Pikëpamje | Feminizmi

Vetëtini, motra!

Nga - 02.02.2021

Më në fund, publiku në Ballkan flet për dhunën seksuale dhe dëgjon.

Do të doja të ma kishte treguar rrëfimin e saj. Do të doja ta ritregoja. Por s’është më e mundur. E vetmja gjë që mbetet është trauma e pathënë që ishte më e madhe se besimi, që s’mundi të depërtonte nëpërmes dashurisë, që ishte e pakomunikueshme. Dhe përfundimtare.

Kjo është arsyeja përse pyetjet “përse ka pritur deri tash?” dhe “përse ka heshtur” ma ngasin varrën, e thellojnë dhe e zvarrisin nëpër hapësirë e kohë, por janë të paafta ta nxisin ndonjë fjalë. Sidoqoftë, edhe pse kaq shumë gra të guximshme — të mbështetura nga njëra-tjetra — kanë vendosur të flasin haptas për dhunën seksuale ose përdhunimin që kanë përjetuar, ka pak hapësirë për heshtje dhe ajo u takon vetëm të mbijetuarave.

Kur bie muri i heshtjes

Në fillim të këtij viti, në mesin e janarit, një nga të mbijetuarat vendosi ta thyejë heshtjen.

Aktorja beogradase Milena Radulović ka raportuar ish-instruktorin e saj të aktrimit Miroslav Mika Aleksić për përdhunime që — sipas saj — kishin ndodhur në disa raste të ndryshme para nëntë vjetësh. Atëherë, Milena ishte 17 vjeçe dhe ndiqte shkollën e aktrimit “Stvar srca” [“Çështje zemre”] të drejtuar nga ky — të themi kushtimisht — pedagog.

Tash, gratë po i ndajnë përvojat e tyre në një shumësi platformash rajonale. Për herë të parë, shumë prej tyre po shprehen për forma të ndryshme të ngacmimit dhe abuzimit seksual.

Shkolla e tij ka prodhuar një konstelacion të aktorëve më të shkëlqyeshëm serbë, por me çfarë çmimi? Më pas, kallëzimet e Milenës u shoqëruan prej disa ish-studenteve të tjera të Aleksić-it, duke shkaktuar një efekt të frikshëm dhe të jashtëzakonshëm dominoje anekënd shteteve të ish-Jugosllavisë.

Tash, gratë po i ndajnë përvojat e tyre në një shumësi platformash rajonale. Për herë të parë, shumë prej tyre po shprehen për forma të ndryshme të ngacmimit dhe abuzimit seksual që kanë përjetuar ose vazhdojnë t’i përjetojnë, për vuajtjen e përvojës dhe vuajtjen e fshehjes; për ndjenjën e fajit dhe akuzimit të vetvetes; dhe për turpin e kurthuar në mendje dhe në trup që s’ia del dot të shndërrohet në fjalë dhe vepra.

Këtu përfshihen po ashtu dëshmitë e disa grave nga Mali i Zi. Nga 28 janari, një departament i një universiteti lokal ka shpallur nismën e parë që synon t’i inkurajojë dhe t’i mbështesë studentet për ta raportuar ngacimimin ose abuzimin seksual nga mësimdhënësit.

A është tash më e qartë përse “kanë heshur” dhe përse “kanë pritur deri tash”?

Heshtja e tyre nuk ka nënkuptuar kurrë se nuk ka dhunë, sepse dëshmi ka pasur gjithherë. Ajo nuk ka përkufizuar gratë e Malit të Zi. Në të vërtetë, ajo ka përkufizuar rrethin e tyre; mbështetjen që kanë dhe besimin që mund t’ua dhurojnë të tjerëve.

Heshtja flet për mitin e avulluar të njerëzisë që nuk çan kokën për “darkën e tjetrit” [që i referohet një shprehjeje të vjetre malazeze: “Vajza është darka e tjetërkujt”]. Tekembramja flet për një shoqëri që më përpara vë në pyetje motivet e raportimit, sesa t’i zë besë një të mbijetuare të përdhunimit. Për një shoqëri që mund t’i vijë gjynah për një grua, por s’mund ta besojë ose ta mbështesë. E këtillë është shoqëria ku i rrisim bijat tona.

