Në thelb | Arsimi

Universiteti publik jo bash falas

Nga - 17.12.2021

Disa studentë të universitetit publik kanë shpenzime më të mëdha.

Qeveria e Kosovës në shtator të vitit 2021 vendosi t’i ndërpresë pagesat për shkollim për studentët e programeve në nivelin bachelor dhe master. Vendimi i bërë publik nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe kryeministri Albin Kurti, u prezantua si masë e cila do të kontribuojë në barazinë sociale dhe do t’i inkurajojë studentët ta vazhdojnë arsimin.

Krahas lirimit të studentëve në të gjitha universitetet publike në Kosovë nga pagesat e semestrave në nivelin bachelor dhe master, udhëzimi administrativ i liron studentët edhe nga pagesa për pranim dhe nga provimet diferenciale për regjistrim në master. Gjithsesi, studentëve do t’u duhet të paguajnë për regjistrimin e semestrit apo paraqitjen e provimit nëse nuk i kalojnë provimet në herën e parë dhe duhet t’i regjistrojnë edhe një herë.

Me këtë vendim Kosova i bashkohet edhe vendeve të tjera evropiane, siç është Gjermania, ku studentët nuk duhet të paguajnë tarifë për shkollim. Ndërkohë që masa në përgjithësi është pritur pozitivisht nga studentët, disa janë skeptikë nëse do të ketë efekte domethënëse në sistemin arsimor apo edhe në buxhetin e studentëve.

Një prej zërave kritikë vjen nga ORCA, e cila monitoron transparencën dhe cilësinë në arsimin e lartë në Kosovë. Drejtori i saj, Gramos Buçinca, thotë se masa nuk do të ndikojë shumë. “Kjo nuk do të ndikojë në cilësinë e arsimit”, tha ai, “dhe nuk do të ndikojë në kushtet ekonomike të studentëve, të cilët tashmë mund të përfitonin grante dhe të merrnin mbështetje nëse i përkisnin kategorive të caktuara”.

Universitetet në Kosovë kanë tarifat më të ulëta për shkollim në rajon. Deri më tani, studentët kanë paguar një shumë prej 25 eurosh për çdo semestër, kurse studentët e masterit një shumë prej 150 eurosh për semestër. Provimet e pranimit, tashmë falas për ata që e paraqesin provimin për herë të parë, kushtonin 2.5 euro, ndërsa provimet pranuese në master kushtonin 5 euro.

Gjithashtu, Ministria e Arsimit ndan çdo vit një shumë të dedikuar bursave bazuar në nevojat e studentëve të universitetit. Bursat prioritizojnë kategoritë si studentë nga familje që mbështeten nga skemat sociale apo ato me më shumë se një student në universitet, studentët me aftësi të kufizuara dhe fëmijët e veteranëve të UÇK-së, invalidëve apo personave të zhdukur.

Për këto arsye, tha Buçinca, “kjo masë është më shumë një qëndrim publik sesa masë ndikuese, veçanërisht në raport me Shqipërinë, ku pagesat e shkollimit të studentëve janë shumë të larta. Por Kosova është një nga vendet me qasjen më të lartë në arsim”.

 

Gramos Buçinca, drejtori i ORCA-s, mbështet rritjen e buxhetit të universiteteve për t’i përmirësuar kapacitetet hulumtuese dhe mësimore. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Në vend të heqjes së tarifave për shkollimit, Buçinca mbështet rritjen e buxhetit të universiteteve për ta rritur kapacitetin e tyre në prodhimin e hulumtimeve shkencore dhe përmirësimin e kapaciteteve të mësimdhënies. Tani, universitetet do të mbeten pa njërën nga mënyrat e pakta me të cilën i duhej të gjeneronte vetë të ardhura, përveç buxhetit publik.

Sipas të dhënave të mbledhura nga Instituti GAP, Universiteti i Prishtinës në vitin 2020 ka gjeneruar një shumë të konsiderueshme të të hyrave, afro 4 milionë euro, që i janë shtuar 30 milionë eurove që ofrohen nga Ministria e Arsimit për buxhetin vjetor. Me masën për heqjen e pagesës për shkollim për studentë, universitetet mbeten pa një nga mënyrat e pakta me të cilat u duhej të gjeneronte vetë të adhurat, përveç buxhetit publik.

