Ndër filmat konkurrues në edicionin e sivjetshëm të DokuFest, shumëkush mund të jetë intriguar veçanërisht nga një produksion me metrazh të shkurtër nga Shqipëria, me titull “Verbalisht korrekt”. Bëhet fjalë për filmin e regjisorit maqedonas Leutrim Voka, në qendër të të cilit është një ngjarje tronditëse nga periudha e regjimit diktatorial në Shqipëri.
“Muharrem Protoduari, djali që u dënua me 20 vjet burg thjesht sepse pati dëgjuar muzikë të huaj, tregon pas 46 vjetësh historinë se si u bë pjesë e një gjyqi të stisur nga hetuesia e regjimit komunist në Shqipëri.” Ky është përshkrimi zyrtar i filmit të cilin Voka e prezantoi për herë të parë në Prizren këtë verë.
Zgjedhjen për një film të këtillë e konsideroj të guximshme. Të trajtosh të shkuarën, të provosh ta shpluhurosësh atë; ta zgjosh përbindëshin nga gjumi e ta ulësh këmbëkryq mes njerëzve për të cilët kujtimi i terrorit të diktaturës është ende i freskët; për të analizuar, kuptuar apo ndoshta edhe thjesht për të përshkruar histerinë e shoqërisë shqiptare për 45 vjet — kërkon guxim.
Është një nismë e vështirë e cila ose rrezikon të degradojë në një dramë ekzotike që përveç romanticitetit nuk përçon asgjë tjetër, ose ia del të ngacmojë ndërgjegjjen e publikut; t’ia ndryshojë ose përforcojë atij një bindje me një arsyetim të ftohtë; t’i nxisë pyetjet e duhura; ta shqetësojë dhe të provokojë tek ai një reflektim kritik.
Cila është e vërteta që rreket të na bëjë të ditur Voka në 10 minutat e tij? Gjyqet e stisura të Hoxhës? Fakti që njerëzit mund të persekutoheshin sepse dëgjonin muzikë të huaj? Paranoja e sistemit totalitar? Historia personale e Muharremit dhe familjes së tij? Raporti që Muharremi ka vendosur me të shkuarën e vet?
Është e mjegullt ajo se çfarë kërkon të na bëjë të ditur filmi, sikurse ka një mbikalim të pasaktë në informacionet që na përçohen: Muharremi nuk u dënua për shkak se pëlqente muzikën e huaj.
Ka patur një sërë rastesh në Shqipërinë e asaj kohe kur njerëzit janë dënuar e burgosur nën një justifikim të tillë, por ky gjyq që i mori jetën dy të rinjve dhe ia shkatërroi atë dy të tjerëve, u mbajt thjesht sepse pushteti gjakatar i kohës kishte nevojë të bënte shembuj disa persona të cilëve t’iu mvishte mbi krye konspiracione për rrëzimin e regjimit (çka vetë Muharremi e pohon në një çast në film).
Foto: Pjesë nga filmi “Verbalisht korrekt”.
Konspiracione që tingëllonin të vërteta, si krijimi i një organizate disidente për shembull; plani për vënie bombe, arratisje nga vendi, etj.
E gjitha kjo për të rritur presionin dhe frikën në popull, sikundër thjesht një akuzë për muzikë të huaj, nuk do të kishte patur të njëjtin ndikim. E kush më kollaj se një grusht njerëzish të pambrojtur, një grusht “kulakësh” mbi të gjitha, që më herët aparati represiv shtetëror i kishte zhvatur dhe dhunuar, mund të bëheshin kurbani i përkryer i këtij të fundit?
Në vitin 2014 dhe 2015 u transmetuan disa pjesë të emisioneve televizive që deklaruan se faktet e çështjes Protoduari ishin këto: Muharremi ishte një nga katër të rinjtë e fshatit Poshnje të rrethit të Beratit, që u dënua nëpërmjet një gjyqi të rremë në janar të vitit 1978, për një krim që nuk e kishte kryer dhe as çuar nëpër mend ndonjëherë, së bashku me të vëllanë dhe dy shokët e tyre.
“Zënia në grackë” e të rinjve vinte pas të ashtëquajturit zbardhje e planit kriminal për hedhjen në erë të Kombinatit të Tekstileve Mao Ce Dun në Berat, një sipërfaqe prej 40 hektarësh tokë. Muzika e huaj ishte thjesht një ndër çikërrimat e këtij gjyqi të stisur, e integruar në proces vetëm sa për të përforcuar profilin kriminal të të pandehurve, në rastin tonë (edhe) të vetë Muharremit.
