Në thelb | Zjarrfikësit

Të lënë në dorë të njëri-tjetrit

Nga - 19.12.2022

Por, vështirësitë e shumta s’ua shuajnë zjarrfikësve vullnetin për punë.

Në periferi të Prishtinës, tek garazhat e Trafikut Urban është një kthesë e ngushtë që veç kush e di, e gjen. Kjo kthesë çon tek oborri i gjerë i objektit të Zjarrfikësve të Prishtinës.

Në katin e parë të ndërtesës ku mbizotëron ngjyra e kuqe, ndodhet garazha e mjeteve të mëdha të zjarrfikësve, të cilat zënë edhe një pjesë të oborrit përpara. Dyert të çojnë në hollin e stacionit, prej nga shihet një dhomë me xhama, ku qëndron telefonisti dhe butoni i kuq që ndez alarmin. 

Nga holli ku rrijnë varur rrobat e gatshme për aksion, shihen disa shkallë të gjata që të çojnë në sallën ku zjarrfikësit e kalojnë kohën. Njëri mur është i mbushur me “Mirënjohje”, e përballë radhiten si “çibritë” dhjetëra dollape të metalta dhe dhomat e pushimit. 

Një palë tjera shkallë të ngushta të çojnë në një sallë të madhe ku ka tavolinë bilardoje, ping-pongu dhe pajisje fitnesi. 

Ndërtesa nuk mbyllet asnjëherë sepse zjarrfikësit punojnë në dy ndërrime. Telefoni që pranon thirrjet për incidente zjarri e aksidente mund të cingërrojë në çdo kohë. 

Kur përmenden zjarrikësit, mendja natyrshëm thotë që ata shuajnë zjarre, por ata bëjnë shumë më shumë. Ata thirren edhe te aksidentet, vërshimet, ngujimet apo edhe kur komuna u kërkon të dërgojnë ujë të pijes nëpër lagje e të lajnë rrugët.

Nëpër të gjitha hapësirat e objektit, zjarrfikësit enden si elektrone të lira, deri në alarm.

“Kam qajtë si fëmijë”

Rrustem Uka e Vezir Berisha kishin zënë nga një vend përballë sallës ku ndodhej televizori e pjesa tjetër e ekipit po bëheshin gati ta dorëzonin ndërrimin.

Ndërrimi u kish nisur në 8:00 të mëngjesit dhe kishte vazhduar me rutinën që Rrustemin e përcjell nga viti 2003, kur si 20-vjeçar kishte bërë ditën e parë si zjarrfikës.

Ai tregon se janë përgjegjës prej momentit që e pranojnë detyrën. Ata i rregullojnë pajisjet kolektive dhe i kthejnë në gjendjen e rregullt, kryejnë ushtrimet, mësimin teorik dhe më pas kanë kohë të lirë deri në alarm. “Për shembull sot kemi pasë vetëm një konteiner mbeturinash që ishte djeg, jo diçka tjetër”, tregon Rrustemi.

Mirëpo, ky rast nuk është prej atyre që ia ndërrojnë qehren Rrustemit, i diplomuar për edukatë fizike dhe ekspert për shpëtim urban.

“Rasti i parë për mua ka qenë një zjarr fushor këtu tek varrezat pranë Komunës së Re. Aty ka qenë lehtë, por unë gjithmonë ju kam frikësu intervenimit në aksidente. Kështu që shefi sapo e kish marrë vesh, në aksidentin e parë që u lajmërua më dërgoi mua në ekip”, nis rrëfimin duke rrëmon kujtimet e gati dy dekadave më parë.

