Dona na pret në lagjen e saj në periferi të një qyteti të vogël kosovar, para restorantit që na shërbeu si udhërrëfyes për ta gjetur adresën. E veshur në pantallona dhe këmishë xhins që i rrinë tamam për shtati, ajo shquhet menjëherë prej mysafirëve të lokalit, të cilët japin mbresën se janë ndalur për kafe në një pushim të shkurtër prej punës së gjatë fizike.
Sapo ndalet makina, ajo hyn me nxitim dhe thotë: “Ikim nga këtu!”
Sytë e saj të mëdhenj të kaltër të hijëzuar rëndë dhe buzët e lyera me të vjollcë të çelur ia vënë në pah fytyrën e hijshme. Me zë të ndrojtur jep shenjë për kthesat që duhet t’i përcjellim për të dalë nga lagjja me imazhe të mprehta të varfërisë, e populluar kryesisht me qytetarë etnikisht ashkali.
Ngjashëm me vendet tjera të banimit në Kosovë të populluara nga romët, ashkalinjtë dhe egjiptasit, edhe jetesa e familjes ashkalike të Donës zhvillohet në lagjen e veçuar në dalje të qytetit, ku jeta publike është e kufizuar në disa dyqane dhe restorantin në hyrje. Aty ku përfundon vija e fundit e banimit për kosovarët tjerë, fillon cepi i mënjanuar ku banojnë romët, ashkalinjtë dhe egjiptasit.
Me një shkallë të lartë papunësie dhe të ardhura mesatare që për shumicën nuk lëvizin prej shumës 1 euro në ditë, sigurimi i nevojave themelore është luftë e vazhdueshme për të tre komunitetet. Për shumë familje, sigurimi i bukës në sofër do të thotë të bësh punë fizike të përditshme dhe të dalësh në rrugë për të mbledhur shishe në mbeturina të cilat do t’i shesësh për riciklim për vetëm disa euro.
Larg lagjes së vet, Dona vendos të ulemi në një lokal të zakonshëm në afërsi të qendrës së qytetit. Zëmë vend, porosisim kafe dhe ngadalë fillojmë të bisedojmë duke gërmuar në jetën e saj.
Në klasën e pestë ajo e la shkollën.
Ajo ka vetëm 18 vjet, por rrëfim të jashtëzakonshëm të mbijetesës dhe dhunës, të pafuqisë dhe përpjekjes. Për shkak të identitetit të saj gjinor dhe atij etnik — si grua trans dhe ashkalike — ajo has në mospranim dhe diskriminim të dyfishtë. Në Kosovë, grupet minoritare romë, ashkalinj dhe egjiptas përbëjnë grupet më të shtypura të shoqërisë — nga kjo anë Dona përballet me racizëm, e nga tjetra me transfobi.
‘S’bën ky ktu’
Dona ka lindur në një shtet evropian ku ka vijuar shkollën deri në klasën e tretë. Familja e saj u kthye në Kosovë dhe e regjistroi atë dhe fëmijët e tjerë në shkollën fillore afër lagjes. Në klasën e pestë ajo e la shkollën.
“Nuk m’ka pëlqy shkolla. Jam largu vet”, thotë ajo.
Por është vështirë të mendohet për braktisjen e shkollës si një vendim i Donës, i pavarur nga rrethanat. Përjashtimi i përmasave historike i komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptas ka pasur ndikim në arsimimin e tyre nga brezi në brez, me një nivel mjaft të ulët të vijueshmërisë së përgjithshme të arsimit të detyrueshëm, me shkallë të ulët të vijimit të arsimit universitar, dhe me shkallë të lartë të braktisjes së shkollimit, sidomos te vajzat. Për më tepër, ka një numër të vogël mësuesish të këtyre komuniteteve të përfshirë në sistemin e arsimit në Kosovë.
Përveç faktorëve shoqërorë e ekonomikë, braktisja gjithashtu ka lidhje me dështimin e shkollave në krijimin e mjediseve përkrahëse për fëmijët romë, ashkali dhe egjiptas.
Përveç trajtimit që komunitetet romë, ashkalinj dhe egjiptas e pranojnë nga shoqëria, ata vazhdojnë të lihen anash edhe nga institucionet. Foto: Trëndelinë Halili / K2.0.
