Gjerë e gjatë | Histori

Vëllimi “Lufta e Ftohtë” përmend 8 vjet burg të Šešelj-it, por jo 28 të Demaçit

Nga - 08.10.2020

“Projekti i Historisë së Përbashkët”: Kritikë pesëpjesëshe për (keq)përfaqësimin e shqiptarëve në librat alternativë të historisë.

I inicuar më 1999, publikimi “Joint History Project” (Projekti i Historisë së Përbashkët) kishte për synim të u ofronte mësimdhënësve të historisë në Ballkan materiale që do të sfidonin mësimdhënien etnocentrike të së kaluarës. Publikuar nga OJQ-ja “Center for Democracy and Reconciliation in Southeast Europe” (CDRSEE) me seli në Selanik, projekti synonte të nxiste mendimin kritik e debatin, si pjesë të procesit të pajtimit afatgjatë në Ballkan.

Projekti rezultoi me hartimin e gjashtë vëllimeve, duke nisur me historinë mesjetare të Ballkanit për të ardhë në ditët e sotme. 

Kjo seri shkrimesh ofron kritikë të vëllimeve individuale të projektit, duke shqyrtuar se si janë paraqitur ngjarjet e rëndësishme historike të shqiptarëve dhe cilat nga ngjarjet e rëndësishme nuk janë paraqitur fare. Po ashtu, seria e shkrimeve diskuton si është dashur të paraqiteshin, duke marrë për bazë autorë ndërkombëtarë si Noel Malcolm, Oliver Schmitt, Peter Bartl, e të tjerë që trajtojnë zhvillimet dhe ngjarjet në Kosovë në periudha të ndryshme historike.

Një shqyrtim i tillë është posaqërisht i rëndësishëm marrë parasysh se gjatë hartimit të projektit, CDRSEE mbajti marrëdhënie të afërta pune me të gjitha ministritë e arsimit në rajon dhe gëzoi mbështetjen nga gjithsej 25 donatorë ndërkombëtarë, duke përfshirë BE-në. Po ashtu, projekti angazhoi historianë nga i gjithë rajoni, përfshirë Kosova. 

Kritikë Vëllimit “Lufta e Ftohtë”

Vëllimi i pestë nis me fundin e Luftës së Dytë Botërore, që do të thotë me çlirimin nga okupimi nazi-fashist dhe instalimin e regjimeve të reja në vendet e Ballkanit, për të vazhduar me Luftën e Ftohtë, pastaj diktaturat e transicionet demokratike, si dhe idelogjitë e tyre. Më tej, në vëllim trajtohen ekonomia, demografia dhe shoqëria e kultura. Natyrisht, në fund zë vend fundi i Luftës së Ftohtë, përkatësisht kriza e komunizmit, ku hapësirën qendrore e zë kriza në Jugosllavi gjatë viteve 80.

Kapitulli i parë “Shtete të vjetra, regjime të reja” vjen me tre nënkapituj. Në të parin “Fundi i Luftës së Dytë Botërore”, që trajton çlirimin, kthimin e njerëzve nëpër shtëpi dhe rindërtimin, si dhe të dytin “Regjimet e reja” që shtjellon transicionin, opozitën dhe represionin, nuk ka asgjë për Kosovën e shqiptarët në Jugosllavi. 

Në këta dy nënkapituj do të duhej evidentuar se në vitet fill pas Luftës së Dytë Botërore, janë dënuar e pushkatuar kundërshtarë shqiptarë të regjimit jugosllav, kryesisht veprimtarë të Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare (NDSh), si dhe është ushtruar represion ndaj popullsisë civile shqiptare. Pastaj do të duhej të figuronte nënshkrimi i “Marrëveshjes Xhentëlmene” i vitit 1953 mes Presidentit të Jugosllavisë, Josip Broz Tito, dhe Ministrit të Jashtëm të Turqisë, Mehmet Köprülü, për ta siguruar dëbimin e dhjetëra mijëra shqiptarëve nga Jugosllavia për në Turqi. Do të duhej përshkruar se për ta konkretizuar këtë dëbim, ishte ndërmarrë fushatë e dhunshme e pushtetit jugosllav për mbledhjen e armëve në Kosovë në vitet 1955-1956. Pjesa e tekstit kushtuar opozitës ndaj regjimeve të reja, do të duhej t’i prezentonte organizatat ilegale të shqiptarëve të Kosovës që e kundërshtuan regjimin jugosllav, ndër kryesoret e të cilave, pas NDSh-së, ishte Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSh). 

