Në luftën kundër ushtrisë së vdekur, Jon Snow, hero i Westeros-it, merr nga ushtria e të vdekurve një White Walker (ecës i bardhë) për ta sjellë në King’s Landing.
“Është vetëm një luftë që ka rëndësi – Lufta e madhe”, thotë Snow në përpjekje për të bindur mbretëreshën Cersei Lannister t’i bashkohet në luftë.
Jon Snow gati vdiq në betejën me Mbretin e Natës dhe Ushtrinë të Vdekurve duke u munduar të mblidhte prova për mbretëreshën Cersei, e cila ishte skeptike nëse ushtria e të vdekurve ishte e vërtetë. Në serialin Game of Thrones, Ushtria e të Vdekurve paraqet kërcënimin që të gjithë e dinë se ekziston, por askush nuk dëshiron ta besojë a ta pranojë, derisa një ditë ajo e çan murin gjigant dhe marshon drejt njerëzimit.
Ky shkrim nuk është për Game of Thrones, por pasi kam kapur vëmendjen tuaj me historinë e Westeros, ju lus të më ndiqni deri në fund që ta kuptoni se cila është lufta e vërtetë në Kosovë, cili është kërcënimi i madh për vendin tonë dhe si mund ta fitojmë këtë luftë së bashku.
Nga centët në miliona: Vëllezërit Gupta në Afrikën e Jugut
Në Afrikën e Jugut, e cila e mbijetoi dhe u çlirua nga aparteidi, është bërë i zakonshëm përdorimi i shprehjes “kapje e shtetit” kur flitet për korrupsion. Në epiqendrën e këtyre akuzave gjendet familja e pasur Gupta, e cila mendohet të ketë pasur gisht në dhjetëra afera korruptive të zbuluara nga media afrikane e ndërkombëtare.
Si rezultat i këtyre raportimeve, në janar të këtij viti, presidenti aktual i Afrikës së Jugut, Matamela Cyril Ramaphosa, themeloi komisionin gjyqësor që njihet si ‘Komisioni Zondo’ për të hetuar akuzat për kapje të shtetit, korrupsion dhe mashtrim në sektorin publik, duke përfshirë organet e shtetit.
Historia e vëllezërve Gupta drejt pasurimit dhe suksesit tregohet si një përrallë moderne në vendlindjen e tyre në Saharanpur të Indisë.
Ky komision, i cili këto ditë po mban dëgjimet publike, do të hetojë nëse familja Gupta ka pasë ndikim në organet e shtetit, ndërmarrjet shtetërore dhe madje edhe te zyra e ish-Presidnti Jacob Zuma në emërimin e posteve publike. Përveç kësaj, komisioni do të hetojë natyrën dhe thellësinë e korrupsionit në dhënien e kontratave dhe të tenderëve nga institucionet publike, si dhe do të vlerësojë nëse ka pasur ndonjë parregullsi, si: pasurim i paligjshëm; korrupsion dhe ndikim në dhënien e kontratave e të liçensave për miniera; hapësirë reklamuese e blerë nga qeveria në media dhe të tjera, që ndërlidhen me bizneset e familjes Gupta.
Familja Gupta, që ndryshe njihen edhe si vëllezërit Gupta, është familje e pasur në Afrikën e Jugut me origjinë nga India që ka në pronësi një numër të madh biznesesh, që shtrihen prej pajisjeve kompjuterike e mediave, e deri te minerat, energjetika, hekurudhat, transporti, ilaçet e shumëçka tjetër.
Historia e vëllezërve Gupta drejt pasurimit dhe suksesit tregohet si një përrallë moderne në vendlindjen e tyre në Saharanpur të Indisë. Legjenda thotë se kur vëllezërit Gupta arritën moshën e pjekurisë, babai i tyre, i cili kishte një biznes të erëzave dhe gurit të butë që i shiste në rrugë në pazarin e Saharanpurit, i nisi tre djemtë e tij në drejtime të ndryshme të botës për ta ndjekur pasurinë.
