Ngadhnjim Shabani qysh herët e ka zbuluar pasionin e tij për skulpturën, e ndër vite ka krijuar shumë figura prej lloqit. Kreativitetin zakonisht e shpreh duke i mbrujtur portretet e figurave kombëtare, por me të nisur viti 2020 vendosi t’i jepte formë një figure tjetër të rëndësishme për të, gjyshit të tij. Pas pesë muajsh, më 13 maj, portreti ishte më afër përfundimit se kurrë më parë.
“Ndoshta për dy javë, maksimum, kryhet”, thotë ai, dhe jo se i ka mbetur edhe aq punë, por se skulpturës s’mund t’ia përkushtojë plotësisht ditën. Në tre muajt e parë të këtij viti, as një javë e plotë nuk u bë me ditët që u mor me skulpturë. Profesioni i 31-vjeçarit është dizajni grafik, pëmes të cilit nxjerr të ardhura edhe për të blerë materialet për mbrujtjen e skulpturave.
Tri vite më parë ai gjeti punë në Prishtinë si dizajner grafik, kur edhe u shpërngul afër vendit të punës. Kjo jo vetëm që e largoi nga studioja e skulpturës (oborri i shtëpisë) në Gjilan, por edhe ia imponoi orarin prej orës 9 deri në 5, ndryshe prej më herët kur punonte si dizajner i pavarur.
Mirëpo, nga mesi i këtij marsi Ngadhnjimin do ta ngujonte në “studion e skulpturës” e do t’i jepte kohë për t’u marrë me pasionin e tij pandemia COVID-19.
Më 13 mars u bë e ditur se virusi kishte mbërritur në Kosovë dhe qeveria mori vendim të mbylleshin shumë biznese për ta penguar përhapjen e tij të mëtejme, ndërkaq i urdhëroi bizneset tjera ta organizonin punën ashtu që shumicën e aktiviteteve punëtorët t’i kryenin nga shtëpia. Me masa të tjera që u morën ndërkohë, vendi u vu në ngujim për disa javë dhe shumë aktivitete u pezulluan, ndërsa mijëra punëtorë mbetën pa paga apo pa punë.
Në maj, pasi u reduktua numri i të prekurve me COVID-19 dhe u rrit numri i të shëruarve, Ministria e Shëndetësisë filloi lehtësimin gradual të masave. Kolonat e gjata të trafikut filluan të shfaqen sërish nëpër qytete, e zyrat u hapën një pas një. Por para se të ndodhte kjo, në ata dy muaj të ngujimit shumë njerëz u detyruan të mësohen me një përditshmëri të pazakontë.
T’i kthehemi ditës kur ajo përditshmëri e re filloi.
Fill pasi u shpallën rastet e para më 13 mars, Ngadhnjimi vendosi të kthehej në Gjilan, dhe u kujdes ta merrte me vete kompjuterin e punës. E dinte se do të punonte nga shtëpia, por nuk e dinte për sa kohë. Ai thotë se ia merrte mendja që për pak do të mbaronte, duke përmendur me ironi “edhe dy javëshin” — frazën mbizotëruese gjatë pandemisë.
Ngadhnjim Shabani e shfrytëzoi ngujimin për t’u marrë me pasionin e tij, skulpturën. Foto nga Ngadhnjim Shabani.
Rrugën nga Prishtina për në Gjilan po atë ditë e mori edhe Bionda Rexhepi, e cila është juriste e angazhuar në një projekt të BE-së për Kodin Civil të Kosovës. Kur 24-vjeçarja arriti në shtëpi, kujton se gjeti plot mysafirë, të cilët nuk ishin të pazakontë në familjen e saj. “Na jemi familje e madhe dhe shkojmë shumë me njëri-tjetrin”, thotë ajo.
Kësaj here, ajo i gjeti mysafirët e të zotët e shtëpisë duke biseduar se si “tash duhet m’u çu me ecë”.
Rastet e para me COVID-19 në Kosovë ishin nga Vitia, të cilën e ndajnë pak kilometra me Gjilanin — kështu që qytetarët e këtyre dy komunave kanë kontakte të shpeshta. Familja e madhe Rexhepi ishte në panik edhe për këtë fakt, me mendje nga shëndeti i gjyshes së Biondës që jeton me ta. Në fund të diskutimit se si është mirë të respektohen me përpikëshmëri masat e institucioneve për mbrojtje nga virusi, mysafirët ecën.
E Bionda po mendonte se si do t’i shkonte tash e tutje puna nga shtëpia, ndërkaq situata po i dukej “diçka atraktive” pasi “gjithmonë e panjohura ndikon në emocion”, siç thotë ajo.
