Familja Muli, Vushtrri, prill 1999.
Fatime Muli, një grua me vullnet të pathyeshëm për ta parë Kosovën të pavarur, tregon për qëndresën dhe mundimet e familjes së saj gjatë viteve të luftës. Më 16 mars 1998, bashkë me qindra gra të tjera ishin nisur nga Vushtrria me nga një bukë në dorë në drejtim të Drenicës, për t’u bashkuar me mijëra protestuese nga qytetet e tjera. Ky marsh ishte mesazh për komunitetin ndërkombëtar dhe organizatat humanitare se gratë e fëmijët e Drenicës rrezikoheshin nga uria dhe forcat serbe. Ai u ndal nga policia serbe.
Gjatë asaj kohe, shtëpia e Fatimes përballë stadiumit “Ferki Aliu” të qytetit të Vushtrrisë, si shumë të tjera, ishte e hapur për të strehuar shqiptarë të zhvendosur nga zonat ku po kryheshin masakrat e para të luftës. Pas një viti, ajo vazhdonte të strehonte burra dhe gra në shtëpinë e saj, ku jetonte me burrin, dy vjehrrijtë, dy djemtë, vajzën dhe gruan e djalit të madh. Kishte edhe një djalë tjetër, që e kishin nisur për Gjermani, që në rast sulmi, të paktën njëri fëmijë të ishte i sigurt. Ajo u jepte refugjatëve ushqim, rroba e batanije për dy-tre net, si shumë të tjera, ndërsa vazhdonin rrugën gjetkë, drejt një vendi më të sigurt.
“Kush vike refugjat, kam pasë boll”, tregon ajo. “Iu qitsha me flejtë, herë rrishin dy-tre ditë, herë dilshin prej ni veni në tjetrin”.
Shtëpitë e asaj kohe ishin vënë në shërbim të mbijetesës. Në shtëpinë e Fatimes kishte hapje në mur, të bëra me qëllimin që të çonin nga një shtëpi në tjetrën deri në skajin tjetër të qytetit.
Dera e hekurt në oborrin e shtëpisë së saj kishte dalje në rrugën e quajtur ‘Faruk Beqiri’, ku forcat serbe lëviznin vazhdimisht me mjete ushtarake, e që ndodhej vetëm një kthesë larg prej rrethrrotullimit nga rruga kryesore e Vushtrrisë. Shumë herë në ditë forcat serbe kërkonin të hynin në shtëpinë e familjes Muli, pasi dëgjonin zhurma e potere nga njerëzit që strehoheshin brenda.
18 prilli i vitit '99 do të fillonte si një ditë e zakonshme, për aq sa mund të quhej e zakonshme një ditë në kohë lufte.
Fatimja e fikte shporetin dhe përfundonte gatimet me t’u bërë natë, por meqë forcat serbe vazhdonin të trokisnin te dera e hekurt, ajo nuk ndihej e sigurt t’i linte fëmijët, dy djemtë dhe vajzën 7-vjeçe, si dhe bashkëshorten e djalit të madh, të flinin aty. Ata flinin tek xhaxhai, me shtëpi përtej urës së hekurt, rreth 150 metra larg së tyres.
“Non-stop i kena pasë tu na kërcitë në rrugë serbët”, tregon ajo. “Veç me hi me kqyrë, se ndijshin zhurmë, se nuk dijshin refugjatët me u rujtë, folshin t’madhe këtu, u nijke në rrugë. Edhe tani, ata na kërcitshin në derë. Na doemos u duhke me ia çelë derën, se na qitshin automatin në fyt, herë mu, herë burrit”.
Kështu Fatimen e gjeti 18 prilli i ‘99-ës. Do të fillonte si një ditë e zakonshme, aq sa mund të quhej e zakonshme një ditë në kohë lufte, për të dhe familjen.
Burimi, djali i saj që edhe 40 ditë kishte ditëlindjen e 13-të, ishte 7 vjet më i vogël se djali i madh, Selimi, dhe 6 vjet më i madh se motra e vogël, Qëndresa. Shpesh recitonte dhe lexonte në shtëpi, ndërkohë ndër gjërat që ruante në oborr në rast se dëboheshin dhe shtëpia u digjej, kishte abetaren dhe fletoret, gati për t’i marrë me vete.
