Që nga mbarimi i luftës në Kosovë, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” (UP) është shndërruar në truallin më pjellor të partive politike dhe grupeve të interesit në vend. Vit pas viti, këto grupe kanë mbjellë fara në formën e punësimeve përmes nepotizmit e krojnizmit, avancimeve jomeritore dhe formave tjera të korrupsionit, e përderisa toka e UP-së degradohej, ata korrnin të mbjellat e tyre.
Para tre vjetësh organizata Çohu e publikoi raportin “Mësymja e madhe”, në të cilin kishte hulumtuar fenomenin e anëtarëve të partive politike që në të njëjtën kohë kishin angazhime profesoriale në UP. Nga hulumtimi i shtrirë në katër fakultete — në Filozofik, Ekonomik, Juridik dhe të Mjekësisë — rezultoi se 50 profesorë kishin qenë apo vazhdonin të ishin të lidhur me parti politike. Edhe pse sot nuk ka një hulumtim të përsëritur të kësaj natyre, nuk mund të thuhet se gjendja është përmirësuar edhe aq, në mos është përkeqësuar ende.
Përzierjet e interesave politike në Universitet janë luftuar shpeshherë dhe në rrethana shumë të ndryshme nga studentët, herë të udhëhequr nga profesorë e drejtues të universitetit, e herë të tjera duke i kundërshtuar ata.
Që nga viti 1968, kur protestohej me kërkesën për vetëvendosje dhe themelim të Universitetit, pastaj më 1981 dhe 1997 kur studentët u ngritën me kërkesën për republikë, respektivisht për lirimin e hapësirave të uzurpuara universitare, dhe shumë më vonë më 2014 kur studentët, qytetarët dhe shoqëria civile kërkonin dorëheqjen e rektorit të atëhershëm për shkak të akuzave për mashtrim akademik që ishin ngritur ndaj tij.
Të gjitha këto përpjekje ishin në shërbim të ruajtjes se autonomisë dhe cilësisë në Universitetin më të madh publik në vend. Një përpjekje e ngjashme po bëhet edhe në vitin 2020.
Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Hykmete Bajrami, së fundmi ka vendosur ta lëvrojë “tokën pjellore” të UP-së, me gjasë duke shpresuar se më vonë do t’i korrë “kulturat bujqësore”. Ajo i ka shkarkuar tre anëtarë të Këshillit Drejtues të UP-së: Ujkan Bajra, Drita Shoshi dhe Fadil Osmani, me arsyetimin se nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre. Më pas, i ka emëruar tre anëtarë të rinj: Muharrem Bajrami, Fisnik Reqica dhe Mentor Geci — këta dy të fundit janë të angazhuar si ligjërues edhe në kolegje private.
Këshilli Drejtues është njëri nga organet kryesore qeverisëse të UP-së, bashkë me Rektorin dhe Senatin. Si i tillë, ka përgjegjësi për funksionimin efektiv të Universitetit, ndërsa anëtarët e Këshillit, sipas statutit të UP-së, kanë rol vendimtar në përzgjedhjen e Rektorit, Prorektorit, Dekanit, Prodekanit, anëtarëve të Senatit, etj.
Për ta kundërshtuar këtë vendim të Ministres në detyrë, organizatat studentore SKOPI Studentor dhe Studim Kritikë Veprim, të mbështetura nga organizata të shoqërisë civile si Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) dhe ADMOVERE, organizuan aksion protestues para Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. “Ministre, ke dy zgjidhje: Cilën do ta zgjedhësh?”, “Tërheqje ose Dorëheqje”, “UP: Universitet publik, e jo privat”, ishin disa nga parullat e aksionit ku morën pjesë rreth 40 aktivistë, secili duke i respektuar rekomandimet për distancë fizike për shkak të COVID-19.
