet kryheshin pa anestezi.

“Në disa spitale, si ai në Knin, kur i telefonon dhe i pyet për abortin, ata e përmendin Zotin dhe të drejtën për jetë, duke theksuar se një ditë fetusi juaj të cilin ata e quajnë ‘fëmija juaj’ mund të bëhet udhëheqës ose peshkop i madh. Vazhdimisht na është mohuar qasja në kujdesin shëndetësor, gjë që paraqet rrezik për shëndetin dhe jetën tonë”, tha Matković.

Paqja kushtetuese

Që nga viti 2016, kolektivi i fAKTIV organizon marshe të mëdha gjatë natës në Zagreb për 8 mars, Ditën Ndërkombëtare të Gruas, si pjesë e aktivizmit të tyre për promovimin e shëndetit riprodhues dhe të drejtën në abort. Matković tha se ato po kërkojnë përgjigje nga spitalet ku nuk ka personel gjinekologjik të gatshëm që kryejnë aborte për shkak të statusit të tyre që pretendojnë se kjo e drejtë është në kundërshtim me ndërgjegjen. Meqenëse njëri prej këtyre spitaleve, Spitali Klinik “Sveti Duh”, u themelua nga qyteti i Zagrebit, fAKTIV kërkon përgjigje edhe nga qeveria dhe pret që ata ta sigurojnë disponueshmërinë e abortit në spitalet e autorizuara për ta ofruar këtë shërbim.

Aktivistët e fAKTIV punojnë për ta zgjeruar diskutimin mbi abortin dhe për ta tërhequr vëmendjen në kontekstin shoqëror, ku kjo e drejtë nuk gëzohet, duke e ngritur çështjen për shkelje në punë dhe faktorëve të tjerë ekonomikë që ndikojnë në qasje në abort.

“Në çdo marsh të natës, e përsërisim se aborti duhet të jetë i ligjshëm dhe falas. Nuk duhet të varet nga karriera e një mjeku apo gjendja e xhirollogarisë së një punonjësi”, tha Matković. “Dhjetëra mijëra njerëz mbështesin kërkesat tona. Kemi marshuar, kemi folur në media dhe kemi ngritur pankarta jashtë spitaleve. Do të vazhdojmë të luftojmë. Nuk do t’i lejojmë që të na shfuqizojnë dhe të na e shkelin një të drejtë për të cilën gratë luftuan një betejë kaq të gjatë e të ashpër”, tha Matković, duke shtuar se njëri nga qëllimet e tyre është të përfshijnë sërish të drejtën e abortit në kushtetutë, prej së cilës u largua në vitet ‘90-ta.

Aktivistët kroatë kanë organizuar marshe protestash prej vitesh, duke kërkuar që të respektohen të drejtat themelore — duke përfshirë të drejtën e abortit. Fotografia: Lara Varat.

Në vitin 1974, Jugosllavia u bë një nga vendet e para evropiane që mbrojti me kushtetutë të drejtën për abort. Pas shpalljes së pavarësisë nga Jugosllavia, Sllovenia e mbajti këtë të drejtë në kushtetutën e saj. Tina Tomšič, aktiviste nga organizata Inštitut 8. Marec me seli në Lubjanë, shpjegoi se aborti në Slloveni është i sigurt dhe mbulohet nga kujdesi shëndetësor universal.

“Në Slloveni, qasja në abort varet nga fakti nëse personi ka gjinekolog apo jo dhe nëse gjinekologu është privat apo pjesë e kujdesit shëndetësor publik, duke qenë se gjinekologu e përshkruan abortin, i cili më vonë kryhet në spital. Nëse personi nuk ka një gjinekolog gjë që po bëhet gjithnjë e më shumë problem qasja në abort është ende e kufizuar”, tha Tomšič.

Ndonëse kohët e fundit nuk ka pasur arsye për protesta në Slloveni për shkelje të të drejtave të abortit, ka gjithmonë vend për përmirësim, tha Tomšič duke shtuar se sipas një ankete të fundit të opinionit publik të kryer nga agjencia e hulumtimit të opinionit publik Valicon, më shumë se 80% e njerëzve mbështesin të drejtën për abort në Slloveni.

“Ka ende vend për përmirësim”, insistoi Tomšič. “Në Slloveni, një person mund ta ndërpresë shtatzëninë pa një vlerësim të bordit mjekësor deri në javën e dhjetë. Pastaj, një person që dëshiron të abortojë duhet të përballet me një bord mjekësor të veçantë që ose i ofron ose i mohon qasje në abort deri në javën e 13-të të shtatzënisë. Kjo s’është ideale; ne besojmë se aborti duhet të jetë i disponueshëm për të gjithë deri në javën e 13-të të shtatzënisë, siç përcaktohet me ligj në shumicën e vendeve evropiane”.