Improvizim dhe adaptim
Se do të pushonte me zor, arsimtari Fisnik Jahiri e dinte dy ditë para Ngadhnjimit e Biondës. Ende pa u shënuar të prekurit e parë me COVID-19 në Kosovë, qeveria vendosi t’i mbyllte të gjitha shkollat e vendit, e prej atëherë ai nuk u ka dhënë mësim në kimi nxënësve nëpër klasët e gjimnazit “Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj. Bile për dy javët pas atij vendimi, arsimtari s’do të merrej fare me shpjegim të kimisë.
Vetëm më 23 mars nisi organizimi i mësimit onllajn në Kosovë, e kjo do ta aktivizonte sërish arsimtarin Fisnik — veçse tash do të duhej ta gjente një metodë të re për t’ua shpejguar mësimet nxënësve të tij. Ai ka mbi 16 vjet që jep mësim dhe gjatë kësaj periudhe thotë se ka mësuar se “mësimidhënia më shumë se gjithçka tjetër është improvizim”. Edhe për mënyrën e re të të dhënit mësim do t’i duhej të improvizonte.
“Vazhdimisht kam insistu që në orën e kimisë nxënësi të flasë e të jetë aktiv më shumë se unë”, thotë ai.
Orët e para të mësimit onllajn i bëri përmes shkrimit; i përmbledhte mësimet dhe në fund të tyre bashkëngjiste pyetje për të cilat do të merrte përgjigje me shkrim nga nxënësit. Por kjo s’po e kënaqte dhe nisi të mendonte për zgjidhje alternative — kështu mësoi diçka të re, që po mendon ta përdorë edhe kur të kthehet në klasë. Ai tashmë po i incizon ligjëratat për t’ua dërguar më pas nxënësve në platformën e Ministrisë së Arsimit për mësimin në distancë.
Disa shtete veçse i kanë caktuar datat e hapjes së shkollave.
Më se dy muaj qëkur filloi mësimi onllajn, plani i qeverisë për lehtësimin gradual të masave kundër përhapjes së pandemisë është në zbatim e sipër, por në të nuk figuron hapja e shkollave deri në fund të këtij viti shkollor. Në fazën e dytë të lehtësimit, e cila veçse ka filluar më 18 maj, Ministria e Shëndetësisë parasheh rivlerësimin e hapjes së qendrave të kujdesit ditor, ndërsa në fazën e tretë, që do të fillojë më 1 qershor, parashihet që të mbahen provimet në arsimin e lartë dhe testet e maturës dhe të arritshmërisë.
Në ndërkohë, disa shtete — përfshirë edhe ato përreth — veçse i kanë caktuar datat e hapjes së shkollave. Më 18 maj, në Shqipëri rifilloi mësimi për maturantët në mënyrë që të intensifikohen përgatitjet për testet e maturës, në Serbi janë hapur çerdhet e parashkollorët, e në Slloveni — ku tashmë është shpallur përfundimi i epidemisë — janë hapur pjesërisht çerdhet dhe shkollat.
Ndonëse nuk janë dhënë shpjegime zyrtare se pse nuk po konsiderohet hapja e shkollave në vitin aktual shkollor, problemet infrastrukturore që mund të kenë ndikuar janë të njohura gjerësisht — në shumë shkolla, sidomos në zona urbane, hapësirat shkollore janë të stërmbushura me nxënës, gjë që e vështirëson deri në pamundësi mbajtjen e distancës fizike.
Fisnik Jahiri, arsimtar i kimisë, ka gjetur mënyra të reja për t’ua përçuar mësimet nxënësve të tij gjatë kohës së mësimit në distancë. Foto nga Fisnik Jahiri.
Ndërkohë, për t’i ikur zhurmës në shtëpi teksa i incizon ligjëratat e kimisë për nxënësit, Fisniku po e shfrytëzon një lokal me qira poshtë banesës, në të cilin në kohë normale e ushtron një biznes tregtar. “Ma rahat aty, plus ni vend i mirë me u përgatitë për orën e mësimit”, thotë Fisniku. Nga klasa e improvizuar po gjen edhe kuize onllajn të kimisë dhe video me eksperimente kimike të cilat po ua dërgon nxënësve të tij.
Ai është i bindur se incizimin e ligjëratave dhe diskutimet me nxënësit rreth kimisë do t’i vazhdojë edhe kur të kthehen në klasë vitin tjetër shkollor. Siç tregon, me raste nxënësit e humbin vëmendjen gjatë orës së mësimit, dhe kjo metodë e re po i duket e përshtatshme pasi e ka vërejtur se ata po mund t’iu rikthehen disa herë mësimeve të cilat tashmë i kanë në dispozicion të incizuara.
