Në thelb | Ambient

Të ngrohesh pa u ngulfatur nga ndotja e ajrit

Nga - 05.03.2024

Ngrohtorja e Gjakovës, pionere në gjenerimin e energjisë së qëndrueshme.

Në pjesën lindore të Gjakovës, qytet i njohur për industrializmin në periudhën e Jugosllavisë, një tabelë e zverdhur çon drejt gërmadhave të ish-ngrohtores së qytetit që rrinë si dëshmitarë të heshtur të kalimit të kohës. Tashmë e reduktuar në veç një kujtim bezdisës, kjo ngrohtore, që përdorte mazutin si lëndë djegëse, për rreth katër dekada mbushi qiellin e qytetarëve gjakovarë me tym të zi.

Pos tymit toksik, djegia e mazutit lironte edhe aroma të rënda, teksa operimi me humbje financiare nuk ia mundësoi që të qëndronte në këmbë. Në vitin 2020, ajo u mbyll. Sot pranë saj s’gjen tjetër, pos një strukture të rrënuar e të zhveshur.

Tymi që lëshonte nga viti 1981 u venit në vitin 2021, prej kur nisi të punonte ngrohtorja e re që djeg biomasë drunore, e cila gjendet disa qindra metra mbrapa të vjetrës.

Ngrohtorja e re është e pajisur me teknologjinë më të fundit, ndonëse përdor rrjetin shpërndarës së ngrohtores së vjetër. Ngrohtorja është rezultat i një investimi 15 milionësh euro nga Bashkimi Evropian (BE), pasi rrjeti i gatshëm e kishte favorizuar Gjakovën.

Impianti i ngrohtores së vjetër (majtas) dhe Impianti i ngrohtores së re (djathtas).
Fotografitë: Majlinda Hoxha / K2.0.

Në të punojnë edhe një pjesë e personelit që kishte punuar edhe në ngrohtoren e vjetër, si Mërgim Demhaja, teknik i makinerisë, i cili punon në dhomën e kontrollit. Qe 38 vjet, ai u qëndron përballë ekraneve që monitorojnë gjenerimin e energjisë termike. 

“Dallimi në punë nuk është shumë i madh. Ajo ka djegë mazut, ky djeg biomasë, logjika e njëjtë është e funksionimit”, thotë Demhaja. “Mirëpo në infrastrukturë është si dita me natë”. Ai lë pas dhomën e kontrollit, hap një derë dhe drejton sytë kah tymtari.

“Ja nuk shihet kurgjo. Del vetëm avull”, thotë ai, teksa duket që edhe përton të kthehet në kohë e dikurshme. “Nuk ke mujt me nejt rahat prej erës t’randë të mazutit. Shumë prej kolegëve kanë pasur probleme me frymëmarrje. Aty pa u dhez hiq kalldaja vike erë e keqe, paramendo kur dhezej”. 

Një kompjuter në qosh monitoron vazhdimisht nivelin e grimcave të pluhurit dhe dioskidin e karbonit që lirohen nga djegia në këtë ngrohtore. Ndonëse prodhimi i energjisë termike gati është dyfishuar në ngrohtoren e re, prej rreth 9MWh në mbi 15MWh, sasia e emetimeve është ulur ndjeshëm. Në krahasim me sasinë e dioksid karbonit që lirohej nga djegia e mazutit, rreth 49,000 tonë për një sezon, deri në shkurt, ngrohtorja ka liruar vetëm rreth tetë tonë, pra 40,000 tonë më pak dioksid karbon. 

Teknologjia e ngrohtores së re, përveç që filtron përmbajtjen toksike dhe ulë në mënyrë drastike sasinë e dioksid karbonit që lirohet në atmosferë, mban hirin brenda bodrumeve nën ngrohtore dhe nuk liron ndonjë erë të rëndë nga djegia e biomasës. 

Mërgim Demjaha, punëtor prej 38-vjetësh në Ngrohtoren e Gjakovës. Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0.

Përveç dobisë në mjedis, teknologjia e avancuar e ngrohtores ofron mundësi të menaxhimit dhe kontrollit që e bëjnë punën më efikase.

Blerim Halilaj, inxhinier mekanik, që ka marrë pozitën e drejtorit ekzekutiv të ngrohtores në dhjetor 2023, pikërisht në vlugun e punës, mund të kontrollojë të gjithë procesin e ngrohtores nga rehatia e zyrës së tij. Ai mund të shohë se sa është kapaciteti i gjenerimit të energjisë në secilin moment, si po qarkullon uji, me çfarë temperature po del dhe me çfarë po kthehet, madje mund të shohë edhe secilin destinacion të fundit të ngrohjes. Me një klikim mund të rrisë apo zvogëlojë energjinë termike që u shkon konsumatorëve.