Vitin e kaluar, Inštitut 8. Marec lëshoi një publikim rreth mendimeve të politikanëve sllovenë për të drejtën e abortit. Publikimi tregoi se partitë e djathta besojnë se rruga drejt abortit duhet të jetë më e vështirë. Ata e racionalizojnë këtë me shpjegimin standard konservator se “jeta fillon me shtatzëni dhe ajo duhet mbrojtur”.

“Besojmë se kjo për momentin nuk është ende shumë alarmante, por nëse ‘protestat e atyre që janë pro-jetës’ fillojnë të rriten, e drejta për abort mund të bëhet një e drejtë që do të vihet në pikëpyetje, në vend që të jetë një drejtë e garantuar”, tha Tomšič.

Çdo hap përpara kërkon vite punë

Feministet e feministët nga Mali i Zi kohëve të fundit kanë kërkuar të kihet kujdes, duke thënë se “skenari kroat” nuk është perspektivë aq e largët nëse Kisha vazhdon ta fuqizojë ndikimin e saj në shoqëri.

RTCG, shërbimi i transmetimit publik malazez, kohët e fundit realizoi një debat televiziv mbi abortin, në të cilin një nga pjesëmarrësit ishte Gojko Perović, kryeprift i Kishës Ortodokse Serbe dhe famullitar i Podgoricës. Kjo nxiti një protestë që u mbajt jashtë ambienteve të RTCG, ku protestuesit thanë se nuk do të lejonin që “levat e kishës t’i kontrollojnë trupat dhe fatet e njerëzve”.

Aktivistët në Maqedoninë e Veriut po ashtu po përcjellin me vëmendje zhvillimet në Kroaci. Maqedonia e Veriut ka një kornizë ligjore që funksionon në favor të shëndetit riprodhues të grave, duke rregulluar qasjen e lirë, të sigurt dhe ligjore ndaj abortit.

Maqedonia e Veriut pati një ligj kufizues për abortin që u ndryshua nën presionin në rritje të publikut. Fotografia: Vančo Džambaski.

“Në vitin 2019, qeveria miratoi një ligj të ri për abortin, i cili zëvendësoi ligjin e mëparshëm kufizues të miratuar në vitin 2013”, shpjegoi Jana Kocevska. Kocevska është anëtare e shoqatës feministe Tiiiit! Inc. dhe bashkëthemeloi festivalin PRVO PA ŽENSKO.

Megjithatë, Kocevska theksoi se ligji aktual, për të cilin mendon se është shumë më i mirë, erdhi si rezultat i përpjekjeve të gjata të aktivistëve.

“Ligji kufizues për abortin u miratua në vitin 2013, në mes të verës, kur Shkupi është në fakt një qytet fantazmë as një muaj pas dorëzimit të draftit”, tha ajo, duke shtuar se partia konservatore në pushtet e shfrytëzoi verën për ta miratuari shpejt ligjin, pa ndonjë diskutim publik apo konsultim me ekspertë.

“Sektori i shoqërisë civile për të drejtat e grave organizoi menjëherë protesta para Kuvendit, duke u shprehur kundër ndryshimeve kufizuese që frenonin qasjen në abort. Pas protestave, u krijuan shumë iniciativa, kështu që njerëzit u bashkuan dhe u mobilizuan; kjo i dha shkas MATKA – platformës që promovon të drejtën për abort të sigurt dhe të ligjshëm, e cila u publikua nga nëntë organizata”, tha Kocevska.

Pasuan fushata aktiviste. Ka pasur diskutime të vazhdueshme dhe intensive për ndikimin negativ të ligjit, veçanërisht mbi gratë nga komunitetet e margjinalizuara. Kocevska kujtoi se aktivistët publikonin materiale edukative, xhironin video dhe bënin paraqitje publike në ato pak media që ishin të hapura për bashkëpunim në atë kohë. E gjithë kjo çoi në miratimin e një ligji të ri në vitin 2019, dy vjet pas riorganizimit të qeverisë.

Për aktivistët e të drejtave për abort, situata e tanishme në Kroaci duket e zymtë dhe shumë gra po përgatiten ta vazhdojnë luftën për të drejtat e tyre. Lajmet e fundit nga Shtetet e Bashkuara, ku Gjykata e Lartë rrëzoi  “Roe v.Wade”, rastin e vitit 1973 që iu dha grave të drejtën për abort, duket se e konfirmojnë frikën se e drejta në abort mund të hiqet në çdo moment.

Imazhi i ballinës: Lara Varat.