Pikëpamje | Të drejtat e njeriut

Vendimi i Kushtetueses dëfton që nuk ka nevojë për Gjendjen e Jashtëzakonshme

Nga - 01.04.2020

Dhe arsyeja pse duhet ta sigurojmë mbrojtjen ligjore të të drejtave të njeriut si asnjëherë më parë.

Debati politik gjatë pandemisë së COVID-19 ka sjellë në pah çështjet e të drejtave të njeriut jo vetëm në Kosovë, por thuajse në të gjithë botën. Të martën (më 31 mars), Gjykata Kushtetuese e Kosovës shpalli vendimin me të cilin i vlerësoi si jokushtetuese masat parandaluese të qeverisë që kufizojnë lirinë e lëvizjes dhe atë të tubimit.

Meqenëse vendimi nuk është bërë ende publik, nuk është e mundshme të analizohet arsyetimi i saktë prapa qëndrimit të Gjykatës. Mirëpo, njoftimi përmban gjetjet kryesore, të cilat janë të mjaftueshme për ta rrokur pyetjen vendimtare: a duhet që Kosova ta shpall Gjendjen e Jashtëzakonshme dhe të shmanget prej disa të drejtave të njeriut për të vendosur masa të caktuara parandaluese kundër përhapjes së COVID-19?

Presidenti Hashim Thaçi iu drejtua Gjykatës Kushtetuese duke argumentuar se shpallja e Gjendjes së Jashtëzakonshme është e domosdoshme për kufizimin e të drejtave të njeriut në Kosovë. Kështu, ai argumentoi se vendimi i qeverisë (tash në detyrë) për kufizimin e përkohshëm të lirisë së tubimit dhe të të drejtës së lëvizjes së qytetarëve dhe të automjeteve ishte kundërkushtetues dhe i shkelte të drejtat e njeriut.

Në njoftimin e saj, Gjykata Kushtetuese shqaroi dallimin mes “kufizimit” të të drejtave të njeriut dhe “shmangies” nga të drejtat e njeriut, duke mbështetur argumentet e paraqitura nga qeveria në detyrë. Sipas gjykatës, të drejtat e njeriut mund të “kufizohen” pa shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme me kusht që kufizimet të jenë të parapara me ligj dhe nuk shkojnë përtej të nevojshmes për t’i përmbushur qëllimet e tij në një shoqëri të hapur dhe demokratike.

Kuvendi mund ta miratojë një ligj të ri që vendos masa parandaluese ndaj COVID-19 pa e shpallur Gjendjen e Jashtëzakonshme.

Gjykata konsideron se “kufizimet” e të drejtave të njeriut paraqesin ndërhyrje më të lehta në të drejtat e njeriut, ndërsa “shmangiet” nga të drejtat e njeriut janë ndërhyrje më të rënda, të lejueshme vetëm pas shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme.

Megjithëkëtë, sipas Gjykatës, kufizimet e vendosura nga vendimi i qeverisë për ta kufizuar të drejtën e tubimit, të drejtën e lëvizjes dhe të drejtën e jetës private dhe familjare nuk ishin bërë “në përputhje me ligjin” dhe kështu nuk ishin në pajtim me Nenin 55 të Kushtetutës, i cili përcakton kushtet për kufizimin e të drejtave të njeriut.

Sidoqoftë, Gjykata Kushtetuese bëri një hap të pazakontë duke njoftuar se vendimi i saj do të hyjë në fuqi më 13 prill, 2020, duke i pasur parasysh rrethanat e pandemisë së COVID-19, këshillat e institucioneve shtetërore të shëndetësisë dhe pasojat potencialisht të dëmshme ndaj shëndetit publik që do të mund të shkaktoheshin me shfuqizimin e menjëhershëm të vendimit të qeverisë në detyrë.

Pa publikimin e vendimit, arsyet prapa interpretimit të ngushtë ligjor të kriterit që “kufizimi mund të bëhet vetëm me ligj” — në këtë rast Ligji për Luftimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse — mbeten të paqarta.

Prapëseprapë, me këtë vendim Gjykata ka marrë një qëndrim të qartë: Kuvendi mund ta miratojë një ligj të ri që vendos masa parandaluese ndaj COVID-19 dhe që do t’i kufizonte disa të drejta të njeriut pa e shpallur Gjendjen e Jashtëzakonshme.

