Pikëpamje | Të drejtat e njeriut

Tradhëti e Letërsisë

Nga - 16.10.2019

Si dhe pse Komiteti Nobel për Letërsi e shpërbleu Peter Handken.

Nderimi i shkrimtarit austriak Peter Handke me Çmimin Nobel për Letërsi e tronditi gjithë botën. Këto ditë, për Handken dhe Akademinë Suedeze po flitet prej njerëzve që e njohin e nuk e njohin fushën e letërsisë.

Ky rast është definitivisht mjaft i ndjeshëm dhe reagimi publik ndaj vendimit të Komitetit të Çmimit Nobel është krejtësisht i kuptueshëm.

Në njëfarë mënyre, sfera e letërsisë u braktis me miratimin e këtij vendimi.

Më specifikisht, çështjet që lidhen me Çmimin Nobel dhe qëllimin fillestar të tij janë vënë në dyshim, në kontekstin që Akademia Suedeze po e shpërblen një shkrimtar që ka sakrifikuar talentin për ta mbështetur ideologjinë e errët të nacionalizmit serb në vitet e ‘90-ta dhe udhëheqësin e kësaj ideologjie, Slobodan Milošević – dhe e ka mohuar haptas Gjenocidin e Srebrenicës, Rrethimin e Sarajevës, dhe krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftërave.

Me kalimin e kohës u kuptua se veprat e Hamsun janë pjesë e pashmangshme e historisë botërore të letërsisë, dhe se me novelën e tij “Uria”, ai e revolucionarizoi novelën moderne.

Është histori e gjatë e vendimeve të diskutueshme për shpërblimet me këtë çmim, por me sa duket vendimi për ta shpërblyer Handken me çmimin më prestigjioz letrar që ekziston në botë e ka dekredibilizuar krejtësisht Çmimin Nobel.

Me Çmimin Nobel për Letërsi u shpërblye edhe autori i diskutueshëm norvegjez Knut Hamsun. Megjithatë, Hamsun u shpërblye para se të bëhej tradhtar dhe ta mbështeste publikisht Hitlerin, dhe para se t’ia dhuronte çmimin e vet Goebbelsit në Berlin. Pas fundit të Luftës së Dytë Botërore, lexuesit në vendlindjen e tij ia kthyen librat Hamsunit në adresën e shtëpisë së vet, duke shfaqur protestën e tyre ndaj simpatisë së shkrimtarit për nazistët.

Më vonë, Hamsun u mundua ta përmirësojë imazhin e tij me një novelë të titulluar “On Overgrown Paths”, por mbeti shkrimtar i njollosur për një kohë të gjatë. Megjithatë, me kalimin e kohës u kuptua se veprat e Hamsun janë pjesë e pashmangshme e historisë botërore të letërsisë, dhe se me novelën e tij “Uria”, ai e revolucionarizoi novelën moderne. 

Dallimi ndërmjet Hamsun dhe Handke është se Komiteti i Çmimit Nobel nuk mund ta kishte ditur më 1920 që Hamsun do të dashurohej në Hitlerin, por Komiteti Nobel më 2019 ishte shumë i vetëdijshëm për zgjedhjen që e bëri Handke gjatë luftërave të përgjakshme në Ballkan në vitet e ‘90-të. Ky është dallimi që nuk mund të anashkalohet kur e diskutojmë vendimin e Akademisë Suedeze.

Është fakt i padyshimtë, të cilin shumë kritikë dhe teoricienë letrarë të respektuar e kanë shprehur në të kaluarën, se Peter Handke është shkrimtar i madh i cili ka prezantuar plot elemente autentike në prozën evropiane të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Është fakt i padyshimtë edhe se Komiteti Nobel e ka shpërblyer Handken për një periudhë të caktuar të veprave letrare të tij – ‘60-tat, ‘70-tat dhe ‘80-tat.

Megjithatë, para se ta merrte këtë vendim, nëse marrim parasysh ndikimin global të shpërblimit me një Çmim Nobel, si dhe prejardhjen etnike që duhet ta ketë një burrë që e merr një çmim të tillë, Akademia Suedeze është dashur ta merrte parasysh reputacionin e personit të cilin po e shpërblente – edhe nëse këtë nuk e ka bërë në të kaluarën.