Në ngrohtoren e Gjakovës janë 2,000 konsumatorë të kyçur në rrjet, por aktivë dhe që marrin ngrohje janë 600. Kjo sipas drejtorit Halilaj ka ardhur si një trashëgimi e keqe nga e kaluara kur qytetarët janë çregjistruar ngaqë nuk ka pasur ngrohje të rregullt. Aktualisht, rrjeti i ngrohtores mbulon 32% të qytetit, por kapaciteti i gjenerimit mund t’i dyfishojë konsumatorët.

Sipas Halilajt, nga ngrohtorja aktualisht faturohen 122,000 metra katrorë. Brenda këtyre metrave dhe konsumatorëve përfshihen shkollat, çerdhet, konvikti, objektet institucionale dhe sivjet kanë aktivizuar në ngrohje me kapacitet të plotë gjithë Spitalin e Gjakovës. Ai thotë se ngrohja pa ndërprerje ka shtuar interesimin për t’u kyçur dhe vitin e ardhshëm pret që shumë konsumatorë të regjistrohen. Një tendencë pozitive e sheh edhe tek ndërtuesit e rinj që interesohen të bëjnë investimin e tyre për të kyçur banorët në ngrohjen qendore.

Blerim Halilaj, drejtor ekzekutiv i Ngrohtores së Gjakovës dhe pasqyrimi i rrjetit të ngrohtores dhe konsumatorëve në programin e menaxhimit.
Fotografitë: Majlinda Hoxha / K2.0.

Megjithatë, përdorimi i infrastrukturës së vjetër të shpërndarjes u kërkon investime shtesë. Temperatura e ujit që qarkullon në gypat e ngrohtores, që shtrihen në 47 kilometra gjatësi përreth Gjakovës humb deri sa mbërrin në disa lagje për shkak të gypave pa para-izolim.

Një dakordim mes komunës dhe ngrohtores parasheh që në secilën rrugë që renovohet apo hapet, të futen gypat dhe një rrugë mos të gërmohet disa herë, dhe kështu të zgjerohet baza e qytetarëve që marrin nga shërbime nga ngrohtorja.

Më shëndetshëm, më lirë

Punëtorët lëvizin korridoreve dhe siç thotë Demjaha nga dhoma e kontrollit, “gjithçka është si në barnatore”, një sinonim i kahmotshëm për pastërti e rregull.

Struktura e metaltë gjithandej mban të gjitha pajisjet, por krijon edhe një labirint me shkallë që të çojnë sa në një kënd sa në këndin tjetër. 

Inxhinieri i makinerisë, Adrian Bunjaku dhe inxhinierja e elektros, Florentina Lama bashkangjiten si guidë për ta parë sektorin e prodhimit.

 Ngrohtorja ka tri kalldaja që djegin biomasën. Kapaciteti i përgjithshëm është 15MW energji termike dhe 1.2MW energji elektrike. Deri tash, maksimumi i prodhimit në këtë sezon ka qenë 9MW, që i bie se ata kanë kapacitete të lira që presin zgjerim të rrjetit. Gjithashtu në fund të 2024 pritet të nisin me gjenerimin e energjisë elektrike. 

“Ne do të prodhojmë energji elektrike më shumë se konsumi që kemi. Tash do të ripërtërijmë një marrëveshje me KOSTT [Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës] dhe kemi kushtet ideale që me fillu operimin”, thotë Lama, e cila do të jetë inxhiniere e operimit për koogjenerimin që do të prodhojë energji elektrike.

Kjo formë e gjenerimit të energjisë me biomasë, duke shmangur lëndët djegëse si thëngjilli e nafta, maksimizon efikasitetin dhe ulë ndotjen që lirohet në atmosferë, duke e bërë Gjakovën pioniere në qëndrueshmërinë energjetike. 

Florentina Lama, inxhiniere e elektros (majtas) dhe Adrian Bunjaku, inxhinier i makinerisë. Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0.

Duke shfrytëzuar ashklat e drurit me lagështi prej 35%, Energjia termike e gjeneruar nga ngrohtorja e Gjakovës jo vetëm që redukton emetimet e dëmshme, por gjithashtu po kontribuon në qëllimet e përgjithshme të rajonit për neutralizimin e karbonit si një ndër shkaktarët kryesorë të krizës klimatike. Çdo megavat i prodhuar në këtë formë i ndihmon Kosovës që të jetë më e pastër, duke e reduktuar varësinë nga djegia e thëngjillit në termocetralet e Obiliqit, të cilat vazhdojnë të jenë baza e fortë e sigurisë së furnizimit.

Në bazamentin e ngrohtores, një shirit lëviz ngadalë nga jashtë brenda. Automatikisht fut ashklat e drurit në furrën e kalldajes. Këto ashkla vijnë nga jashtë ngrohtores, ku një eskavator i shtyen drejt shiritave të metaltë. Po jashtë, një grumbull i madh degësh presin të coptohen me një makinë që rrin kapur me traktor. Ndërmarrja publike që bën krasitjen e drunjve në qytet, i kishte sjell mbetjet aty. Kjo nuk ishte hera e parë dhe një plan është afatgjatë synon diçka edhe më efiçiente financiarisht.

