Blogbox | Shëndetësia

Të bëhesh burrë — një reflektim feminist mbi synetin rutinor

Nga - 02.06.2020

Rrethprerja e djemve as nuk përligjet mjekësisht, as nuk është pa pasoja.

Ndërsa rikujtonte synetin e tij, Nelson Mandela e përshkroi atë si “sprovë trimërie e stoicizmi”. Pasi u rrethpre, ai kujton se kishte thënë “ndiyindoda!”, e cila mund të përkthehet si “jam burrë!”. Ndërkaq, ngjall interes fakti se Arbeni* — një burrë 30 vjeç nga një qytezë e jugut të Kosovës — përdor fjalët e njëjta kur pyetet për synetin e vet. Sot, Arbeni ende kujton burrat e odës duke i thënë me krenari pas operimit: “tash je bërë burrë i vërtetë!”

Për mua, si burrë i pabërë synet, këto fjalë tingëllonin paksa të çuditshme — a isha unë më pak burrëror për shkak të gjenitaleve të mia të paprekura? A kisha hyrë në moshën e rritur me besimin e pamend se burrë bëhesh atëherë kur ndihesh si i tillë? Pse nuk më kishin thënë gjë prindërit?

Më tej, isha sinqerisht i çorientuar nga fakti se, në gjithë botën, njerëzit mund ta festonin humbjen jokonsensuale të një pjese të trupit. Humbja e lafshës së organit, e një gishti, e një gjymtyre — si burrë italian i rritur në një derë katolike, ato më dukeshin të njëjta! Plot kureshtje nga çudia e kësaj pune, si dhe i interesuar për ta kuptuar “reagimin e neveritur” që e ngjallnin këto rrëfime te unë, nisa një hulumtim të gjatë për të kuptuar përse rrethprerja më dukej kaq e dhimbshme dhe e hidhur, ndërsa në botë rreth një në tre burra e përjetojnë atë — pa asnjëfarë “neverie”.

Në botë, shumë besime tradicionale e përligjin synetin duke shtrembëruar të dhënat shkencore dhe duke nënçmuar rreziqet dhe ndikimet e operimit, si dhe duke shpërfillur dhimbjen dhe traumën që u shkaktohet fëmijëve përmes tij. Justifikimet janë të shumta dhe kreative, dhe të gjithat kanë për qëllim keqinterpretimin e trupit mashkullor.

Shoqëritë tona me të vërtetë kanë tendencë t’i ruajnë interesat më të mira dhe integritetin trupor të fëmijëve përmes ndalimit të operimeve të pakthyeshme ndaj fëmijëve të vegjël nëse nuk ka nevojë urgjente dhe të shprehur mjekësore. Për ta lejuar synetin o duhet të shtiremi se nuk është operim, o duhet të themi ka ndonjë justifikim mjekësor, o duhet të mbajmë se nuk ka ndonjë ndikim relevant për trupin mashkullor. Asnjëri prej këtyre qëndrimeve nuk është i faktuar. Dhe ndërsa këto argumente janë shumë të dobëta dhe shkojnë kundër intuitës, mbrojtësit e synetit shpeshherë i paraqesin bashkërisht, si një ndërthurje e parëndësishme e konsiderimeve anatomike, morale dhe estetike.

Meqë është mjekësisht e mundshme të bëhen synet edhe gjenitalet mashkullore, edhe ato femërore, dallimi qëndron te mënyra se si perceptohen në shoqëritë tona trupat mashkullorë dhe femërorë.

Në Kosovë, ku thuajse 92% përqind e burrave janë të bërë synet, çuditem që diskutimi feminist, i cili gjallëron vendin kur vjen puna te çështjet e tjera të rëndësishme, nuk ka cekur synetin e meshkujve. Si shembull, Kodi Penal i Kosovës thotë: “Kushdo që pa arsye mjekësore, heq plotësisht ose pjesërisht ose i ndryshon në mënyrë të përhershme organet e jashtme gjenitale femërore, dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet”. Përse trupat e grave mbrohen ligjërisht dhe kulturalisht, e trupat e burrave jo? Përse janë të ndryshme ligjet që merren me lëkurën rreth gjenitaleve mashkullore dhe femërore?

