Blogbox | Afganistan

Historia e vjetër e afganëve që u lanë pas

Nga - 19.08.2021

Kur ta lësh luftën pas është më vështirë se ta luftosh

Gjersa talebanët hynë në portat e Kabulit dhe shpallën kontrollin mbi të nga pallati presidencial afgan, filloi evakuimi i stafit të ambasadës amerikane dhe shumë qytetarëve perëndimorë. Kjo nuk ndodhi për qytetarët e zakonshëm afganë, për të cilët fluturimet komerciale u anuluan.

Imazhet e ushtarëve amerikanë që qitnin të shtëna paralajmëruese mbi turmat e afganëve që përpiqeshin të hynin në aeroplanë qarkulluan përmes mediave sociale. Video të tjera shfaqnin njerëz në dëshpërim duke u kapur pas avionëve të Forcave Ajrore të ShBA-së dhe duke rënë për vdekje derisa avionët fluturonin.

Ndërsa rrëmbimi i avionëve komercialë amerikanë më 11 shtator nisi “luftën kundër terrorit” në Afganistan, avionët amerikanë që u ngritën nga Kabuli njëzet vjet më vonë shënuan një luftë terrori për të gjithë afganët e lënë pas pa qeveri dhe pa asnjë mbështetje ndërkombëtare.

Njerëzit tashmë kanë filluar të postojnë se si po zhvillohet jeta nën kontrollin e talebanëve. Një gazetare u desh të vishte burkë të plotë që të ecte vjedhurazi nëpër rrugët e kontrolluara nga talebanët për ta shmangur arrestimin, ose të paktën, ta shtyjë atë. Të tjerët raportuan për ekzekutime publike nga talebanët të atyre që e ndihmuan ushtrinë amerikane. Vajzat e pamartuara tani po detyrohen të martohen me luftëtarët talebanë.

Edhe pse talebanët zotohen për paqe, nuk ka dyshim se ata (dhjetëra mijëra) që punuan përkrah personelit ndërkombëtar, si dhe komunitetet myslimane shiite (rreth 3.8 milionë), dhe gratë (rreth 14 milionë) — ndër tjerë — janë duke u përballur me hakmarrje nën sundimin taleban. Këto mund të marrin formën e skamjes, arrestimit, dhunës seksuale dhe ekzekutimit pa gjykim. Si pasojë, shumë nga këto grupe po ndiejnë presionin për t’u larguar nga vendi.

Dhuna e vjetër dhe migrimi 

Duke i lexuar lajmet e mediave mbi Afganistanin kjo mund të ngjajë si terror i ri në një tokë të largët. Sidoqoftë, ajo që po ndodh me miliona afganë nuk është as e re dhe as e largët nga Evropa.

Për vite me radhë, kam dëgjuar nga afganë të shumtë për (kërcënimet për) dhunë, si kjo që po shpërndahet në media këto ditë. Ata zakonisht më tregonin për historitë e tyre në portën e BE-së — Serbi dhe Bosnje dhe Hercegovinë — dhe zonat e tjera të jashtme të BE-së që shërbenin për zhvendosjen dhe frenimin e migrimit afgan — kufiri turko-iranian.

Disa nga strehimoret e improvizuara kishin shenja që shkruanin "Ushtria Afgane" dhe shërbenin për t'i akomoduar ish -ushtarët e vijës së parë.

Midis viteve 2018 dhe 2019 isha vullnetare në një kamp të improvizuar të vendosur në veri-perëndim të Bosnje dhe Hercegovinës. Me ndihmën e vullnetarëve boshnjakë dhe ndërkombëtarë, kampi u bë shtëpi e mijëra refugjatëve dhe emigrantëve.

Disa nga strehimoret e improvizuara kishin shenja që shkruanin “Forcat Speciale Afgane” dhe “Ushtria Afgane”. Ato shërbyen për t’i akomoduar ish-ushtarët e vijës së parë, CRU (Njësia Elitare Antiterrorizëm e policisë afgane), përkthyesit dhe personelin tjetër që punonin për forcat ndërkombëtare (më së shpeshti për ShBA-të) dhe Ushtrinë Kombëtare Afgane. 

Ishte befasi për mua kur Hameedi, i cili jetonte në tendën e Ushtrisë Afgane, më përshëndeti në gjuhën time, “Ahoj”. Hameed shpjegoi se kishte punuar me ushtarët çekë si personel i sigurisë në Kabul.