Dona e ka jetuar thuajse tërë adoleshencën e saj pa pasur qasje në informacion në lidhje me personat LGBTQ+, terminologjinë dhe kuptueshmërinë mbi identetitet gjinore dhe orientimet seksuale. Ajo vetëm kujton që “si vajzë po e ndien veten më rehat”. Ndërsa brenda komunitetit ashkali në qytetin e saj vështirë që ajo gjen dikë për të ndarë përvojat e përbashkëta.
“Njoh, por nuk e lëshojnë veten me të tjerët dhe nuk e japin veten se çka janë”, thotë ajo.
Orvatjet e saj për ta shprehur identitetin e saj gjinor të gruas (manifestimi i gjinisë i shprehur nëpërmjet emrit, veshjes, stilit të flokëve dhe sjelljeve) brenda shtëpisë kanë shkaktuar dhunë të madhe fizike ndaj saj: nëna e ka gjuajtur me sakicë dy herë.
Në disa raste kur dhuna është bërë e papërballueshme, Dona ka ikur nga shtëpia. Pa pasur asnjë informatë për organizatat që merren me të drejtat e personave LGBTQ+, një herë ajo është nisur e vetme drejt Prishtinës. Derisa qëndronte në një park të kryeqytetit, ajo u identifikua nga një pjesëtar i komunitetit LGBTQ+, i cili pastaj e ka njoftuar me Qendrën për Liri dhe Barazi (CEL), organizatën për të drejtat LGBTQ+ që i ndihmoi për ta gjetur një strehim të përkohshëm.
Meqënese në Kosovë ende nuk ka një shtëpi të sigurtë për personat LGBTQ+ të cilët janë viktima të dhunës në familje, çfarëdo zgjidhje strehimi është e përkohshme dhe Donës i është dashur të kthehet në shtëpi.
Kur para disa javësh filloi të punonte në një nga supermarketet e qytetit, në fund të ditës së parë të punës iu tha të mos kthehet më.
Kompromisi që ajo ka bërë me veten është që të përdorë grim vetëm kur del prej shtëpisë, larg lagjes, gjë që për të mbetet një ngjarje shumë e rrallë.
E papunë, ajo e kalon tërë ditën brenda shtëpisë. Përgjatë viteve ka punuar në restorantin e lagjes së saj, në një kafiteri në qytet, e në raste të tjera edhe si pastruese pjatash në hotele, dhe e shkallëve të banesave.
Puna e saj e fundit zgjati vetëm një ditë. Kur para disa javësh u bë punonjëse në një nga supermarketet e qytetit, në fund të ditës së parë të punës iu tha të mos kthehet më.
“Jo, s’bën ky këtu….”, Dona thotë t’i ketë dëgjuar të flasin në supermarket. Ajo nuk e di a është identetiti i saj gjinor apo ngjyra e lëkurës, apo janë të dyja, burim i diskriminimit dhe rrjedhimisht përjashtimit të saj.
Ajo thotë se si përgjatë viteve ia ka imponuar vetes karakteristikën e moskokëçarjes ndaj fyerjeve dhe përçmimeve. Derisa brenda komunitetit ashkali është gjykuar për atë që duket si grua, shpesh edhe paraqitja e saj në lagjet shqiptare është përcjellë me komente armiqësore dhe raciste.
“Farë e flliqt”, do t’i thoshte një grup i qytetarëve sa herë që i binte ta kalonte rrugën për te një dyqan ku bënte blerjet e zakonshme.
“Veç kisha dashtë mos me më ofendu dhe mos me u sjellë keq”, thotë ajo. “Ky kombinim është i keq për Kosovë”.
Diskriminimi i thurur gërshet
Përvoja e Donës, plot dhunë dhe stigmatizim brenda dhe jashtë komunitetit — qoftë për identitetin e saj gjinor apo ngjyrën e lëkurës, apo për të dyjat njëkohësisht — përkon edhe me atë të katër personave të tjerë LGBTQ+ brenda komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptas me të cilët ka biseduar K2.0.