Meqë është mjekësisht e mundshme të bëhen synet edhe gjenitalet mashkullore, edhe ato femërore, dallimi qëndron te trupat, ose thënë më mirë, te mënyra se si perceptohen, ndërtohen dhe shfrytëzohen trupat mashkullorë dhe femërorë në shoqëritë tona. Prej një pikëvështrimi të ndjeshëm feminist, unë jap argumentin se nocionet patriarkale kanë mveshur kuptimin që kemi për trupat mashkullorë, duke i nënshtruar kështu ndaj botëkuptimeve arkaike që ushqejnë vazhdimësinë e privilegjit mashkullor, njëherit duke i ekspozuar djemtë e rinj ndaj niveleve të papranueshme të dhimbjes, dëmit dhe agresionit.

Anekënd botës — përfshirë familjen e Arbenit — syneti përligjet me katër arsyetime (të gabuara):

#1 “Syneti përmirëson pastërtinë e penisit”

Ky argument më huton çdo herë që e dëgjoj. Kur Arbeni me kureshtje më pyet për këtë punë, unë thjesht i them se, sikur për të gjithë burrat e pabërë synet, pastrimi i penisit tim është gjëja që e përmirëson pastërtinë e tij. Natyrisht nuk ka nevojë për operim kur mund të përdor ujë dhe sapun, siç bëj me pjesën tjetër të trupit. Thonjtë e fëmijëve janë përherë plot me zdralë. A duhet t’ua nxjerrim siç bënin majanët ndaj armiqve të tyre? Apo duhet t’i mësojmë fëmijët t’i lajnë duart?

Nëse keni telashe ta pranoni plotësisht këtë fakt të pakundështueshëm, në rregull. Po kaploheni nga parehatia, dhe keni mundësinë ta zhbëni strukturën e fshehur të bestytnive të pakuptimta që keni trashëguar nga prindërit, dhe nga prindërit e tyre në të kaluarën.

#2 “Syneti zvogëlon mundësinë e sëmundjeve të tjera në moshë më të vjetër”

Kjo deklaratë kërkon reflektim më të thellë. Historikisht, syneti është lidhur me një grumbull të ndryshueshëm të dobive shëndetësore, duke e shndërruar në operimin më të përdorshëm për trupat e meshkujve. Fatkeqësisht, deri më sot nuk ka kurrfarë konsensusi mjekësor rreth dobive të synetit si operim standard që u bëhet sistematikisht fëmijëve meshkuj. Nuk është e qartë nëse syneti zvogëlon mundësinë e sëmundjeve në moshë më të vjetër dhe, çfarë është më me rëndësi, nuk është e qartë nëse barra e këtyre dobive të paqarta ia vlen qiranë e rreziqeve të operimit.

Edhe nëse do të kishte prova të bindshme që syneti është masë e mirë parandaluese ndaj patologjive, ai do të ishte operimi i vetëm invaziv ndaj fëmijëve që lejohet në mënyrë rutinore si parandalim, në pritje të vetë patologjisë.

Ta marrim një shembull. Ndryshe nga syneti, ka dëshmi që masektomia ul ndjeshëm mundësinë e paraqitjes së disa formave të kancerit të gjirit në moshë më të vjetër për gratë e rrezikuara. Rreziku mund të vlerësohet lehtas përmes testimit të ADN-së. Megjithatë, ne do të tmerroheshim nga ideja e heqjes së gjinjve të bijave nga prindërit e tyre, nëse vlerësohet se ato janë në rrezik të kancerit në moshë më të vjetër. Përkundrazi, do të prisnim që ata ta kontrollonin shëndetin e bijave të tyre në mënyrë periodike, t’i vënë në punë të gjitha strategjitë për zbutjen e rrezikut dhe, nëse rreziku i zhvillimit të kancerit do të shfaqej me të vërtetë, t’i konsideronin të gjitha shtigjet joinvazive para se të shkonin me operim. Edhe në këtë rast, nuk besoj se ndonjë mjek do të bënte operim pa konsultuar së pari fëmijën.