Historitë e tyre të largimit nga Afganistani ishin të ngjashme; talebanët i kërcënuan për bashkëpunim me ata të cilët i konsideronin pushtues, i quajtën tradhtarë, u dërguan kërcënime me vdekje dhe në shumë raste u përpoqën t’i vrisnin.

Njëri prej tyre ishte Aliu, një djalosh sportiv në të njëzetat, i cili fliste anglishte të përsosur për shkak të punës së tij të përditshme për gjashtë vjet me Ushtrinë Amerikane. Siç shpjegoi ai, “kur talebanët filluan të më kërcënojnë, më duhej të largohesha pasi nuk kisha mbrojtje të veçantë”.

“Komandanti amerikan për të cilin kam punuar më tha të pres të paktën dy vjet për të marrë një vizë për në Amerikë. Procesi ishte shumë i ngadalshëm dhe nuk kisha kohë. Kështu, u largova vetë”, kujtoi Aliu.

Aliu, si afganët e tjerë, kryesisht nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse të largohej nga vendi pa autorizim dhe të etiketohej si “emigrant ilegal”, duke u mbështetur në kontrabandistët në këmbim të pagesave të larta — një qasje aq e vjetër sa migrimi nga lufta në Afganistan që nga vitet e 80-ta. Megjithatë, mbyllja e kufijve të BE-së nga viti 2015, e shoqëruar me eksternalizimin e kufirit drejt shteteve jo-anëtare të BE-së në Ballkan dhe Lindjen e Mesme, shkaktoi kthime mbrapa dhe dëbime masive.

Afganët erdhën në kufirin kroato-boshnjak me besimin se mund të aplikojnë për azil sapo të qëndrojnë në tokën e BE-së, në përputhje me Rregulloren e Dublinit. Ky ligj përcakton që vendi ku një azilkërkues hyn për herë të parë në BE është përgjegjës ta shqyrtoj kërkesën për azil. Megjithatë, për të hyrë në tokën e BE-së së pari duhet ta “luani lojën”, siç i quajnë refugjatët përpjekjet për të kaluar në Kroaci.

Sidoqoftë, lojërat kryesisht përfundojnë me kthim mbrapa; refugjatët detyrohen të kthehen mbrapa në kufi, shpesh me përdorimin e dhunës.

Ish-personeli ushtarak nga Afganistani që takova zakonisht më thoshte se po detyroheshin nga forcat e policisë së BE-së (kroate) të binin në gjunjë dhe të viheshin me kokë në tokë. Ndonjëherë kjo përfshinte që një zyrtar policor të shkelte mbi kokën e një personi derisa të gjakosej. Ata gjithashtu përkujtuan se ishin rrahur rëndë me shkopinj, ishin kërcënuar me armë dhe se telefonat e tyre me dëshmitë e historisë së tyre prej refugjatësh u ishin thyer. Pothuajse pa përjashtim u penguan nga qasja në procedurat e azilit dhe u kthyen mbrapa për në Bosnjë.

Pse afganët ikin për në Evropë?

Por “pse afganët përfundojnë në Ballkan dhe përpiqen të hyjnë në BE në vend se të qëndrojnë në vendet fqinje?” Kjo është pyetje e zakonshme në diskutimet publike pasi njerëzit shqetësohen se afganët duan vetëm të pasurohen ekonomikisht në Evropë se sa të kërkojnë siguri.

Kjo ide gjithashtu është në përputhje me politikën e Komisionit Evropian që synon ta delegojë përgjegjësinë mbi menaxhimin e kufirit dhe migrimit te shtetet jo-anëtare të BE-së. Qëllimi është të ndalohet migrimi drejt BE-së përmes pazareve diplomatike dhe financiare. Marrëveshja BE-Turqi do të ishte një shembull kryesor i kësaj.

Megjithatë, shumica e refugjatëve afganë në fakt kërkojnë strehim në Iranin fqinj (780,000) dhe Pakistan (1,400,000). Sidoqoftë, Pakistani dihet se ofron strehë për luftëtarët talebanë dhe Irani është akuzuar për ofrimin e ndihmës së fshehtë për talebanët; Teherani gjithashtu përshëndeti fitoren e grupit si “një shans për paqe“.

Turqia — vendi tjetër — jep azil vetëm për qytetarët evropianë dhe mbrojtje të përkohshme për refugjatët sirianë. Afganët lihen që të kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare dhe pastaj presin për një vend të tretë për t’u strehuar.