Kapitulli i tretë “Diktaturat dhe transicionet demokratike” flet për regjimet komuniste, regjimet ushtarake, përndjekjen e qytetarëve, kampet dhe burgjet, lëvizjen rinore dhe transicionet demokratike, me gjithë arritjet e dështimet. As këtu nuk ka asgjë për Kosovën e shqiptarët në Jugosllavi, e do të duheshin përmendë patjetër administrimi ushtarak i Kosovës që fillon më 1945, përndjekjet e qytetarëve shqiptarë, burgosjet e tyre, etj. Është e habitshme që për periudhën nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore më 1945 e deri te rënia e Ministrit të Brendshëm të Jugosllavisë, Aleksandar Ranković, më 1966, që ndryshe njihet si Koha e Ranković-it, asgjë nuk jepet për Kosovën dhe shqiptarët në Jugosllavi.

Nuk jepet asnjë rast i dhunës së policisë dhe të ushtrisë kundër shqiptarëve, por përmendet pakësimi i saj.

Në të vërtetë, vetëm kah fundi i nënkapitullit të fundit përmenden Kosova dhe shqiptarët në Jugosllavi në një tekst të hartuar nga vetë autorët e vëllimit, të shoqëruar me dy fotografi, e që thotë: “Pas Plenumit në Brijuni, më 1966, rastet e dhunës së policisë dhe ushtrisë kundër shqiptarëve të Kosovës u pakësuan disi, ndërsa u shtuan thirrjet për dhënien e autonomisë së zgjeruar rajonit. Gjatë tetorit dhe nëntorit 1968, në Prishtinë dhe Tetovë u organizuan demonstrata masive me thirrje për vetëvendosje, bashkim, kushtetutë dhe universitet, e mbi të gjitha që Kosova të fitonte statusin e Republikës. Për pasojë, u bënë disa përmirësime në statusin e shqiptarëve të Kosovës: u krijua Universiteti i Prishtinës, u miratua Kushtetuta e Kosovës, që parashikonte autonomi më të gjerë, u themelua Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, etj.”

Nuk jepet asnjë rast i dhunës së policisë dhe të ushtrisë kundër shqiptarëve, por përmendet pakësimi i saj, pas vendimit në Plenumin e Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, të mbajtur në Brijuni në vitin 1966. Në këtë takim, u shkarkua edhe burrështetasi i dytë pas Titos në pushtetin jugosllav, Ministri i Punëve të Brendshme, Aleksandar Ranković, që dyshohej se komplotonte kundër Titos. 

Sa u takon vetë demonstratave të vitit 1968, kur shqiptarët kërkonin të drejta të barabarta me popujt e tjerë jugosllav, fotografitë e përfshira e të përmendura më lart nuk janë nga demonstratat 1968, por nga ato të vitit 1981. Teksti trajton krejt sipërfaqësisht demonstratat e vitit 1968 dhe, përveç që nuk emërton organizatorin, pra organizatën ilegale të ashtuquajtur “Grupi 68” që ishte themeluar specifikisht për këto demonstrate, nuk jep as të dhënën se përfaqësuesit legalë politikë të Kosovës i patën cilësuar ato armiqësore e shoviniste. Teksti i mësipërm ua atribuon ekskluzivisht këtyre demonstratave përmirësimin e statusit të shqiptarëve të Kosovës në Jugosllavi. Por, shpërfillet fakti se për këtë avancim, veç përfaqësuesve legalë politikë të Kosovës, pati ndikuar edhe rivendosja e marrëdhënieve Shqipëri-Jugosllavi më 1971 kur edhe shkëmbejnë ambasadorë.

Në kapitullin e katërt “Ideologjia”, në asnjërin prej gjashtë nënkapitujve – “Propaganda”, “Kulti i individit”, “Versionet e historisë”, “Arsimi”, “Politika gjuhësore” dhe “Arti” – nuk ka asgjë për Kosovën e shqiptarët në Jugosllavi e që do të mund të prezantoheshin. 