Pavarësisht nga kjo, asnjëra prej këtyre nuk ndodh në rastin e synetit. Arbeni ende kujton sa i tmerruar ka qenë para operimit, për të cilin dinte vetëm se “është diçka normale, të gjithë duhet ta bëjnë”. Ai ende mban në mend se si mbi njëzet burra — të afërm dhe miq të familjes — e shikonin heshtazi ndërsa ia zhvishnin teshat, e mbanin të shtrirë në krevat me forcë dhe pastaj — tek nëna përpiqej ta qetësonte — ia hoqën një pjesë të trupit pa e pyetur atë vetë. Ai kujton zhurmën e cakërrimit të gotave kur të afërmit dhe miqtë e familjes festonin lajmin e gjenitaleve të tij të prera jashtë dhomës së tij të gjumit.

Gabimet ndodhin më shpesh se ç’mendohet gjatë synetit, apo priten gjëra të tjera veç lafshës.

Ç’është edhe më shqetësuese, shihet qartë se si po shtrembërohet shkenca këtu për nevojat e kulturës dhe traditës ndërsa, globalisht, mjekët e komuniteteve rrethprerëse kanë tendencë ta rekomandojnë, kurse pjesa tjetër e botës nuk bën diçka të tillë. Meqë dëshmitë e disponueshme shkencore janë të njëjta, mjekët prej komuniteteve rrethprerëse rekomandojnë operimin për arsye jashtëshkencore.

Hipoteza ime është që punëtorët mjekësorë prej komuniteteve rrethprerëse, të cilët janë vetë të bërë synet, janë viktima të besëtytnive të njëjta sikur prindërit e tyre. Si rrjedhojë, prindërit gjejnë ngushëllim te besimi që një procedurë që e bëjnë vetëm për arsye kulturore dhe fetare gjithashtu ka justifikim mjekësor. Meqenëse rrethprerësit — mjekët dhe xharrahët — kompenzohen për shërbimin e tyre, konsiderimet ekonomike po ashtu mund të luajnë rol.

#3 “Syneti nuk është procedurë e rrezikshme, e dhimbshme dhe traumatike”

Është e qartë se, si operim, syneti përfshin rreziqe si çdo procedurë tjetër kirurgjike, sikundër janë komplikimet e lidhura me anestezionin (kur përdoret), hemorragjia, infeksionet, varrat. Këto rreziqe janë arsyeja përse përse mjekët rrallëherë rekomandojnë operimin kur një gjë e tillë mund të shmanget — qysh është rasti me shumicën e synetllëqeve, sidomos për individët që nuk mund të zgjedhin për veten e tyre, sikur fëmijët. Për më tepër, burrat e bërë synet u ekspozohen disa komplikimeve iatrogjenike që janë të veçanta për zonën e operimit — gjenitalet. Gabimet ndodhin më shpesh se ç’mendohet gjatë synetit, apo priten gjëra të tjera veç lafshës. Kjo mund të ketë pasoja të lemerishme për fëmijën.

Fatmirësisht, në Kosovë dhe në botë, prindërit po zgjedhin më shpesh mjekët — e jo prerësit tradicionalë — për t’i bërë synet fëmijët. Arbeni e pati këtë fat. Ndonëse kjo është për t’u mirëpritur, më duhet të këmbëngul që prerja me skalper prej një profesionisti të trajnuar mjekësor në vend se me brisk rroje prej një berberi natyrisht e zvogëlon rrezikun për fëmijët, por nuk e heq atë plotësisht. Për Arbenin prapëseprapë kishte rreziqe të panevojshme mjekësore. Prindërit që ende janë të gatshëm të hedhin zar duhet ta kenë parasysh se po rrezikojnë jo me trupin e tyre, por me atë të fëmijës së tyre.