Rrustem Uka, zëvendës-shef i ndërrimit të parë në vlerësimin e ditës para dorëzimit të ndërrimit.
Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0

“Në Veternik, një Alfa-Romeo (tip automjeti) kish hi krejt përfundi një kamioni të madh me tabela të Maqedonisë. Shefi po më thotë futuni me nxjerr trupin. A paramendo, automjetit i shihej veç bagazhi. E kam marrë bashkë me një koleg hidraulikun që me pre automjetin, që ishte shumë e rëndë, por zori nuk pytke. Ka qenë shumë rast i rëndë dhe ai rast ma pati hjekë atë ngurrimin prej aksidenteve”, tregoi Rrustemi, të cilit i ndërhyn kolegu i tij, Vezir Berisha.

Veziri ka nisur punën si zjarrfikës në vitin 2003. Ndryshe nga kolegu i tij, ai është zjarrfikës nga Fushë Kosova, por punon në Prishtinë meqë as Fushë Kosova me 40,000 banorë e as Obiliqi me afër 22,000 banorë nuk kanë njësi të veta të zjarrfikësve.

Sa herë që sheh një kamion që përzien betonin e e derdh atë në kamion tjetër pompë, atij i kujtohet një prej rasteve më të rënda ku kishte reaguar.

“Aty një djali të ri i kishte hy këmba dhe më pas ajo duke u sill e ka ngreh përbrenda. E kishte ça krejt. Sapo e kam përfundu rastin jam ndalë dhe kam qajtë, s’kam mund me u kthjell”, rrëfen Veziri. 

Diçka e ngjashme sikur lëmshi, që i del fija dhe nuk ndalet, vazhdonin rrëfimin.

Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0

“Është djegë banesa. Kur kemi hy aty, e kemi gjet një foshnje të asfiksuar. E kemi nxjerr jashtë dhe i kemi dhënë ndihmën e parë menjëherë. Foshnja u kthy në jetë. Kam shku te rrota e kamionit, jam ulë në tokë edhe kam qajtë si fëmijë”, e shtoi edhe një ngjarje Rrustem Uka.

Disa zhurma filluan të dëgjoheshin në katin përdhesë. Ndërrimi i natës kishte filluar të vinte. Në ora 18:59, ndërrimi u dorëzua.

Në pritje të alarmit 

Shef i ndërrimit tash ishte Murat Haliti. Zëvendës i tij ishte Nehat Berisha që njihej si “Qeli” e në ekip ishin edhe nëntë zjarrfikës tjerë. 

Në holl të stacionit u mblodhën dhe u konfirmuan detyrat e ndara, se kush është S1 – sulmuesi i parë, S2 – sulmuesi i dytë apo edhe kush në cilin kamion do të jetë nëse lajmërohet ndonjë rast.

Menjëherë filloi rutina e kontrollit të mjeteve. Ndizen kamionët, kontrollohet sa kanë derivat, a ka lëvizuar presioni i ujit, ndizen gjeneratorët, sirenat e dritat rotative. Dikush tjetër, sipas detyrës, shikon a janë të gjitha pajisjet në vendin e vet dhe pasi jepet drita e gjelbër, zhurma pushon.

Derisa po përfundonte kontrolli, zëvendës-shefi i ndërrimit, Nehat Berisha, ndez një cigare dhe tregon se kjo është rutinë për të prej më shumë se dy dekada. Kur disa prej zjarrfikësve shkuan në hapësirat tjera të stacionit, Nehati futet në zyrën e telefonistit.

Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0

Ai shtyp butonin e kuq, alarmi mbush zbrazëtirat e ajrit dhe zhurma e hapave të shpejtë shkallëve veç u ndie. Zjarrfikësit menduan që është alarm i vërtetë dhe u nisën në aksion.

“Provë është, proooovë është, mos hajdeni”, bërtet Nehati, por e kotë. Ata veç mbërritën. 

“Ahh veç i kofsh falë ktyne gazetarëve se s’po di çka…”, dëgjohej dikush e më pas vijuan të qeshurat.

Por, Nehati nuk e kishte dëgjuar fare alarmin e parë si zjarrfikës në marsin e vitit 2001.

