Çdo vit më 30 gusht, Dita Ndërkombëtare e Personave të Humbur zakonisht shënohet nëpër botë me ngjarje të ndryshme që kanë për qëllim ngritjen e nivelit të ndërgjegjësimit për çështjen e personave të humbur. Kjo ditë ka rëndësi të veçantë për rajonin e Ballkanit, ku shumë njerëz ende nuk e kanë mbyllur kapitullin e personave të humbur, veçanërisht për rastet e zhdukjes së qëllimshme të personave. Këto raste janë burim i përditshëm i dhimbjes për të afërmit e këtyre personave, të cilët ende po presin të mësojnë për fatin ose vendndodhjen e të dashurve të tyre – ende po kërkojnë të vërtetën, drejtësinë dhe dëmshpërblimet.
E drejta për të ditur është tepër e rëndësishme për stabilitet shoqëror pas luftës. Megjithatë, familjet e personave të humbur në Ballkan ende nuk kanë informata, dhe organizatat ndërkombëtare dhe vendore u kanë bërë thirrje autoriteteve kombëtare të hetojnë fatin e personave të humbur dhe të bashkëpunojnë duke shkëmbyer informata. Qeveritë e këti rajoni janë të obliguara të garantojnë se viktimat dhe familjet e tyre kanë qasje në drejtësi dhe dëmshpërblime.
Prej vitit 1991, 34,700 njerëz në ish-Jugosllavi u raportuan të humbur te Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK), për shkak të rrëmbimeve apo zhdukjeve të qëllimshme që ndodhën gjatë luftrave në Ballkan. Prej vitit 2015, KNKK-ja ka treguar se mbi 11,000 persona ende konsiderohen të humbur në këtë rajon, dhe se ka mbetje të paidentifikuara të cilat u përkasin qindra trupave nëpër morgje anembanë Ballkanit.
Në vitin 2012, Amnesty International UK (AIUK) raportoi se vetëm në Kosovë u raportuan rreth 3,600 njerëz të humbur gjatë luftës së viteve 1998-99. Rreth 3,000 prej tyre ishin me etni shqiptare, viktima të zhdukjeve të qëllimshme të kryera nga ushtria, policia dhe forcat paraushtarake serbe, ndërsa rreth 600 ishin serbë, romë dhe pjesëtarë të komuniteteve pakicë, të cilët besohet se u rrëmbyen prej shqiptarëve të Kosovës dhe/ose Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Aktualisht në Kosovë kërkohen më shumë se 1,650 persona të humbur. Familjet në Kosovë dhe Serbi po presin që trupat e të afërmve të tyre të zhvarrosen, të identifikohen dhe t’u kthehen atyre për varrim. Edhe në raste kur janë gjetur trupat dhe u janë kthyer familjeve, shumë pak autorë të rrëmbimeve dhe zhdukjeve të qëllimshme janë gjykuar nga sistemi i drejtësisë.
Pengesat kryesore në përpjekjet për t’i sjellur para drejtësisë autorët e këtyre krimeve dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë janë mungesa e vazhdueshme e vullnetit politik si dhe mungesa e dëshmive. Edhe kur dëshmitë janë në dispozicion, ato shpeshherë nuk shkëmbehen përtej kufijve.
Kërkimi ambicioz i Thaçit për të vërtetën
Së fundmi, Presidenti i Kosovës e nisi krijimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin (KVP), i cili planifikohet të ketë qasje gjithpërfshirëse në ballafaqimin me të kaluarën në Kosovë. Ndonëse me dozë të lartë të skepticizmit, kjo nismë u mirëprit nga shoqëria civile kosovare,nga familjet e personave të humbur, shqiptarë e serbë, si dhe nga komuniteti fetar. Parimisht ky komision duhet të synojë lidhjen e procesit të gjetjes së së vërtetës dhe pajtimit me një përkushtim për kërkimin e personave të humbur – e kjo duhet të bëhet në mënyrë gjithëpërfshirëse.
Në tri takime të cilat i mbajti Presidenti, ai e bëri shumë të qartë se synimi i KVP-së është t’i bëjë bashkë dy narracione të cilat janë në kundërshtim me njëri-tjetrin, dhe të zbulojë të vërtetën për të kaluarën e fundit në Kosovë. Ambicia e tij ishte nisja e dialogut ndërmjet komuniteteve të ndryshme etnike në Kosovë, kryesisht ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.