Gjithashtu, dhimbja, sidomos te fëmijët meshkuj, minimizohet në mënyrë të pashpjegueshme. Dhimbja e shkaktuar nga syneti nuk është e shpejtë dhe mund të rishfaqet pas një kohe. Arbeni kujton mirë kur pati dhimbje të rëndë gjatë urinimit të parë pas synetit. Edhe nëse synetllëqet do të ishin joproblematike nga pikëvështrimi mjekësor, përse t’i nënshtrojmë fëmijët ndaj kësaj dhimbjeje? A nuk e gëzojnë ata të drejtën themelore të njëjtë si prindërit për të mos pësuar dhimbje që mund të shmanget?

Syneti mund të shkaktojë trauma të tjera të mëdha përveç dhimbjes. Arbeni kujton se nuk kishte marrë kurrfarë informate për këtë punë, për seksin ose për anatominë prej prindërve, mësuesve apo mjekëve. Thënë ndryshe, si fëmijë, ai i pa prindërit e tij duke e ndryshuar dhunshëm një pjesë të trupit të tij, në kushte të rënda të stresit dhe ekspozimit, ndërsa s’kishte ndonjë vegël kognitive për ta interpretuar ngjarjen përpos kuptimit që trupi i tij mund të zhvishej dhe të pritej prej burrave të odës kurdo që ata kishin dëshirë.

Ai kujton se si kishte bërtitur i përlotur duke thënë “përse ma bëtë këtë?” pa marrë ndonjë përgjigje. Edhe pse syneti mund të ketë domethënie pozitive, ai mbjell nocionin se trupi i fëmijës nuk zotërohet nga fëmija, por nga të afërmit e rritur.

Për më shumë, ky konspiracion i heshtjes për synetin — i cili besoj se është i nevojshëm për të gjithë të përfshirit në mënyrë që të mos shfaqet absurditeti i vendimeve që marrin — mund të ketë efekte të paparashikuara. Arbeni më thotë se, kur ishte i ri, ndonjëherë kishte vështirësi për ta mbajtur ereksionin. Dikush që ka informata të drejta për penisin e tij di që kjo është plotësisht normale. Në anën tjetër, Arbeni ishte i bindur deri në moshë të rritur se diçka kishte shkuar keq gjatë synetit dhe se penisi i tij ishte dëmtuar përgjithmonë. Kjo është traumë.

#4 “Syneti nuk e ndryshon anatominë dhe ndjesinë e vetvetes në mënyrë domethënëse”

Kur kuptohet që syneti nuk e bën penisin më të pastër dhe nuk përligjet mjekësisht as si terapi parandaluese, është i dhimbshëm, potencialisht traumatik dhe pashmangshmërisht i rrezikshëm, mund të shkojmë te përgënjeshtrimi i justifikimit të fundit. Pavarësisht nga fakti që shumë cisburra të pabërë synet — përfshirë veten time — do të argumentonin fuqishëm që lafsha është pjesë themelore e trupit të tyre dhe e ndjesisë së burrërisë, është interesante të shihet se si lafsha paraqitet si membranë shtesë e butë dhe e panevojshme që nuk ka ndonjë rëndësi për anatominë mashkullore.

Tekembramja, syneti vërtet e ndërron anatominë e burrit dhe ndjesinë e vetvetes, e ndonjëherë në shkallë të lartë dhe të pakthyeshme.