Me zhurmë a pa zhurmë?
Improvizimet me ambientin e shtëpisë për ta bërë një zyrë të punës i ka nisur edhe Avdyl Gashi nga kryeqyteti, i cili e drejton organizatën rinore Global Shapers Prishtina. Përgjatë kohës sa po punon nga shtëpia, 26-vjeçari po mendon se si do t’i ndryshojë disa mënyra e shprehi të punës pasi të dalë nga karantina.
Tashmë i ka shkarkuar disa aplikacione me anë të të cilave krijohet përshtypja e zyrës së punës përmes simulimit të zhurmave të bisedave, shfletimit të fletave, dhe tingujve tjerë. “Unë jam person që kam qejf me pasë kontakte me njerëz, e me qenë dinamik”, thotë ai.
Njerëzit përrreth, ambientin dhe zhurmat e zyrës, si dhe takimet e bisedat e shpeshta Avdyli ka nisur t’i zëvendësojë me anëtarët e familjes. Në këtë kohë ai kryesisht punon në dhomën ku rrinë zakonisht familjarët e tij. “Ah, përveç kur kam ndonjë takim onllajn, që po ka zhurmë”, thotë ai duke qeshur, ndërsa tregon se edhe për intervistën me K2.0 e pati të njëjtin problem.
Megjithë sfidat fillestare, ai tashmë është mësuar me rutinën e re dhe për të ardhmen po mendon që shumë nga takimet e punës do të vazhdojë t’i mbajë onllajn. “Kemi humbë shumë kohë — shko prej asaj lagje në këtë lagje, prite taksin, pastaj prite për m’u kthy, ec prej nji destinacioni në tjetrin…”, i kujton ai takimet para pandemisë.
Për Avdyl Gashin nga Prishtina, ngujimi ka ndikuar që ai ta kursejë kohën të cilën më herët e kalonte në lëvizje nga takimi në takim. Foto nga Avdyl Gashi.
Një ndryshim tjetër që e ka vërejtur është se mungesa e një orari fiks të punës ka bërë që ai të punojë më shumë sesa kur gjendej në zyrë.
“Është ndoshta edhe psikologjike, kur e di se e kryen orarin e punës në 5 masdite, atëherë nis të merresh me gjëra tjera — del për naj kafe a birrë, shikon ndonjë film apo merresh me diçka tjetër”, thotë ai, ndërsa tregon se si gjatë punës nga shtëpia “e ki laptopin qaty, edhe vazhdimisht gjen diçka për me punu”.
Mirëpo, thotë se në njëfarë mënyre edhe “ia ka pa hajrin” këtij ndryshimi, sepse ka ndikuar që t’i rritet kreativiteti në punë.
Mungesa e një orari fiks ka pasur efekt të ngjashëm edhe te Ngadhnjimi. “Tash po flej sa po mundem, e po punoj kur p’e di që jam ma produktiv”, shpjegon ai. Përpos që tash nuk zgjohet në ora 9 nëse i flihet më gjatë, edhe atëherë kur zgjohet dhe e sheh që po i duhet pak kohë për t’u relaksuar para se të nisë punën si dizajner, fillon njëherë të merret me pasionin e tij skulpturën.
“Prej fillimit të prillit ia kam nisë me u marrë prapë me skulpturë”, thotë ai, kryesisht gjatë orëve të ditës. Ndërsa punët më të mira në dizajn thotë se i ka bërë “kur m’ka ardhë”, gjë që zakonisht ka ndodhur në orët e mbrëmjes.
Sipas tij, gjatë karantinës e ka arritur njëfarë mirëkuptimi me punëdhënësit: “Me shefa jam marrë vesh që veç le të kryhet puna”, thotë ai ndërsa e shpjegon orarin fleksibil të këtyre muajve. Mirëpo thotë se ka pasur përjashtime nga ky rregull kur ndonjë punë duhej të kryhej urgjentisht.
Më fleksibile me orar se zakonisht ka qenë edhe Bionda. Ndryshimi i parë që e ka vërejtur ajo është se nuk ka më nevojë të zgjohet në 5 e 30 të mëngjesit për të udhëtuar në drejtim të Prishtinës. Përveç që kjo ia ka shtuar dy orë gjumë, ia ka kursyer edhe nervat nga pritjet e gjata në komunikacion.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se komuna do të marrë një varg masash për ta reduktuar numrin e kerreve në rrugët e qytetit.