Ajay, vëllai i madh, shkoi në Delhi të Indisë, vëllai i dytë Rajesh shkoi në Kinë dhe i treti Atul në Afrikën e Jugut. Atul mbërriti në vitin 1993 në Johanesburg, qytetin më të madh tregtar në Afrikën e Jugut, në kohën kur po ndodhnin transformime të mëdha – një vit më vonë, më 1994, Mandela zgjidhet president dhe aparteidi merr fund. Atul fillon biznesin duke shitur këpucë në Johanesburg, por nuk vonon shumë dhe hap një biznes për shitjen e kompjuterëve Windows PC me të cilin edhe fillon lidhjet me liderë të Kongresit Kombëtar të Afrikës (ANC). Dy vëllëzërit e tjerë do t’i bashkohen Atulit në Afrikën e Jugut dhe prej aty fillon historia.
Vëllëzerit Gupta kishin gjetur njerëz të etshëm për pushtet dhe para brenda ANC-së, nga të cilët shumë shpejt do t’u vijë shpërblimi. Në vitin 2000 vëllëzërit Gupta morën kontratën e parë publike për të instaluar laboratorë kompjuterësh në shkolla në provincat më të pasura të vendit. Me këtë tender ata blenë menjëherë një kompani të IT-së, miniera të uraniumit, çelikut dhe biznese të tjera me të cilat do të investonin tek secili anëtar i ANC-së që ishte i etur për para.
Për vëllëzerit Gupta ka shumë tregime të skandaleve, të botuara në mediat e Afrikës së Jugut dhe në ato botërore. Njëri nga skandalet e shumta ishte ai me subvencionet në bujqësi.
Vëllëzerit Gupta po e martonin mbesën e tyre Vega Gupta dhe kishin vendosur që dasma të zgjaste katër ditë rresht. Një avion charter me 200 të ftuar nga India do të ulej në një bazë ushtarake, për aterimin e të cilit vëllëzerit Gupta kishin përdorë lidhjet politike. Për të paguar për dasmën e madhe, ishin kujdesur që të bëheshin pjesë e një kontrate rreth 18 milion euro, mjete që ishin dedikuar për subvencionimin e një ferme fiktive të produkteve të qumështit.
Një tjetër skandal që po hetohet është afera e ESKOM, ku dyshohet se vëllëzërit Gupta së bashku me presidentin Zuma kishin arritur që të përdornin kompaninë energjetike shtetërore ESKOM për të fituar miliona dollarë.
Historiani britanik R.W Johnson, i cili jeton në Afrikën e Jugut, thotë se tragjedia e këtij vendi është që ende pa kaluar një dekadë pas luftës së gjatë dhe të ashpër për liri dhe çlirim, liderë të ANC-së filluan ta shesin vendin e tyre.
Dyshohet se vëllëzërit Gupta kishin shërbyer si sekserë mes presidentit Zuma dhe kompanisë McKinsey&Company për një kontratë konsulence për ESKOM në përpjekje për ta nxjerrë nga kriza energjetike Afrikën e Jugut. Kontrata ishte fituar pa një konkurs publik dhe siç ndodh rëndom me kontrata të korruptuara, një kompani fantom, e quajtuar Trillian Management Consulting, e lidhur me bashkëpunëtorë të vëllëzërve Gupta, ishte bërë partnere me kompaninë amerikane McKinsey&Company.
Prapa kësaj kompanie fantom, McKinsey kishte zbuluar me vonesë, qëndronte bashkëpunëtori i vëllezërve Gupta, Salim Essa, i cili kishte përfituar përmes kompanive të tjera fantom mbi 100 milionë dollarë në kontrata për blerjen e lokomotivave për kompaninë shtetërore të hekurudhës Transnet.
Qeveria afrikano-jugore më vonë e shpalli të paligjshme kontratën mes ESKOM dhe McKinsey&Company, pasi qeveria nuk ia kishte dalë të miratonte komisionin e kërkuar nga McKinsey&Company, edhe pse i kishte premtuar se marrëveshja do të kalonte.
Marrëveshja do të prishej pas tetë muajsh, mirëpo megjithëse kompania nuk kishte rregulluar problemin e energjisë për ESKOM, McKinsey do të merrte afro 100 milionë euro nga ESKOM dhe 40% e kësaj shume do të shkonte për kompaninë shell të asocuar me vëllëzërit Gupta.