Heqja e tarifave për shkollim do ta linte universitetin më të madh të Kosovës me deficit prej rreth 1.9 milionë eurosh, bazuar në numrin e studentëve në nivelin master dhe bachelor nga viti akademik 2020-2021. Sipas të dhënave të mbledhura nga GAP, bazuar në numrin e studentëve nga viti i kaluar akademik, shtatë universiteteve publike në Kosovë së bashku do t’u mungonte një shumë e përafërt prej 2 milionë eurosh pasi t’i lironin studentët nga pagesa për shkollim.

Kur prezantoi publikisht planin për heqjen e pagesave për shkollim, kryeministri Kurti tha se universitetet do të kompensohen për humbjen e të ardhurave përmes rritjes së buxhetit që ofrohet nga shteti. Buxheti publik për Universitetin e Prishtinës është rritur për 1 milion euro, kurse rritje të buxhetit kanë shënuar edhe universitetet tjera publike në Kosovë.

K2.0 ka tentuar t’i kontaktojë Ministrinë e Arsimit dhe Universitetin e Prishtinës për ndonjë koment por nuk janë përgjigjur.

Ka shpenzime më të mëdha se sa pagesa e semestrave

Derisa buxheti i universiteteve publike do të preket paksa nga këto ndryshime, studentët duket se e kanë mirëpritur vendimin për largimin e tarifave, ndonëse kursimet janë relativisht simbolike në krahasim me shpenzimet e përgjithshme të jetës akademike.

Sipas një raporti të publikuar nga ORCA rreth shpenzimeve të studentëve, ata shpenzojnë mesatarisht 150 euro në muaj gjatë studimeve, kurse kjo shumë mund të shkojë deri në rreth 220 euro për studentët që marrin banesë me qira në Prishtinë.

Në këtë situate gjendet 24-vjeçari Shkamb Jaha nga Gjakova, student në Fakultetin e Arteve, i cili u shpërngul në Prishtinë në vitin 2016 për t’i ndjekur studimet për pikturë. Tani po e përfundon masterin për pikturë, diplomë kjo të cilës i ka kushtuar orë të panumërta pas orarit, duke e kaluar shpesh kohën në atelienë e fakultetit deri në orën kur ajo mbyllet natën.

Studentit të pikturës Shkamb Jaha i është dashur ta paguajë faturën për materialet e tij të artit. Foto: Cristina Marí / K2.0.

Jaha tha se ka marrë mbështetje ekonomike nga familja e tij dhe gjithashtu ka përfituar edhe bursën e ministrisë, duke ia mundësuar vetes që të mos ketë nevojë për punë dhe të fokusohet në studime.

Megjithatë, ai i takon një kategorie studentësh ku shpenzimet janë më të larta.

Mesatarisht, studentët e Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës ballafaqohen me shpenzimet më të larta në materiale, mesatarisht 133 euro për semestër. Gjithashtu shpenzojnë 45 euro shtesë për literaturë çdo semestër.

“Çfarë bëja gjithmonë në fillim të vitit, kur përfitoja bursën, ishte shpenzimi i një shume të madhe në ngjyra dhe materiale për pikturë”, tha Jaha. Fakulteti nuk mbulon asnjë nga këto shpenzime dhe studentëve u duhet të jenë në gjendje t’i mbulojnë vetë në mënyrë që të prodhojnë punë akademike.

Largimi i tarifave akademike mund të vërehet më tepër tek komunitetet në disavantazh, veçanërisht për të interesuarit që dëshirojnë të studiojnë në nivelin master, ku pagesat janë më të larta.

Avni Mustafa sheh ndërlidhje mes largimit të pagesave të studentëve dhe rritjes së interesimit për arsimin e lartë nga studentët romë, egjiptianë dhe ashkali. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Avni Mustafa, drejtor i organizatës Roma Versitas, organizatë kjo që mbështet komunitetet rom, egjiptian dhe ashkali, thotë se ka pranuar thirrje të shumta që shprehnin interesim t’u regjistruar në programet e nivelit master. Ai mendon se kjo rritje interesimi është rezultat i drejtpërdrejtë i heqjes së tarifave për shkollim.