Duhet ta njohim rolin e socializimit të veçantë kulturor për konceptet sikur “e natyrshmja”, “normalja” ose “e bukura”. E marrim për shembull Arbenin: edhe pse ai ka mësuar më vonë se penisët e paprerë nuk janë patologjikë, akoma e sheh penisin e rrethprerë si “normalin”. Për çudi, në pjesët e tjera të botës njerëzit besojnë që penisi me të cilin ke lindur është “normali”. Normal apo jo, edhe nëse lafsha do të kishte qenë strukturë vestigjiale sikur zorra qorre, nuk duhet ta heqim në mënyrë sistematike ashtu si nuk i heqim sistematikisht zorrët qorre te fëmijët — ose thithat e djemve, për shembull.

Prapë, ka dëshmi që lafsha e penisit luan rol të rëndësishëm në marrëdhëniet seksiale, sidomos kur vjen puna te kënaqësia e mashkullit. Nuk kam qëllim të tingëlloj vulgar, por i ftoj lexuesit që kanë mundësinë ta prekin lafshën e partnerëve të tyre — do ta shohin me sytë e tyre të vërtetën e qartë. Përveç humbjes së mishit plot me nerva, shumë burra që janë bërë synet pasi kanë nisur aktivitetin seksual thonë se rrethprerja ka zvogëluar ndjenjat e kënaqësisë në kokën e penisit. Ndërsa humbja e ndjeshmërisë shihet si barbari për vulvat, për penisët kjo disi shihet si neutrale e ndonjëherë edhe e dëshirueshme.

Tekembramja, syneti vërtet e ndërron anatominë e burrit dhe ndjesinë e vetvetes, e ndonjëherë në shkallë të lartë dhe të pakthyeshme. Fakti që syneti kryesisht iu bëhet fëmijeve para pubertetit i fsheh këto dëshmi, por nuk i hedh poshtë.

Forcat e fshehura prapa synetit

Pse, pra, ndodh syneti? Kudo në botë, ndryshimi i gjenitaleve për djemtë dhe për vajzat ka qëllimin e njëjtë. Ai bëhet si ritual i ardhjes në moshë që, duke i shënjuar trupat e fëmijëve me kuptime komunitare, sigurojnë socializimin në komunitetin e lindjes. Nuk ishte e rastësishme, sipas Arbenit, që syneti i tij ishte organizuar në të njëjtën kohë sikur martesa e xhaxhait: ndërsa nusja e xhaxhait u bart fizikisht dhe simbolikisht nën mbikëqyrjen e odës së familjes së Arbenit, Arbeni u lejua të bëhej pjesë e të njëjtit kuvend të burrave përmes synetit.

Por çfarë janë këto kuptime komunitare? Për shumë familje, syneti është ngjarje feste dhe gëzimi. Pa marrë parasysh nëse prindërit janë të vetëdijshëm, akti i ndryshimeve jomjekësore dhe jokonsensuale ndaj fëmijëve nuk është neutral. Krahas ofrimit të një feste, synetllëku standard e përforcon sistemin patriarkal, iliberalizmin dhe ndjenjat e partikularizmit etnik.

Nëse jemi të sinqertë me vetveten, syneti përforcon sistemin partriarkal në kuptimin që i lejojmë ndryshimet e gjenitaleve të burrave dhe i ndalojmë ato të grave për arsyen e vetme që i interpretojmë trupat e burrave si të pacenueshëm, të fortë dhe të forcuar nga dhimbja — trupi prej një luftëtari që, pasi të pritet, i vërret botës: “ndiyindoda!”. Trupat e meshkujve nuk kanë nevojë të mbrohen prej ligjeve që i mbrojnë më të cenueshmit ndër ne — fëmijët. Dhuna e njëjtë që gjymton vajzat i plotëson djemtë. Kur vajzat dërrmohen, burrat lulëzojnë. Siç është bërë e qartë si loti për Arbenin, “burrat nuk kanë frikë të priten”.

