Në thelb | Ambienti

Mësimnxënia me rreziqe

Nga - 27.02.2019

Pak vëmendje po i kushtohet ambienteve të rrezikshme të mësimnxënies.

Fëmijët e klasës së parë në ndërrimin e mëngjesit në shkollën “Ilaz Thaçi”, ulen në tavolina të ndarë në grupe me nga katër nxënës, me Abetaret e hapura para tyre. Deri sa fokusohen shumë për ta ushtruar shkrimin e shkronjave të reja që i mësojnë, muret e klasës, të mbuluara me vizatime të ngjyrshme, janë në kontrast të thellë me pamjen që shihet nëpërmjet dritareve të mëdha.

Në një ditë të ftohtë dimri, skena dominohet nga oxhaku i madh i fabrikës së betonit “Sharrcem” në qendër të Hanit të Elezit, që gjindet rreth 500 metra larg shkollës.

“Dikur në kohën e ish-Jugosllavisë ishte e njohur”, tha drejtori i “Ilaz Thaçit”, Nazim Laçi, toni i së cilit njëkohësisht shfaq krenarinë dhe zhgënjimin e tij. “Ishte Trepça për metale, Obiliqi për rrymë dhe Sharrcemi për beton”.

Në fakt, Hani i Elezit si qytezë ekziston falë “Sharrcemit”. E ndërtuar në 1936, kjo fabrikë i nxiti njerëzit të afrohen gradualisht më afër nga fshatrat përreth në malet e Sharrit dhe Karadakut për të gjetur punësim. Në fund u themelua vendbanimi që ekziston edhe sot.

Hani i Elezit u ndërtua rreth një fabrike të betonit, por nuk dihet se sa është duke ndikuar e kaluara industriale në shëndetin e gjeneratës së ardhshme. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Përderisa gjatë dekadave kjo fabrikë e ka bërë të mirënjohur qytezën e vogël në kodrat e kufirit Kosovë-Maqedoni, ajo gjithashtu e ka bërë atë që shpesh e bëjnë fabrikat e ka ndotur ajrin për qytetarët që jetojnë afër dhe ka krijuar një ambient të rrezikshëm për nxënësit e shkollës e cila gjendet nën hije të saj. Sharrcem vazhdimisht raportohet të jetë një nga ndotësit më të mëdhenj në Kosovë, bashkë me termocentralet e thëngjillit në Obiliq, fabrikën e hekurit dhe nikelit “Ferronikeli” në Drenas dhe kompleksin industrial “Trepça” në veri të vendit.

Pavarësisht që dëmi i shkaktuar nga ndotja ndaj fëmijëve është temë shumë e diskutuar në Kosovë, Ministria e Arsimit nuk ka mundësi të ofrojë të dhëna për atë se cilat shkolla janë në afërsi të fabrikave dhe ndotësve të tjerë të mëdhenj dhe të dhënat që janë në dispozicion për publikun si rrjedhojë e monitorimit të kushteve ajrore në shkolla vijnë kryesisht prej nismave ad hoc të organizatave të shoqërisë civile.

Menduh Vlashi, drejtor i Departamentit të Arsimit në Komunën e Hanit të Elezit, tha se Ministria e Arsimit dhe Planifikimit Urban ka kryer monitorimin e ajrit në këtë shkollë, por ai është shumë skeptik për rezultatet. Vlashi thotë se zyrtarët e Ministrisë e vendosën një kontrollues/monitorues të ajrit në oborr të shkollës dhe janë munduar t’i garantojnë Komunës se rezultatet e monitorimit tregojnë se ndotja e ajrit është brenda standardeve të pranueshme.

“I thash Ministrisë të mos ma tregojnë raportin”, tha ai. “U thash se ndotja është aq e dallueshme sa që mund ta lësh veturën në kufi, të shkosh në Shkup dhe kur të kthehesh duhet ta lash me uthëll sepse përndryshe nuk pastrohet”.

Ai thotë se është kimist me profesion dhe se mund ta nuhasë erën e gazrave si dioksidi i squfurit dhe monoksidi i karbonit gazra që asociohen me probleme dhe sëmundje të frymëmarrjes, nga vështirësia në frymëmarrje e deri në vdekje të parakohshme.

