Në thelb | Të drejtat e njeriut

Të mitur dhe të martuar

Nga - 04.11.2016

Qeveria e Kosovës i shpërfill martesat e të miturve në të gjitha komunitetet.

“Jam e martuar, nuk kam dashtë [të martohem], më kanë detyruar prindërit. Jam martuar kur kam qenë shumë e re, kur kam qenë 15 vjeçare”. Këto janë fjalët e Suzana Zajës, të thëna në dokumentarin e vitit 2010 për martesat e hershme brenda komuniteteve romë, egjiptas dhe ashkali. Aktivistët sugjerojnë që filmi, i inicuar nga Rrjeti i Organizatave të Grave Rome, Ashkalike dhe Egjiptase të Kosovës (RrOGRAEK), i mbështetur nga Agjencia për Barazi Gjinore, është një prej nismave të para që është përpjekur ta hapë debatin për martesat e fëmijëve në Kosovë.

Poashtu, është një nga iniciativat e rralla të një institucioni qeveritar, që ta adresojë këtë çështje që kurrë nuk ka qenë prioritet i qeverisë; raportet sugjerojnë që qeveria ka tendencë ta arsyetojë mungesën e veprimeve nga ana e saj, duke thënë se kjo është një “traditë” e komuniteteve romë, ashkali e egjiptas, duke e mospërfillur krejtësisht ndikimin që ky fenomen ka në komunitetet e tjera.

Edhe pse nuk është fenomen i përhapur shumë si në të kaluarën, një video e publikuar muajin e kaluar në rrjetet sociale, ka dëshmuar që martesat e fëmijëve nuk janë të kufizuara vetëm brenda komuniteteve joshumicë. Martesa e dy të miturve shqiptarë të Kosovës (të moshës 13 dhe 14-vjeçare) nga Malisheva, me pamje të familjarëve të tyre duke e festuar këtë bashkim së bashku me mysafirë, thuajse asgjë e pazakonshme nuk po ndodh, ka shkaktuar reagim të ashpër të qytetarëve të Kosovës nëpër rrjete sociale. Debati për martesat e fëmijëve fitoi vëmendje dhe për një kohë të shkurtër u bë temë e ditës e secilit medium.

Pas raportimit medial për dasmën në Malishevë, policia e Kosovës dhe punëtorët socialë ndërhynë, ndërsa raportet e mediave thonë se prindërit e fëmijëve po hetohen për shkelje të dyshuar të kodit penal; të miturit e sapomartuar janë ndarë dhe mund të ribashkohen vetëm kur ta arrijnë moshën legale për martesë. Sipas kornizës ligjore, bashkëshortët e ardhshëm duhet të jenë së paku 18-vjeçarë, edhe pse mosha minimale bie në 16 me pajtim të prindërve.

Problem global

Kosova nuk është vendi i vetëm në botë që ka problem me martesa të fëmijëve.

Çdo vit, 15 milionë vajza në botë martohen para moshës 18-vjeçare, dhe rreth 720 milionë gra që jetojnë sot, janë martuar para moshës 18-vjeçare. Është llogaritur që nëse ky trend vazhdon, ky numr mund të rritet në 1.2 miliardë deri në vitin 2050.

Më herët gjatë këtij muaji, në ditën ndërkombëtare të vajzave, Human Rights Watch u bëri thirrje shteteve kudo në botë që t’i bashkohen thirrjes së tyre për t’i dhënë fund martesës së fëmijëve.

Legjislacioni kosovar është në linjë me shumicën e legjislacioneve perëndimore, edhe pse sipas konventës ndërkombëtare, martesat që përfshijnë një person nën moshën 18 vjeçare, në të shumtën e rasteve konsiderohen shkelje të të drejtave të fëmijëve dhe të njeriut.  

Visare Mujko-Nimani, specialiste e programit në Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsi (UNFPA), zyra në Kosovë, beson që ligji në Kosovë duhet të standardizohet në mënyrë që të ndalojë çdo martesë të fëmijëve. “Si UNFPA, ne duam që mosha [minimale për martesë] në legjislacion të jetë rreptësisht 18-vjeçare”, tha ajo.

Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave e Kosovës, vitin e kaluar janë regjistruar 105 martesa legale të hershme, ndërsa në 2014 janë regjistruar 95; të gjitha këto raste kishin të përfshira vajza të moshave 16 apo 17-vjeçare në martesë me burra më të vjetër. Megjithatë, mungojnë të dhëna më të sakta statistikore meqë në Kosovë është e përhapur dukuria e vonimit të kompletimit të procedurave ligjore të martesës pas ceremonisë së dasmave, ndonjëherë edhe me vite të tëra.