Mundësia tjetër që jepet nga Kushtetuta është që Kuvendi ta miratojë një dekret të presidentit që shpall Gjendjen e Jashtëzakonshme, e cila lejon shmangien prej disa të drejtave të caktuara të njeriut.

Kufizim apo shmangie nga të drejtat e njeriut?

Kosova ende nuk e ka nënshkruar Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNj), por e zbaton drejtpërdrejt përmes legjislacionit të brendshëm, bashkë me disa konventa tjera që mbizotërojnë në rast të mospërputhjes me ligjet e brendshme, përfshirë këtu edhe Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Civile e Politike (KNDCP). 

Disa shtete nënshkruese të KEDNj-së, sikur Shqipëria, Gjeorgjia dhe Rumania, kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme që i lejon të bëjnë shmangie prej të drejtave të njeriut. Ndërkaq shtetet e tjera, sikur Gjermania, Italia e Sllovenia, kanë vendosur t’i kufizojnë disa të drejta të njeriut pa u shmangur prej tyre dhe pa shpallur gjendje të jashtëzakonshme.

Siç u përmend, Gjykata Kushtetuese e Kosovës theksoi se kufizimi i të drejtave të njeriut është ndërhyrje më e lehtë ndaj të drejtave të njeriut, sesa shmangia nga to. Kështu, Kosova duhet t’i japë përparësi dhe t’i shqyrtojë të gjitha mundësitë për vendosjen e masave që kufizojnë të drejtat e njeriut, para se ta shqyrtojë mundësinë e shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme dhe shmangies nga të drejtat e njeriut.

"Masat dhe kufizimet normale të lejuara me Konventën ... duhet të jenë qartazi të pamjaftueshme para se të lejohen masat shmangëse dhe emergjente [të jashtëzakonshme]"

Rik Daems, Këshilli i Evropës (24 mars, 2020)

Për ta vënë këtë çështje në kontekst më të gjerë, javën e kaluar, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit Evropian, Rik Daems, ka nxjerrë një deklaratë që nxit shtetet të veprojnë në përputhje me KEDNj-në kur i kundërpërgjigjen krizës së COVID-19.

Daems e nënvizoi Rezolutën 2209 (2018) të Këshillit mbi çështjet e proporcionalitetit të gjendjes së jashtëzakonshme lidhur me shmangiet nga KEDNj-ja. Aty thuhet se: “Masat dhe kufizimet normale të lejuara me Konventën për ruajtjen e sigurisë, shëndetit dhe rendit publik duhet të jenë qartazi të pamjaftueshme para se të lejohen masat shmangëse dhe emergjente [të jashtëzakonshme]”.

Ai po ashtu u bëri thirrje shteteve ta “shqyrtojnë vazhdimisht nevojën për mbajtjen e ndonjë gjendjeje të jashtëzakonshme dhe të gjitha masat që merren gjatë saj, dhe, me mbarimin e secilit afat kohor, ta zbatojnë prezumimin kundër zgjatjes së gjendjes së jashtëzakonshme”.

Në një Koment të Përgithshëm për Nenin 4 të KNDCP, Komisioni i OKB-së për të Drejtat Civile dhe Politike (CCPR) shpreh mendim të ngjashëm rreth shmangies prej të drejtave të KNDCP-së gjatë gjendjes së jashtëzakonshme.

Sipas këtij komisioni, në mënyrë që derogimi të bëhet në përputhje me KNDCP-në, shtetet nuk duhet vetëm të arsyetojnë që situata përbën kërcënim ndaj jetës së popullit, por duhet të arsyetojë po ashtu se të gjitha masat që shmangen prej Konventës janë rreptësisht të nevojshme për gjendjen e jashtëzakonshme.

“Për mendimin e Komisionit, mundësia e kufizimit të disa të drejtave të Konventës që lidhen, për shembull, me kushtet e lirisë së lëvizjes (neni 12), ose të lirisë së tubimit (neni 21) është në përgjithësi e mjaftueshme gjatë këtyre situatave dhe shmangia prej dispozitave në fjalë do të arsyetohej prej urgjencave të situatës”.

A do të ishte shpallja e Gjendjes së Jashtëzakonshme mënyrë më e dobishme e adresimit të përhapjes së COVID-19?

