Pikëpamje

Të jetosh me trashëgiminë e Milošević-it do të thotë të jetosh pa zë për të mbijetuarit

Nga - 23.07.2020

Tri dekada më pas, çka lypet që të mbijetuarit të ngrihen mbi gjuhën e urrejtjes dhe ndarjes?

Në fund të qershorit, rreth dyqind njerëz morën pjesë në një tubim vjetor në Gazimestan, Kosovë, për të shënuar Vidovdanin. Kisha Ortodokse Serbe ia kushtoi këtë ditë Tzar Lazar-it, i cili — sipas mitit të Betejës së Kosovës — sakrifikoi jetën e tij për të gjithë serbët.

Në vitin 1989, Slobodan Milošević, ish-udhëheqësi i Serbisë dhe krimineli i akuzuar i luftës i cili vdiq në vitin 2006 para se Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY) të shpallte vendimin për rastin e tij, kishte ardhur në të njëjtin vend për ta dhënë fjalimin që do të shënonte fillimin e fundit të Jugosllavisë dhe të jetës paqësore në rajon.

Fjalimi i Milošević-it u pasua nga luftëra të përgjakshme dhe krime masive kundër civilëve të kryera në më shumë se një shtet; aty u përfshinë përdhunime masive, spastrim etnik dhe gjenocid.

Për Milošević-in, fjalimi ishte mundësia që zyrtarisht të fillojë një fushatë të urrejtjes, të cilën ai dhe bashkëpunëtorët e tij (disa prej të cilëve janë emërtuar si pjesë e së ashtuquajturës ndërmarrje e përbashkët kriminale me të në aktakuzën e ICTY) e përgatitën dhe planifikuan me kujdes për disa vite.

Gjuha e urrejtjes e folur nga njerëzit që u shtynë të hynin në luftëra mbetet trashëgimia më e madhe e Milošević-it.

Mediat kishin rol shumë të rëndësishëm në këtë fushatë duke transmetuar mesazhe të krijuara në kabinete politike. Këto mesazhe të urrejtjes mund të zbulohen edhe në vargje të muzikës popullore, në filma, madje edhe në programet e fëmijëve, por edhe në horoskopë dhe në vende tjera të papritura.

Të njëjtat metoda u përdorën më vonë nga të gjithë politikanët e tjerë në rajon që shfrytëzuan nacionalizmin për të krijuar botën e “neve” dhe të “atyre”, dhe për të na bashkuar në frikë dhe urrejtje. “Ne” si viktima të përhershme dhe “ata” si mizorë të përhershëm. Gjuha e urrejtjes u bë gjuhë të cilën e flasim akoma. 

Kjo gjuhë e urrejtjes e folur nga njerëzit që u shtynë të hynin në luftëra mbetet trashëgimia më e madhe e Milošević-it, dhe madje as ICTY nuk gjeti mënyrë për t’u marrë me të.

Kur shikojmë mbrapa, me kaq shumë fakte të njohura, mund të shohim qartë se qëllimi kryesor i saj për Milošević-in dhe të gjithë liderët e tjerë nacionalistë, ishte të justifikonte krimet që ata orkestruan.

Sot, mund të themi se ata ishin të suksesshëm pasi gati 30 vjet më vonë ende dëgjojmë e shohim propagandë dhe mbahemi të ndarë bazuar në përçarjet që na shtynë në luftëra. Një prej shumë problemeve të qëndrueshme me këtë është se zhduk çdo hapësirë për zërat e të mbijetuarve, apo për çfarëdo dialogu.

Rrëfime boshnjake

Ka shumë shembuj në të gjithë rajonin. Një nga ta është rrëfimi për Vishegradin, një qytet në Bosnjën Lindore që u “pastrua etnikisht” më 1992 nga forcat e mbështetura nga Milošević dhe nën komandën e Radovan Karadžić, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm nga ICTY, dhe nga ushtria e tij.

Në fund të çdo qershori, për mbi 25 vjet, njerëzit që u mbijetuan tmerreve në Vishegrad flasin për urën e famshme prej guri në këtë qytet që në pranverën e vitit 1992 ishte e kuqe —mbuluar me gjak.

Më 27 qershor 1992, krimineli famëkeq i luftës Milan Lukić dhe njësia e tij Shqiponjat e Bardha urdhëruan mbi 60 njerëz (kryesisht gra dhe fëmijë) të hynin në një shtëpi të cilës ia mbyllën të gjitha daljet dhe pastaj ia shtinë flakën.

“Kam humbur tërë familjen në Bikavac,” tha Esad Tufekčić gjatë një dite tjetër përkujtimore në Vishegrad në fillim të këtij viti. “Në shtëpi ishin gruaja ime, vajza 5-vjeçare dhe djali që ishte më i vogël se 2 vjeç. Pasi bënë pishtarin, shkatërruan atë që kishte mbetur dhe morën gjithçka me kamion diku. Deri më sot ende nuk e dimë se ku. Për 28 vjet.”