Pas synetit, penisi i burrit bëhet më i fortë e më depërtues — nuk ka nevojë të pastrohet, nuk ka nevojë për kujdes gjatë prekjes. Për nga të parit, penisi i bërë synet bëhet kështjellë e pathyeshme e synimeve të pathyeshme mashkullore. Lafsha, meqë e mbron kokën e penisit, është tepricë feminizuese që duhet të ndreqet. Vetëm atëherë kur cenueshmëria e natyrshme e trupit mashkullor hiqet përmes dhimbjes, zoti i shtëpisë mund të ngritet nga hiri i mishit e gjakut.

Prindërit nuk kanë pronësi mbi pjesët e trupit të fëmijëve të tyre dhe nuk mund t’i heqin sipas dëshirës së tyre, sepse trupat e fëmijëve u takojnë vetëm fëmijëve.

Syneti ndaj fëmijëve është po ashtu joliberal. Themeli i çdo demokracie liberale është njohja e të drejtave themelore të individit, ndër të cilat është edhe habeas corpus. Të drejtat për integritet trupor dhe për vetëvendosje janë universale dhe të patjetërsueshme — nuk mund të ketë grupe të zgjedhura të njerëzve që u mohohen këto të drejta.

Sigurisht, prindërit kanë përgjegjësi ndaj fëmijëve të tyre, por kujdestaria nuk është pronësi. Menjëherë pas synetit, Arbeni kujton se familja e siguronte që “është mirë, është normale, do ta harrosh!” A po e lejojmë cenimin jokonsensual të integritetit trupor të djemve — i cili do të konsiderohej sulm po të bëhej ndaj burrave — në bazë të asaj se fëmijët harrojnë më shpejt?

Prindërit nuk kanë pronësi mbi pjesët e trupit të fëmijëve të tyre dhe nuk mund t’i heqin sipas dëshirës së tyre, sepse trupat e fëmijëve u takojnë vetëm fëmijëve. Përndryshe do të duhej të pranonim që disa kategori individësh që u takojnë statuseve shoqërore superiore — tash prindërit, burrat, të pasurit dhe më vonë të fuqishmit — mund ta vendosin vullnetin e tyre ndaj subjekteve të tyre. Do të pranonim t’i mësonim djemtë se, përmes vuajtjes, ata do ta fitojnë të drejtën t’i bëjnë të tjerët të vuajnë.

Syneti po ashtu lidhet ngushtë me ndjenjat e partikularizmit etnik dhe identitetit. Një gazetar goran prej jugut të Kosovës e ka thënë në mënyrë të shkëlqyeshme, “Stokholmi ka çmimin Nobel, Hollivudi ka Oskarin, kurse ne kemi Synetin”. Tash, duhet të jetë e qartë që nuk ka asgjë të keqe me dallimet kulturore, e as te trashëgimi i praktikave të prindërve te fëmijët, sepse kjo zakonisht i pasuron jetët dhe identitetet e fëmijëve. Sidoqoftë, duhet gjithashtu të jetë e qartë se kultura dhe feja kanë vlerë vetëm atëherë kur zgjedhen prej atyre që kanë mundësi të zgjedhin.

I pyetur rreth emocioneve që ia mvesh kujtesës së operimit, Arbeni thotë se ka ndier “frikë dhe trysni”. As shumë sa thotë: “Edhe po ta kisha pasur mundësinë të zgjedh, do ta kisha bërë në një spital, privatisht dhe pa ceremoni — por do ta kisha bërë. Në kohët e moçme, mosprerja nuk ka qenë e mundshme. Do ta turpëronte së tepërmi familjen”.

Sigurisht, ne të gjithë lindim në komunitete të veçanta kulturore dhe fetare. Por, kur mbërrijmë moshën që mundëson të zgjedhim, ne do të jemi ata që vendosim a ta quajmë vetën anëtarë të komuniteteve kulturore a fetare. Tradita pa liri është vetëm shtrëngim i dhunshëm dhe arbitrar. Madje do ta bëja argumentin që, nëse detyrimi është mënyra e vetme me të cilën një komunitet mund ta sigurojë anëtarësimin, anëtarët e atij komuniteti nuk e shohin si diçka që i shton kuptim ose mirëqenie pjesëtarëve. Përndryshe do t’i linin të vendosnin!

