S`fundmi | DokuFest 2017

Travis Wilkerson për kërkimin e artit në aktivizëm

Nga - 12.08.2017

Filmbërësi radikal shpreh pikëpamjet e tij në DokuFest.

Momenti që i dha formë projektit të fundit të filmbërësit dhe aktivistit Travis Wilkerson ishte momenti kur ai e shpjegoi atë projekt në një sallë të mbushur me 400 persona të njohur të botës së artit, si pjesë e kushteve për grantin që e fitoi.

Filmi që ai po e bënte ishte shumë personal. Në vitin 1946, në Alabama, stërgjyshi i Wilkerson-it, S.E. Branch, e vrau me pushkë Bill Spann-in, një afroamerikan i cili kishte hyrë në dyqanin e këti të parit. Branch u akuzua për vrasje, por më pas këto akuza u shfuqizuan në mënyrë misterioze.

“Isha në përfundim e sipër të prezantimit tim, por ndihesha shumë i tronditur për shkak se hapësira dhe konteksti më dukeshin shumë të çuditshëm”, thoshte Wilkerson. “Në vend se t’i jepja fund ashtu siç e kisha planifikluar, u ngrita në këmbë dhe thashë: ‘Dua që të gjithë ta brohorisni emrin e Bill Spann-it. Nuk do të largohem nga skena pa e bërë këtë’ të gjithë së bashku”.

Në fillim audienca e Wilkerson-it nuk e priti shumë mirë këtë ide. “Ishin të gjithë persona të botës së artit që kurrë nuk bëjnë gjëra të tilla. Të gjithë rrinin ulur e bënin…” Wilkerson pauzoi dhe filloi të imitonte biseda mes personave borgjezë, sikur po imitonte peshqit duke ngrënë. “Por unë veç vazhdoja të brohorisja… dhe në fund, të gjithë m’u bashkangjitën. U rrënqetha. Ishte një veprim spastrues për këtë katastrofë të familjes sime dhe të familjes tjetër. Ishte kjo përpjekje për të ecur përpara. E mendova… kjo duhet të jetë forma”.

Projekti që rezultoi ishte hibrid i dokumentarit dhe teatrit, “Did You Wonder Who Fired the Gun?” (Të shkon mendja se kush e shkrepi armën?). Përveç retrospektivës speciale të karierës eksperimentale të filmbërësit amerikan që u shfaq në edicionin e sivjetëm të festivalit, vet Wilkerson dje e mbajti një master klasë (11 gusht) për zhvillimin e tij si artist dhe për atë se çfarë kuptimi ka filmi radikal për të.

Nuk ishte hera e parë që ligjëroi Wilkerson. Ai ka dhënë mësim edhe në Universitetin e Colorado-s, si dhe në kolegjin CalArt dhe Vassar në New York. Foto: David Stanley / K2.0.

Si aktivist i zjarrtë i krahut të majtë, Wilkerson ende përfytet me paaftësinë e filmit për të ushtruar ndikim për ndryshime sociale. Ai dha shembullin e dokumentarit të Michael Moore-it të vitit 2004, “Farenheit 9/11”, duke shpjeguar se ishte e qartë që ky film u bë për të parandaluar zgjedhjen e George W. Bush-it për herë të dytë si president i SHBA-së. Ky film theu rekorde të shitjeve të biletave dhe fitoi disa çmime, duke përfshirë edhe Palmën e Artë në Kanë… e pastaj Bush u zgjodh përsëri, me rritje të madhe të numrit të votave.

Gabimi i Moore-it, sipas Wilkerson-it, ishte që iu afrua shumë filmbërjes tradicionale. “Jam i bindur që është gabim i rëndë që e bëjnë njerëzit që duan të krijojnë vepra që lidhen me çështjet sociale – ata thjesht përdorin teknika dhe diskurs standard për të shprehur ide të reja dhe radikale. Mendoj se në thelb kjo është formë e vetëvrasjes së idesë. Duhet të gjesh një formë që shpreh diçka për përmbajtjen, ose përndryshe çdo herë do të përballesh me dështim”.

Ky udhëtim për t’i gjetur këto forma i ka dhënë formë karierës së Wilkerson-it. Për filmin e tij të parë të metrazhit të gjatë, ai shkoi në Kubë për ta intervistuar propagandistin legjendar të filmit, Santiago Alvarez-in, por kur u kthye në SHBA zbuloi se teknologjia kishte dështuar, dhe bisedat e tyre nuk ishin inçizuar. Por meqë ishte i frumëzuar shumë prej këti takimi, Wilkerson nisi ta ndërtonte video-esenë e tij prej një kollazhi të filmave të Alvarez-it. Produkti final, “Accelerated Under-Development” (Moszhvillimi i përshpejtuar), është përpjekje për të kapur përsëri thelbin e këtyre bisedave.