Shkrimtari nuk bëhet njeri i mirë prej statusit të veprave letrare të tij. Asgjë nuk e paracakton atë si sipëror sa i përket moralit dhe etikës, pa marrë parasysh për çka shkruan. Shkrimtari mund të jetë urryes, i pakëndshëm, hakmarrës dhe agresiv, ndërsa shumë kontradikta ndërmjet veprave dhe autorit mund të justifikohen nga arti dhe ekstravaganca. 

Megjithatë, pavarësisht prej kësaj, nëse e dimë se arti i letërsisë duhet ta drejtojë vëmendjen e botës drejt ideologjive vrasëse, çdo lloj shtypjeje ndaj individit dhe grupeve të njerëzve që buron nga ideologjitë e errëta që e çnjerëzojnë qenien njerëzore, atëherë bëhet tejet e qartë pse është problematike të shpërblehet një njeri si Hendke me Çmim Nobel për Letërsi.

Shkrimtari duhet të jetë në anën e njeriut, përndryshe vepra e tij bëhet monument varreze.

Në këtë kuptim, shumëkush do ta justifikojë përfshirjen e Handkes në mbrojtjen e krimeve të nacionalistëve serbë me “ekstravagancën” e tij, me kundërshtimin e hapët antiglobalist kundër Perëndimit, të cilin donte ta sfidonte, duke zgjedhur një pozitë në mbrojtje të palës tjetër. Megjithatë, nëse i lexojmë librat e Handke në të cilët Serbia është personazhi kryesor – edhe pse nuk ishin faktorë në çmimin e tij, ato thonë shumë për shkrimtarin – lehtë vërehet se ideologjia në këtë kuptim, si shumë herë në të kaluarën, e ka gllabëruar dhe banalizuar talentin. 

Prandaj, në rastin e shkrimtarit austriak, ne nuk mund t’ia atribuojmë legjitimimin e krimeve “ekstravagancës” së tij. 

Danilo Kiš, gjigant i letërsisë jugosllave, foli për po-etikën, për strukturën brenda të cilës shkrimtari nuk duhet të jetë vetëm i talentuar, por edhe etik, që do të thotë se duhet të sfidojë dhe të flasë kundër të keqes në botën që e rrethon. 

Megjithatë, nuk ka “ekstravagancë” në vrasjen e njerëzve. Shkrimtari duhet të jetë në anën e njeriut, përndryshe vepra e tij bëhet monument varreze. 

Apo siç e shpjegon Mirnes Sokolović, kritik dhe teoricien letrar nga Bosnja dhe Hercegovina, në artikullin e tij për Handke, “Të gjitha këto fjali provokative, qëndrimi në anën e krimit, e kanë një efekt krejtësisht të ndryshëm dhe qindra herë më shkatërrues tek publiku, kur i referohen ngjarjes së posaçme, një lufte aktuale, në krahasim me një provokim të thjeshtë neoavangard, paqësor, jodetyrues, deklamues, siç shihet në të gjitha veprat e tjera artistike të publikuara deri atëherë”. 

Prandaj Hendke është shkrimtar që e ka tradhtuar artin, duke qëndruar në anën e krimeve dhe të kriminelëve, duke i legjitimuar ata. Ai e bëri të qartë se nuk është i interesuar në artin që e pasuron botën, por në errësirën ideologjike që shkatërron jetë njerëzish. 

Si mund ta interpretojmë ndryshe karakterin e Handkes, nëse kemi parasysh faktin se shkrimtari shëtiti nëpër Srebrenicë dhe i përdori shënimet që i mori gjatë udhëtimit për ta mohuar “propagandën” e vrasjeve, menjëherë pasi u krye gjenocidi në Srebrenicë, ku forcat e Mladić i vranë më shumë se 8,000 boshnjakë.

Po të kishte vërtet qëllime të mira ndaj popullit serb dhe kulturës së tij, do të kishte qëndruar në anën e shkrimtarëve që i rezistuan të keqes.

