Pikëpamje | Të drejtat e njeriut

Qeveria e Kosovës nuk i përmbush detyrimet e veta për të drejtat e njeriut

Nga - 13.03.2019

Pse Kosovës i duhet legjislacion i fortë për përgjegjësinë shtetërore për shkeljet e të drejtave të njeriut.

Më 7 dhjetor, 2018, ministri i drejtësisë së Kosovës u zotua publikisht se do t’i përfshijë dy ligje të reja në programin legjislativ të Ministrisë për vitin 2019: një ligj për përgjegjësinë shtetërore për shkeljet e të drejtave të njeriut dhe një ligj që do t’i jepte Gjykatës Kushtetuese të Kosovës kompetencën për t’i dëmshpërblyer individët kur kjo gjykatë vendosë se është kryer ndonjë shkelje e të drejtave të njeriut nga shteti dhe zyrtarët e tij.

Ministri i drejtësisë e bëri këtë zotim publik në një punëtori të mbajtur në Rochester Institute of Technology (RIT) në Kosovë në prani të përfaqësuesve të Ambasadës së SHBA-së, Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Institucionit të Avokatit të Popullit, Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës dhe shoqërisë civile.

Fatkeqësisht, pavarësisht këtyre fjalëve boshe për përgjegjësi shtetërore dhe llogaridhënie qeveritare, ministri i drejtësisë deri më tani ka dështuar ta zbatojë zotimin që e dha publikisht.

Dy ligjet e propozuara reflektojnë konsensusin e arritur në atë punëtori: që këto ligje janë instrumente të domosdoshme për ta adresuar dështimin e dukshëm të qeverisë për të reaguar ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut, për të siguruar mjete efektive juridike për viktimat e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe për ta forcuar llogaridhënien qeveritare dhe sundimin e ligjit.

Fatkeqësisht, pavarësisht këtyre premtimeve për përgjegjësi shtetërore dhe llogaridhënie qeveritare, ministri i drejtësisë deri më tani nuk e ka zbatuar zotimin që e dha publikisht; në programin legjislativ të ministrisë për vitin 2019 nuk u përfshinë as një ligj për përgjegjësinë shtetërore, e as një ligj që e autorizon Gjykatën Kushtetuese t’i dëmshpërblejë viktimat e shkeljeve të të drejtave të njeriut. Kjo mund të jetë treguese për (mos)seriozitet të qeverisë për sigurimin e mjeteve efektive ligjore për shkelje të të drejtave të njeriut dhe për respektimin e të drejtave të njeriut.

Kosovës i duhet një strukturë ligjore shumë më e fortë që garanton që viktimave të shkeljeve të të drejtave të njeriut nga shteti u sigurohen mjete efektive ligjore. Aktualisht, nuk ka ligj gjithëpërfshirës që rregullon përgjegjësinë juridike të shtetit dhe organeve të tij për dëmet që i shkaktohen individëve, veçanërisht kur dëmi përbën një shkelje të të drejtave të njeriut.

Mjetet ekzistuese ligjore për shkeljet e të drejtave të njeriut nuk janë efektive, procedurat gjyqësore janë të pavolitshme dhe marrin shumë kohë. Ato nuk përputhen me standardet e të drejtave të njeriut që kërkohen nga Kushtetuta dhe instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, që janë të zbatueshme në Kosovë.

Dështimi për të mbrojtur

Dobësitë e sistemit ligjor në lidhje me përgjegjësinë e shtetit ilustrohen në mënyrë të përkryer në rastin e Diana Kastratit. Në shkurt 2013, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjykoi se Gjykata Komunale e Prishtinës ishte përgjegjëse për marrjen e masave nën Ligjin për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, dhe se dështimi për ta bërë këtë në rastin e Diana Kastratit ia shkeli asaj të drejtën për të jetuar.

Pas kërcënimeve të vazhdueshme nga partneri i saj, në 2011, Diana Kastrati kishte kërkuar mbrojtje emergjente nga Gjykata Komunale e Prishtinës, e cila dështoi të ia sigurojë mbrojtjen. Disa javë pasi e kishte bërë kërkesën, partneri i saj e vrau atë.