Nën torturat dhe presionin e hetuesisë, djemtë zgjodhën të pranonin çdo lloj akuze të Sigurimit të Shtetit me shpresën se flijimi i tyre do t’i jepte fund persekutimit të anëtarëve të tjerë të familjeve prej nga vinin. Sako Protoduari dhe Riza Ahmet Azizi u pushkatuan me vendim të këtij gjyqi.
Ndërsa Muharrem Protoduari dhe Muço Çobo, u dënuan me rreth 20-25 vjet heqje lirie secili, heqje të të drejtës elektorale për 5 vjet dhe konfiskim të pasurisë, nën deklaratën se kishin formuar një organizatë kundërrevolucionare në planin e të cilës kishin patur tradhëtinë ndaj atdheut në formën e arratisjes; kryerjen e diversionit; rekrutimin në organizatë të personave të tjerë me qëllim zgjerimin dhe fuqizimin e saj, sikurse zhvillimin e agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor.
I gjithë ky proces, i mbajtur në Kinoteatrin e Tekstileve në Berat, u regjistrua dhe montua në një dokumentar prej 27 minutash nga Kinostudio Shqipëria e Re, me titull “Gjyqi kundër të deklasuarve nga Poshnja”, për të propaganduar terrorin anembanë vendit. Për arsye ende të paqarta, ky dokumentar nuk u shfaq kurrë por me rrëzimin e sistemit diktatorial, ai doli në dritë nga Arkivi Shtetëror Qendror i Filmit dhe është sot i aksesueshëm për publikun.
Të shikosh çmendurinë e së kaluarës
Muharrem Protoduari, i mbijetuari i vetëm nga katërshja e 20-vjeçarëve që u persekutuan dhe dënuan, me të fituar lirinë iu vu pas zbardhjes së historisë që çoi në inskenimin e këtij gjyqi dhe tragjedinë që pllakosi më pas. Ai ndër vite na ka pasuruar me dëshmi rrënqethëse mbi krimet e socializmit shtetëror në Shqipëri dhe historia e tij, veçanërisht ky gjyq, është bërë i njohur në detaje për publikun shqiptar, në njërën nga seritë e emisionit Opinion më 2015, ku ndër të tjera dokumentari i Kinostudios Shqipëria e Re, është shfaqur i plotë.
Rrëfimi i Leutrimit në 10 minuta pelikul, jo vetëm që nuk është i ri por përcjell një informacion të shkartisur, duke krijuar konfuzion dhe njëfarë shtrembërimi të të vërtetës. Ndoshta synimi i tij nuk është historia e Muharrem Protoduarit por një detaj i kësaj historie që veçohet — mbase me qëllimin për t’u përdorur artistikisht. Nuk mund të them me bindje nëse është apo jo e vlefshme diçka e tillë. Ndoshta po, kur i shërben në tërësi një punimi artistik kinematografik.
Por ç’lloj filmi është “Verbalisht korrekt”? A është ai një film artistik apo një dokumentar? Dhe si dokumentar, a nuk supozohet që krijimi brenda këtij zhanri të fokusohet te përçimi i saktë i informacionit, njëkohësisht duke pasur një qasje edukative ndaj publikut të vet?
Informacioni nga dokumentari i shkurtër i Vokës vjen i fragmentuar. Filmi krijon përshtypjen sikur Voka po ndërhyn duke imponuar versionin e tij për këtë histori e jo sikur ai është thjesht rrëfimtar i saj. Mbase për dikë të njohur me këtë gjyq dhe historinë e Protoduarit, mëshimi dhe përsëritja si një fonogram e pyetjeve të gjyqtarit mbi muzikën gjatë gjithë filmit, vetëm sa e përforcojnë këtë bindje.
Dhe në fakt, ky punim është historia e Vokës, jo e Muharremit. Voka na paraqitet kësisoj si një tjetër regjisor që duke zgjedhur tema apo histori pikante të treguara keq, e nis rrugëtimin në botën e kinemasë në rastin më të mirë, i varur te shpëtimi që historia e zgjedhur mund t’i bëjë atij si regjisor, jo te përpjekja e tij për shpëtimin, ruajtjen dhe përçimin e vetë kësaj historie. (A na ngjall filmi i Vokës kureshtje apo regjimi i terrorit në Shqipëri?)
Ky është lajm i trishtë për kinematografinë e rajonit dhe historinë e diktaturës te ne që i trashëgohet brezave si një ekzoticizëm për të ngjallur mëshirë e keqardhje duke i portretizuar viktimat e sistemit si ca njerëz që — fatkeqësisht — u burgosën apo u vranë.
Diktaturat nuk mbinë nga hiçi! Ato u ndërtuan nga njeriu kundër njeriut. Dhe politika të tilla meritojnë të kuptohen e trajtohen drejtë, për hir të respektit ndaj lirisë e dinjitetit njerëzor.