Fatimja kujdesej për të gjithë fëmijët, por në veçanti për Burimin, meqë ai ishte i zhvilluar me trup dhe nuk dukej si fëmijë, ndonëse ishte vetëm 12 vjeç e gjysmë. Meqenëse, ishte i gjatë dhe i plotë, prandaj ajo frikësohej se forcat serbe mund ta merrnin për të rritur, siç kishin bërë me plot të tjerë asokohe. Prandaj dhe kur Burimit i duhej të dilte jashtë shtëpisë, ajo nuk e linte.
Burim Muli, i lindur në maj të 1986-ës regjistroi klasën e parë të shkollës fillore në vitin 1993. Foto: Nerina Guri / K2.0.
Ditën e 18 prillit, kur Burimi duhej të shoqëronte një refugjate te mjeku, Fatimja i thotë të mos dilte, por, ai gjithsesi del.
Ndërsa e pret vajzën refugjate jashtë shtëpisë së mjekut, tre policë në një makinë kalojnë në udhëkryq dhe e gjuajnë nga larg me snajper. Burimi fshihet aty afër dhe ata largohen.
Pasi pret pak, ai merr të hypë në biçikletë. Por, në të vërtetë ata nuk ishin larguar. Me një shpejtësi të madhe dhe të beftë kthehen dhe e gjuajnë prapë – këtë radhë duke mos dalë huq.
“Kur o dalë djali në rrugë me ardhë, ata rikverc e kanë kthy kerrin edhe prej xhamit, me snajper e kanë gjujtë tinëzisht. Veç me ni plumb i kanë ra”, thotë Fatimja. “E kanë vra qaty në bicikëll. Dhetë hapa thojnë ka ecë. Ktu ju kish bo birë, përmas ju kish çel se ja kam kqyrë – si nanë. I kam teshat që i ka pasë veshun. Ia kam hjekë të shpumet me plumb”.
Më pas, disa kalimtarë e kanë ngrehur me vështirësi trupin e pajetë të Burimit për ta çuar në shtëpi.
“Me uniforma, paramilitarë janë konë. Edhe këta tjerët janë konë veç të veshun. A din, që u thojnë ‘policë rezervë’?” tregon Fatimja. “Edhe krejt janë konë të rrethit qesajde, qata që ma kanë vra djalin, me emën i di”.
Ajo kthehet me dhimbje në kohë para 20 vjetësh dhe tregon se si Burimin do ta varrosnin atë ditë, më 18 prill, fiks një orë pasi u vra, në 4 e gjysmë të pasdites; si për ta pasur sa më shpejt një vend ku mund ta qajnë, por edhe në mënyrë që “shpirti i tij të gjejë paqe”.
Emri i Burimit sot jeton përmes nipit të saj, djalit të Selimit.
Familja Jashari, Prekaz, Mars 1998.
Rreth dhjetë ditë para se Fatime Muli të nisej me bukë në dorë në drejtim të Drenicës, tashmë do të ndodhte njëra nga masakrat më të njohura në Kosovë – ajo e Prekazit.
Në datat e pesë, gjashtë dhe shtatë marsit, forcat serbe që kishin rrethuar fshatin e Prekazit, sulmonin nga të gjitha anët, e në veçanti në drejtim të familjeve Jashari, të njohura për përfshirjen e tyre në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që nga themelimi.
Më 5 mars të vitit ‘98, tre vëllezërit Jashari – Avdullahu, Bujari dhe Blerimi – së bashku me prindërit po strehoheshin në shtëpinë e xhaxhait të tyre; të gjithë ishin kushërinj të Adem Jasharit, cakut kryesor të forcave serbe gjatë ofensivës.
Shpëtojnë vetëm dy palë pantallona, një bluzë dhe disa foto.
Avdullahu, 16 vjeçar, i mesmi nga fëmijët, ishte shumë i pjekur për moshën e vet. Ai shpesh i bënte shoqëri babait kur bënte roje tek shtëpia e xhaxhait. Ishte nxënës i shkëlqyeshëm me nota dhe i pasionuar për kompjuterë dhe teknologji. Njësoj si i vëllai, Bujari 11-vjeçar, ishte po ashtu nxënës i shkëlqyeshëm. Kishte shumë qejf të luante me top dhe sa herë që mungonte në shtëpi, të gjithë e dinin ku ishte: te një fushë e vogël futbolli, jo shumë larg shtëpisë.