Te tema e propagandës do të mund të futeshin posterë ose karikatura propaganduese në Kosovë për e kundër Jugosllavisë, ndërsa te kultet e personaliteteve, kultet që shqiptarët në Jugosllavi kishin krijuar në njërën anë për personalitetin e Josip Broz Tito e atë të Fadil Hoxhës a Mahmut Bakallit, e në tjetrën për personalitetin e Enver Hoxhës e atë të Adem Demaçit. Po ashtu, edhe sa u takon versioneve të historisë – meqë vëllimi jep versione të ndryshme për çlirimin e vendeve që trajton – do të mund të ofroheshin versioni zyrtar dhe jozyrtar për çlirimin, përkatësisht okupimin, e Kosovës më 1945 ose versione të përkundërta mes teksteve mësimore të historisë të botuara në kohën e regjimit komunist dhe pas rënies së tij.

Në periudhën mes dy luftërave botërore janë sekuestruar 200 mijë hektarë tokë – gjysma e të cilëve u është dhënë kolonëve të ardhur nga Serbia e Mali i Zi.

Sa i takon edukimit, do të mund të ndiqej shembulli nga vendet e tjera që prezentohen në këtë vëllim, e të përfshihej një insert për edukimin nga Kushtetuta e Kosovës 1974. Te nënkapitulli për artin, që kryesisht trajton kulturën e përkujtimit të Luftës së Dytë Botërore, do të mund të figuronte ndonjë fotografi e monumentit të dy luftëtarëve kosovarë të kombësive të ndryshme: Boro Vukmirović e Ramiz Sadiku.

Te politikat gjuhësore prezentohen kodifikime, përkatësisht standardizime gjuhe të disa vendeve, e ndër to edhe Rezoluta e Kongresit të Drejtshkrimit (1972) në Tiranë. Do duhej shpjeguar që gjuha zyrtare me bazë në dialektin tosk, në përdorim në Shqipëri, u pranua si e tillë edhe nga shqiptarët në Kosovë e në Jugosllavi më 1968.

Kapitulli i pestë “Ekonomia” ka pesë nënkapituj: “Reformat agrare”, “Industrializimi”, “Urbanizimi”, “Infrastruktura” dhe “Financat”. Në nënkapitullin për reformat agrare në Kosovë nuk ka asgjë, por patjetër do të duheshin përfshirë këto të dhëna: në periudhën mes dy luftërave botërore janë sekuestruar 200 mijë hektarë tokë – gjysma e të cilëve u është dhënë kolonëve të ardhur nga Serbia e Mali i Zi – dhe janë vendosur mbi 13 mijë familje me rreth 70 mijë anëtarë, shumë prej të cilëve ishin larguar nga Kosova gjatë Luftës së Dytë Botërore për shkak të dhunës së ushtruar nga shqiptarët; pas Luftës së Dytë Botërore u themelua një “Komision për Rishikimin e Reformës Agrare”, i cili konsideroi 11,168 raste të kontestuara pronësore, prej të cilash në 4,829 raste konfirmoi plotësisht të drejtat e kolonistëve, në 5,744 raste kolonistët humbën diçka nga pronat e mëparshme e në 595 raste humbën gjithçka.

Seksioni për industrializimin paraqet dy gjigantët industrialë të Kosovës – Korporata Energjetike e Kosovës, vetëm përmes një fotografie, dhe Miniera Trepça përmes një teksti të shkurtër, me disa tone propagandistike, marrë nga faqja zyrtare e internetit e kësaj kompanie. Te tema e urbanizimit paraqiten vetëm Beogradi dhe Shkupi, jo Prishtina e as ndonjë qytet tjetër i Kosovës. Infrastruktura jep vetëm autostradën ‘Vëllazërim-Bashkim’ që lidh Zagrebin me Beogradin; financat japin vetëm Bankën e Lublanës dhe ekspoziturën e saj në Frankfurt.

Protesta e 81-ës — shkarazi

Kapitulli i gjashtë “Demografia” trajton “Migrimet”, “Minoritetet” dhe “Ndryshimet e popullatës”. Tema e parë nuk ka asgjë as për Jugosllavinë, ndërkaq e dyta ka si të vetmen gjë disa shkëputje nga një raport i vitit 1956 i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë, botuar nga Akademia Maqedonase e Shkencave dhe e Arteve, mbi emigrimin e turqve muslimanë dhe shqiptarëve muslimanë nga Maqedonia në mes të viteve 1950. Sipas këtij raporti, shumica e emigruesve janë muslimanë turq, ndonëse për emigrim kishin aplikuar edhe shumë shqiptarë, por ndalohej emigrimi nga qarqet ku pjesa më e madhe e popullsisë ishte shqiptare. Autorët e vëllimit thonë se dokumentet tregojnë që mes viteve 1953-1957, rreth 105.000 muslimanë turq dhe 5.000 muslimanë të tjerë shqiptarë “lëshuan” Republikën Popullore të Maqedonisë.