Mujko-Nimani tregon që si pasojë, regjistrimi I martesave të fëmijëve është posaçërisht shumë i rrallë: “99 përiqnd e këtyre martesave nuk regjistrohen në regjistrin civil. Nuk shkojnë të martohen me ligj. Prandaj, sa i përket të dhënave për përhapjen e martesave të hershme, ato nuk i përmbajnë të dhënat për martesën e atyre që janë në moshën 16-vjeçare [apo 17, me pajtim të prindërve]”.

Pasoja shkatërruese

Organizatat e të drejtave të njeriut dhe të shëndetësisë, kudo në botë, vazhdimisht përpiqen të zbulojnë pasojat shkatërruese të martesave të fëmijëve, që përfsijnë shtatzanitë dhe lindjet me rrezikshmëri të lartë. Sipas UNICEF-it, një vajzë nën 15 vjet, është pesë herë më shumë në rrezik të vdes gjatë shtatzanisë apo lindjes, se sa një grua në të 20-at. Kur një nënë është nën 18 vjet, shansi që foshnja e saj të vdesë gjatë vitit të parë është 60 përqind më e lartë sesa nëse foshnja lind nga një nënë mbi 19 vjet.

Një raport I UNFPA-së i vitit 2012, dokumenton që vajzat që martohen në moshë të re kanë shansë të rritura që të infektohen nga sëmundje që transmetohen përmes seksit, dhe të bëhen viktima të dhunës familjare dhe seksuale, ngaqë burrat e tyre më të vjetër kanë tendencë t’i nënshtrojnë ato. Shumë nga bashkëshortet fëmijë që janë intervistuar nga UNFPA-ja, kanë raportuar se kanë përjetuar dhunë familjare nga “disa herë”.

“Martesa në moshë të hershme paraqet problem sidomos për vajzat. Ato martohen para se ta zgjidhin çështjen e karierës, para shumë çështjeve të tjera dhe pastaj ballafaqohen me probleme të cilat nuk janë në gjendje t'i zgjidhin” .

Luljeta Demolli

Mujko-Nimani thotë se pasojat e martesave të fëmijëve shkojnë përtej ndikimeve në shëndet. “Përpiqemi ta ngrisim vetëdijen që një fëmijë duhet patjetër të ndalohet nga mbajtja dhe lindja e një fëmije, dhe nga ndërprerja e shkollimit, ngaqë fëmijët e po asaj moshe janë ende në shkollë”, tha ajo.

Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) poashtu thekson se kur një vajzë e mitur martohet, ajo privohet nga fëmijëria ngaqë prej saj pritet të marrë përgjegjësi shtëpiake dhe të amësisë para se ta arrijë moshën e pjekurisë. “Një martesë e hershme është posaçërisht problematike për vajzat”, thotë ajo. “Ajo martohet… para se ta zgjidhë çështjen e karierës, dhe do të ketë probleme të cilat nuk do të jetë në gjendje t’i zgjidhë”.

Patriarkaliteti dhe varfëria

Të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës sugjerojnë se mosha mesatare për martesë për burrat në Kosovë është 31, ndërsa për gratë është 27. Sidoqoftë, duke pasur parasysh numrin e madh të martesave të paregjistruara gjatë kohës së ceremonisë, të dhënat janë çorientuese.

Gratë në veçanti shpesh përfundojnë të martuara në moshë shumë të re për shkak të traditave konzervative patriarkale që e lidhin gruan me nderin e familjës. “Kur isha në Mamushë [komunë afër Prizrenit] në vitin 2015, pyeta në komunë nëse ka ndonjë grua nën moshën 35 vjeçare, që është e pamartuar”, thotë Demolli. “Dhe nuk kishte”.

Ajo shton se martesat e fëmijëve janë shumë të shpeshta në zona si Mamushja, Dragashi dhe zona të tjera që janë përreth kufirit Kosovë-Shqipëri, si dhe në vende rurale në përgjithësi, ku monitorimi i mirëqenies është i dobët dhe ku bashkësitë dhe individët njihen mirë në mes vete.