Në një shkrim nga Matthew Campbell dhe Franz Wild për Bloomberg të titulluar “Vëllëzërit që blenë Afrikën e Jugut”, tregohet se si vëllezërit Gupta çonin e rrëzonin ministra, i ndërronin ata kur pengonin bizneset e familjes dhe i shpërblenin kur u hapnin rrugë. U siguronin hotele, bileta avioni, pushime, aksesorë, punësime dhe prona, sidomos për presidentin Zuma, djemtë e të cilit i kishin bërë edhe aksionarë në minierat e pasura afrikane. Ata shërbenin edhe si sekserë me kompanitë e tjera që dëshironin të investonin në Afrikë duke u kërkuar ryshfete për qasje tek qeveria dhe presidenti Zuma.
Historia e vëllëzërve Gupta është historia e Afrikës së Jugut nën qeverisjen e partisë ANC. Historiani britanik R.W Johnson, i cili jeton në Afrikën e Jugut, thotë se tragjedia e këtij vendi është që ende pa kaluar një dekadë pas luftës së gjatë dhe të ashpër për liri dhe çlirim, liderë të ANC-së filluan ta shesin vendin e tyre.
Në listën e Forbes, familja Gupta renditet me një pasuri prej afro 3 miliardë dollarësh. Vëllai i madh, Ajay Gupta, është aktualisht i arratisur në Dubai, pasi Afrika e Jugut ka lëshuar një fletarrest për të. Sido që të jetë, komisioni Zondo përfundon se është me rëndësi që Afrika e Jugut, duke caktuar një komision hetues gjyqësor për kapjen e shtetit, e ka pranuar që ajo ekziston dhe ka pranuar të përballet me të.
Vëllezërit Devolli dhe familjet e pasura në Republikën e Kosovës
Historia e vëllezërve Gupta në Afrikën e Jugut ka ngjashmëri të frikshme me familjen e vëllezërve Devolli në Kosovë. Kosova është në një situatë pothuajse identike me atë të Afrikës së Jugut, në kuptimin që kapja e shtetit përmes korrupsionit, krimit të organizuar dhe mashtrimit janë të pranishme në organet e shtetit dhe në përditshmërinë e zyrtarëve të lartë publikë.
Që nga ardhja e PDK-së në pushtet në vitin 2007 dhe sidomos pas shpalljes së pavarësisë, familja Devolli si përfituese e kontratave publike pati një rritje drastike të pasurisë.
Në një shkrim për Gazetën Express, Berat Buzhala shkruan: “Para se ky i fundit [Hashim Thaçi] të bëhej Kryeministër, Blerim Devolli, bashkë më të vëllanë, e shkonin ditën duke i numëruar centët. Kur ky u bë Kryeministër, centët u shndërruan në miliona.”
Në një dokumentar të prodhuar nga Gazeta Express, të titulluar “Devollistan” (te cilin kompania Devolli e ka paditur për shpifje) përshkruhet se si u ngrit dhe u rrit perandoria e bizneseve të familjes Devolli.
Një ndër rastet më të përfolura të vëllezërëve Devolli mbetet ajo e kontratës së Telekomit të Kosovës me Dardafon për të krijuar operatorin virtual Z-Mobile.
Sipas dokumentarit, brenda pak vitesh që nga ardhja e PDK-së në pushtet, vëllezërit Devolli, nga një kompani që riparonte biçikleta në Pejë, papritmas u bënë zotë të një sërë licensash, asetesh, kompanish dhe monopolesh. Devollët kishin në pronësi kompanitë më të mëdha dhe më të fuqishme në vend, duke përfshirë Birrarinë e Pejës, Fabrikën e Miellit M&Sillosi, fabrikën e qumështit Vita, fabrikën e lëngjeve Tango, kafenë Princ, kompaninë Comodita, kompaninë Z-Mobile, Qendrën e Homologimit të Automjeteve, dhe terminalin doganor. Morën licensa të energjisë së ripërtëritshme, ku qeveria u garantonte shitjen e energjisë.