Në Kosovë, Kushtetuta përcakton se Gjendja e Jashtëzakonshme mund të shpallet vetëm nëse “ka nevojë për masa emergjente të mbrojtjes” dhe në raste të “rrezikut ndaj sigurisë publike” — sikur emergjenca e COVID-19.

Gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, Këshilli i Sigurisë i Kosovës ushtron funksionet ekzekutive që lidhen me Gjendjen e Jashtëzakonshme. Në këtë gjendje, Këshilli drejtohet nga presidenti i Kosovës (në vend se nga kryeministri, i cili e drejton atë zakonisht ) dhe përbëhet nga: kryeministri; zëvendëskryeministr-i/-at; ministri i Forcës së Sigurisë të Kosovës; ministri i punëve të jashtme; ministri i punëve të brendshme; ministri i drejtësisë; ministri i ekonomisë dhe financave; dhe ministri për komunitete dhe kthim.

Për t’u shpallur Gjendja e Jashtëzakonshme, presidenti nxjerr një dekret që duhet të miratohet nga Kuvendi, i cili përcakton natyrën e kërcënimit dhe të kufizimeve të të drejtave dhe lirive. Këto kufizime duhet të kufizohen “aq sa është e nevojshme” në rrethanat relevante që paraqiten në dekret.

Gjykata ka konsideruar se, sado që masat nuk e kishin kaluar provimin e “të qenit në përputhje me ligjin”, ato ishin proporcionale dhe të nevojshme.

Zyra e Presidentet nuk ka publikuar ende draftin e dekretit për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, dhe është e paqartë se cilat masa të jashtëzakonshme propozohen të vendosen për t’u marrë me emergjencën e tanishme të shëndetit publik. Megjithatë, është e diskutueshme se çfarë masash, përveç atyre që tashmë janë në fuqi, do të ishin më të përshtatshme për situatën.

Edhe pse e ka shpallur vendimin e qeverisë si jokushtetues, Gjykata Kushtetuese ka marrë qëndrim të qartë sa i përket përshtatshmërisë së masave gjatë emergjencës së tanishme të shëndetit publik kur vendosi ta shtynte datën e hyrjes në fuqi të vendimit të vet. Me fjalë të tjera, Gjykata ka konsideruar se, sado që masat nuk e kishin kaluar provimin e “të qenit në përputhje me ligjin”, ato ishin proporcionale dhe të nevojshme për t’u marrë me krizën e COVID-19.

Po ashtu, masat nuk janë kontestuar më vete nga Presidenti Thaçi në kërkesën e tij ndaj Gjykatës. Në fakt, në kërkesën e tij për shqyrtimin kushtetues të vendimit të Qeverisë, Thaçi deklaron se masat “janë të mirëpritura” por jokushtetuese.

Pra, çfarë masash të tjera janë qartazi të disponueshme gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme?

Krahasuar me gjendjen e zakonshme, gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, Forca e Sigurisë së Kosovës mund të mobilizohet për ndihmë nga presidenti, pas konsultimit me qeverinë dhe kuvendin. Sidoqoftë, FSK-ja mund të mobilizohet edhe në kohë të paqes, me urdhër të Komandantit të saj.

Në fakt, FSK-ja tashmë ka ofruar ndihmë për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Mjedisit, për t’i bartur qytetarët e Kosovës që vinin nga jashtë drejt qendrës së karantinimit gjatë emergjencës së tanishme të shëndetit publik.

Forca e Sigurisë mund të mobilizohet për të kryer shërbime shtesë pa e shpallur Gjendjen e Jashtëzakonshme.

Përveç subjektit që jep urdhrin e mobilizimit, dallimi tjetër i mobilizimit të ushtrisë në kohë të paqes dhe gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme është se në të fundën, FSK-ja ka autoritetin t’i përdor asetet shtetërore dhe private për t’i përmbushur detyrat kushtetuese dhe ligjore.

Megjithkëtë, është e diskutueshme se a është e nevojshme t’i jepet ky autoritet në situatën e tashme. Në kohën e botimit, Kosova ka pasur 1 vdekje dhe 112 raste të konfirmuara me COVID-19. Në krahasim me rajonin, Kosova ka numrin më të vogël të rasteve të raportuara dhe ka treguar rritje relativisht të vogël të numrit të rasteve të reja.