Raporti që citojnë autorët e këtij vëllimi është çorientues, prandaj ata do të duhej t’i përfshinin patjetër të dhënat në vijim: Në këtë kohë autoritetet jugosllave patën marrë masa aktive që t’i nxitnin muslimanët në Kosovë dhe në Maqedoni të deklaroheshin si turq, gjë që bëri që numri i ‘turqve’ në Kosovë të fryhej – nga 1.315 sa figuronin në regjistrimin e vitit 1948 në 34,583 vetëm pas pesë vjetësh, në vitin 1953. Midis viteve 1945 -1966 emigruan në Turqi rreth 246.000 njerëz nga e tërë Jugosllavia, e mbi gjysmën e këtij totali e bënin të ikurit nga Republika e Maqedonisë, ku popullsia e regjistruar ‘turke’ ndërmjet regjistrimeve më 1948 dhe 1953 ishte rritur nga 95.940 në 203.000. Shifrat e detajuara të emigrantëve nga Kosova nuk janë regjistruar, por sipas historianit Noel Malcolm, një total prej 100.000 njerëzish gjatë gjithë asaj periudhe nuk është supozim i paarsyeshëm.

Do të duhej të kishte diçka mbi shkollimin e grave në Kosovë dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre në jetën publike.

Te “Ndryshimet e Popullatës”, e vetmja gjë për Kosovën dhe shqiptarët në Jugosllavi që autorët e vëllimit thonë është se “Problemi më i madh demografik i Jugosllavisë në vitin 1980 ishte bërë hovi i rritjes së popullsisë së shqiptarëve etnikë të Kosovës. Në vitet 1950-1983, popullsia e Kosovës u rrit me rreth 220%, ndërsa ajo totale e Jugosllavisë me vetëm 39%. Në vitin 1980, Kosova ishte bërë pjesa me popullsinë më të dendur në Jugosllavi (146 frymë për kilometër katror), megjithëse ishte rajoni më së paku i zhvilluar i vendit”. Por, autorët e këtij vëllimi nuk sqarojnë përse Kosova ishte rajoni më pak i zhvilluar i vendit.

Kapitulli i shtatë “Shoqëria dhe Kultura” përmban tetë nënkapituj: “Gjinia”, “Feja”, “Kultura e të rinjve”, “Letërsia e kinemaja”, “Konsumizmi”, “Turizmi”, “Politika sociale” dhe “Sporti”. Në asnjërin prej tyre nuk ka asgjë për Kosovën a për shqiptarët në Jugosllavi. Ndoshta jo në secilin, por në disa sosh do të duhej të kishte diçka mbi shkollimin e grave në Kosovë dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre në jetën publike, ndonjë fragment nga ndonjë vepër shkrimtari të shquar shqiptar, diçka për kinematografinë e për sportin. Përjashtim bën nënkapitulli “Feja”, që prezenton me korrektësi, madje edhe me një foto, kishën dhe xhaminë në qytetin e Ferizajit, si “simbole të tolerancës fetare ndërmjet shqiptarëve muslimanë dhe serbëve të krishterë”.

Kapitulli i tetë dhe i fundit “Kohët e krizës” përbëhet nga tre nënkapituj “Qipro 1974”, “Jugosllavia në vitet 1980” dhe “Kriza e komunizmit”. E nënkuptueshme që në nënkapitullin e parë nuk ka asgjë për Kosovën dhe shqiptarët në Jugosllavi, por habit që nuk ka asgjë as në nënkapitullin “Kriza e Komunizmit”. Nënkapitulli i dytë sjell argumentet e Mihailo Ðurić-it, profesor në Fakultetin Juridik të Beogradit, kundër Kushtetutës së Jugosllavisë (1974), për çka ky qe dënuar me burg, si dhe një intervistë me Latinka Perović-in, historiane dhe sekretare e Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Sërbisë, pro të njejtës Kushtetutë të Jugosllavisë. Asgjë tjetër. Nuk ka asgjë madje as sa i takon avancimeve të Kosovës me këtë Kushtetutë të Jugosllavisë, e do të kishin qenë me dobi ekstraktet me tekste që dy Krahinave Autonome, Kosovës e Vojvodinës – nominalisht pjesë përbërëse të Republikës së Sërbisë – u siguron status për shumëçka të ngjashëm me atë të gjashtë republikave jugosllave, sidomos në vendimmarrjen ekonomike dhe në disa fusha të politikës së jashtme.

