Më kanë abuzuar seksualisht dy anëtarë të familjes. Dy!
Kur ua tregoj njerëzve ngjarjen time, gjithmonë e lë njërën pa e përmendur, sepse nuk duhet t’i trondisësh të tjerët, apo jo? Një është “normale”, mund ta përballosh. Dy e bëjnë të duket sikur jam pjesë e një rrethi vicioz – gjë që vërtet jam.
Por m’u deshën 13 vjet për ta kuptuar.
Kurrë s’më është dashur të merresha me traumën. Lidhjet me burrat i kam normale, nuk kam frikë të më prekin a të kem lidhje seksuale me ta. Asnjëra nga përvojat nuk ka pasur në njëfarë mënyre ndikim të madh se si do të isha në marrëdhënie. Gjithmonë e pyes veten pse.
Kam kaluar nëpër një tmerr dhe prapë, si fëmijë isha në gjendje ta tregoja ngjarjen time pa qarë. E pyeta nënën njëherë pse ishte kështu. Pse disa njerëz mund të përballen me situata të tmerrshme ndryshe nga të tjerët? Ajo ma shpjegoi se disa janë thjesht më të fortë.
I shikoj burrat duke ecur rrugëve të Kosovës dhe mendja më shkon nëse ndonjëherë kanë vënë dorë me dhunë mbi trupin e dikujt tjetër.
Herë pas here ende e dëgjoj atë koment – se jam e fortë. Por si mund të jem, nëse asnjëherë nuk e kam ndier me vetëdije nevojën për të qenë?
Me kalimin e kohës, përvoja më ka bërë më të vëmendshme ndaj njerëzve. I shikoj burrat duke ecur rrugëve të Kosovës dhe mendja më shkon nëse ndonjëherë kanë vënë dorë me dhunë mbi trupin e dikujt tjetër. Nuk mund t’i besoj askujt më. Por si t’u besoj, nëse kushëriri dhe babai im ishin në gjendje ta vazhdonin jetën sikur të mos u pengonte asgjë? Janë në gjendje të përshtaten për mrekulli.
Si ta besojë dikush se një burrë i suksesshëm, i mençur, dikur ka pasë vënë dorë mbi vajzën e vet? Asnjëri prej partnerëve të tyre të tashëm nuk dinë çka më kanë pasë bërë, kuptohet. A do ndryshonte gjë po ta dinin? Ne i shohim burrat si kryes të krimit në këtë histori, gjë që janë, por jemi edhe vetë ne gratë që shkelim gjakun e motrave pa u shqetësuar fare.
U pata treguar kushërirave kur isha fëmijë. Qava dhe u tregova ngjarjen time. Më shikuan jo me empati a me mirëkuptim, por më shumë me frikë. Ishim ende fëmijë dhe prapë instinktin e menjëhershëm e kishin të më ndërprenin. “Hesht. Mos qaj. Çka nëse të dëgjon kush?”
Dhe mbeti me kaq.
Më vonë atë mbrëmje, kushërira m’u kundërvu, më akuzoi se po gënjeja: “Axha im nuk do të bënte kurrë diçka të tillë. Kurrë,” tha ajo.
Prandaj, e lëshova teposhtë. I tregova se si kushëriri e kishte rrëshqitur dorën nën këmishën time, me çka ajo u pajtua. “E di. Ma ka bërë njësoj edhe mua.”
E prapë, mbeti me kaq.
Gati dukej sikur të ishte pjesë normale e jetës sonë, asgjë për të cilën ia vlente të shqetësoheshe. Thjesht një përditshmëri e një gruaje shqiptare. Don të na bashkohesh?
Jeta m’u kthye për 180 shkallë kur lajmet raportuan se një 16 vjeçare ishte abuzuar seksualisht nga arsimtari i saj dhe nga një polic. Në atë moment, krejt dhimbja që disi ia dilja ta shmangia gjatë gjithë asaj kohe, më vloi përbrenda.
Për shkak të asaj që më kishte bërë babai, shtatë vjet nuk erdha në Kosovë.