Gjykata Kushtetuese e pa dështimin e gjykatës për të vepruar si shkelje të obligimit pozitiv të shtetit për t’i mbrojtur të drejtat njerëzore të një individi, në këtë rast, të drejtën për të jetuar. Në janar 2012 e dha këtë arsyetim:

“…është detyrë e autoriteteve shtetërore jo vetëm të përmbahen nga marrja e qëllimshme dhe e jashtëligjshme e jetës, por edhe të marrin hapa të domosdoshëm për t’i mbrojtur jetët e atyre brenda jurisdiksionit të tyre… Këtu përfshihet një detyrë primare e Shtetit për ta siguruar të drejtën për të jetuar duke vendosur dispozita efektive të ligjit penal që dekurajojnë kryerjen e shkeljeve kundër personit me mbështetje të makinerisë së zbatimit të ligjit për parandalimin, shtypjen dhe dënimin e shkeljeve të dispozitave të tilla. Gjithashtu zgjerohet në rrethana të caktuara për ta përfshirë një obligim pozitiv të autoriteteve për të marrë masa parandaluese operative për ta mbrojtur një individ jeta e së cilit është në rrezik nga veprimet kriminale të një individi tjetër”.

Gjithashtu, gjeti se: “për t’u zgjeruar për ta përfshirë një obligim pozitiv, duhet të konfirmohet se autoritetet, të cilat ishin në dijeni ose është dashur të jenë në dijeni në kohën e ekzistencës së rrezikut real apo të drejtpërdrejtë për jetën e një individit të identifikuar nga shkelja penale nga një palë e tretë, dështuan të marrin masa brenda shtrirjes së kompetencave të tyre, që po të kishin gjykuar në mënyrë të arsyeshme, mund të ishte pritur prej tyre ta mënjanonin këtë rrezik”.

Detyra për t’i mbrojtur të drejtat e njeriut dhe veçanërisht të drejtën për të jetuar, kërkon që shteti të merrë masa speciale për t’i mbrojtur njerëzit nga shkeljet e të drejtave të njeriut nga të tjerët.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin Diana Kastrati është inkurajues, sepse konfirmon obligimin pozitiv të shtetit për t’i garantuar të drejtat e njeriut. Megjithatë, gjykata nuk dha asnjë formë të dëmshpërblimit. Në 2013, familja e Diana Kastratit e paditi shtetin e Kosovës për kompensim, por deri më tani, gjykatat e rregullta nuk kanë dhënë asnjë formë të dëmshpërblimit.

Rasti i Diana Kastratit është shembull tipik i përgjegjësisë shtetërore për shkeljen e të drejtave të njeriut që garantohen nga Kushtetuta, kur shteti dështon ta mbrojë një individ. Obligimet e shtetit ndaj të drejtave të njeriut nuk janë të kufizuara në respektimin e të drejtave të njeriut vetëm duke u përmbajtur nga ndërhyrja në të drejtat njerëzore të një individi, përveç nëse ka arsye të justifikueshme. Obligimet e tij gjithashtu përfshijnë detyrimin për të mbrojtur dhe detyrimin për ta mundësuar jetësimin e të drejtave të njeriut.

Detyrimi për t’i mbrojtur të drejtat e njeriut dhe veçanërisht të drejtën për të jetuar, kërkon që shteti të merrë masa speciale për t’i mbrojtur njerëzit nga shkeljet e të drejtave të njeriut nga të tjerët. Kjo vlen posaçërisht kur ata janë të cenueshëm, ose kur jeta e tyre është në rrezik për shkak të kërcënimeve specifike apo mostrave para-ekzistuese të dhunës.

Shteti duhet të reagojë urgjentisht dhe në mënyrë efektive për t’i mbrojtur individët të cilët e gjejnë veten të rrezikuar. Detyrimi ndaj popullit gjithashtu kërkon që shteti të merrë masa parandaluese, si dhe t’i hetojë, t’i ndjekë penalisht dhe t’i dënojë ata që kanë kryer shkelje të të drejtave të njeriut. Dështimi për ta bërë këtë e bën shtetin përgjegjës për dështimin për të mbrojtur, si pjesë e obligimeve të tij për të drejtat e njeriut.

Gjithashtu, detyrimi për të garantuar që individët mund t’i gëzojnë në mënyrë efektive të drejtat e njeriut kërkon që shteti ta themelojë dhe mirëmbajë një sistem ligjor efektiv dhe të miratojë ligje të përshtatshme. Gjithashtu përfshin pashmangshëm detyrimin për të siguruar mjete efektive ligjore për të gjitha viktimat e shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Të gjitha instrumentet kryesore ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë këtu Deklaratën Universale të vitit 1948 për të Drejtat e Njeriut, Konventën Ndërkombëtare të vitit 1966 për të Drejtat Civile dhe Politike, dhe Konventën Evropiane të vitit 1952 për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (ECHR), e njohin në mënyrë eksplicite detyrimin për të siguruar mjete efektive ligjore për shkeljet e të drejtave të njeriut. Sipas Kushtetutës së Kosovës, këto instrumente ndërkombëtare për të drejtat e njeriut janë drejtpërdrejt të zbatueshme në Kosovë.