Pas qëndrimeve për kushtetutën e miratuar më 1974, redaktorët e vëllimit na sjellin vlerësimin e komunistëve të Kosovës për demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, të botuar në ditoren ‘Rilindja’ të kohës, që i dënonte ato si armiqësore. Vijojnë qëndrimet e komunistëve të Sërbisë, të cilët këto demonstrata i cilësonin nacionaliste, shoviniste dhe kundërrevolucionare. Në qëndrimet e tyre përmendet edhe shpërngulja e sërbëve dhe e malazezëve nga Kosova për në Sërbi e gjetiu në Jugosllavi.

Nënkapitulli sjell ngjarjet e fundvitit 1988 dhe fillimvitit 1989 kundër shfuqizimit të autonomisë së Kosovës, përfshi marshin e rreth 3,000 minatorëve të Trepçës dhe grevën e urisë të rreth 1,000 prej tyre.

Këtu mungojnë vlerësimet prej vetë organizatorëve të këtyre demonstratave, nuk thuhet asgjë lidhur me kërkesat e demonstratave, nuk përmenden askund vrasjet e nëntë demonstruesve dhe dënimet drakonike me burg të qindra pjesëmarrësve. Jepet fjalimi i shkrimtarit Dobrica Ćosić, i mbajtur më 1984, kur shpall krijimin e Komitetit të Mbrojtjes së Lirisë së Shprehjes dhe të Mendimit, dhe kundërshton dënimin me tetë vjet burg të Vojislav Šešelj-it për dorëshkrimet e tij, si dhe arrestimet e proceset gjyqësore të disa intelektualëve sërbë. Ndërkaq, nuk përmendet askund Adem Demaçi e as dënimi i tij me 28 vjet burg.

Meqë në qëndrimet e sipërcituara të komunistëve të Sërbisë për demonstratat e vitit 1981 përmendet edhe shpërngulja e sërbëve dhe e malazezëve nga Kosova për në Sërbi e në Jugosllavi, duhet shtuar se ky ishte njëri prej segmenteve të propagandës sërbe kundër Kosovës që synonte t’ia hiqte asaj autonominë. Autorët duhej të kishin ofruar sqarimet se ndër arsyet kryesore të këtyre shpërnguljeve ishin keqmenaxhimi i ekonomisë në Kosovë dhe shkalla e papunësisë, më e larta në Jugosllavi.

Në fund, nënkapitulli sjell ngjarjet e fundvitit 1988 dhe fillimvitit 1989 kundër shfuqizimit të autonomisë së Kosovës (të bazuar në Kushtetutën e vitit 1974) nga ana e pushtetit sërb me në krye Slobodan Milošević-in: marshin e rreth 3,000 minatorëve të Trepçës, e më pas edhe të dhjetëra mijëra qytetarëve shqiptarë nga e tërë Kosova, drejt kryeqytetit të Kosovës, si dhe grevën e urisë të rreth 1,000 minatorëve në zgafella nëntokësore qindra metra të thella. Këto dhe reagimet ndaj tyre, përfshirë edhe ekstraktet nga fjalimi i Slobodan Milošević-it mbajtë në Kosovë më 28 qershor 1989 në 600-vjetorin e Betejës së Kosovës, janë prezentuar në mënyrë mjaft korrekte, të saktë e gjithëpërfshirëse duke i ndihmuar kështu lexuesit që t’i kuptoj drejt këto zhvillime.

Përmbledhje e përjashtimeve

Pjesët ku trajtohet periudha nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore më 1945 e deri te rënia e Ministrit të Brendshëm të Jugosllavisë, Aleksandar Ranković, më 1966, që ndryshe njihet si Koha e Ranković-it, nuk japin asgjë për Kosovën dhe shqiptarët në Jugosllavi. Nuk përmendet askund administrimi ushtarak, dënimi dhe pushkatimi i kundërshtarëve shqiptarë të regjimit jugosllav, dhuna dhe terrori ndaj popullsisë civile shqiptare, dëbimi i dhjetëra mijëra shqiptarëve nga Jugosllavia për në Turqi, e as ekzistenca e organizatave ilegale të shqiptarëve që e kundërshtonin regjimin jugosllav.