Ndërkohë që këta të tre strehoheshin te shtëpia e të afërmve, burrat ishin pozicionuar nëpër shtëpi për të luftuar me forcat serbe që po sulmonin. Ndër ta edhe vëllai 19 vjeçar, Valdeti.
Vetëm njëri prej katër vëllezërve do të arrinte të shpëtonte. Valdeti, i cili në atë kohë po ballafaqohej me forcat serbe, plagoset nga një granatë, por arrin të fshihet dhe të shpëtojë.
Në shtëpinë e xhaxhait do të vriteshin 11 vetë, ndër të cilët edhe nëna e tyre. Kjo shtëpi digjet e bëhet rrafsh me tokë. Shpëtojnë vetëm dy palë pantallona të Bujarit dhe Blerimit, një bluzë me të cilën do të varrosej Avdullahu, dhe disa foto, për t’i kujtuar ata.
Valdet Jashari para bluzës së të vëllait Avdullahut, të cilën e ka pasur në trup kur është vrarë dhe varrosur. Bluza është marrë gjatë ekzaminimit në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa familja e ka mbajtur si kujtim deri para pak muajsh. Prej majit të këtij viti, bluza qëndron e ekspozuar në ekspozitën “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë”, e organizuar nga Fondi për të Drejtën Huminatare në Kosovë, dedikuar fëmijëve të vrarë në Kosovë. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Valdeti tregon se si dy vëllezërit e mëdhenj me nënën dhe të tjerë ishin vrarë nga shpërthimi i granatave, dhe vetëm babai kishte shpëtuar. Kurse vëllai i vogël, Blerimi, vetëm 5-vjeçar dhe ‘sugari’ – si më i vogli i shtëpisë, ndonëse u kishte shpëtuar granatave, s’do të mund t’i mbijetonte diçkaje tjetër.
“Vllaun e vogël … kur e kemi bo ekzaminimin e kufomave, kur janë hekë kufomat prej varreze edhe janë vendosë aty te tavolina eshtnat … kur e ka marrë [doktori] kockën e kresë, ka thanë: ‘Kqyre Valdet, ky o vra prej afër, o vra me revole të dorës,” thotë ai. “Kqyre ku e ka hymjen këtu në asht.’ Domethanë, vllau i vogël, sipas mjekësisë ligjore, o vra me armë të dorës, prej afër”.
Familja Bala, Pejë, Qershor 1999.
Ndodhitë fatkeqe ndoqën edhe familjen Bala në Pejë. Gjatë 78 ditëve të bombardimeve të NATO-s në pranverën e vitit ‘99, krimet e luftës së forcave serbe u shumëfishuan në formë të masakrave, dhunimeve dhe dëbimeve në masë. Madje, disa nga krimet më të mëdha u kryen në fazën e fundit të bombardimeve, deri në momentet e fundit para se të gjitha forcat serbe të iknin në drejtim të veriut.
Më 12 qershor, katër ditë para se të hynin forcat tokësore të NATO-s në Pejë, familjet e Isë dhe Musë Bala ishin mbledhur në shtëpinë e Isës në Pejë, në pamundësi për të kaluar kufirin me Shqipërinë disa ditë më parë.
Gjithçka ndodhi brenda gjysmë ore.
Në shtëpi nuk kishte energji elektrike. Tre djemtë e Isës – Hajriu, 12 vjeç, Vetoni, 8 vjeç, dhe Agoni, 6 vjeç e gjysmë, ishin në kat të dytë duke fjetur ose duke u bërë gati për gjumë, meqë ishte bërë vonë. Kurse Dardania, 11-vjeçare, rrinte zgjuar me të rriturit.
Në shtëpi ishin edhe tre fëmijët e Musës – Rina, 6-vjeç e gjysmë, Nita, 5, dhe Roni, 4-vjeç, si dhe gruaja e tij, Vjollca, gruaja e Isës, Halisja dhe nëna plakë e palëvizshme, Mahija.