“Unë djalë i ri e jetën si çdo i ri, pak pa fre deri atëherë. Bjen alarmi i parë, unë nuk e nij hiç. I dyti bjen se kërkojnë ndihmë, unë hiç. Dikur ka ardhë një koleg edhe ka thonë ‘qyky paska vdek’. 
Eh qaty m’ka dalë gjumi edhe kam shku në aksion”, tregon duke qeshur Nehati.

Kur alarmi mbush hapësirat e objektit, zjarrfikësit lënë gjithçka e nisen vrap.

Ismet Berbatovci dhe Mentor Maloku veshin uniformën zjarr-duruese.
Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0

Në vitin 2018, ndeshjen e shumë-shikuar të Kampionatit Botëror 2018, ku Kroacia po gjuante penaltitë kundër Rusisë, zjarrfikësit po e ndiqnin në televizor. Por, penaltinë e fundit ata nuk e panë pasi ra alarmi dhe ata ikën vrap në aksion. 

Diçka e ngjashme kishte ndodhur në vitin 2005.

Rrustem Uka është një fans i zjarrtë i ekipit futbollistik anglez, Liverpoolit. Ndeshjen më ikonike të klubit të tij nuk e ka parë deri në fund.

“Kurrë nuk e harroj. Finalja e vitit 2005, Liverpool-Milan. Pat ra alarmi… E kam njëfarë rastësie që sa herë luan Liverpooli, bjen alarmi”, qeshet ai.

Teksa flisnim e pinim qaj të zi, dikush telefonon në stacion. Një heshtje e shkurtër, por merret vesh që nuk është alarm.

“Dikush po zezatet [tallet]. Jemi mësu me këto, që thirrin e nuk ka asgjë”, tregon Enver Qolli. Ai vazhdon rrëfimin me një ngjarje që u kishte ndodhur së fundmi.

Një grua kishte rënë mes shkallëve të një ndërtese dhe i ishte bllokuar koka në mes dy anësoreve të hekurta. “Aty ka qenë tepër rrezik, sepse çdo lëvizje mund të sillte fatalitet. E kam thirr Enverin, se ky punon me hekra edhe i kam thënë merre ti në dorë këtë rast”, ndërhyn Arton Rusinovci.

“Duke komuniku me zonjën, kadal-dale me milimetra falë zotit kemi arrit me e nxjerr”, tregon Qolli, që punë të dytë ka atë me hekur, pasi paga e zjarrfikësit është e ulët. 

Shumë prej tyre, detyrimisht e sigurojnë edhe një burim tjetër financiar.

Mentor Maloku plotëson "check-list"-ën në pranim të ndërrimit të natës.
Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0

Deri në vitin 2008, paga e zjarrfikësve ishte 145 euro. Sot marrin një pagë prej 451 eurosh, teksa shtesën për rrezikshmëri e kanë të njëjtë me disa zyrtarë që punojnë në zyrë pa dritare, 107 euro. Zjarrfikësit nuk kanë sigurim shëndetësor e as jetësor.

Uniformën teknike të vitit 2020 ua kanë zëvendësuar së fundmi, kurse ato për mbrojtje nga zjarri datojnë që nga viti 2020.

“A beson na patën pru disa pantallona të holla, të qepura keq, sa sinqerisht më vinte turp me i vesh e me thanë dikush ja zjarrfikësi si është vesh. Shihi këto këpucë. Secili prej nesh është dashtë me i dërgu edhe njëherë për t’i qepur sepse menjëherë shkoqeshin”, tregon Arton Rusinovci. “Njëherë na kanë sjellë një palë veshje të mira, origjinal teknike. Ato vazhdojmë t’i veshim ende me dëshirë”.

Në bisedë e sipër, fillojnë e mbledhin paratë që dikush të shkojë ta blejë darkën. Dikush qebapa, dikush hamburger, dikush tjetër picë a dyner, bukën e blejnë vetë, anipse sipas kontratës, shujtat duhet t’u paguhen nga Komuna e Prishtinës.