Menduh Vlashi, drejtor i arsimit në Komunën e Hanit të Elezit, tha se në bazë të përvojës së tij si qytetar i kësaj qyteze, ai nuk beson se kualiteti i ajrit është brenda standardeve të pranueshme. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Vlashi tha se “Sharrcem” nuk i bën mirë shkollës, fëmijëve apo qytetarëve që jetojnë në Han të Elezit. Por pasi që qyteza u popullua pas ndërtimit të “Sharrcem-it”, ai beson se qytetarët ngurrojnë ta ngrisin zërin për ndotjen e ajrit në këtë qytezë.

Shumë banorë, përfshirë këtu drejtorin e shkollës, thonë se masa të caktuara që janë ndërmarrë gjatë viteve kanë ndikuar në përmirësimin e kushteve. Disa vendas kujtojnë kohën kur tjegullat e kuqe në kulmat e shtëpive të tyre u kthyen në ngjyrë të bardhë për shkak të pluhurit që emetohen nga oxhaku i madh.

Edhe ndotësit e tjerë lokal të ambientit janë kufizuar në vitet e fundit. Njerëzit thonë se një fabrikë e mbyllur pas luftës, “Sharr-Salloniti”, ua shkaktoi pasojat më të rënda të jetës që i përjeton brenda një zone të industrializuar.

Fabrika prodhonte tjegulla për kulma të cilat përmbanin asbest, një material që është përdorur gjerësisht me dekada në mijëra produkte, nga ato të izolimit e deri te materialet e ndërtimit. Shqetësimet në lidhje me sëmundjet e shkaktuara nga asbesti u bënë çështje dominuese gjatë shekullit të 20-të dhe deri në vitet e 90-a, shumë shtete filluan ta kufizojnë dhe ndalojnë krejtësisht përdorimin e tij. Hulumtuesit theksuan se inhalacioni i fibrave mikroskopike që emetoheshin në ajër po shkaktonte probleme serioze shëndetësore, përfshirë këtu kancerin në mushkëri.

Qytetarët në Han të Elezit ende mund t’i tregojnë qindra pjesë dhe copa që përmbajnë asbest, nga gypat e ujit dhe kanalizimit, te vazot dekorative të luleve; raportet në media tregojnë se rreth 100 ish-punëtorë të “Sharr-Salloniti” kanë vdekur nga ekspozimi ndaj këtij materiali të rrezikshëm, ndërsa plot të tjerë janë diagnostifikuar me sëmundje dhe probleme të ndryshme shëndetësore për shkak të pranisë së gjërë të tij në këtë zonë dhe dështimit të institucioneve për ta eliminuar atë.

Ndonëse është e ditur se përdorimi i kësaj substance është veçanërisht i përhapur në këtë zonë, drejtori i shkollës thotë se ai është i sigurt që në ndërtesën e shkollës “Ilaz Thaçi” dhe rrethinën e saj nuk ka asbest megjithatë, nuk ka hulumtime në dispozicion që e konfirmojnë këtë apo të kundërtën.  

Nazim Laçi, drejtor i shkollës “Ilaz Thaçi” në Han të Elezit, nuk mendon se asbesti paraqet problem në shkollën e tij, por nuk ka informata në dispozicion që mbështesin besimin e tij. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Në fakt, më gjërësisht, nuk ka studime apo bazë të të dhënave për shkolla infrastruktura e së cilave mund të ketë efekte të rrezikshme në shëndetin dhe mirëqenien e nxënësve dhe mësuesve.

Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard, organizatë për monitorim të arsimit, tha se shqetësimet e tilla lidhen me objektet e vjetra dhe të braktisura që kanë zhvilluar probleme me myk dhe lagështi, si dhe me shkolla në të cilat fëmijët nuk kanë hapësira të gjelbërta në të cilat mund të ushtrojnë apo luajnë.

Përkundër që mungojnë të dhënat empirike për diçka të tillë, pak vizita nëpër shkolla gjithandej vendit mjaftojnë për të kuptuar këtë situatë”, tha ai. “Problemi qëndron në atë që ky shqetësim paraqet edhe rrezik për shëndetin e fëmijëve, që fatkeqësisht, është i anashkaluar në tërësi”.

Qehaja është vetëm një nga disa ekspertë të arsimit të cilët theksojnë se investimet në ndërtesa të shkollave për një kohë të gjatë kanë qenë më shumë investime politike se sa interes afatgjatë për mirëqenien e të rinjve. Ai argumenton se ndërtimi i shkollave nuk është i bazuar në vlerësime statistikore në lidhje me dendësinë e popullsisë.