Në raste të ndryshme, aktivistët kanë thënë për K2.0 se krahasuar me gratë trans siç është Dona, burrat trans në Kosovë — si dhe në tërë rajonin — pranohen më lehtë nga publiku i gjerë. Shprehja gjinore e burrave trans gjen më shumë miratim për shkak të shtresëzimit shoqëror patriarkal — ndërkaq deri më tani asnjë grua trans nuk është çelur publikisht në vend.
Përveç burimeve anekdotike, në Kosovë nuk ka ndonjë hulumtim thelbësor për ta dhënë një pamje tërësisht të qartë të përvojave të personave që janë njëkohësisht minoritete seksuale dhe etnike.
Studiuesit dhe aktivistët për të drejtat e njeriut në botë — së voni edhe në Kosovë — një kohë të gjatë kanë folur për diskriminimet e shumëfishta brenda kornizës teorike të ndërthurjes, me qëllimin e të kuptuarit se si mund të kombinohen aspektet e identitetit social dhe politik të një personi (gjinia, raca, klasa, seksualiteti,etj.) për të krijuar mënyra unike të diskriminimit dhe privilegjit.
Aktivistja Mirishahe Syla konsideron se është e rëndësishme të zbërthehet koncepti i ndërthurjes në kontekstin e shoqërisë kosovare. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Një nga diskutimet e para në Kosovë ku publikisht është folur për atë se si sistemet e ndryshme të shtypjes ndërveprojnë ka qenë në dhjetor të vitit 2018, në Samitin e përvjetshëm të Romëve të organizuar nga Civil Rights Defenders në Prishtinë. Në konferencë, aktivisti dhe hulumtuesi gej me origjinë rome nga Hungaria, Deszo Mate, ka ndarë historinë e jetës së tij për ta ilustruar ndikimin e ndërthurjes së identiteteve të ndryshme.
Në një intervistë për K2.0, ai ka rrëfyer se si gjatë hulumtimit të tij përmes 50 intervistave me romë, përfshirë personat LGBTQ+, atij iu pat prezentuar koncepti i ndërthurjes, meqenëse gjetjet sugjeronin që janë “duke u ballafaquar me shtypje të ndryshme nga shoqëria, brenda dhe jashtë”.
Nëpër diskutime të organizuara nga OJQ-të në Kosovë gjatë viteve të fundit, aktivistja dhe ekspertja gjinore Mirishahe Syla vazhdimishit ka trajtuar rëndësinë e zbërthimit të konceptit të ndërthurjes brenda kontekstit kosovar.
“Për çka duhemi të punojmë më shumë është ridefinimi i shtypjes dhe të kuptojmë që asnjë person nuk shtypet [vetëm] për një prej identiteteve të tyre”, thotë ajo për K2.0. “Personat e komuniteteve pakicë dhe personat e komuniteteve LGBTQ+ nuk është që shtypen vetëm për shkak të identitetit gjinor ose seksual ose identitetit të tyre etnik, por duhet ta kuptojmë që shtypja ndodh në shumë nivele dhe të njëjtët persona mund të kenë identitete të ndryshme në bazë të të cilave shtypen”.
Ajo shpjegon se si zakonisht njerëzit priren të thirren në vetëm një prej identiteteve të tyre, që zakonisht është ai që u përshtatet më shumë, dhe kështu për ta bëhet më e kuptueshme që shtypjen ta shohin vetëm njëdimensionale.
"Një nga sfidat tona është të kuptojmë identitetet dhe format e ndryshme të shtypjes — të gjitha ndërlidhen në mes vete."
Mirishahe Syla, eksperte gjinore
“Nëse je shqiptar dhe nuk shtypesh për shkak të etnisë tënde ku shumica janë shqiptare, por shtypesh për shkak të identitet gjinor ose orientimit seksual, atëherë rrjedhimisht bashkohesh me persona tjerë të komunitetiti LGBTQ+”, thotë ajo. “Por nëse je rom dhe shtypesh për shkak të identitetit gjinor ose orientimit seksual, në të njëjtën kohë shtypesh për shkak të etnisë dhe racës, atëherë afrohesh më shumë me përpjekjet dhe sfidat e komunitetit rom sesa të LGBTQ+”.