Edhe pse legjislacioni në Kosovë është i harmonizuar me atë të shumë vendeve perëndimore, aktivistët theksojnë se mungesa e mbikqyrjes efektive të mirëqenies – ku punëtorët socialë e kontrollojnë mirëqenien e bashkëshortëve të mitur –  nga agjencitë qeveritare, shkakon probleme posaçërisht me martesat e moshës 16-18 vjet. “Mendojeni sikur kjo të ndodhë në zonat e izoluara si Dragashi apo Opoja”, thotë Demolli. “Punëtori social do ta njihte familjen, dhe prandaj nuk do ta raportonte. Ata mund të jenë profesionistë të mirë, mirëpo vendet e vogla e ndalojnë mbikqyrjen e familjes prandaj ata nuk do të lejonin të raportohej se çka po ndodhë me vajzën e re. Prandaj qeveria duhet të jetë më vigjilente me politikat e veta”.

Krimi dhe ndëshkimi

Kur një person detyrohet të martohet kundër dëshirës së tij, kjo përbën shkelje ligjore që njihet si “martesë e detyruar.’ Shumica e martesave të detyruara përfshin fëmijët.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, një person që e detyron një fëmijë (nën moshën 18-vjeçare) të martohet, duhet të dënohet me burg prej 2 deri në 10 vjet. Kur kjo shkelje bëhet nga prindi ose kujdestari, atëherë dënimet me burgim variojnë prej 5-10 vjet, për martesë të detyruar të fëmijëve të moshës 14-16-vjeçare, dhe së paku 15 vjet, për fëmijët nën moshën 14-vjeçare.
Kur bëhet ceremonia e dasmës, pa martesë zyrtare ligjore, atëherë shkelja potenciale bie në kategorinë e “bashkësisë jashtëmartesore”.

Një person, përfshirë prindin apo kujdestarin, që lejon apo detyron një fëmijë të “bashkëjetojë në një bashkësi jashtëmartesore’ me një person tjetër, duhet të burgoset prej 5-20 vjet për fëmijë të moshës 14-16-vjeçare, dhe minimum 15 vjet për fëmijë nën moshën 14-vjeçare.

Ndër faktorët tjerë që çojnë në martesa të fëmijëve në Kosovë, janë mundësitë e kufizuara ekonomike, gjë që i shtyn shumë familje t’i martojnë vajzat e tyre si strategji për mbijetesë ekonomike. Këto martesa zakonisht aranzhohen midis vajzave të mitura dhe kosovarëve që jetojnë në diasporë.

Martesat e tilla nuk janë gjithmonë të imponuara kundër dëshirës së vajzës. Në zona rurale dhe të izoluara, vajzat i shohin martesat e aranzhuara jashtë vendit si alternativë atraktive për të ikur nga varfërua dhe familja e tyre.

“Është faji i prindërve sepse ata e shohin si zgjidhje të varfërisë së tyre dhe të problemeve të tyre, ndërsa është faji i qeverisë që lejon varfëri në këtë shkallë kaq të lartë”, thotë Demolli. “Kjo shihet si zgjidhje legjitime në shoqërinë tonë. Prindi thotë ‘vajza ime është shumë e aftë, dhe po na ndihmon.’ Kjo gjë tolerohet dhe nuk dënohet. Dhe punëtori social apo ofiçari që e kryen këtë martesë, e sheh këtë dhe nuk thotë asgjë. Ata nuk e dënojnë sepse shoqëria nuk e dënon”.

Sipas raportit të UNFPA-së, martesat e aranzhuara jashtë Kosovës nuk përfundojnë gjithmonë ashtu si pritet: përderisa burrat që jetojnë jashtë besojnë se një vajzë e re kosovare do të jetë e dëgjueshme dhe do ta pranojë menjëherë rolin tradicional gjinor në shtëpi, vajza e sheh jetën jashtë Kosovës si mundësi për të ikur nga tradita, dhe ky dallim mes pritjeve të bashkëshortëve shpesh përfundon me divorc.

“Ajo duhet të kujdeset për mirëqenien e familjes. Çfarë barre është kjo për një 16-vjeçare”, thotë Demolli. “ Pastaj ajo duhet të kujdeset për punët shtëpiake dhe për familjen e burrit. Ajo do të dërgojë të holla në shtëpi, dhe për këtë ajo duhet të jetë shumë e dëgjueshme ndaj burrit të saj dhe e tërë kjo shndërrohet në një zinxhir të shtypjes. Ajo do të vuajë nga shtypja”.