“Investimi në shkolla si ‘hapësirë’ vetëm paraqet një mendësi me implikime të drejtpërdrejtë në cilësi"

Rinor Qehaja, EdGuard Institute

Trendet demografike prej luftës së vitit ’99-të në Kosovë kanë paraqitur largim të madh nga zonat rurale, pasi që njerëzit kishin tendencë të afrohen drejt qendrave më të mëdha urbane. Disa nga efektet e kësaj kanë qenë zbrazja e shkollave në disa zona rurale dhe stërmbushja e shkollave në qytete, disa prej të cilave janë detyruar t’i mbajnë tri ndërrime për t’i akomoduar të gjithë studentët. Ndërkohë, numri i nxënësve të angazhuar në arsim parauniversitar në Kosovë së fundmi është raportuar se është reduktuar për 90,000 në dekadën e fundit.

Strategjia e Kosovës për Arsim parashesh ndërtimin e 25 shkollave të reja fillore dhe të mesme në periudhën 2017-21, megjithatë hulumtimet e fundit nga K2.0 gjetën pak dëshmi se kanë mësuar nga mungesa historike e planifikimit dhe koordinimit sa i përket ndërtimit të objekteve të reja shkollore. Ka kaluar gati gjysma e periudhës së zbatimit të Strategjisë për Arsim dhe ende nuk është finalizuar Plani i Investimeve për Harta të Shkollave dokumenti në të cilin duhet të bazohet nevoja për shkolla te reja duke ngritur kështu dyshime për bazën mbi të cilën është marrë vendimi për t’i ndërtuar 25 shkolla të reja.

Investimi në shkolla si ‘hapësirë’ vetëm paraqet një mendësi me implikime të drejtpërdrejta në cilësi — shkollave tona ende iu mungon infrastruktura, kuzhina, dollape, librari dhe salla të sporteve”, tha Qehaja, duke shtuar se “kaosi urban” në shumë komuna bën që i vetmi kriter për përzgjedhje të lokacionit për ndërtimin e objekteve të reja është disponueshmëria e hapësirës dhe që faktorët ambiental të mbesin “periferikë”.

Shumë shkolla janë të ndërtuara përskaj rrugëve magjistrale, me rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë e fëmijëve”, tha ai.

Zëvendësimi i thëngjillit

Një nga shqetësimet më të mëdha gjatë viteve për aktivistët e ambientit dhe shëndetësisë sa i përket shëndetit dhe sigurisë në shkolla, ka qenë përdorimi i gjërë i thëngjillit për sisteme të ngrohjes.

Djegia e thëngjillit në dy termocentralet e kohës së Jugosllavisë në Obiliq, si dhe në shtëpi dhe biznese, për një kohë të gjatë ka qenë burim relativisht i lirë i energjisë për kosovarët, por ka ardhur me kosto të madhe për kualitetin e ajrit në vend. Gjatë muajve të dimrit, shumë prej qyteteve dhe komunave të Kosovës shpeshherë zgjohen nën një mbulojë të trashë të smogut të zi dhe objektet mjekësore pranojnë një rritje të madhe në ankesa për probleme të frymëmarrjes gjatë ditëve më të ndotura.

Thëngjilli për një kohë të gjatë është përdorur si burimi kryesor për ngrohje në shumë shkolla në Kosovë. Ministria e Arsimit ka deklaruar se deri së fundmi, ky ka qenë burimi kryesor i ngrohjes për më shumë se 200 shkolla në vend.

Rinora Gojani nga Balkan Green Foundation, një organizatë që avokon për zhvillim të qëndrueshëm rajonal, thotë se tema e ndotjes së ajrit të brendshëm rrallëherë është diskutuar në shoqëri, pavarësisht faktit se fëmijët dhe adoleshentët janë veçanërisht të prekshëm ndaj efekteve të saj. “Ndotja e ajrit, sidomos ndotja e brendshme e ajrit e shumëfishuar nga tymi i thëngjillit lë pasoja më të mëdha tek nxënësit e fëmijët që për shkak të moshës janë shumë të ndjeshëm dhe lënë pasoja afatgjate tek ta”, tha ajo.

Me shtimin e shqetësimeve për kualitetin e ajrit në vitet e fundit, zyrtarët e Ministrisë së Ambientit thanë për K2.0 se kanë mbajtur diskutime të vazhdueshme për të gjetur zgjidhje për përdorimin e gjërë të thëngjillit në shkolla.

Secila nga 21 komunat që u përgjigjën pohuan se thëngjilli ishte zëvendësuar me drunj në të gjitha shkollat.