Dija nuk mund të privatizohet
Ky vendim i ministres në detyrë duket mjaft tendencioz në dy drejtime që e plotësojnë njëri tjetrin. Drejtimi i parë ka të bëjë me kohën kur këta anëtarë janë emëruar, kohë kjo kur pritet të ndodhin proceset zgjedhore në UP — njëri ndër ta është edhe zgjedhja e Rektorit. Ndërkaq drejtimi i dytë ka të bëjë me angazhimin akademik të anëtarëve të sapoemëruar, ngase dy prej tyre — Fisnik Reçica dhe Mentor Geci — figurojnë si punonjës në dy kolegje private, i pari në RIINVEST ndërsa i dyti në UBT.
Në Statutin e UP-së thuhet se anëtarët e Këshillit Drejtues “veprojnë të pavarur dhe nuk përfaqësojnë asnjë interes tjetër individual apo grupor”. Është vështirë e besueshme që ata mund t’i përfaqësojnë interesat e UP-së përderisa janë të angazhuar si ligjërues në kolegje private, të cilat UP-në e kanë rival kryesor.
Megjithëse në një formë apo tjetër, kolegjet private kanë dështuar ta “privatizojnë” dijen — anipse kanë akumuluar profit në kurriz të uljes së cilësisë akademike në këto institucione — ato vazhdojnë të jenë në garë të ashpër të konkurrencës së tregut të lirë me Universitetin publik.
Në këso rrethana, kush më mirë se Ministrja e Arsimit mund t’u ndihmojë konkurrentëve ta fitojnë këtë garë? Në këtë drejtim, vendimi për emërimin e punonjësve të konkurrentëve të UP-së në Këshillin Drejtues të tij lehtësisht mund të krahasohet me “Kalin e Trojës”, kur kemi parasysh se ky këshill është organi kryesor vendimmarrës në UP dhe privilegjet e kompetencat që i fitojnë anëtarët e tij janë kyçe për zhvillimin e këtij institucioni publik.
Qasja në secilin informacion konfidencial të Universitetit të Prishtinës, duke përfshirë planifikimet për të konkurruar me institucionet tjera të arsimit të lartë (publike e private), kompetenca e plotë mbi financat e universitetit, zgjedhja dhe shkarkimi i rektorit si dhe caktimi i tarifave për studim, janë disa nga përgjegjësitë e këtij këshilli. Hyrja e përfaqësuesve të interesave private në këtë këshill e minon së brendshmi Universitetin Publik të Prishtinës dhe interesin e përgjithshëm.
Por, Universiteti në secilën formë të paraqitjes së tij për aq sa lidhet me publiken dhe mishëron dije universale nuk mund të jetë asnjëherë partikular, rrjedhimisht nuk mund të përfaqësojë interesa dhe dije të pjesshme, përfshirë ato partiake.
Andaj ne edhe mund të besojmë se ministrja Bajrami me vendimin e saj mund të ketë gjetur formulën e përzierjes së ujit me vajin dhe se mund t’i ketë ushtruar ligjshmërisht kompetencat e veta, porse konceptualisht ka rënë nga provimi i logjikës së kryerjes së funksioneve si zyrtare publike dhe rrezikshëm ka rënë në kurthin e politizimit partiak të organit më të lartë vendimmarrës të Universitetit të Prishtinës.
Si përfundim, prova më e mirë që Universiteti ka prodhuar dhe synuar gjithnjë dije universale është fakti se ai është i vetmi entitet që vazhdimisht dhe pafundësisht i kthehet vetes, sepse përveç shpërndarjes së Dijes, ka prodhuar edhe njohuri mbi rezistencën dhe mbrojtjen e vatrave të Dijes. Së bashku me aktivistë të shoqërisë civile dhe organizata studentore jemi vënë në jetësim të kësaj dijeje duke organizuar aksione dhe protesta për të kundërshtuar çdo vendim që cenon autonominë dhe cilësinë e Universitetit.
Derisa ministrja të tërhiqet nga vendimi i saj dhe partitë e grupet e interesit ta kuptojnë paradoksin e “Dijes partikulare”, presioni nga studentët e Universitetit — përmes të gjitha mjeteve demokratike — do të vazhdojë.
Imazhi i ballinës: Gerolld Nikolliqi.