Nëse numri i rasteve në Kosovë rritet ndjeshëm dhe mbingarkohet stafi i spitaleve, mbështetja e shtuar e FSK-së për sistemin shëndetësor do të mund të përfshinte për shembull: kujdesin për pacientët, mbikëqyrjen e pacientëve, bartjen mjekësore dhe ndihmën logjistike për spitalet sikur dezinfektimin e shtretërve, punën në kuzhina, pastrimin e hapësirave dhe të dhomave. Në Zvicër, për shembull, këto shërbime po kryhen nga ushtria.

Në rastin e Kosovës, Forca e Sigurisë mund të mobilizohet për të kryer shërbime shtesë pa eshpallur Gjendjen e Jashtëzakonshme. Si rrjedhojë, nuk ka argument të bindshëm për ta mobilizuar FSK-në përtej sferës së përmendur këtu.

Të drejtat e njeriut dhe shpërthimi i COVID-19

Ndikimi i kundërpërgjigjeve shtetërore për COVID-19 ndaj të drejtave të njeriut tashmë ka nisur të shpërfaqet.

Në publikimet e tyre të fundit, Amnesty International (AI) dhe Human Rights Watch (HRW) u kanë bërë thirrje qeverive të sigurojnë që ligjet dhe standardet e të drejtave ndërkombëtare të njeriut të vihen në qendër të të gjitha masave ndaj COVID-19. AI dhe HRW kanë theksuar se qeveritë duhet të jenë veçanërisht të kujdesshme për të drejtat e ndikuara sikur: të drejtën për kujdes shëndetësor e parandalues, të drejtën e lirisë së shprehjes dhe qasjes në informata, të drejtën për mosdiskriminim dhe të drejtën në dinjitet njerëzor.

Amnesty International ka nxitur shtetet të japin llogari për ndikimin e masave të sistemit shëndetësor ndaj njerëzve që kërkojnë kujdes për sëmundje që nuk lidhen me COVID-19. Ajo thotë se rastet e COVID-19 mund të ushtrojnë trysni në sistemet e shëndetësisë, duke i ndikuar kështu negativisht njerëzit që kanë nevojë për qasje të rregullt në kujdes shëndetësor.

Kosova tashmë ka qenë dëshmitare në një rasti të këtij ndikimi joproporcional. Policia e Kosovës ka konfirmuar vdekjen e një vajze 19 vjeçe më 28 mars, e cila dyshohet se ka vdekur për shkak të mosmarrjes së trajtimit shëndetësor për sëmundjen e saj pasi kishte dalë të jetë negative për koronavirusin.

Shërbimet thelbësore sociale të strehimoreve për viktimat e dhunës në familje janë zvogëluar gjatë periudhës së izolimit.

Po ashtu, AI dhe HRW theksojnë se shpërthimi i COVID-19 ndikon joproporcionalisht në të drejtat e grave. Mbingarkimi i sistemeve shëndetësore dhe mungesa e pajisjeve mjekësore kanë ndikime negative për qasjen në shëndetësinë riprodhuese, për shembull në kujdesin para dhe pas lindjes.

HRW gjithashtu nënvizon se mund të ketë rritje të rasteve të dhunës në familje për shkak të detyrimit për izolim. Raportet e vonshme të mediave në Kosovë kanë treguar se shërbimet thelbësore sociale të strehimoreve për viktimat e dhunës në familje janë zvogëluar gjatë periudhës së izolimit. 

Për më shumë, mbi 70% të të gjithë punëtorëve shëndetësorë në botë janë gra dhe ekspozohen jashtëzakonisht shumë ndaj COVID-19 gjatë punës së tyre.

Këto janë vetëm disa prej çështjeve të të drejtave të njeriut që duhet të kihen parasysh nga institucionet shtetërore të Kosovës kur përgatisin masat që merren me emergjencën e tanishme të shëndetit publik.

Shpallja e Gjendjes së Jashtëzakonshme nuk ofron mënyrë më të mirë për t’u marrë me përhapjen e COVID-19 në Kosovë. Në vend të saj, institucionet shtetërore të Kosovës duhet të bëjnë çmos për të vendosur masa që ndërhyjnë më pak në të drejtat e njeriut dhe t’i shohin me kujdes ndikimet e kundërpërgjigjeve të tyre për COVID-19 ndaj të drejtave të tjera të njeriut, të cilat janë të obliguar t’i përmbushin dhe t’i mbrojnë.

Feature image: Majlinda Hoxha / K2.0.