Zjarrfikësit nuk kanë status të përcaktuar. Si institucion janë në kuadër të Agjencisë së Emergjencave, kurse pagat i marrin nga komuna përkatëse. 

Por, këto pengesa ata i harrojnë kur marrin diçka, që sipas tyre, është pa çmim.

Nehat Berisha, zëvendës-shef i ndërrimit.
Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0

“Veç a e din bre çfarë ndjenje është me të falënderu familja kur ia shpëton një familjar, ia shpëton shtëpinë, apo dikujt biznesin. Nuk përshkruhet për besë. Ajo fjalë të mban gjallë”, thotë Nehati teksa të gjithë të tjerët pajtohen me të me një lëvizje koke.

 Një dorë bilardo 

Të gjithë u mblodhën rreth një tavoline bilardoje e tipit “karamboll”. Iu bashkuam lojës, zjarrfikësit dhe gazetarët. 

Dora e Ismet “Gjyksit”, Isakut e Bashkimit rrallë ia huqte rrëzimit të birilave të vegjël me topat e bardhë, duke shmangur të kuqin. Në atë bilardo, që e kanë trashëguar që nga paralufta, ata gjuanin me sy mbyllur duke ditur përmendësh edhe “spuntat” (devijimet e topave nga anësoret).

Kur i referoheshin në fillim “Gjyksit”, logjika të dërgonte tek një person shtatlartë. Por, të gjithë qeshën me ne kur hyri ai në sallë s’pari herë, se e dinin se çka kishim menduar. Për ta nuk ishte hera e parë. Më i shkurti ndër tjerët, me duar të forta e me një humor që rrallë kush do të mund t’i rezistonte. Viktima të humorit të tij ishin të gjithë, duke përfshirë edhe veten e tij. 

“Hajt qysh mund të jetë ndryshe, kur më shumë rrimë ne s’bashku se që rrimë me familje”, thotë Bashkimi, që së bashku me Muratin janë zjarrfikës nga paralufta.

Nga e majta: Ismet Berbatovci "Gjyksi", Isak Pllana dhe Bashkim Hajdari.
Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0

Deri në vitin 2012, sipas tyre bëhej lojë më e madhe sepse ishin 115 zjarrfikës. Sot janë një ekip prej 89 personash, prej të cilëve 82 operativë që mbulojnë Prishtinën, Fushë Kosovën, Obliqin dhe Graqanicën. Sipas tyre, standardi është që një zjarrfikës të jetë për 1,500 banorë. Për të mbuluar standardin duhen të punësohen edhe 65 zjarrfikës, por tash për tash nuk janë zëvendësuar as ata që e kanë lënë. 

Verës tregojnë se qëndrojnë më shumë jashtë, ku kanë një kosh për të kaluar kohën, deri në rënie të alarmit. Aty gjithçka përfundon, për të filluar aksioni.

Të qeshurat vazhduan edhe kur po tymosnin duhan në një kthinë ku mund të konsumohej duhani.

“O rrini bre rahat mos keshni shumë allahile. A e dini çka na pat ndodhë atëherë kur kemi kesh kështu. Kërcitën rezervarët e naftës”, u tërhiqte vërejtjen Enver Qolli.

Arton ‘Tita’ nuk e harron kurrë rastin e rezervuarve.

“Neve kur na kanë thirrë kanë thanë që është veç një zjarr. Nuk e kemi ditë përmasat dhe çfarë rreziku ka qenë. Kur kemi shku atje, e kemi pa me çka kemi të bëjmë, por askush nga kompania nuk na tregonte terrenin në detaje. Ne kemi qenë duke ecë si ekip mbi rezervuarët e mëdhenj që me mbrri te zjarri. Nuk e kemi ditë çka kemi nën këmbë. Një detonim ka ndodhë, na ka dridhë dhe atëherë e kemi kuptu. Atë rast nuk e harroj dhe nuk di ta them si jam ndje”, thotë ‘Tita, i cili e kishte marrë këtë nofkë nga një poster i një filmi jugosllaven ‘Tito i ja’, sepse shokëve u përngjante në një personazh të filmit.