“Vitin e kaluar mund t’i numëronim studentët në nivelin master: vetëm dy studentë”, tha Mustafa. “Këtë vit jam në dijeni të rreth 20 apo 25 personave që në fakt kanë treguar interes të madh për t’u regjistruar dhe kjo është posaçërisht e rëndësishme, që të keni mundësinë të regjistroheni për arsimimin tuaj veçanërisht në qytetin ku jeni rritur”.

Njëri nga ata studentë është Nuhi Morina, nga Prizreni, i cili tanimë po vazhdon masterin për Shkencat Kompjuterike në qytetin e tij të lindjes në Universitetin e Prizrenit.

Morina, i cili është 27 vjeç, përfundoi bachelorin në vitin 2016 dhe që atëherë mbijeton nga kontrata afatshkurtra që ofrojnë pak stabilitet. Tani po ëndërron të bëhet mësues.

“Dëshiroja të regjistrohesha në master, madje mendova të studioja në Prishtinë por ishte më shtrenjtë”, tha Morina, i cili jeton me familjen e tij në Prizren. “Doja të regjistrohesha në master që një kohë, por edhe kur pashë që nuk kushtonte gjë… ishte një nga arsyet që më shtyu ta vazhdoja”.

Morina është i vetëdijshëm se jo shumë studentë romë vazhdojnë studimet master në Kosovë. “Më parë mund t’i numëroje me gishtat e njërës dorë”, tha ai. Ai tha se kjo erdhi si pasojë e problemeve si mungesa e njohurive rreth regjistrimit dhe situatës së vështirë ekonomike, arsye që e shtyri t’i ndëprejë për një kohë studimet e tij.

Megjithatë, ai është ende skeptik në vlerën e diplomës. “Sa e vlefshme është diploma dhe sa i vlefshëm është secili student”, pyeti ai, “duke konsideruar mungesën e mundësive të punës që do të kemi pastaj, dhe po ashtu paragjykimet dhe diskriminimin me të cilin ballafaqohemi kur kërkojmë punë?”

Parlamenti Studentor frenon tarifat

Përfaqësuesit e studentëve në Prishtinë paraqitën një ankesë në Ministrinë e Arsimit lidhur me vendosjen e tarifave të reja që studentëve do t’u duhet t’i paguajnë në rast se do t’u duhet t’i përsërisin provimet e tyre më shumë se një herë. Udhëzimi fillestar administrativ i miratuar nga Ministria e Arsimit nuk i përjashtonte studentët nga disa tarifa të reja që ndikonin në mundësinë e studentëve për t'iu nënshtruar këtyre provimeve.

Sipas udhëzimit fillestar administrativ, nëse një student nuk hyn në provim herën e parë apo nuk e kalon atë, studentët e nivelit bachelor do t’u duhet të paguajnë 1 euro për të hyrë në provimin e radhës, kurse studentëve të masterit do t’u duhet të paguajnë 2.5 euro dhe atyre të doktoratës 5 euro.

Parlamenti Studentor në Universitetin e Prishtinës ka kërkuar zyrtarisht nga Ministria e Arsimit largimin e tarifave të tilla para janarit të vitit 2022, kur edhe zyrtarisht fillon periudha e provimeve.
“Ka fakultete si ai i Mjekësisë apo Fakulteti Teknik, ku studentët, veçanërisht të nivelit bachelor, përballen me shumë provime dhe në fund kostoja e shkollimit të tyre kushton më shumë”, tha Erëblin Hoxha, kreu i Parlamentit Studentor në Universitetin e Prishtinës, i cili po ashtu theksoi se studentët tashmë përballen me vështirësi ekonomike.
“Ministria ka thënë që arsimi të jetë falas, por nëse aplikojnë pagesa të tilla, arsimi është falas vetëm në dukje”, tha Hoxha.

Më 6 dhjetor, Parlamenti Studentor i UP-së u takua me ministren e Arsimit Arbërie Nagavci e cila premtoi largimin e pagesave të provimeve në tri tentativat e para të një studenti për provim. Atyre do t’ju duhet të paguajnë vetëm pas herës së tretë. Ky modifikimi është ende në pritje për t'u zbatuar.

Imazhi i ballinës: Kushtrim Ternava / K2.0.

 

 

 

 

Ky publikim është botuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, si pjesë e projektit “Qytetarë Angazhohuni”, që realizohet nga Kosovo 2.0 në partneritet me Institutin GAP. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe Institutit GAP dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Bashkimit Evropian