Në këtë vëllim Kosova dhe shqiptarët në Jugosllavi përmenden tek pas një çerek shekulli, ku paraqiten demonstratat e vitit 1968 me dy fotografi, por që në fakt janë të demonstratave të vitit 1981. Demonstratat e 68-ës trajtohen krejt sipërfaqësisht, nuk emërtohet organizatori, nuk jepet e dhëna se përfaqësuesit legalë politikë të Kosovës i patën cilësuar ato armiqësore e shoviniste, u atribuohet ekskluzivisht këtyre demonstratave përmirësimi i statusit të shqiptarëve të Kosovës në Jugosllavi.

Sa i takon industrializimit, paraqiten dy gjigantët industrialë të Kosovës, përmes një fotografie Korporata Energjetike e Kosovës dhe Miniera Trepça përmes një teksti të shkurtër, me disa tone propagandistike, marrë nga faqja e internetit e kësaj kompanie. Nuk ka asgjë mbi reformat agrare që prekën shqiptarët në Kosovë e gjetiu në Jugosllavi, e patjetër do të duheshin përfshirë të dhënat se në periudhën mes dy luftërave botërore në Kosovë janë sekuestruar 200 mijë hektarë, gjysma e të cilëve u është dhënë kolonëve, dhe se janë vendosur mbi 13 mijë familje me rreth 70 mijë anëtarë.

Te seksionet e demografisë, migrimeve dhe ndryshimeve të popullatës, autorët do të duhej t’i përfshinin patjetër të dhënat se autoritetet jugosllave patën marrë masa aktive që t’i nxitnin muslimanët në Kosovë dhe në Maqedoni të deklaroheshin si turq, gjë që numrin e ‘turqve’ në Kosovë e kishte fryrë nga 1.315, sa figuronin në regjistrimin e vitit 1948, në 34.583 pas pesë vjetësh, më 1953. Do të duhej sqaruar se midis viteve 1945-1966 rreth 246.000 njerëz nga e tërë Jugosllavia kanë emigruar në Turqi e se mbi gjysmën e këtij totali e bënin të ikurit nga Republika e Maqedonisë, ku popullsia e regjistruar si ‘turke’ ndërmjet regjistrimeve më 1948 dhe 1953 ishte rritur nga 95.940 në 203.000. Shifrat e detajuara të emigrantëve nga Kosova nuk janë regjistruar, por një total prej 100.000 njerëzish gjatë gjithë asaj periudhe nuk është supozim i paarsyeshëm.

Kapitulli për shoqërinë dhe kulturën nuk ka pothuajse asgjë për Kosovën a për shqiptarët në Jugosllavi. Nuk ka asgjë as sa u takon avancimeve të Kosovës me Kushtetutën e Jugosllavisë, ndërkohë që kishin me qenë me dobi ekstraktet prej tekstit që Kosovës u siguronte status për shumëçka të ngjashëm me atë të republikave jugosllave. Autorët sjellin vetëm vlerësimin negativ të komunistëve të Kosovës dhe atyre të Sërbisë ndaj demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, por mungojnë vlerësimet prej vetë organizatorëve të demonstratave. Nuk thuhet asgjë lidhur me kërkesat e tyre, nuk përmenden vrasjet e nëntë demonstruesve dhe dënimet drakonike me burg të qindra pjesëmarrësve.

Ngjarjet e fundvitit 1988 dhe të fillimvitit 1989 kundër shfuqizimit të autonomisë së Kosovës (të bazuar në Kushtetutën e vitit 1974) nga ana e pushtetit sërb me në krye Slobodan Milošević-in, bashkë me reagimet ndaj tyre, përfshirë edhe ekstraktet nga fjalimi i Milošević-it mbajtë në Kosovë më 28 qershor 1989 në 600-vjetorin e Betejës së Kosovës, janë prezentuar në mënyrë mjaft korrekte.

Seria e artikujve nga autori janë shkruar në kuadër të projektit “Analizë teksteve mësimore alternative të CDRSEE-së” të organizatës ADMOVERE, me mbështetje financiare nga Departamenti Federal Zviceran i Punëve të Jashtme, që vepron nëpërmjet Ambasadës së Zvicrës në Prishtinë, dhe nuk i pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit.

Imazhi i ballinës: Marrë nga libri “Mësimdhënia e historisë moderne të Europës Juglindore” dhe përpunuar nga K2.0.