Sidoqoftë, hulumtimi im aktual mbi migrimin në kufirin lindor të Turqisë tregon se shumica e afganëve ngecin në vend për pesë deri në dhjetë vjet pa asnjë shtet evropian — as ShBA-ja — të gatshëm për t’i strehuar. Nga frika se afganët do të qëndronin më gjatë se ç’duhet, Turqia ashpërsoi kohët e fundit politikat e saj të migrimit dhe kufirit, ose duke dëbuar afganët ose duke i kthyer mbrapa në Iran.

Eksternalizimi i migrimit afgan

Shtetet jo-anëtare të BE-së që shtrihen nga Ballkani deri në Turqi — që shërbejnë si kufijtë e jashtëm të BE-së — janë lënë për t’i gëlltitur prej vitesh politikat e dështuara të mos lënies së askujt prapa dhe një sistem jofunksional të mbrojtjes ndërkombëtare. Kjo do të thotë që afganët të cilët nuk kanë mundësi të evakuohen nga vendi i tyre nuk kanë mundësi tjetër përveçse të lëvizin në mënyrë të parregullt për të ikur nga talebanët.

Shumë prej tyre përfundojnë të bllokuar në lagjen e gjerë të BE-së për muaj ose vite, ku përjetojnë dhunë kur luajnë lojërat dhe duhet t’i navigojnë kthimet mbrapa. Disa nuk i përfundojnë kurrë udhëtimet e tyre drejt sigurisë.

Derisa narrativat e politikave perëndimore zakonisht e portretizojnë Ballkanin si periferi të Evropës — shtete me ekonomi të brishtë dhe sundim të dyshimtë të ligjit —  autoritetet dhe banorët e tyre lokalë kanë tendencë të mbajnë përgjegjësi mbi menaxhimin e migrimit në terren.

Për shembull, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut treguan gatishmëri për t’i strehuar përkohësisht refugjatët afganë. Gjestet e jashtëzakonshme të solidaritetit nga qytetarët boshnjakë që ofrojnë strehim, ushqim dhe veshje për refugjatët në vendin e tyre që nga viti 2018 gjithashtu e demonstrojnë këtë.

Udhëheqësit evropianë do të krijojnë një fatkeqësi tjetër politike nëse përgjigjen me dëbime të vazhdueshme ose mbajtje në kampe të improvizuara.

Përgjigjet nga shtetet perëndimore dhe evropiane nuk ndryshojnë ndjeshëm edhe pse kërcënimi i terrorit është gjithnjë i pranishëm në Afganistan. Disa vende, ndër të tjera Gjermania, Kanadaja, ShBA-ja dhe Britania e Madhe, janë zotuar t’i evakuojnë një numër të vogël afganësh të cilët janë në rrezik për shkak të bashkëpunimit të tyre të ngushtë dhe qëndrueshëm. Për më tepër, më shumë se 70 vende në mbarë botën, përfshirë anëtarët e BE-së, u bënë thirrje të gjitha palëve në Afganistan ta respektojnë dhe lehtësojnë largimin e afganëve që dëshirojnë të largohen.

Megjithatë, pyetja mbetet se ku do t’i lejojnë udhëheqësit perëndimorë afganët të kërkojnë strehim.

Historia amerikane në Afganistan është quajtur një katastrofë e madhe politike. Udhëheqësit amerikanë dhe evropianë tani do të përcaktojnë nëse do të pasojë një katastrofë tjetër politike. Ky do të jetë rezultati i vetëm nëse ata i përgjigjen migrimit afgan me dëbime të vazhdueshme (siç propozohet nga Austria), ose mbajtje në kampe të improvizuara në të gjithë Lindjen e Mesme dhe Ballkanin siç ka qenë deri më sot.

Sasia dërrmuese e mesazheve nga afganët që ndajnë frikën e tyre që kam pranuar dhe parë në mediat sociale gjatë ditëve të fundit tregojnë se disa fluturime evakuimi do të bëjnë pak për t’i shpëtuar të gjithë që janë në rrezik. Më shumë gjeste solidariteti nga Perëndimi do të jenë të nevojshme për të punuar në kanalet migruese të ligjshme dhe të sigurta, dhe më e rëndësishmja, për të parandaluar çdo shkelje të të drejtave të njeriut të atyre që ikin.

Imazhi i ballinës: Foto e Saffiulah, student universiteti nga Afganistani, i bllokuar në Kabul.