Kjo është arsyeja pse besoj se kurrë nuk mund të bëhen tepër shkrime për përdhunimin dhe pse tingulli dhe tërbimi i tyre — si një lloj përpjekjeje shkrim-leximi e drejtuar nga analfabetët emocionalë dhe mbrojtësit përherë vigjilentë të shkelësve — duhet të thyejë përfundimisht heshtjen tmerrësisht të rëndë dhe toksike që deri më tani ka mbrojtur vetëm përdhunuesit dhe abuzuesit.

Heshtja e kobshme e zhveshur nga përgjegjësia

Del se institucionet e shkollimit të lartë në rajon janë përplot me njerëz të këtillë, gjë që po diskutohet nga studentët e tashëm dhe të atëhershëm. Po ashtu del se veprimet normative në disa prej këtyre institucioneve zhvendosin përgjegjësinë e ngacmimit dhe abuzimit te viktima ose e bëjnë “të përbashkët”, sikur në Fakultetin Juridik të Universitetit të Beogradit; “Rregullat e Procedurës” në këtë institucion — që mund të lexoheshin në uebfaqen e fakultetit deri para disa ditësh — parashohin se stafi dhe studentët duhet të veshin rroba që “nuk mund të shërbejnë si motiv ose arsyetim për ngacmim seksual”.

Në një institucion ku janë shkolluar 150 brezni të juristëve, ku diplomohen ata që na përfaqësojnë ligjërisht ose do të na përfaqësojnë ligjërisht në raste të ndryshme të abuzimit ose ngacmimit seksual, veshja “e pahijshme dhe e papërshtatshme” quhet motiv për ngacmim seksual. Po ky institucion — vetëm disa ditë pasi Qendra për Studime të Grave publikoi një foto të Rregullave në Facebook — e heq krejt dokumentin nga uebfaqja zyrtare pa njoftim paraprak.

Nuk mund ta dimë saktësisht sa të mëdha janë maja dhe baza e akullnajës kur flitet për “shifrat e zymta” — pra për rastet e paraportuara të përdhunimit.

Kjo është thjesht një pjesë tjetër e heshtjes së kobshme të zhveshur nga përgjegjësia për bashkëfajësi në formimin dhe normalizimin e një kulture të dhunës dhe frikës në të cilën jetojmë.

“Kur vjen puna te heshtja, secili prej nesh merr trajtën e frikës së vet”, thotë Audre Lorde, e cila shkroi aq mrekullisht për heshtjen dhe frikën, si dhe për ndërpleksjen e fuqishme mes tyre. “Në anën tjetër, vdekja është heshtja e fundit (…) Do të kisha vdekur herët a vonë, pavarësisht se a kisha folur vetë. Heshtja nuk më kishte mbrojtur. Heshtja jote nuk do të të mbrojë ty”.

Nuk mund ta dimë saktësisht sa të mëdha janë maja dhe baza e akullnajës kur flitet për “shifrat e zymta” — pra për rastet e paraportuara të përdhunimit. Nën majën e asaj akullnaje gjendet një ushtri e madhe dhe e heshtur e grave me dhimbje, të traumatizuara, të turpëruara dhe të vrara, rrëfimet e të cilave s’mund t’i dëgjojë më askush.

Le t’i dëgjojmë pra gratë që ende kanë zë. Le të dëgjojmë se çfarë kemi për të thënë: Nga cilat universitete jemi diplomuar, në çfarë kompanish kemi punuar, në çfarë familjesh jemi rritur. Le të dëgjojmë sa gjatë kanë qenë të heshtura sepse kanë menduar që është e vetmja mënyrë për të mbijetuar. Le të dëgjojmë tash ndërsa janë duke vetëtirë, pasi ka pasur tepër heshtje.

Vetëtini, motra, sepse mjaft i duruam duart e tyre të pista në trupat tanë. Vetëtini, motra, sepse nuk kemi kërkuar diçka të tillë.

Vetëtini, motra, sepse nuk jeni vetëm.

Imazhi i ballinës: #nisamtrazila and K2.0.