Gjithmonë e dija se kishte të tjera krejt si unë. Vajza dhe gra që vuajnë nga dora e kushërinjve, baballarëve, axhallarëve, gjyshërve dhe të huajve. Megjithatë, tash do të flisnim për këtë. Gratë që kanë vuajtuar në heshtje me vite shkruanin poezi në rrjetet sociale. Poezi në të cilat mund ta gjeja veten edhe unë.
E megjithatë, pavarësisht krejt kësaj, frika se po e zbulon familja ende mbetet në mendjen e secilës dhe do të vazhdojë për një kohë të gjatë.
Për shkak të asaj që më kishte bërë babai, shtatë vjet nuk erdha në Kosovë. Me nënën u zhvendosëm në Kanada për ta filluar një jetë të re. Një jetë ku s’do të më kujtohej vazhdimisht ajo që e kisha kaluar.
Dita kur shkela prapë në këtë vend ishte e bukur. U zgjova me zërin e ezanit. Diçka që nuk e kisha dëgjuar që nga fëmijëria. Nostalgji e pastër. Kjo vazhdoi për dy vjet. Çdo rrugë, çdo kënd, çdo person më kthente në kohën kur isha fëmijë. Më pëlqente shumë këtu! Si shumë të tjerë, e vizitoja familjen të paktën katër herë në vit. Kujtimet e fëmijërisë i kam të mbushura vetëm me Kosovën – asgjë tjetër.
Por kjo zgjati vetëm për do kohë dhe pastaj fillova ta shihja Kosovën dhe njerëzit e saj për çka ishin në të vërtetë. Seksistë, racistë, homofobikë… lista vazhdon. E kështu, sa më shumë rrija, më rritej urrejtja për ne. Dëgjoja familjen tek fliste dhe më vinte turp prej asaj ku përkisja. Të shteron mendërisht të jesh në një mjedis ku vazhdimisht ta kujtojnë se nuk je tjetër veçse trup. Trup që gatuan, lan dhe u shërben të tjerëve.
Si pjesë e diasporës, jemi rritur në shtete në të cilat barazia gjinore duket e mirëqenë. Të jesh seksist është të jesh gabim. Në Kosovë, duhet të kesh fat të takosh njerëz që jo vetëm që thonë se janë për barazi gjinore, por edhe të avokojnë për të. Shpesh ndihem sikur zemërimi dhe britmat tona kalohen si diçka qesharake. “Ah, ju shacat keni pare! Për çka po ankoheni?”
A kanë të drejtë? A kemi gjë për t’u ankuar?
Më është dhënë mundësia të mos rrethohem nga një kulturë që i përçmon kaq shumë gratë e veta.
Ne nuk jemi rritur në Kosovë. Shumica prej nesh nuk janë rritur këtu. Unë, personalisht, isha “me fat” që jam rritur nga një nënë gjermane, dhe prandaj kisha dikë që më dëgjonte kur flisja për abuzimin seksual që e kisha përjetuar. Më është dhënë mundësia të mos rrethohem nga një kulturë që i përçmon kaq shumë gratë e veta.
Si rrjedhojë, kurrë nuk do ta di si është të jesh grua në Kosovë. Nuk e di ç’do të thotë të të mos dëgjojnë gjithë jetën. Të jetoj në frikë të vazhdueshme nga kushëriri, axha, babai dhe burrat në përgjithësi. Çka nëse ai më prek PRAPË? Çka nëse njerëzit ma shpërfillin thirrjen për ndihmë PRAPË? Ky nuk ishte problem për mua, sepse isha në gjendje të largohesha.
Por, për shkak të mundësisë për t’u shprehur kur dua dhe aftësisë për të mos jetuar me frikë a për t’u shqetësuar se një ditë do të “dëbohem” nga familja, ia kam borxh çdo gruaje shqiptare fuqinë dhe forcën time. Ua kam borxh jo vetëm që të flas, por të bërtas për ne. Ua kam borxh që t’u jap fytyrë vuajtjeve dhe plagëve që vazhdimisht duhet t’i mbajmë.
Por më e rëndësishmja, ua kam borxh emrin tim: Arnina Beciri.
Foto kryesore: Arrita Katona / K2.0.