Në dy filmat që pasuan, Wilkerson u zhyt në territorin e tij më personal, në qytezën e tij të lindjes, Butte, Montana. “An Injury to One” (Lëndimi i një njeriu) përdor formën e dokumentarit për të zbuluar një linçim brutal që u harrua nga kjo qytezë që dikur njihej për nxjerrje të bakrit. “Who Killed Cock Robin” (Kush e vrau Cock Robin-in) portretizon ndryshkun industrial dhe kalbjen sociale nëpërmjet dramës gjysmë të improvizuar.

"E din që je duke dështuar sa i përket transmetimit të një diskuri kur je i vetmi në sallë që po qesh me filmin tënd. Shumë e sikletshme është."

Travis Wilkerson

Një sekuencë e një punimi të mëhershëm dhe të papërfunduar, e quajtur “Hollywod is an Alibi” (Hollywood është alibi) që u shfaq në master klasë zbuloi procesin e eksperimentimit dhe veprimit si artist i vetëm. Pamjet janë tepër të pandryshueshme. Rrëfimi i Wilkerson-it, tepër i rëndë. Është ligjërate e historisë për të cilën askush nuk dëshiron të mbajë shënime.

Për më tepër, përpjekja e tij për ta zbutur tonin duke zhvilluar një monolog për një emision për policë që shfaqej gjatë viteve të ‘50-a nuk u kuptua nga askush përveç tij. “E din që je duke dështuar sa i përket përcjeljes së një diskursi kur je i vetmi në sallë që po qesh me filmin tënd”, tha ai. “Shumë e sikletshme është”.

Megjithatë, krejtësisht falë bashkëshortes së tij, ai përfundoi duke e bërë filmin e vlerësuar: “Machine Gun or Typewriter?” (Pushkë apo makinë shtypi?) . Ai thotë se ky film e ndryshoi drejtimin e filmbëries së tij përgjithmonë. “Ajo më nxiti. Fillimisht nisa ta punoja veç sa për ta hequr qafe. Desha t’ia dëshmoja se nuk do të funksiononte dhe se nuk ka mënyrë për ta bërë këtë”, tha ai. “E zbulova që ajo absolutisht kishte të drejtë dhe unë e kisha gabim”.

Në vend se të ishte një mësim i zymtë i historisë, humorin e së cilës nuk e kupton kurrkush përveç tij, “Machine Gun or Typewriter?doli si film shumë më i guximshëm. Ai tregon një histori të trilluar për një burrë që e gjen dashnoren nëpërmjet një transmetimi të paligjshëm (pirat) në radio. Dokumentari i Wilkerson-it rrëfehet sikur të ishte emisioni i tij në radio.

“Për mua ishte zbulim shumë i madh. Dikur i bërtisja audiencës, e tash po u pëshpërisja atyre, e po i ftoja që të shihnin diçka intime”, tha ai. Një prej pyetjeve që vazhdimisht sillet nëpër mendimet e Wilkerson-it është ajo se si mund të bëhen filmat – me gjithë presionin e kufizimet financiare – po aq intimë për audiencën sa janë për filmbërësin.

“Isha në DokuNights mbrëmë dhe të gjithë po xhironin drejpërdrejt e po postonin në Twitter. E kisha përshtypjen se e kemi humbur atë që ‘jemi në këtë vend, në këtë kohë’”, tha ai. “E dua atë ndjenjë. Veçanërisht kur isha adoleshent”. Ai e kujtoi performancën e grupit Sonic Youth më 1986, duke thënë se bendi ishte në disponim aq të keq saqë në një moment basisti doli prej skenës. Pjesa tjetër e grupit nisi të improvizonte, duke kënduar “We’re so fucked up’ (‘na ka hëngër dreqi’), e pastaj lideri i grupit Thurstan Moore e hodhi kitarën e tij në tavan dhe tha, ‘Po shkoj me marrë heroin. Shkoni n’k*r’”.

Wilkerson si adoleshent ishte i magjepsur. Ai kishte qenë dëshmitar i diçkaje që nuk do ta shihte më kurrë askush. Ai po mundohet ta kapë përsëri këtë lloj përvoje të veçantë dhe jetëshkurtër, qoftë gjatë montimit të drejtpërdrejtë të filmave (siç bëri Vincent Moon në kalanë historike të Prizrenit më vonë atë natë), qoftë duke i bërë emulsionet e tij për t’i ngjyrosur shiritat filmikë, të cilat pastaj i shfaq vetëm një herë (as nuk i dixhitalizon). “Jemi në një pikë ku momentet e tilla të veçantisë kanë fuqi të cilën nuk e kishin më parë”.

Përveç filmave të tij, Wilkerson gjithashtu shfaqi filma që u dorëzuan në ditarin e tij të filmbërjes, përfshirë “NOW! AGAIN!” (TASH! PRAPË!) të Alex Johnston-it. Foto: David Stanley / K2.0.