Një ndër rastet më të përfolura të vëllezërve Devolli mbetet ai i kontratës së Telekomit të Kosovës me Dardafon për të krijuar operatorin virtual Z-Mobile, i cili nuk i jepte asgjë më shumë se marketing Postës dhe Telekomit dhe i ndalte shumicën e përfitimeve për Z-mobile. Në vitin 2010, Devollët dhe drejtuesit e Postës dhe Telekomit ishin hetuar nga EULEX-i për mashtrim dhe futje në kontrata të dëmshme, por Gjykata Themelore i kishte shpallur të gjithë të pafajshëm në vitin 2013 në mungesë të dëshmive.
Megjithatë, është e pamohueshme që pas gati 10 vjetësh, Posta dhe Telekomi i Kosovës, një nga kompanitë më fitimprurëse të pasluftës është sot në prag kolapsi. Në mars të këtij viti, Kuvendi i Kosovës themeloi një komision hetimor për të hetuar gjendjen në PTK dhe Vala, por ky komision nuk ka mandat të gjerë për ta hetuar kapjen e shtetit, siç është rasti në Afrikën e Jugut.
Në aferën Pronto dhe Dosjen e Shefave dalin në sipërfaqe lidhjet e partisë së Hashim Thaçit me vëllëzerit Devolli, kur ai ishte kryetar i partisë. Shefi i atëhershëm i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, flet kështu në telefon me njërin nga vëllezërit Devolli.
Grabovci: E qashtu mirë. Kqyr, kqyr se s’mujta me të thirrë, me me…po
Shkëlqim Devolli: U kry.
Grabovci: … se m’u ka zbrazë krejt…
Shkëlqim Devolli: Qe po t’i çoj.
Grabovci: Fyti.
Shkëlqim Devolli: U bo shef. Qe po t’i çoj.
Njëjtë sikurse familja Gupta në Afrikën e Jugut, edhe familja Devolli bën një jetë jashtë syrit të publikut. Dasma e Vega Gupta’s krahasohet me synetinë e Devollëve ku morën pjesë plot nga qeveria e tanishme dhe nga Partia Demokratike e Kosovës. Devollët pretendohet se kontrollojnë edhe doganën, edhe policinë, edhe agjencionet shtetërore, si ai i veterinarisë dhe ushqimit (AVUK), i cili u lejon Devollëve të shesin miell që dyshohet të jetë prodhuar nga krundet për kafshë, një shqetësim i ngritur nga deputetët që në vitin 2015.
Tash me ndryshimin e qeverisë, familjes Devolli po i shtohet edhe një familje tjetër e pasuruar nga bashkëpunimi me shtetin. Familja Dukagjini, e njohur si Dukagjini Group dhe e udhëhequr nga Ekrem Lluka, ka lidhje të ngushta me ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj. Dukagjini Group ka mbi 10 kompani, në mesin e të cilave Hotel Dukagjinin, shtëpinë botuese Dukagjini, Kompaninë e sigurimeve Dukagjini, Kolegjin Dukagjini, Dukagjini Construction, etj.
Pacolli do të bashkohet me Thaçin në koalicion për formimin e qeverisë. Kësisoj familja Thaçi dhe familja Pacolli bashkojnë politikën dhe biznesin.
Një familje tjetër që është përfituese e shumë tenderëve dhe licencave nga qeveria e Kosovës është ajo Pacolli. Lideri i saj, Behgjet Pacolli, ka shfrytëzuar biznesin e vet dhe varfërinë e qytetarëve të Kosovës për t’u bërë pjesë e politikës. Pacolli ishte përfitues i kontratës milionëshe për renovimin e pallatit të Rilindjes, e cila u dha në kohën kur Hashim Thaçi ishte kryeministër dhe ende pa kaluar një vit pas shpalljes së pavarësisë. Vëllai i Hashim Thaçit, Gani Thaçi, do të bashkëpunonte ngushtë me vëllanë e Behgjet Pacollit, Rrahim Pacollin, në një skemë të plaçkitjes së diasporës përmes Këshillit të Byrosë Kosovare të Sigurimit me kartonin e gjelbër.