Ky shteg është plot me gjemba, por është thelbësor. Në një demokraci liberale, liria fetare shihet si vendimtare për mirëqenien e qytetarëve — dhe me të drejtë. Por duhet të jetë e qartë se liria fetare siguron të drejtën e njeriut për ta shfaqur fenë, për ta ndryshuar atë, apo për të hequr dorë nga ajo plotësisht. Duke e interpretuar mirëqenien e fëmijëve të tyre, prindërit kanë lirinë t’i rrisin ata me besimin e tyre, por ata nuk duhet ta kenë lirinë për të marrë vendime që do të jenë të pakthyeshme, sidomos nëse ato cenojnë të drejtat themelore që nuk janë të hapura për interpretim — sikur integriteti trupor.

Anembanë botës, shumë prindër druajnë se kufizimi i ndryshimeve të gjenitaleve mund ta rrezikojë autoritetin e tyre për t’i quajtur fëmijët si myslimanë, hebrenj, etj. Në Kosovë, prindërit druajnë për djemtë e tyre; në Bririn e Afrikës prindërit druajnë për vajzat. Ky është një shqetësim i kuptueshëm dhe legjitim.

Megjithëkëtë, liria fetare mbron të drejtën e dikujt që ta quajë veten të krishterë apo mysliman, e jo të tjerët. Nëse prindërit vërtet e çmojnë anëtarësimin e fëmijëve në fenë e tyre, ata duhet t’i lënë të zgjedhin kur ta mbërrijnë moshën e duhur. Si një individ që është pagëzuar, ka marrë kungimin e parë dhe konfirmimin si fëmijë, dhe ka hequr dorë nga krishterimi i papenduar më vonë, unë besoj se “mosha e duhur” duhet të përcaktohet — pakësëpaku — në moshën e dhënies së pëlqimit. Përndryshe, ne do të pranonim heshtazi se një djalë 10 vjeç nuk mund ta përdorë penisin lirshëm për funksionet e tij seksuale dhe biologjike, ndërsa mund të pritet në mënyrë të pakthyeshme për arsye socio-kulturore.

Jam i vetëdijshëm se kjo shkakton parehati për shumë lexues. Por, nëse duam ta quajmë veten mbështetës të një shoqërie demokratike, ky është vendimi thelbësor që duhet ta marrim: t’i lëmë të tjerët, bijtë dhe bijat tona mbi të gjitha, të zgjedhin nëse duan të jenë sikur ne, ose jo.

Cili është shtegu përpara?

Në këtë artikull kam dhënë argumente për një reflektim më të sinqertë dhe më pak të përciptë mbi synetin. Çfarë nuk kam argumentuar është se përhapja e synetit në Kosovë duhet t’i justifikojë sentimentet etnocentrike apo komplekset e superioritetit të të krishterëve të bardhë. Unë kundërshtoj fuqishëm argumentin që prindërit italianë ose “perëndimorë” kanë ide më të mbara rreth rritjes së një fëmije krahasuar me prindërit kosovarë. Thuajse të gjithë prindërit në botë vendosin t’i presin (ose të mos i presin) bijtë dhe bijat e tyre me besimin e çiltër se, cilido të jetë ai veprim, është në të mirën e tyre.

Ngjashëm, unë me gjithë zemër e kundërshtoj idenë se ka diçka thelbësisht të gabuar me traditat kosovare, ballkanike ose islamike. Përkundrazi, unë e kuptoj që shumica e burrave të bërë synet nuk e shohin veten si viktima ose si individë të gjymtuar; ata kanë jetë të përmbushur seksuale dhe përmes synetit përfitojnë nga anëtarësimi i plotë në komunitetin e tyre fetar apo etnik. Mirë për ta! Por, çfarë u është marrë të gjithë burrave të bërë synet — qoftë atyre që përfitojnë apo atyre që nuk përfitojnë — është e drejta për të zgjedhur.