Një shembull tjetër doli gjatë diskutimit për atë se si ditari i tij radikal i filmbërjes, The Now! Journal (Ditari i së tashmes), i adresoi protestat në Ferguson. Michael Brown, një 18-vjeçar afroamerikan, i paarmatosur, ishte vrarë me armë nga një polic i bardhë, në ‘vetëmbrojtje’. Wilkerson shfaqi dy filma të shkurtër eksperimentalë nga ky ditar në master klasë, një nga Alex Johnston dhe një tjetër nga Lydia Moyer, por reagimi i tij iu kthye fuqisë së ngjarjeve unike.

Wilkerson shpjegoi se si ajo që e kishte lënduar më së shumti familjen e Brown-it ishte që trupi i tij ishte lënë në rrugë për katër orë e gjysmë. Kur tensionet u ngritën në këtë qytezë, ata kërkuan momente për qetësi dhe mendime të sinqerta. “Prandaj krijova një klip që për katër minuta e gjysmë shfaq vetëm ngjyrën e zezë. Në një kinema të errët, është në fakt mjaft intensive. Kur je i ulur në një dhomë të mbushur me njerëz për katër minuta e gjysmë në heshtje të plotë, përvoja është vërtet kinematike”.

Ku qëndron vija në mes të aktivizmit dhe artit? Ai e shpjegoi procesin e tij të të menduarit me xhirime që i kishte bërë në një protestë në të cilën morën pjesë një milion njerëz në Los Aneles në vitin 2006, kundër legjislacionit që ishte kundër emigrimit. Hera e parë që e shfaqi këtë për dikë ishte në këtë master klasë.

“Erdha për të dokumentuar, erdha për të qenë artist, erdha për të qenë gazetar, erdha për të qenë aktivist, por ajo që më ka mbetur është: cilës anë t’i bashkohem?” Derisa kamera lëvizi nga turmat e njerëzve deri te një mur i zi i mermertë që pasqyronte flamujt e tyre, Wilkerson kujtoi, si një djalosh i ngazëllyer, mendimet që po i silleshin nëpër kokë në atë kohë: A të marshoj e të këndoj? A të qëndroj pa ndjenja? Apo të xhiroj një mur të zbrazët, me shpresë se do të gjej ndonjë të vërtetë më të thellë?

“Brenda atij xhirimi është dilema me të cilën jam përballur gjatë tërë karierës sime”, erdhi në përfundim ai. “Për çka jam këtu? Si ta ndaj vëmendjen time dhe çfarë synime kam? Ende nuk e di përgjigjen. Ende nuk jam i bindur që filmi mund të bëjë diçka”.

Megjithatë, ende nuk është bindur që filmi nuk mund të bëjë asgjë. “Jam veçanërsiht i interesuar për mënyrën se si jeton historia tani”, shpjegoi ai. “Jam i interesuar për atë se si ekziston një lloj ngjeshjeje, dhe, në fakt, as historia nuk është e vërtetë, sepse jemi duke i jetuar pasojat e historisë së të gjitha kohërave”.

Linçimi në Butte, vdekja e Michael Brown-it dhe vrasja e kryer nga stërgjyshi i tij, janë degët tematike që rriten në mes të filmave të Wilkerson-it, duke ngjeshur ngjarje që janë qindra vite larg njëra-tjetrës. Filmi i shkurtër “Sand Creek Equation” (Ekuacioni i një kodre zalli) e bën bashkë luftën në Gazë që ndodhi gjatë viteve 2008-2009 dhe masakrën e amerikanëve indianë në Sand Creek, Colorado, në 1964.

Kjo ngjeshje ishte ajo që në fund e shtyu Wilkerson-in ta bëjë “Did You Wonder Who Fired the Gun?”. Në një skenë i paraqet varrezat ku është i varrosur Bill Spann.

“Në këto varreza gjinden disa njerëz që u vranë nga stërgjyshi im”, tregoi ai, “dhe unë jam në po atë vend, si person që i bie të shkojë në një vend si Prizreni, e që i bie t’i shfaqë punimet e tij, e që ka kamerë të mirë me të cilën xhiron. Ajo distancë në mes të kuptimit që e kishte ai veprim për atë familje, që është e tmerrshme apokaliptike, dhe kuptimit që e kishte për familjen time, që, siç duket, nuk kishte pasoja fare… Për mua ishte shumë shqetësuese”.  

Produkti final i këti filmi, siç e shpjegoi ai, është përpjekja e tij për të përçuar te audienca atë “përvojë tepër të fuqishme dhe të pabesueshme”. Pas shtatëdhjetë viteve, “Did You Wonder Who Fired the Gun?” e mbyll zbrazëtinë ndërmjetdy familjeve dhe një ngjarjeje të vetme shkatërruese.

Foto kryesore: David Stanley / K2.0.

KOMENTO