Prandaj njerëzit krijojnë — shkruajnë libra e skenarë; prodhojnë filma e dokumentarë — për të na lënë të kuptojmë; për të na rikujtuar fakte të akullta dhe të vërteta fundamentale mbi raportin që vendosim me njerëzoren, lirinë dhe dinjitetin; që të mësojmë si të kthehemi te vetja kur duket se e kemi harruar atë; që histori si kjo e Muharremit të jenë një tjetër gur solid në kujtesën kolektive tonën për një të ardhme ku gabimet e së shkuarës i mbartim si mësime për të mos i përsëritur kurrë më.
Si kontribuon filmi i Vokës këtu? Ai provon të na trondisë me keqardhje. Por a është keqardhja e mjaftueshme për këtë rast? A duhet të mjaftohemi ne thjesht duke mëshiruar dhe duke u përlotur, pa vënë në pikëpyetje marrëzinë e një sistemi çnjerëzor; pa vënë në pikëpyetje edhe veten tonë e zgjedhjet morale që do të bënim në rrethana të ngjashme e të paimagjinueshme?
Foto: Pjesë nga filmi “Verbalisht korrekt”.
E shoh të nevojshme sjelljen në vëmendje të dy rasteve sporadike punimesh artistike, serioziteti intelektual i të cilave dhe profesionalizmi i gërshetuar me mbajtjen e një qëndrimi moral ndaj totalitarizmit dhe krimeve të tij; i bën ato shembuj suksesi dhe kontribut që do t’i vlenin çdo artisti të ri që ka dëshirën, vullnetin dhe kureshtjen për të hulumtuar në marrëdhënien sfiduese me të shkuarën.
“Son of Saul”, një dramë kinematografike mbi Holokaustin, sikurse dëshmitë letrare të Primo Levit (i mbijetuar i Holokaustit), janë rrëfime në qendër të të cilave është i vendosur tmerri dhe marrëzia e nazizmit. Mjeshtëria dhe e veçanta e tyre, paçka se në dy fusha artistike të ndryshme, qëndron te gjakftohtësia dhe përkujdesja e përcjelljes së një prej tragjedive më të mëdha historike të njerëzimit — sidomos në rastin autobiografik të Levit.
I mbijetuar i kampit famëkeq Auschwitz, ai rrëfen në vetën e parë me një mprehtësi dhe objektivitet shokues, i shtyrë nga misioni human për të treguar fytyrën e vërtetë të kampeve naziste. Letërsia si medium komunikimi, përdoret prej tij si një kamë e mprehtë, tehu i së cilës godet drejt e në vrerin e së shkuarës, për ta sjellë këtë me përgjegjësi te lexuesi i ri që me diktaturën dhe nazizmin do të njihet veçse virtualisht, këtu nëpërmjet fjalëve të Levit.
Për t’u kthyer te kinematografia, të njëjtën gjë bën regjisori László Nemes te “Son of Saul”. Ai e ngre peshë emocionalisht shikuesin por kujdeset që të mos e lërë atë të bjerë pre e ndjenjave, duke e ngacmuar logjikisht; duke e vënë ballë për ballë me atë sistem dhe pyetjeve që lindin nga ky ballafaqim. Rëndesa e personazhit të tij bëhet edhe e jona. Ne njehtësohemi me të, dalim nga zhgualli i të qenurit thjesht spektator; përfshihemi në dilemat morale të Saul-it, në frikën, ankthin dhe zgjedhjet e tij (filmimi me lente 35 mm dhe 45 mm që e ndjek Saul-in gjatë gjithë kohës, e përforcon këtë lidhje).
Keqpërdorimi i historisë
Te filmi i Vokës muri ndërmjet publikut dhe personazheve është i lartë dhe i pakapërcyeshëm. Publiku “manipulohet” që ta trajtojë tragjedinë e Muharremit si një fatkeqësi tijën, jo si pasojën makabre të ca vendimeve dhe sjelljesh publike të përbashkëta që jo vetëm e ngjizën diktaturën në Shqipëri por e legjitimuan dhe e mbajtën gjallë atë deri në fund.
Paqartësia e Vokës, shfaqet kur ai bën një përpjekje dramatike për ta përqafuar në tërësi historinë e Muharremit, paçka se pa u larguar nga historia e vet: ajo e dënimit të një të riu për dëgjimin e muzikës së huaj.
“Zoti Prototuari, unë dua të sqaroj me ju vetëm momentin kur ju pyet gjyqtari për muzikën”, i paraprin Voka diskutimit me Muharremin dhe menjëherë, vë të luhet sekuencën në fjalë nga dokumentari i arkivit. “Ja, e shikoni?”, vazhdon ai. “Kur ju pyet gjyqtari për muzikën, ju e shmangni shikimin dhe kjo është shenjë mohuese”.