Tek në shtator të vitit të kaluar, Ministri i Arsimit Shyqyri Bytyqi morri vendim për ta parandaluar përdorimin e thëngjillit në institucione parauniversitare, duke ndikuar kështu në 954 shkolla fillore dhe 122 shkolla të mesme. Në atë kohë, ai deklaroi se zbatimi i vendimit dhe gjetja e burimeve alternative për ngrohje në mënyrë që të mbrohet ambienti është përgjegjësi e komunave.

“Qymyri është ndër ndotësit kryesor në Kosovë dhe ndalimi i përdorimit të tij për ngrohje në shkolla dhe objekte publike është një masë e vonuar por e domosdoshme.”, tha Dardan Abazi nga organi i pavarur i ekspertëve INDEP. “Djegia e qymyrit shkakton emetime të dëmshme për mjedisin dhe shkakton sëmundje respiratore si rrjedhojë e ndotësve të shumtë të liruar si monoksidi i karbonit dhe dioksidi i karbonit”.

Duke përdorur të drejtën ligjore për qasje në dokumente publike, në nëntor 2018, K2.0 dërgoi një kërkesë në Ministrinë e Arsimit për qasje në raporte apo të dhëna që analizojnë efektet e ndotjes me thëngjill në shkolla, të cilat i kanë përdorur kur e kanë marrë vendimin për ta ndaluar përdorimin e tij, si dhe e pyeti këtë institucion se çfarë monitorimi ka zhvilluar për t’u siguruar që komunat janë duke përdorur alternativa.

Ministria e Arsimit nuk siguroi të dhëna apo raporte, por Valmir Gashi, një nga këshilltarët politikë të ministrit, u përgjigj duke thënë se vendimi për ta ndaluar djegien e thëngjillit në shkolla erdhi si rrjedhojë e kërkesës së Ministrisë së Ambientit.

K2.0 i kontaktoi gjithashtu të gjitha 28 komunat strukturat arsimore të së cilave operojnë brenda sistemit të Kosovës komunat e tjera ende operojnë brenda sistemit arsimor të Serbisë për të parë nëse vendimi është zbatuar. Secila nga 21 komunat që u përgjigjën pohuan se thëngjilli ishte zëvendësuar me drunj në të gjitha shkollat.

Disa komuna thanë se zëvendësimi i thëngjillit me drunj ka shtuar një barrë në buxhetin e tyre për arsim, sepse druri është më i shtrenjtë. Për shembull, Komuna e Drenasit tha për K2.0 se për të siguruar ngrohje alternative, Komuna u detyrua t’i reduktojë shpenzimet tjera në lidhje me shkollat. Kjo komunë gjithashtu deklaroi se, për shkak të kërkesës për një proces të ri të prokurimit për blerje të drurit, ndezja e sistemit të ngrohjes së shkollave u vonua deri në fillim të dimrit.

Kur u pyet se çfarë mbështetje po ofrohej nga Ministria e Arsimit për ta menaxhuar tranzicionin nga thëngjilli, Gashi u përgjigj: “Ministria është e gatshme të mbështesë komunat në kërkesat e tyre, por është përgjegjësi e komunave që të gjejnë alternativa më të mira për ngrohje dhe të bëjnë monitorimin nëse janë apo jo duke funksionuar ngrohjet nëpër shkolla”.

Ndërkohë, pavarësisht progresit në ndalimin e ndotësit më të keq për ambientet e brendshme të shkollave, aktivistët e ambientit argumentojnë se përderisa ndalimi i thëngjillit është hap në drejtimin e duhur, djegia e drurit vështirë se paraqet një zgjidhje të qëndrueshme.

Zëvendësimi i lëndës djegëse nga thëngjilli në masë drunore është shumë më i mirë në përmirësimin e cilësisë së ajrit porse ndotja nuk eliminohet tërësisht dhe prapë ka emetime të ndotësëve, veçanërisht të partikujve të imët PM 2.5”, tha Gojani, duke iu referuar mikrogrimcave të dëmshme, inhalacioni i së cilave lidhet me sëmundje kardiopulmonare dhe sëmundje të sistemit të frymëmarrjes.

“Zëvendësimi i qymyrit me drurin nuk nënkupton aspak progres dhe në këtë kuptim nuk mendoj se druri është e ardhmja e ngrohjes në shkolla"

Dardan Abazi, INDEP

Ajo shton se përdorimi i drurit për shkolla tani do t’i kontribuojë problemit ekzistues të shpyllësimit të jashtëligjshëm, për shkak se do të ndikojë në rritjen e kërkesës për drunj. Mijëra hektarë të pyjeve të Kosovës veç se janë duke u asgjësuar për shkak të prerjes së jashtëligjshme të drunjve, e kjo ka efekte shkatërruese për ambientin; mes tjerash, pyjet janë thelbësore për pastrimin e ajrit, si dhe parandalimin e erozionit të tokës dhe zvogëlimin e ndryshimeve klimatike.