Diskriminim i dyfishtë

Fenomeni i martesave të fëmijëve në Kosovë është posaçërisht i përhapur brenda komuniteteve joshumicë. Meqë komunitetet joshqiptare nuk kanë qasje efektive në edukim dhe jetë sociale, ekonomike e politike, gratë e këtyre komuniteteve, në veçanti ato të komunitetit të goranëve, boshnjakëve, turqve, dhe gratë e komuniteteve rome, ashkali dhe egjiptase, ballafaqohen me diskriminim të dyfishtë: nga komuniteti i tyre dhe nga e tërë shoqëria.

“Vajzat nuk i dinë të drejtat e tyre”, thotë Shpresa Agushi, drejtoreshë ekzekutive në RrOGRAEK. “Ato nuk i kërkojnë të drejtat e tyre, por edhe mentaliteti, i ngjashëm me mentalitetin ballkanas, është që gratë duhet të durojnë gjithçka, madje edhe kur keqtrajtohen nga burrat e tyre”.

majlinda-hoxha-k2-0-early-marriages-shpresa-agushi-09-2016_-4

Organizata e Shpresa Agushit, RrOGRAEK, ka filluar përgatitjen e një dokumentari në vitin 2010 i cili kishte për qëllim ta niste debatin lidhur me martesat e fëmijëve në Kosovë.

Agushi thotë se gjatë një hulumtimi për dokumentarin e vitit 2010, ata takuan vajza të reja, jo më të mëdha se 13 vjeç, që veçse ishin të martuara. Me një rast, hulumtuesit në terren ishin kërcënuar nga një burrë abuziv, vetëm sepse provuan ta merrnin në intervistë gruan e tij që ishte martuar në moshë të re.

Demolli thekson se si kushtet e tmerrshme të banimit të familjeve të mëdha në hapësira të vogla, i shtyn shumë prindër t’i martojnë vajzat e tyre në moshë shumë të re. “Konsideroj që shteti ka faj që nuk e ka zgjidhur problemin e banimit, sepse është e drejtë e familjes të ketë strehë, nuk bën që shumë gjenerata të jetojnë bashkë”, thotë Demolli.

Zakoni i pagesës baba hak, ku një burrë i jep një lloj kompenzimi familjes së gruas së tij të ardhshme, për ta siguruar atë si grua, është poashtu fenomen i pranishëm te komunitetet romë, ashkali dhe egjiptas. Sipas Demollit, kjo është një nga arsyet kryesore prapa martesave të detyruara brenda këtyre komuniteteve, ku vajzat martohen kundër vullnetit të tyre.

Baba hak zakonisht i financon shpenzimet e martesës, si: rrobat, kënagjegjin, apo pagesën e dhuratave nëse familja e nuses nuk ka mundësi t’i paguajë. Megjithatë, Agushi thotë që gjëja më shqetësuese është kur familja e vajzës paguhet me para direkt nga dhëndri. “Ka raste kur kërkohen shuma të ndryshme, dhe familja i shfrytëzon këto të holla për shpenzime personale, pa kontribuar për vajzën e tyre”, thotë Agushi.

“Gjatë hulumtimit në terren kemi parë se këtu nuk kemi të bëjmë me traditën por me moszbatimin e ligjeve”.

Shpresa Agushi

Vlera e zakonit baba hak mund të jetë mijëra euro; sa më të reja e më të bukura që janë vajzat, aq më e lartë mund të jetë shuma. Kjo i shtyn familjet që t’i aranzhojnë martesat e vajzave të tyre në moshë sa më të re, si mënyrë për të siguruar pagesë më të lartë.

Sipas raportit të UNFPA-së, kur autoritetet hetojnë një rast të dyshuar të martesës së fëmijëve, udhëheqësit e komunitetit intervenojnë duke negociuar me policinë dhe prindërit. Aktivistët insistojnë që është përgjegjësi e qeverisë t’i mbrojë interesat më të mirë të fëmijëve.

“Gjatë hulumtimit në terren, kemi kuptuar që nuk kemi të bëjmë me traditë por me moszbatim  [të legjislacionit] dhe mungesë të njohurisë për ligjet ekzistuese në Kosovë”, thotë Agushi. “Prandaj njerëzit e jetojnë jetën si duan, sepse nuk ka dënime, ligji nuk zbatohet”.

Çështjet që lidhen me zbatimin e ligjit janë të shumta dhe ndikojnë tek të gjithë qytetarët, njëjtë sikur çështjet sociale dhe ekonomike që e prekin gjithë shoqërinë. Megjithatë, dëshmitë tregojnë që kur ka dështime, ata që janë më të cenueshëm, si p.sh. individët në martesat e fëmijëve, vuajnë më së shumti.