“Në sezonin 2021-2022 ka qenë një projekt kur është bërë pastrimi i pyjeve dhe një masë e drunjve ka ardhë prej atij aksioni tek ne, duke e ulur koston e prodhimit”, thotë Halilaj. “Ne po planifikojmë që të merremi vet me këtë proces, qoftë me një kompani që kryen pastrimin e pyjeve, qoftë edhe krijimin e një ekipi tonë”. 

Për këtë sezonë janë kontraktuar 7,000 tonelata biomasë për furnizim. Një sasi e tillë e drurit sikur të digjej në shporeta dhe oxhaqe të shtëpive, sipas Halilajt, do të ngrohte vetëm 20% të hapësirës që ngrohet nga Ngrohtorja e Gjakovës.

Depozita e biomasës drunore që pret të digjet për të prodhuar energji termike. Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0.

Ndërmarrja e ka të pamundur të mbahet financiarisht vetëm me pagesat që vijnë nga konsumatorët. Si ndërmarrje publike ajo është nën kompetencat e Komunës së Gjakovës. Buxheti i ngrohtores përbëhet edhe prej subvencioneve nga ministria e Ekonomisë dhe vetë komuna e Gjakovës. Operimi i përgjithshëm ka kushtuar afro 935,000 euro, e mbi 60% është mbuluar nga subvencionet.

Çmimi i lartë i drurit për djegie në vitet e fundit ka çrregulluar bilancin ekonomik të ndërmarrjes, por Halilaj pret që të mbyll vitin me një fitim të vogël ose me bilanc zero, pa ndonjë humbje.

“E mira është që çmimi i furnizimit po bie dhe besoj që viti tjetër do të jetë pozitiv”, thotë ai, duke shtuar se edhe inkasimi prej fillimit të ndërmarrjes me ngrohtoren e re është tek 95%, por që për ata që s’paguajnë, i drejtohen përmbaruesve, për t’iu marrë paratë.

Çmimi për ngrohtore është relativisht i ulët, ku për një kosumator familjar çmimi për metër katror është 90 cent, teksa për ata komercialë 1.30 euro. Një shtëpi prej 60 metra katrorë, ngrohjen prej 24 orësh në sezonin e dimrit e paguan 54 euro në muaj. Kurse një lokal që ka 80 metra katrorë, ngrohet gjatë gjithë dimrit me 104 euro në muaj.

Skema e shpërndarjes së ngrohjes, nga një faqe në tjetrën, tregon edhe çfarë temperature shkon tek shkollat dhe institucionet tjera. Këtë vit, moti me diell për shkak të ndryshimeve klimatike theu traditën e ditëve të ftohta të janarit dhe shkurtit, por nuk i bën shumë shkolla të ndalin ose zvogëlojnë ngrohjen. Kjo bën që Halilaj t’i thërras në telefon dhe t’i këshillojë për kursim.

Shkolla fillore e mesme e ulët “Yll Morina” - Gjakovë. Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0.

Shkolla fillore e mesme e lartë e Gjakovës, “Yll Morina”, është një nga disa shkollat në qytet që ngrohet me rrjetin e Ngrohtores së Gjakovës. Berat Bejtullahu, është drejtor prej shtatë vitesh aty. Më parë kishte kryer punën e drejtorit në shkollën fillore “Zekerija Rexha”, ku janë ngrohur me kalldaja që djegin naftë. Dallimi sipas tij është i madh në secilin aspekt.

“Me naftë ka qenë së paku katër herë më shtrenjtë. Dimrin nuk ke mujtë me kalu me 20,000 euro naftë dhe atë duke mos e mbajt nxemjen e lëshuar pa ndalë. Duhej me ardh punëtori në 4 ose 5 mëngjes me lëshu, që me u ngroh shkolla kur të vijnë nxënësit”, thotë Bejtullahu. ”Sot e kalojmë me 2,000 euro muajin”.

Nëpër shkollë në ndërrimin e pasdites në atë ditë të ftohtë shkurti, qiellin pa tym mazuti të Gjakovës e ngroh dielli. Por, disa nga klasët mbajnë dyert hapur.

Me planin e zgjerimit nga ngrohtorja dhe prirjen e qytetarëve për t’u lidhur në rrjetin e tyre, qiellin e Gjakovës duket se e presin ditë më të pastërta.

Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.

Shënim i redaksisë: Versioni i mëhershëm i këtij artikulli gabimisht thoshte se Ngrohtorja e Gjakovës është e vetmja ngrohtore në Ballkanin Perëndimor që gjeneron energji termike me biomasë. Ky gabim është përmirësuar dhe versioni i tanishëm reflekton faktet në terren.

—–

Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0.

A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.