Në orën 9 e gjysmë të mbrëmjes dëgjohen krisma në derë nga njerëz me uniforma kamuflazhë që tentonin të hapnin derën. Gjithçka do të ndodhte brenda gjysmë ore.
Isa detyrohet ta hapë derën dhe brenda ia beh një grup paramilitarësh serbë, të armatosur me automatë, thika dhe granata. I mbledhin të gjithë në katin e dytë për të parë nëse Musa e Isa janë në shtëpi.
Kur shohin se janë, u kërkojnë para. Isa ua sjell të hollat dhe arin e grave të shtëpisë. Paramilitarët ua marrin dhe të dy vëllezërit Bala i çojnë në një shtëpi pranë, ku ndodhet një burrë i armatosur.
Prej aty kthehet vetëm Isa.
Halise Bala mban fotografitë e Dardanes, Hajriut dhe Agonit. Foto: Ferdi Limani / K2.0.
Në dhomën ku janë të tjerët e të dyja familjeve, ata gjuajnë me një breshëri plumbash automatikësh dhe në të dalë, edhe dy granata në shkallët e shtëpisë me qëllimin për ta djegur. Atë natë, gjatë masakrës ndaj familjes Bala u vranë pesë fëmijë dhe dy të rritur, Vjollca e Musë Bala.
“Qyre, unë i kam pas vetë 8 plumba, po pesë pare s’i jepi, fmitë mos t’i kishin ngucë…po fmitë na i mbytën…na i vranë”, thotë Halisja, gruaja e Isës, e mbijetuar e masakrës.
Ajo tregon se si Hajriu 12-vjeçar donte të bëhej polic, me gjithë mospëlqimin e saj. Nga ana e vet, Vetoni kishte qejf të bëhej basketbollist, e Dardania me Agonin donin të bëheshin mjekë. Vetëm njëri prej tyre do të mbërrinte ta ndiqte pasionin.
Emri i Dardanes, njëlloj si emri i Burimit në Vushtrri, do të jetojë përmes vajzës së Vetonit – djalit të vetëm nga katër fëmijët e Isës, që pati fatin të shpëtonte atë natë.
Kur paramilitarët serbë po gjuanin me automatikë, Vetoni ishte fshehur pas nënës dhe gjatë kohës kur ata po i ndërronin karikatorët, e kishte shfrytëzuar rastin për t’u zvarritur barkazi deri në ballkon.
Veton Bala sot, me vajzën e tij Dardanen, e cila mban emrin e hallës, të vrarë gjatë masakrës së familjes Bala në Pejë në qershor 1999. Foto: Ferdi Limani / K2.0.
Ishte hedhur prej katit të dytë dhe për të shkuar te ca fqinj me banim pranë, ku i ati, Isa, e kishte gjetur më vonë.
Ai tregon se me Ronin, të birin e Musës dhe të Vjollcës, janë të vetmit prej fëmijëve që i kanë shpëtuar asaj masakre. Mahija, gjyshja e shtëpisë, e kishte fshehur Ronin te këmbët e pajeta dhe e kishte mbrojtur.
“Gjyshja u konë gjallë, e paralizueme, e palëvizshme. E kish pas marrë Ronin, 4 vjeç, e kish shti te kambët, e ka mbrojtë. Ajo ka pasë qenë e palëvizshme krejt”, thotë ai. “Ja kanë bo gjyshes ‘ti ke me nejtë gjallë, me i pa këta të vdekun’, … edhe kanë gjujtë plumba të kallashit te gjyshja. Janë hala plumat në dhomë”.K
Këto tri ngjarje ilustrojnë tri periudha të luftës në Kosovë – atë të fillimit, mesit dhe fundit të luftës, bombardimeve të NATO-s dhe tërheqjes së forcave serbe nga Kosova. Edhe pas 20 vjetësh, askush nuk është dënuar për masakrat në Vushtrri, Prekaz e Pejë. Gjithsej 1,024 fëmijë janë vrarë në luftën e Kosovës, ndërsa 109 rezultojnë ende të zhdukur, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë.
Foto kryesore: Ferdi Limani / K2.0.