Prej rastit të Diana Kastratit janë shpërfaqur shkelje të tjera serioze të të drejtave të njeriut në Kosovë, në të cilat shteti ka dështuar të marrë përgjegjësi, si dëbimi me forcë i shtetasve turq që ndodhi vitin e kaluar dhe shkaktoi kundërshtime publike dhe dështimi i institucioneve policore, shkollore dhe shëndetësore për ta mbrojtur një të mitur nga abuzimi seksual.

Dështimet legjislative

Pavarësisht detyrimit të saj për t’i garantuar të drejtat e njeriut dhe për të siguruar mjete efektive ligjore dhe dëmshpërblime për shkeljet e të drejtave të njeriut, Kosova deri më tani nuk e ka miratuar një ligj që rregullon përgjegjësinë e shtetit në këtë aspekt — dhe nuk tregon shenja konkrete se do ta bëjë këtë në të ardhmen e afërt. Siç deklaron Raporti i Progresit të Kosovës për vitin 2018 i Komisionit Evropian: “E drejta për të kërkuar kompensim dhe përgjegjësia e autoriteteve publike në raste të keqbërjes ndikohen nga legjislacioni i fragmentarizuar”.

Ligjet e ndryshme adresojnë aspekte të ndryshme dhe të pjesshme të përgjegjësisë shtetërore, kryesisht në mënyrë kontradiktore, që çon deri te pasiguria ligjore sa i përket aspekteve përmbajtësore dhe procedurale për pretendimin dhe zbatimin e përgjegjësisë shtetërore.

Një amendament i vitit 2016 në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë thotë se një “gjykatë kompetente do të autorizohet për të urdhëruar një autoritet publik apo organizatë buxhetore që të kompenzojnë në mënyrë monetare për dëmet e shkaktuara materiale apo jomateriale, që janë provuar nga gjykata në bazë të dëshmive me gjykim përfundimtar”.

Kjo dispozitë është e domosdoshme sepse e lehtëson pagimin e kompensimit kur të ipet nga një gjykatë. Megjithatë, nuk i adreson mangësitë e identifikuara në legjislacion për atë se si duhet të vendoset për përgjegjësinë shtetërore.

Mangësitë legjislative rreth përgjegjësisë shtetërore tregojnë se ka pasiguri të mëdha sa i përket disponueshmërisë së mjeteve ligjore për shkeljet e të drejtave të njeriut, që në vete është në konflikt me detyrimin e shtetit për të siguruar mjete efektive ligjore. Përveç kësaj, rasti i Diana Kastratit ilustron se procedurat gjyqësore dhe mjetet ligjore për shkeljet e të drejtave të njeriut janë komplekse dhe të përcjellura me vonesa të mëdha. Vonesat e tepërta procedurale me sa duket janë të zakonshme në gjykatat e Kosovës, siç përshkruhet nga raporti i publikuar në mars 2018 nga Institucioni i Avokatit të Popullit, i cili gjithashtu konkludon se vonesat e tilla shkelin detyrën e shtetit për të siguruar mjete efektive ligjore.

Në këto rrethana, një rekomandim i mbështetur në punëtorinë e lartpërmendur në RIT ishte që qeveria ta hartojë dhe miratojë një ligj gjithëpërfshirës për përgjegjësinë shtetërore në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës. Këshilli i Evropës jep direktiva të përgjithshme për çështjet që duhet t’i adresojë një ligj për përgjegjësinë shtetërore në mënyrë që t’i përmbushë detyrimet e shtetit për t’i korrigjuar shkeljet e shkaktuara nga shteti, qoftë nëpërmjet kompensimit apo formave të tjera të reparacionit. Shumë shtete evropiane kanë miratuar ligje speciale që rregullojnë përgjegjësinë shtetërore në mënyrë gjithëpërfshirëse (për shembull Estonia, Latvia, Zvicra, Republika e Çekisë, Sllovakia, Rumania, Luksemburgu, Portugalia, Spanja, Greqia, Austria, Turqia dhe Lituania).