Çfarë do të thotë “shenjë mohuese”? Mos e ka fjalën që Muharremi mohon fjalët e gjyqtarit apo përgjigjen që i jep atij? Absolutizmi në fjalët dhe tonin e Vokës-personazh është pështjellues. Pothuajse na bën të presim njëfarë shpjegimi mbi marrëdhënien në përgjithësi të gjuhës së trupit te njeriu me konkretizimin te fjalët e nxjerra nga goja e Muharremit, por shpjegimi që pason është i çalë, në mos banal.
Gjuha e Vokës-personazh është e cunguar, e reduktuar në disa fjalë bazike që s’thonë gati asgjë. Ndoshta ai kërkon të na komunikojë se çelësi për ta kuptuar këtë gjyq gjendet vetëm te vështrimi i të akuzuarve; se ky vështrim mbase shpreh atë që veshi ynë s’ia del ta rrokë. Dhe si e bën ai këtë? Nëpërmjet një fjalori të vakët; një impostimi tejet dramatik, të panatyrshëm — shikimi i tij duke dashur të jetë serioz, përfundon duke qenë një shikim i vëngër e që ngjall parehati, për pasojë ky ekzagjerim e bën të duket disi qesharak, në mos patetik.
Nga ana tjetër, nuk ka një marrëdhënie mirëfilli ndërmjet tij dhe të pandehurit të tij tashmë. Muharremi duket sikur ka kaluar nga banka e të akuzuarve të regjimit diktatorial te banka e Vokës i cili e zhvlerëson krejtësisht historinë tragjike të tij dhe i imponohet që të marrë nga ai përgjigjen që Voka dëshiron, mbi një detaj të përplasur keq e të humbur gjatë rrugës.
Menjëherë më pas, kur biseda zhvendoset nga muzika te vëllai i Muharremit (Voka e pyet nëse djali në bankën e të akuzuarve pas tij është i vëllai), pason një heshtje e gjatë. Heshtje dhe asgjë tjetër. Më tepër dramë!
Rikthimi i Muharremit në Kinoteatrin e Tekstileve në Kombinatin e Beratit që tashmë është shndërruar në një vend argëtimi ku serviret kafe dhe alkool e ndër të tjera luhet bilardo, mu duk i gjetur për arsye se e gjykova simbolike hapësirën ku tashmë luhet vërtetë. 40 vjet më parë regjimi diktatorial në Shqipëri luante në të njëjtën sallë lojën më perverse me jetët e njerëzve.
Zëri i tronditur i Muharremit që zhytet rishtazi në kujtime të errëta teksa vijon rrëfimin e tij aty, është prekës por regjisori nuk ka ditur ta mbrojë këtë ndjenjë dhe ta ngrejë atë artistikisht aty prej nga ku ne si publik, të turbulluar tashmë, të mos rehatohemi por të grishemi për të hulumtuar më tej; të rebelohemi me ligësinë e cirqeve të diktaturës; të duam të mësojmë se pse ndodhën ato që ndodhën? Si u lejuan?
Ndër të tjera, fotografia e filmit ndryshon gjatë gjithë kohës: ngjyrat e përhimta por ftuese në fillim të dokumentarit, ia lënë vendin imazhit krejt të papërpunuar më pas. Po ashtu, kamera duket se filmon në mënyrë amatore pothuajse gjatë gjithë kohës por veçanërisht, në skenën ku Muharremi kthehet te vendi ku ka zbuluar eshtrat e të vëllait apo në fund, te varrezat.
Filmi nuk shoqërohet nga muzika por nga heshtja dhe kjo është një gjetje interesante. Nëse në filma të tjerë, muzika integrohet për të shkaktuar një efekt më dramatik, këtu kjo lloj drame do të ishte e tepërt. Tingulli i heshtjes është më i fortë dhe goditës.
Ka diçka tejet entuziaste dhe të respektueshme ndofta, në zgjedhjet e subjekteve të tilla si diktatura e përjetuar nga një spektër i ngushtë, këtu personifikimi i saj te një njeri apo grusht njerëzish. Mbase është pikërisht kjo ajo që na intrigon te punime të tilla. Në rastin tonë: jo një film-dokumentar me metrazh të shkurtër por diktatura në Shqipëri, ende e pazbardhur siç do ta meritonte historia dhe ngadhënjimi për jetën.
Përndryshe, ky film përngjan me një çark që nuk zë vetëm publikun i cili s’lidhet dot drejtë me të shkuarën, por edhe autorin e kësaj pune që merr më qafë si historinë që ofrohet po ashtu edhe të gjithë ata që përfshihen në të, personazhet fiktivë dhe ata realë, brenda e jashtë filmit.
Foto kryesore: Pjesë nga filmi “Verbalisht korrekt”.