Syneti rutinor i meshkujve përfaqëson një interpretim turpërues dhe jodinjitoz të asaj se çfarë do të thotë të jesh burrë.

Për më tepër, synetia standarde te djemtë — dhe në mënyrë të barasvlerëshme ndryshimet e gjenitaleve te vajzat — përfshijnë heqjen me forcë të indeve të shëndosha te fëmijët. Përveç nënshtrimit ndaj rreziqeve dhe traumës së panevojshme, këto ndryshime kanë për qellim rreshtimin fizik të trupave të meshkujve me botëkuptime patriarkale, jolibeale dhe jodemokratike të shoqërisë.

Krahasuar me Prerjen e Gjenitaleve të Femrave, rrethprerja e djemve duket më pak problematike sepse është zakonisht — por jo gjithmonë — më pak e dëmshme për nga aspekti anatomik, por sidomos sepse është më vështirë të lidhet me ndonjë teori më të lartë të shtypjes, veçanërisht të shtypjes së grave. Dhe prapë, a nuk është e gjitha pjesë e dukurisë së njëjtë?

Sado eksentrike që mund të tingëllojë, botëkuptimet prapa synetit nuk janë vetëm mizogjene, por edhe përfaqësojnë një interpretim turpërues dhe jodinjitoz të asaj se çfarë do të thotë të jeshë burrë, e legjitimuar në mënyrë qyqare nga feja, pseudoshkenca dhe kultura. Burrat nuk kanë nevojë për “sprova trimërie e stoicizmi” për ta dëshmuar vlerën e tyre. Me heqjen e lafshës, djemve u jepet maska e shtypjes patriarkale, një maskë që fillimisht i shtyp ata në mënyrë që të jenë të aftë dhe të vullnetshëm për t’i shtypur të tjerët.

Arbeni më thotë se nëna e tij nuk ka pasur ndonjë ndjenjë të fuqishme për synetin. Kur e pyes nëse prindërit e kishin diskutuar përpara, ai shpjegon: “kur jeton në një familje të madhe tradicionale, nuk ka shumë fjalë. Po ashtu nuk ka shumë gëzim… bën gjërat që të thuhen”. A është kjo çfarë prindërit duan t’ua përcjellin fëmijëve? Ndër mundësitë e pafundme, a është ky sensi i famijies, burrërisë, komunitetit, traditës dhe nderit që duan t’ua trashëgojnë bijve?

Prindërit që kanë dëshirë t’i bëjnë fëmijët synet duhet të përballen me peshën e këtyre pyetjeve, dhe të përgjigjen sinqerisht. Pavarësisht nga vendimi i tyre, besoj se ky ushtrim do të ketë shumë dobi për ta dhe për djemtë e tyre. Nëse mund të kthehej në kohë, Arbeni thotë se “do ta lusja nënën të më mbronte nga dhimbja”. Jam i sigurt që asnjë prind nuk dëshiron ta ketë këtë lloj pendimi.

Sa u përket të tjerëve, unë këmbëngul që liritë tona nisin te trupi. Ta-Nehisi Coates e ka thënë bukur në librin e tij “Mes botës dhe meje”: “Ne gjithmonë duhet të kujtojmë se sociologjia, historia, ekonomia, skicat, diagramet, dhe regresionet, të gjithat bien, me shumë dhunë, në trupat tanë. Dhe për ata që luftojnë për lirinë e gruas, unë them: për t’i çliruar trupat e grave, duhet t’i çlirojmë trupat e të gjithëve.

*Emri i të intervistuarit është ndërruar për t’ia ruajtur privatësinë.

Imazhi i ballinës nga instalacioni i Blend Bytyqit në Ekspozitën Infrared: Additions. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.