Rekomandimi i dytë që u dha ishte fuqizimi i Gjykatës Kushtetuese. Ndonëse Gjykata Kushtetuese mund të gjykojë se një individ është viktimë e shkeljes së të drejtave të njeriut nga shteti, ajo nuk jep ndonjë formë të dëmshpërblimit për viktimat e shkeljeve të të drejtave të njeriut. Siç ilustrohet nga rasti i Diana Kastratit, viktimat e shkeljeve të të drejtave të njeriut duhet të nisin procedura të reja gjyqësore për të kërkuar kompensim para gjykatave të rregullta nën kushte të pasigurisë ligjore, kompleksitetit procedural dhe vonesave.

Ajo që me sa duket po mungon është përkushtimi i sinqertë i qeverisë për t’i respektuar dhe mbrojtur të drejtat e njeriut në mënyrë efektive dhe për të ndërmarrë veprime të domosdoshme.

Ky problem mund të zgjidhet duke autorizuar Gjykatën Kushtetuese me ligj që ajo të kompensojë viktimën në përputhje me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Një mjet i tillë ligjor për Gjykatën Kushtetuese do ta plotësonte një ligj për përgjegjësi shtetërore.

Individët prapëseprapë do të duhej të nisnin procedura gjyqësore kundër shtetit para gjykatave të rregullta dhe shumica e rasteve do të vendoseshin nga gjykatat e rregullta. Vetëm një pjesë e vogël e rasteve do të arrinin të kalonin nëpërmjet kritereve të pranueshmërisë së Gjykatës Kushtetuese pas shfrytëzimit të mjeteve ligjore para gjykatave të rregullta. Por në raste të tilla, Gjykata Kushtetuese do ta kishte kompetencën për të kompensuar, e nuk do të kërkonte nga viktimat të nisin procedura të gjata dhe të pavolitshme gjyqësore nga fillimi.

Këto dy rekomandime tregojnë se përmirësimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Kosovë është diçka mjaft e thjeshtë, dhe se ka konsensus për mënyrën se si duhet të arrihet kjo, ndonëse detajet ende kanë nevojë për përpunim. Ajo që me sa duket po mungon është përkushtimi i sinqertë i qeverisë për t’i respektuar dhe mbrojtur të drejtat e njeriut në mënyrë efektive dhe për të ndërmarrë veprime të nevojshme.

Një argument interesant që u shpreh në punëtori ishte që një ligj për përgjegjësinë shtetërore do t’i kushtonte Kosovës shumë dhe do të ishte i papërballueshëm. Ky argument është i mbrapshtë. Len të kuptohet që qeveria do të vazhdojë me shkelje të të drejtave të njeriut dhe se nuk ka për qëllim përmirësimin e performancës së saj në lidhje me të drejtat e njeriut.

Një ligj për përgjegjësinë shtetërore parimisht duhet të ketë efekt parandalues, domethënë duhet ta nxisë qeverinë që ajo ta ngritë nivelin e ndërgjegjësimit në mesin e zyrtarëve të saj për obligimet që i kanë për t’i respektuar të drejtat e njeriut kur janë duke kryer akte publike, që t’i edukojë ata për çështjet që lidhen me të drejtat e njeriut dhe që të krijohen mekanizma të brendshëm të mbikëqyrjes dhe monitorimit që garantojnë përputhje me të drejtat e njeriut. Qëllimi i legjislacionit të tillë nuk është falimentimi i shtetit, po disiplinimi i shtetit që ai t’i merrë seriozisht të drejtat e njeriut.

Ende ka shpresë që qeveria do të tregojë se të drejtat e njeriut kanë rëndësi dhe që këto dy rekomandime do të hynë në programin legjislativ të Ministrisë së Drejtësisë, me shpresë sivjet. Lehtë është të bësh deklarata publike për sundimin e ligjit dhe llogaridhënien e qeverisë, por tjetër është të bësh me të vërtetë diçka për to.

Ligji i nxjerrur së fundmi për Procedurat Disiplinore për Gjykatësit dhe Prokurorët është shembulli më i mirë i një përpjekje të suksesshme dhe të bashkërenduar për ta përmirësuar ligjin dhe llogaridhënien pavarësisht rezistencës së madhe nga grupet lokale dhe speciale të interesit, të cilat nuk kishin fare dëshirë ta përmirësojnë sistemin. Po kjo përpjekje e bashkërenduar është e domosdoshme tani për t’u siguruar që shteti do të mbajë përgjegjësi për shkeljet e të drejtave të njeriut.

Ngritja e kësaj çështje dhe vënia e presionit mbi qeverinë për këtë qëllim është detyrë e shoqërisë civile dhe “miqve ndërkombëtarë të Kosovës” të cilët duan ta shohin Kosovën duke e përmirësuar me sukses sundimin e ligjit.

Foto kryesore: Besnik Bajrami / K2.0.