Ky nuk është shkrimtar i cili duhet të jetë shembull për asgjë, pa marrë parasysh rëndësinë e veprës së tij. Ne mund ta ndajmë veprën e Handkes nga veprimet e turpshme të tij. Por sa i përket Handkes si shkrimtar, nuk mund ta amnestojmë zgjedhjen e tij për ta përdorur pozitën e intelektualit për justifikim të gjenocidit. 

Një tradhti e veçantë e Handkes ndaj letërsisë, dhe një tjetër arsye për të cilën shkrimtari nuk është dashur të shpërblehet me këtë çmim global të letërsisë – për shkak se duhet të përfshijë një minimum të etikës, pa marrë parasysh madhështinë e veprës – është se ndërsa Handke e mbështeste Milošević-in dhe skizofreninë nacionaliste prej satrapi, ai njëkohësisht e mbështeste persekutimin e shumë shkrimtarëve të tjerë.

Duke marrë anën e njësitit letrar nacionalist që ishte mbledhur përkrah dyshes së shkrimtarëve serbë pro-Milošević, Dobrica Ćosić dhe Matija Bećković, që prodhuan pamfleta nacionalistë që bënin thirrje për luftë dhe masakër – në vend që të merrte anën e Radomir Konstantinović, Bora Ćosić apo Mirko Kovač, të cilët e kundërshtonin barbarizmin nacionalist serb që i djallëzonte dhe sulmonte ata – Handke tregoi qartë se nuk ishte i interesuar më në fraza postmoderniste, por në thikën e përgjakshme. 

Po të kishte vërtet qëllime të mira ndaj popullit serb dhe kulturës së tij, nuk do të ishte pajtuar të bëhej maskotë e ideologjisë së Slobodan Milošević për masakër, por do të kishte qëndruar në anën e shkrimtarëve që i rezistuan të keqes dhe i mbrojtën arritjet qytetëruese të botës sonë si të padiskutueshme. 

Shkrimtarja dhe antropologia Svetlana Slapšak e përshkruan këtë marrëdhënie ndërmjet Handkes dhe serbëve kështu: “E rëndësishme dhe e sigurt, si dhe shumë objektive, është deklarata e Handkes për lumturinë që e përjetuan serbët kur dëgjuan lajmin se ai e kishte fituar çmimin”, shkruan ajo, duke shtuar se “ky mjerim tregon për ligësinë e mënyrës se si i kupton gjërat Handke, dhe në mënyrë indirekte, për ligësinë e letërsisë së tij”. 

Ajo pohon se ai është duke i tradhtuar edhe serbët. “Duke kryer një lëvizje idiotike, Handke i fshin të gjithë serbët që nuk përkojnë me shëmbëlltyrën e tij për Milošević-in”, shkruan ajo. “Ata të tjerët nuk ekzistojnë për të. Këtu e shoh një fryrje të kolonizatorit, një shenjt të vetëshpallur të një kombi të vogël që disi i ka kundërshtuar fuqitë e mëdha, i cili e mbron kriminelin e vogël dhe bashkëpunëtorët e tij, duke i mbajtur të gjithë kriminelët nën krahun e vet”, shkruan ajo. “Mungesa e qartë e një mendjeje të arsyeshme dëshmohet nga lëvdatat e Handkes për ‘guximin’ e Akademisë Suedeze që e zgjodhi atë megjithatë”, konkludon ajo. 

Pas gjithë kësaj, mbetet një dilemë: Si mund të bëhet shkrimtari i cili e shkroi skenarin për kryeveprën e Wenders, “Wings of Desire”, idiot dhe shejtan politik? Përgjigjja nuk është aq e ndërlikuar. 

Shkrimtarët që pajtohen të qeverisen nga një ideologji, cialdo qoftë ajo, pësojnë reduktim të talentit të tyre, hap pas hapi, e në fund talenti u zhduket. Mbetet një masë e papërcaktueshme e një mendjeje të dikurshme.