Abazi thotë se djegia e drurit emeton më pak dioksid karboni se djegia e thëngjillit, por ndikimet në shëndet janë të ngjashme. Ai gjithashtu thekson se përdorimi i drurit për ngrohje ka shkaktuar përpjekje alarmante të shpyllësimit në disa zona të Kosovës. “Për kontekstin tonë, zëvendësimi i qymyrit me drurin nuk nënkupton aspak progres dhe në këtë kuptim nuk mendoj se druri është e ardhmja e ngrohjes në shkolla”, tha ai.

Gjithashtu, përderisa Ministritë e Arsimit dhe Ambientit janë fokusuar në thëngjillin e rrezikshëm që është diskutuar për një kohë të gjatë, pak vëmendje i është kushtuar përdorimit të naftës. Si shumë shtëpi dhe hapësira të punës që nuk janë të lidhura me sistemet qendrore komunale të ngrohjes, shumë shkolla përdorin naftën si burim kryesor të ngrohjes.

“Shfrytëzimi i ngrohjes me lëndë si nafta duhet të dekurajohet e të ndalohet sepse dëmton shumë cilësinë e ajrit posaçërisht jashtë objektit të shkollës"

Rinora Gojani, Balkan Green Foundation

Abazi dhe Gojani argumentojnë se, në afat të gjatë, djegia e naftës është e rrezikshme për shkak se emeton gazra që mund ta dëmtojnë ambientin dhe shëndetin, dhe për shkak se kualiteti i naftës që shitet në Kosovë monitorohet dobët.

Shfrytëzimi i ngrohjes me lëndë si nafta duhet të dekurajohet e të ndalohet sepse dëmton shumë cilësinë e ajrit, posaçërisht jashta objektit të shkollës”, tha Gojani. “Ndonëse ndotja e brendshme e ajrit [prej naftës] është shumë më e ulët sesa ngrohja nga thëngjilli, ajo nuk mund të përjashtohet tërësisht dhe varet nga vjetërsia dhe efikasitetiti i teknologjisë së përdorur për ngrohje”.

Komuna e Pejës tha për K2.0 se përderisa disa shkolla përdorin drunj për sistemet e tyre të ngrohjes, tjerat përdorin naftë, ndërsa Komunat e Kaçanikut dhe Fushë Kosovës gjithashtu raportuan se nga një çerdhe në secilën prej këtyre dy komunave përdorin naftë.

Por me sa duket nafta përdoret më së shumti për ngrohje në kryeqytet. 33 institucione të arsimit në Prishtinë raportuan në dhjetor 2018 se e përdorin naftën si burim kryesor të ngrohjes; në 2014, mësimdhënia u ndalua në 43 institucione të arsimit në Prishtinë, për shkak se testet e naftës treguan një nivel të lartë të sulfurit në naftën e përdorur prej shkollave.

Gojani dhe Abazi theksojnë se ka në dispozicion zgjidhje alternative që janë më të mira për ambientin dhe shëndetin e njerëzve, si dhe më efikase se sistemet e ngrohjes që po përdoren aktualisht në shkolla.

Gojani propozon instalimin e ngrohjes elektrike, me pajisje të reja dhe moderne si pompa termike që përdorin maksimalisht energjinë.

Ndërsa Abazi thotë se përgjigja është në kombinimin e faktorëve. “ E para ka të bëjë me investimet në efiçiencën e energjisë dhe në sistemet e brendshme të menaxhimit të energjisë në shkolla”, tha ai, para se të sugjeronte që shkollat të investojnë njëkohësisht në sisteme të energjisë së ripërtërijshme që gjithashtu do të ndihmonin me ngritjen e nivelit të ndërgjegjësimit për ambientin për gjeneratat e reja.

“Panelet solare do të mund të gjeneronin elektricitet i cili do të futej në rrjet në muajt me djellosje të lartë dhe do të kthehej në shkollë në muajt kur nevojitet rrymë për ngrohje”, tha ai. “Përveç kësaj, shkollat mund të instalojnë sisteme të ngrohjes gjeotermale që janë jashtëzakonisht të mira për mjedisin, shëndetin dhe ulin koston”.K

Ky artikull është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Kosovo 2.0 dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it dhe AGK-së.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.