Lukić, i cili tani po vuan dënimin e përjetshëm në Estoni pasi u gjykua në ICTY,  me vite mori arratinë nga drejtësia. Ndërkohë që ishte në arrati, propaganda e urrejtjes po ndërtonte mitin për të si hero që bëri gjithçka për të mbrojtur kombin e tij.

Në realitet — dhe kjo është ajo që vendosi gjykata —  ai ishte vrasës gjakftohtë të cilin nuk e bren ndërgjegjja.

Gjuha e urrejtjes që ata kanë mësuar ta flasin i ka mbajtur larg së vërtetës.

E njoh një grua që u dhunua për më shumë se një muaj në kampin e përdhunimit Vilina Vlas në Vishegrad. Milan Lukić personalisht preu fytin e djalit të saj 9-vjeçar para syve të saj dhe pastaj e çoi atë dhe vajzën e saj 12-vjeçare në një vend ku bandat i dhunuan në grup me javë të tëra. Ato të dyja janë në mesin e pesë të mbijetuarave nga ai vend ku u mbajtën mbi 200 gra.

Për të fshehur të gjithë këta vrasës, propaganda fshin historitë e viktimave. Edhe sot, shumë njerëz që jetojnë në Vishegrad nuk e kanë dëgjuar kurrë historinë e Tufekčić-it e as të këtyre dy të mbijetuarave të Vilina Vlas.

Nuk është aq e vështirë për t’i gjetur ato, por me kalimin e viteve, gjuha e urrejtjes që ata kanë mësuar ta flasin i ka mbajtur larg së vërtetës.

Kanë kaluar gati 30 vjet nga fillimi i luftërave të para të viteve ’90 në Jugosllavi. Tri dekada në të cilat njerëzit në rajonin tonë janë bërë ekspertë se si të merren — dhe si të mos merren — me të kaluarën.

Ballafaqimi me të kaluarën do të thotë — ndër të tjera — njohja e emrave të autorëve të krimeve dhe ndjekja e tyre penale, si dhe identifikimi i viktimave. Kërkon gjithashtu përdorimin e një gjuhe shumë të qartë, të bazuar në fakte, dhe që ata të cilët vranë të thirren vrasës; ata që dhunuan, përdhunues; ata që torturuan, torturues.

Rishtazi, K2.0 bisedoi me studiuesen dhe aktivisten mjedisore të mirënjohur botërisht Vandana Shiva, e cila tha se duke emërtuar krimin — siç është gjenocidi — dhe duke emërtuar autorët e krimeve, viktimat marrin pushtetin.

Për shkak se gjuha e urrejtjes ka qenë e suksesshme në “romantizimin” e termit “kriminel lufte”, duke krijuar një mit që ata që bënë krime masive e bënë këtë për të na mbrojtur “neve” nga “ata”. Kjo është arsyeja pse në të gjithë rajonin mund të shohim njerëz që identifikohen me kriminelët. Sillni ndërmend ato thirrjet, “Ne jemi të gjithë …” të ndjekura nga emri i një personi të akuzuar për krime lufte.

Gjatë gjithë kohës, të mbijetuarit, të vdekurit, të zhdukurit, si dhe familjet e tyre lihen gjerësisht në harresë — të përmendur vetëm për t’u përdorur në shërbim të ndonjë qëllimi tjetër.

Ngulitja e fakteve

Një mënyrë për të ndihmuar të sigurohet që tregimet e viktimave dhe zërat e të mbijetuarve të dëgjohen është përmes gjykimeve për krime lufte.

ICTY zhvilloi mbi 160 gjykime kundër individëve nga të gjitha shtetet post-jugosllave, dhe gjykatat vendase gjithashtu kanë gjykuar raste. Ne të gjithë e dimë se është larg nga të qenët  institucion ideal, por të paktën ofron një vend ku të gjithë, jo vetëm njerëzit nga rajoni, mund t’i shohin faktet dhe t’i përdorin ato për të filluar të mësojnë si të jetojnë me trashëgimitë e së kaluarës.

Kosova, ku deri më tani ka pasur një numër relativisht të ulët të rasteve gjyqësore kundër kryesve të krimeve të luftës, ka rastin të mësojë nga vendet tjera të rajonit.

Ashtu si ICTY, Gjykata Speciale është sistem i papërsosur, i rrethuar me probleme dhe polemika. Ashtu si ICTY, mënyra si u formua Gjykata Speciale, nën trysni të fortë ndërkombëtare, nënkupton se procesit i mungon legjitimiteti në sytë e shumë qytetarëve; shumë kosovarë gjithashtu mendojnë se kompetencat e saj specifike janë diskriminuese për shkak të përqendrimit në krimet që dyshohet se janë kryer nga njerëz të një grupi etnik — shqiptarët.

Ata "gati 100 njerëz" janë ende vetëm një numër i përmendur në aktakuzë.

Megjithë kritikat, aktakuzat nga Prokuroria Speciale janë një mundësi për të kontribuar në procesin e përballjes me të kaluarën — ashtu si të gjitha gjykatat e tjera për krime lufte në të gjithë rajonin.