Më 2011, Pacolli do të bashkohet me Thaçin në koalicion për formimin e qeverisë. Kësisoj familja Thaçi dhe familja Pacolli bashkojnë politikën dhe biznesin. Për të treguar fuqinë e vet, Pacolli ftonte shpesh që takimet e qeverisë të mos mbaheshin në zyrat e shtetit, por në shtëpinë luksoze të tij. Dreka, darka e takime të shumta janë shtruar për familjen Thaçi dhe për liderë të partive të tjera. Shtetin e kapur, pronari i Swiss Diamond do ta flladisë me jahtin privat në kohët e nxehta të verës e do t’i dërgojë të ftuarit drejt Brukselit e drejt Berlinit në aeroplanin e tij privat. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj, që të gjithë kanë fluturuar me aeroplanin privat të Pacollit.
Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në tre hapa
Game over – kjo është lufta jonë kryesore. Do të doja shumë që të shkruaja për kërcënimin nga ngrohja globale dhe mënyrën se si ne mund të ndihmojmë duke investuar në energji alternative për ta reduktuar emetimin e dioksidit të karbonit dhe duke ndërruar dietën e ushqimit, për të parandaluar industrinë në rritje të kafshëve, por këto duken shqetësime shumë të largëta për shoqërinë tonë të varfër, të papunë, të korruptuar dhe pa sundim të ligjit.
Shteti ynë është i kapur nga dy-tri familje dhe dy-tri parti, të cilat mbajnë peng zhvillimin e afro dy milionë qytetarëve të Kosovës. Asnjë mekanizëm, asnjë ligj dhe asnjë institucion nuk do të ketë sukses në luftimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar derisa qeveria është e lidhur me krimin dhe i mban peng, i kërcënon dhe i shantazhon policinë, prokurorët dhe gjykatësit.
Na duhet një reformë për të sjellë transparencë të plotë të shpenzimeve publike.
Hapi i dytë për të luftuar korrupsionin do të ishte vazhdimi i reformës ligjore kundër korrupsionit. Ndryshimet e fundit me ligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së paligjshme dhe kodin penal, ku barra e provës i ngarkohet edhe të akuzuarit, duhet të vazhdohen me nxjerrjen e një ligji të ri kundër korrupsionit si dhe ndryshimin e mandatit të Agjencisë Antikorrupsion. Nuk mund të premtosh ta luftosh korrupsionin si kryeministër nëse nuk ke asnjë agjenci qeveritare që e lufton, prandaj duhet të krijohet një zyrë e re në kuadër të zyrës së kryeministrit, e cila do të ishte njëkohësisht task forcë kundër korrupsionit.
Hapi i tretë është reforma në prokurimin publik. Asnjë tender, asnjë licencë, asnjë kontratë nuk mund të fitohet pa një biznes. Prokurimi publik përbën afro 10% të BPV, një shifër prej rreth 600 milion eurosh në vit, e cila qarkullon përmes bizneseve brenda dhe jashtë Kosovës, por ne dimë shumë pak se ç’janë këto biznese e të kujt. Që të dimë se ku shkon dhe kush e fiton çdo cent të taksapaguesve, duhet t’i hapim të dhënat për përfituesit përfundimtarë të kompanive.
Pra, na duhet një reformë për të sjellë transparencë të plotë të shpenzimeve publike. Kjo reformë do të prekte ligjin për shoqëritë tregtare, do të reformonte agjencinë e regjistrimit të bizneseve, ATK-në, komisonin rregullativ të prokurimit publik dhe do të sillte një ligj të ri, atë të partnerëve të sektorit publik.
Megjithatë, hapi i parë dhe kryesor mbetet zgjedhja e një kryeministri dhe qeverie të pakorruptuar. Nuk do të kemi kurrë sukses në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar me njerëz të përfshirë edhe në krim, edhe në korrupsion.
Westeros në Game of Thrones kërcënohej me zhdukje nga ushtria e të vdekurve, kurse në Kosovë kërcënimi na vjen nga ushtria e të korruptuarve që kanë detyruar qindra mijëra qytetarë të lëshojnë vendin që nga shpallja e pavarësisë.
Nëse ne si qytetarë të ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm zgjedhim qeverinë e kryeministrin e ri të pakorruptuar, atëherë do të bënim hapin e parë drejt luftimit të korrupsionit dhe çlirimit të dytë të Kosovës.
Foto kryesore: Majlinda Hoxha dhe Arrita Katona / K2.0.