Në hyrje të Prishtinës në Veternik, pastaj te Rrethi i Spitalit e në fund te Hotel Grandi — këto janë pika ku me raste ajo (si shumë të tjerë) është bllokuar me kerr deri në 40 minuta. “Shpeshherë edhe jam vonu për punë”, thotë ajo, duke e përmenduar se udhëtimi nga Veterniku deri në punë me raste ka qenë më i gjatë se prej Gjilanit deri në hyrje të Prishtinës.
Ulja e qarkullimit rrugor gjatë pandemisë ka bërë që të reagojë edhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Ai ka shkruar se pasi të kryhet pandemia, komuna do të marrë një varg masash për ta reduktuar numrin e kerreve në rrugët e qytetit. Sipas tij, është duke u menduar që të vendosen pagesa për kerret që futen në qendër, të rriten çmimet e parkingut, të mbyllen rrugë të caktuara gjatë fundjavave dhe rrugë të tjera në mënyrë të përhershme, si dhe të krijohen shtigje për bicikleta.
Ngadalësim i ritmit
Bionda, juristja nga Gjilani, e ka shfrytëzuar punën nga shtëpia edhe për t’i kryer disa punë që më parë nuk arrinte.
“Gjatë pandemisë i kemi kryer punët ‘e dorës së dytë’ që vazhdimisht i kemi lanë sa ishim në ambientin e punës, e ato nisën me u grumbullu”, thotë ajo. “Besoj që masi i rregullum tash, kur të kthehemi në zyrë kemi me pasë shumë ma lehtë me u marrë me punët primare”.
Në produktivitet Biondës i kanë ndihmuar edhe aktivitetet jashtë punës me të cilat është marrë përgjatë karantinës. Ajo thotë se u është kthyer romaneve që dikur s’mbërrinte t’i lexonte, si dhe filmave e muzikës. Gjatë këtyre muajve vazhdimisht e ka përdorur platformën “Netflix”, dhe thotë se aspak nuk është bërë nervoz që shumë seriale e filma janë larguar nga platforma, sepse filmat e serialet që kanë mbetur janë të një kualiteti më të mirë.
Puna nga shtëpia i ka shërbyer Bionda Rexhepit për t’i kryer disa punë dytësore që i ishin grumbulluar. Foto nga Bionda Rexhepi.
Gjatë kësaj kohe ajo i është rikthyer edhe serialit të famshëm Friends. “Më relaksojnë shumë, e po ashtu më bën përshtypje se ende vlejnë foret edhe sot. Janë shumë mirë të prekura marrëdhëniet e raportet mes njerëzve, kuptimi e keqkuptimi i njëri-tjetrit”, thotë ajo për serialin e preferuar.
Nga gjithë përvoja gjatë karantinës, ajo thotë se ka mësuar shumë, e po ashtu ka parë që “mundem m’u shprehë në mënyra tjera”.
E Ngadhnjimi beson se rehatia që shtëpia ia ka dhënë në kryerjen e punëve gjatë ngujimit, ka pasur efekt të ngjashëm te shumë njerëz të tjerë. Sipas tij, kjo do të ndikojë që në të ardhmen shumë kompani të rishikojnë mënyrën e organizimit të punës dhe orarin tradicional, pasi “kreativiteti e produktiviteti është rritë” në këta muaj.
Në ndërkohë, ai është gati ta përfundojë skulpturën për gjyshin e tij, e thotë se do të nisë skulptura edhe për anëtarë të tjerë të familjes, pasi ka kuptuar se “kta të familjes more ishin njerëz të mirë, po s’e kisha ditë”.
Zbulime të ngjashme për familjen ka bërë edhe Avdyli. “Familjes ndoshta ndonjëherë nuk ia dimë vlerën, e marrim për të mirëqenë — është qaty”, thotë ai.
“Tash e kom vërejt që janë të zhurmshëm, ka ndodhë me pasë naj diskutim a naj konflikt”, vazhdon ai. “Po secili prej tyre e ka personalitetin e vet — e mëson ma mirë temperamentin e tyre, apo edhe tempon si funksionojnë. Gjatë karantinës e kom mësu me respektu këtë diversitet ma shumë, e me pa ma afër unin e secilit anëtar të familjes”.
E arsimtari Fisnik, pasi i ka humbur shpresat se në gjimnazin ku jep mësim do të ketë laborator të kimisë në një të ardhme të afërt, tani pret që klasat të pajisen me wifi dhe që “nxënësit t’i afroj te kimia, ta prekin kiminë”, përmes videove onllajn që do t’ua shfaqë atyre.
Edhe pse shtëpia si zyrë e re e punës për secilin prej të intervistuarve ka ndikuar në kreativitet, produktivitet e përkushtim, të gjithë ata menxi po presin të kthehen në vendet e punës. Me karantinë “boll është ba”, siç thonë.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.