Gjatë qëndrimit në dhomën e televizorit.
Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0

Murat Haliti, zjarrfikës prej vitit 1985, dy raste i ndan si më të vështira: djegien e mullinjve në Fushë Kosovë para luftës dhe djegien e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, njohur si “Bororamizi” në vitin 2000.

“Më duket pesë ditë, jo vetëm ekipi i Prishtinës, por edhe komunave tjera ka punu në shuarjen e zjarrit te depo e miellit dhe mullinjtë në Fushë Kosovë”, tregon ai.

“Te Boro-Ramizi kemi punu pa mjete. Sen nuk kishim, një kamëz më të madhe, me atë i hapnim depot me dry. Tjerat nuk mundnim. Shumë kemi punu, deri sa disa suedezë që e kanë mat temperaturën përbrenda, e cila kishta arrit 900 gradë në pllakë të sallës së madhe, na kanë thënë dilni. Pas 10-15 minutave është shemb pllaka”. 

Enver Qolli në një aksident e njihte viktimën në lidhje të largëta. Ai e kishte fshehur kokën e shkërmoqur me trup të tij, që prindi i viktimës mos ta shihte dhe atë e kujton. Kurse, aty tregohej se si një koleg i tyre kur kishte shkuar në aksident kishte qëlluar që viktima të ishte motra e tij.

 “Rasti i vetëm që na ka ndodhë në Kosovë”

Herë pas here, ‘Tita’ i thoshte Nehat ‘Qelit’ ta tregojë një rast. Por, gjithmonë diçka ndërhynte. Dhe erdhi momenti.

“Hej, kjo që po ta tregoj besoj që është rasti i vetëm që na ka ndodh në Kosovë”, nis rrëfimin.

Në lagjen “Arbëria”, zjarri brenda një shtëpie i kishte çuar zjarrfikësit brenda. Në një dhomë aty kishte ndodhur një dukuri, që shihet në filma.

“Ajo zonja e shtëpisë i ka thënë është qajo dera. Na nuk kemi pa tym hiç në korridor. Ajo është një shenjë e rrezikut sepse zjarri kur e harxhon oksigjenin nuk digjet, por në këto raste e ngreh tymin që e ka qitë më herët dhe i dëgjon fishkëllimat e ajrit në vrima të çelësit e zbrazëtira”, ndalet një sekondë Nehat Berisha, për të vazhduar rrëfimin.

“E kam ngritë kryt dhe e kam pa shkëndijën e zjarrit duke ardhë. Pushimorja me dritare, zonja e shtëpisë ka dashtë me u hedh atje, unë jam ngrit dhe e kam prit me trup dhe kemi rënë për dysheme. Më ka ardh komplet flaka përmbi mua, që e kisha mbulu atë zonjën. Pas diku shtatë-tetë sekondave jam çu, e hiqsha zjarrin nga trupi si puhur, e kam kap atë zonjën e kam nxjerr jashtë”, rrëfen Berisha duke shtuar se ky rast quhet eksplodim i oksigjenit, që zjarrfikësit e njohin si flashover’.

Objekti i zjarrfikësve në Prishtinë.
Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0

10 vitet e kaluara së bashku në të njëjtin ndërrim u kishin dhënë rrëfime që i kishin ndodhur ndoshta njërit, por mund t’i tregonte secili. Kjo e bënte punën edhe më të lehtë për ta në terren. 

Natën kur qëndruam në stacion të zjarrfikësve nuk pati asnjë rast.

“Ne edhe mund të idhnohemi, edhe mund të përlahemi, por të bashkuar jemi gjithmonë. Kemi jetët e njëri-tjetrit në dorë”, tha Arton Rusinovci, i ulur në cep të një divani të vjetër pranë tavolinës së bilardos. Të tjerët e tundën kokën në shenjë pohimi.

 Feature image: Atdhe Mulla / K2.0

Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0.

A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.