Njerëzit që akuzohen duhet të përballen me gjykatën dhe të kenë të drejtë të mbrohen. Të mbijetuarit duhet të kenë mundësinë që dëshmitë e tyre të dëgjohen.

Rasti i fundit përfshin Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, i cili sipas Prokurorisë Speciale mund të jetë përgjegjës për krime që përfshijnë vrasjen e pothuajse 100 njerëzve — ai mohon fuqimisht të gjitha akuzat.

Ndoshta në mënyrë të pashmangshme pasi presidentit iu ngrit aktakuzë për krime lufte, është Thaçi ai që ka qenë në qendër të vëmendjes javët e fundit — ata “gati 100 njerëz” janë ende vetëm një numër i përmendur në aktakuzë.

Për të dëgjuar historitë e tyre, ose historitë e krimeve që janë kryer nga dikush, publiku do të duhet të presë për një gjykim, nëse aktakuza konfirmohet nga gjykata. Dhe, atëherë, të gjithë do të duhet të shpresojmë — dhe insistojmë — që mediat të raportojnë për krimet dhe viktimat, jo vetëm për mbrojtjen siç ka ndodhur në rastet e mëparshme të krimeve të luftës.

Është e rëndësishme të theksohet edhe një herë se është një individ — Hashim Thaçi — i cili po përballet me drejtësinë për krime të dyshuara.

Në ndërkohë, mesazhi i lëmuar për media i Thaçit mund të jetë për përqafimin e drejtësisë dhe proceseve gjyqësore, por si shumë prej atyre që janë akuzuar për krime lufte në rajon para tij, ai ka vendosur gjithashtu të fshihet pas kolektivit — të veshë pelerinën e heroit ndërsa sërish thërret për ndarje. Vendimi i tij për të ndryshuar menjëherë fotografinë e tij në Facebook në një emblemë të UÇK-së përpara se të jepte ndonjë përgjigje në lajmet e aktakuzës së Prokurorisë Speciale, dërgoi një mesazh të qartë të narrativës  që ai synon të ndërtojë.

Është e rëndësishme të theksohet edhe një herë se është një individ — Hashim Thaçi — i cili po përballet me drejtësinë për krime të dyshuara. Përpjekja e tij për ta kornizuar sikur të jetë UÇK-ja — apo populli shqiptar — që potencialisht do të dalë në gjyq është një dredhi për të fituar mbështetje popullore dhe për të shmangur këqyrjen e kujdesshme që procesi gjyqësor synon ta sjellë.

Dhe ndërsa siguron që e gjithë vëmendja e publikut t’u drejtohet të paditurve dhe aktakuzave, si në shumë raste të tjera më parë, do të thotë gjithashtu që të mbijetuarit lihen mënjanë, harrohen dhe heshten. Të fshehur edhe një herë prapa gjuhës së “neve” dhe “atyre”.

Kjo gjuhë tashmë është dëshmuar të jetë vend i fshehtë i përsosur për ata që janë akuzuar për krime lufte në të kaluarën. Ajo justifikon dhe mohon madje edhe krimet më të shëmtuara, ndërsa fajin nga i akuzuari e kalon te ata që humbën jetën. Mitet janë në rrënjët e kësaj gjuhe, ndërsa realiteti shtyhet mënjanë, madje ndodh të fshihet tërësisht.

Në disa raste, gjuha e ngjashme i ka shndërrruar vrasësit e dëshmuar në heronj; në të gjitha rastet, ajo ka bërë që përvoja e të mbijetuarve të zhduket.

Aktakuza kundër Thaçit nuk është konfirmuar nga një gjykatë, por paralelja me individët e mëparshëm që janë akuzuar për krime lufte në rajon është në narrativën që ai po përpiqet ta kornizojë — atë të një heroi i cili është i përgatitur të sakrifikojë veten për një kauzë më të madhe.

Sido që të jetë rezultati i ndonjë gjyqi të mundshëm, kjo është narrativë që hesht edhe një herë të mbijetuarit.

Ndërkohë, për t’u dhënë sërish zë të gjithë atyre që u mbijetuan krimeve të luftës, duhet të fillojmë ta ndryshojmë gjuhën që flasim, ose do të jemi të dënuar të jetojmë përgjithmonë në urrejtje. Ashtu siç donte Milošević-i.

Heshtja e zërave të të mbijetuarve dhe lartësimi i fajtorëve e atyre që dyshohet se kanë kryer krime nuk ofron bazë të mirë për t’u marrë me të kaluarën.

Disa do të thoshin se është i nevojshëm vullneti politik dhe sigurisht që ai mund të ndihmojë. Por unë besoj, bazuar në shembuj të ndryshëm nga rajoni por edhe ndërkombëtarisht, që njerëzit të cilët duan të jetojnë paqësisht e kanë rolin kryesor, duke u angazhuar në dialog mes njëri-tjetrit, të bazuar në fakte dhe argumente, dhe duke e larguar gjuhën e urrejtjes nga jeta.

Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.