Në fushën e ish-Jugosllavisë, ka shumë shkrimtarë të ngjashëm dhe intelektualë që u ngjajnë kufomave të gjalla që kanë kryer vetëvrasje rituale të artit të vet për shkak të konformizmit, duke e vrarë kështu integritetin e tyre. Ata janë shitur për një karneval mishngrënës dhe të mjeruar të gjakut dhe krimit, duke u bërë kështu bashkëfajtorë.

Motivet prapa vendimit të Komitetit të Çmimit Nobel nuk janë aq të turbullta. Skandali seksual i vitit të kaluar është lehtësuar nga një skandal më i madh.

“Ç’ka bërë Peter Handke për t’i xhindosur njerëzit aq shumë që e kujtojnë aq keq edhe pasi i kanë falur gjithë tjerët?” pyeti shkrimtari Miljenko Jergović në një artikull. Mund t’i përgjigjemi kështu: Ai veproi si një palaço i përkulur, si fëmijë i dalldisur në lunapark, në anën e Slobodan Milošević, duke fryrë balonën ekstravagante dhe antiglobaliste, ndërsa njerëzit e vrarë po varroseshin në varreza masive, si pjesë e gjenocidit të Srebrenicës, menjëherë prapa shpinës së tij.

Fjalët e Bora Ćosić në një artikull për Handke që u publikua në vitin 2006 mund të shërbejnë si përgjigje tjetër për pyetjen e Jergović: “Ende mbetet e paqartë se si një numër i madh i personave të nderuar, të mençur dhe të respektuar e shohin Handken si ndonjë lloj viktime, njëfarë dëshmori, një Shën Sebastian të letërsisë bashkëkohore. 

“Kështu mbrojtësit e tij mbledhin kontribute vullnetare në formë të ngushëllimeve, kështu mbushet me cikërrima humanitare kasa e tyre për bamirësi në kishë, thuajse talenti i ri i tyre (i cili dëshiron të bëhet mësues) po vuan i lidhur me zinxhirë të ndonjë regjimi shtypës, thuajse ai është i mbajtur nga ndonjë komunitet totalitar, në ndonjë institucion psikiatrik, edhe pse mendjen e ka krejtësisht në rregull. Mund ta mendojmë Peter Handken si banor të Rusisë së Brezhnevit, si njeri që po vuan në një burg kuban të Fidel Kastros, që po transporton gurë në një kamp stalinist diku në Kolyma”. 

Në fund të fundit, motivet prapa vendimit të Komitetit të Çmimit Nobel nuk janë aq të turbullta. Skandali seksual i vitit të kaluar është lehtësuar nga një skandal më i madh. Ky synim është arritur plotësisht. Handke e ka realizuar qëllimin.

Për shkak të shpërthimit të reagimeve ndaj shkrimtarit austriak, askush nuk do ta mbajë në mend që në vitin kur çmimi nuk u dhurua për shkak të një skandali seksual, Çmimi Nobel për Letërsi iu dhurua një vit më vonë një gruaje, autores Olga Tokarczuk. Ne nuk do ta adresojmë më çështjen e statusit të grave në shoqëritë patriarkale evropiane. Me sa duket kjo nuk i intereson askujt, veçanërisht jo Akademisë Suedeze.

Do ta përfundoj këtë artikull me fjalët e Slavoj Žižek, i cili bisedoi me The Guardian për rastin Handke dhe Çmimin Nobel, duke ndarë një mendim ilustrues për kohët në të cilat jetojmë: “Në vitin 2014, Handke kishte bërë thirrje për shfuqizimin e Çmimit Nobel, duke deklaruar se është ‘kanonizim i gabuar’ i letërsisë.

“Fakti që ai është shpërblyer me Çmimin Nobel për Letërsinë dëshmon se ai kishte pasur të drejtë. Kjo është Suedia e ditëve të sotme: një apologjet i krimeve të luftës e merr një Çmim Nobel, përderisa ky shtet ishte plotësisht i përfshirë në përgojimin medial kundër një heroi të kohës tonë, Julian Assange. Kështu duhet të reagojmë ne: nuk duhet t’i jepet Handkes Çmimi Nobel për Letërsi, por duhet t’i jepet Assange-it Çmimi Nobel për Paqe”. 

Foto kryesore: Arrita Katona / K2.0