Siç thuhet në Nenin 1 të projektrregullores së Komisionit, Presidenti i Republikës së Kosovës synon të themelojë KVP-në në cilësinë e një mekanizmi mbështetës, dhe të nisë dialog të brendshëm ndërmjet komuniteteve në Kosovë, në mënyrë që të promovojë të vërtetën dhe pajtimin, dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Por sa mund të jetë ambicioz dhe i arritshëm ky synim? E përsëris, shpresohet që përmes tij të hapet dialogu ndërmjet komuniteteve në Kosovë, në mënyrë që të promovohet e vërteta dhe pajtimi, dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut. Këto janë katër synime shumë fisnike, por të vështira. Në letër, duket e përkryer. Megjithatë, unë shqetësohem kur mendoj se a thua a janë të gatshëm, jo vetëm Presidenti, por e gjithë popullsia e Kosovës, ta dëgjojnë të vërtetën e plotë?!
Çfarë të vërtete po kërkojmë?
Çfarë të vërtete kemi dëgjuar në 18 vitet e fundit? A ishte kjo e vërteta filozofike? A ishte e vërteta historike e bazuar në fakte dhe e vërtetuar prej institucioneve të besueshme? Hetuesit e kanë thënë të vërtetën e tyre, e cila për mua është shumë me vend, por ajo kundërshtohet prej komuniteteve të ndryshme.
Nëse KNKK-ja e konfirmon shifrën e AIUK-së për personat e humbur të cilët nuk janë shqiptarë (600), komuniteti serb do të ngurrojë ta pranojë këtë, meqë ata i kanë shifrat e veta të cilat janë shumë më të larta. Pra, çfarë të vërtete kemi dëgjuar në 18 vitet e fundit?
Ishte kjo një e vërtetë krejtësisht politike. E vërtetë e dhënë dhe e shpërndarë nga elitat politike të cilat e portretizuan veten si viktima në rajon. Prandaj, na duhet një e vërtetë tjetër, një e vërtetë e bazuar në fakte, e jo në narracione e shifra të pavërteta.
Për gati dy dekada, edhe pse me ndërmjetësimin e KNKK-së, autoritetet e Kosovës dhe të Serbisë nuk kanë qenë krejtësisht bashkëpunuese sa i përket shkëmbimit të informatave për personat e zhdukur dhe të humbur gjatë viteve të pasluftës.
Në njërën anë, autoritetet e Kosovës ngulin këmbë se qeveria serbe nuk ishte dhe ende s’është bashkëpunuese sa i përket dorëzimit të informatave të cilat i mbajnë të mbyllura në arkiva. Në anën tjetër, qeveria kosovare e mban qëndrimin zyrtar se nuk posedon informata për personat e zhdukur dhe të humbur (të cilët nuk janë shqiptarë) gjatë luftës në Kosovë.
Shteti është i obliguar t’ua tregojë të vërtetën familjeve të viktimave për rrethanat e krimeve. Rezultati i të gjitha procedurave duhet të zbulohet për publikun që shoqëria ta dijë të vërtetën. Shoqëria ka të drejtë ta dijë të vërtetën për krimet, që t’i parandalojë ato në të ardhmen.
Sipas shifrave të fundit të dhëna nga Fondi për të Drejtën Humanitare (HLC), 13,535 persona u vranë ose u zhdukën gjatë luftës në Kosovë, ndërsa mbi 1,650 persona ende janë të regjistruar si të humbur. HLC-ja më parë kishte publikuar të dhëna të cilat treguan se numri i përgjithshëm i viktimave ishte 10,533 shqiptarë, 2,238 serbë, 126 romë, 100 boshnjakë, 40 malazezë, 25 ashkalinj, 18 egjiptianë, 13 turq dhe 10 hungarezë.
Nëse presidenti i shtetit është serioz dhe e kupton rëndësinë që e ka Presidenca dhe Qeveria e Kosovës në procesin e gjetjes së të vërtetës, në gjuhën e drejtësisë tranzicionale kjo mund të përkthehet si “bashëkpunim i papërkulur për të dhënë informata për fatin e qytetarëve kosovarë (të cilët nuk janë shqiptarë) të cilët llogariten të vrarë, të zhdukur ose të humbur’. Një premtim i tillë duhet të jepet nga autoritetet para se t’i nisë aktivitetet Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin.
Në këtë rast, nëse Presidenti i Kosovës dëshiron ta ndërtojë një urë dhe të zhvillojë dialog ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në veçanti, ai duhet të dijë se lëvizjen e parë duhet ta bëjë vetë ai. Meqë ky komision do të jetë kombëtar, në këtë moment më duket pak problematik fakti që shkëmbimi i të dhënave me qeverinë serbe do të kryhet nëpërmjet këti komisioni, kur kam parasysh faktin se dialogu ndërmjet dy shteteve aktualisht është ndalur. Bashkëpunimi me Serbinë do të jetë jetik, meqë më shumë se 1,000 persona llogariten të humbur në mesin e shqiptarëve të Kosovës, dhe përgjigjja për vendndodhjen e tyre është në Serbi.
Foto kryesore: Agan Kosumi / K2.0.