Syla thotë që ndarjet e tilla janë përsëritur në histori dhe merr shembullin e lëvizjes feministe në Amerikë, kur gratë e bardha të klasës së mesme — që kanë përjetuar shtypjen kryesisht për shkak të gjinisë — kanë dominuar diskursin feminist duke përjashtuar, ndër të tjera, gratë me ngjyrë, shtypja e të cilave ka ndodhur edhe për shkak të racës.
“Një nga sfidat tona është të kuptojmë identitetet dhe format e ndryshme të shtypjes — të gjitha ndërlidhen në mes vete, dhe një person mund të jetë i privilegjuar për arsye të ndryshme ose i shtypur për arsye të ndryshme”, thotë ajo.
Luftë me titanët
Vlerësohet se shumica dërrmuese e romëve, ashkalive dhe egjiptianëve janë të papunë, duke jetuar të segreguar nga pjesa tjetër e popullatës, çfarë sipas aktivistëve i kontribuon mendësisë konservatore brenda tre komuniteteve.
“Nuk është sekret që shumica e romëve, ashkalinjve dhe egjiptasve kanë homofobi, dhe që shumica e tre komunitetiteve diskriminojnë komunitetin LGBTQ+. Mendoj që religjioni luan rol të madh në këtë”, thotë Avni Mustafa, aktivist rom. “Dhe në anën tjetër edhe personat LGBTQ+, e edhe tri komunitetet përballen me lloje të ndryshme të dhunës dhe gjuhë të urrejtjes. E vetmja mënyrë për t’i përfshirë në jetën e përdtishme në shoqëri është duke i bashkuar forcat dhe [duke i] luftuar të gjitha së bashku”.
Sipas aktivistit Avni Mustafa, jetesa e mënjanuar dhe papunësia kontribuojnë në mendësinë konservatore të komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptas. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Gazmen Salijeviq, aktivist tjetër rom, bën analogji me luftën e personazheve të mitologjisë greke për të përshkruar jetesën e personave LGBTQ+ brenda minoriteteve etnike.
“Është sikur të luftosh me titanët. Sepse duhesh të luftosh brenda komunitetit, dhe po ashtu me komunitetet shumicë për t’u njohur dhe pranuar nga ata”, thotë ai. “Lufta e titanëve ia nis prej familjes tënde, sepse ti vjen prej një komuniteti që është konservativ dhe religjioz”.
Ai thotë se grupet e ndryshme të aktivistëve në Kosovë duhet të bashkojnë aktvizmin e tyre për çështje të caktuara, si për të drejtat LGBTQ+, të miniroteteve, etj., dhe të krijojnë një front të përbashkët për të drejtat e njeriut në përgjithësi.
Mirishahe Syla thotë se si protestat për të drejtat e grave — si forma më e dukshme e aktivizmit — janë përpjekur të jenë gjithpërfshirëse, ku brenda kërkesave të protestuesve janë përfshirë edhe nevojat e grave prej komuniteteve dhe prapavijave të ndryshme.
Por ajo thekson se përfshirja e konceptit të ndërthurjes — si rrugë drejt gjithpërfshirjes — duhet të bëhet në disa rrafshe që çojnë drejt dukshmërisë së grupeve të ndryshme brenda shoqërisë dhe krijimit të politikave në nivel institucional. Ajo thotë se ndërthurja duhet të shërbejë si kornizë analitike për të parë se si përvojat e ndryshme formësohen për shkak të identiteteve të ndryshme, dhe pastaj njohja e këtyre identiteve do të çojë në përfshirjen e tyre në nivele të ndryshme, përfshirë edhe atë institucional.
“Një përfaqësim më i madh i personave me identitete që fatkeqësisht janë të shtypura në shoqërinë tonë [pasi] që nuk përkojnë me identitetet që dominojnë, edhe pse nuk është qëllim në vete do të mund të ndihmonte pastaj edhe në të kuptuarit e përvojave dhe vetë ekzistencës së këtyre personave”, thotë ajo. “Do të ishte hapi i parë drejt krijimit të politikave, tek e fundit prej vetë personave që vijnë prej grupeve me identitete dhe shtypje të shumëfishta”.K
Imazhi i ballinës: Trëndelinë Halili / K2.0.
Ky artikull është pjesë e projektit “Avancimi i pozitës së personave LGBTI në shoqëri”, i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, dhe implementuar nga Qendra për Barazi dhe Liri CEL.