Në thelb | Dhuna në Familje

‘Viktimat e përhershme’ të dhunës në familje

Nga - 18.06.2019

Rikuperimi nga abuzimi recidiv.

Në muajin e parë të shtatzënisë Njomza* kishte trokitur te dyert e strehimores, e ënjtur dhe e gjakosur. Dyert ishin të njohura për të. Edhe dy herë të tjera kishte kërkuar ndihmë e strehim, pas dhunës së vazhdueshme që po e përjetonte nga bashkëshorti.

Me vete kishte marrë dy fëmijët. Njëri i moshës trevjeçare e tjetri një vit e gjysmë. Fëmijën e tretë e solli në jetë nën strehim. Tani, edhe pas dhjetë muajsh që nga lindja, vazhdon ta ushqejë foshnjën në strehimore.

Përgjatë një viti e gjysmë, 31 vjeçarja nga Gjakova po përjeton dhunë të dyfishtë. Nuk po ka kah t`ia mbajë. Te shtëpia e bashkëshortit, me të cilin thotë se nuk ka kurorëzim, ka vendosur të mos kthehet më. Zgjidhje nuk i kanë ofruar as familja e saj biologjike. Pa zgjidhje afatgjate ka mbetur edhe nga shteti.

“Familja ime më kanë thënë se ‘ti mund të kthehesh në shtëpi, por fëmijët nuk t`i pranojmë’. E unë fëmijët nuk i lë për asnjë çmim. Kurrë”, rrëfen e dërrmuar N.N.

Një pagesë qiraje vetëm për gjashtë muaj ia ka ofruar së fundi Komuna e Gjakovës. Mirëpo, edhe atë me kusht që ajo vetë ta gjejë banesën.

“Si do t`ia bëj pas gjashtë muajsh, nëse e gjej banesën dhe komuna ma paguan? Prapë do të detyrohem të kthehem në strehimore. S`kam ku tjetër të shkoj”, vazhdon ajo.

Në situatë të ngjajshme është edhe Merita* për të cilën janë bërë gjashtë muaj që kur ka kërkuar strehim në Qendrën Strehimore për gra dhe fëmijë në Prishtinë. Kjo është hera e dytë që 32 vjeçarja i është drejtuar qendrës për ndihmë, pas dhunës fizike e psikike të ushtruar nga bashkëshorti dhe vjehrra. Tre fëmijët, të cilët është detyruar t’i lë në shtëpi, po i sheh rrallë.

“Çdo ditë po insistoj që të dal prej strehimores, por edhe sikur të dilja, s`kam ku të shkoj."

Merita

Edhe ajo ka mbetur pa zgjidhje afatgjate, për shkak se nga pasuria e ish-bashkëshortit nuk ka mundur të përfitojë asgjë. E tërë pasuria, siç thotë ajo, është në emër të prindërve të tij. Në anën tjetër, familja e saj nuk e pranojnë. Për ndarje të pasurisë, siç thotë ajo, “as që bëhet fjalë”.

“E përfundova së fundi gjyqin për shkurorëzim. Nuk më takoi asgjë nga pasuria e tij. As familja ime nuk pranojnë t`më ndihmojnë”, thotë Merita.  

Tani, krejt çfarë po kërkon është që shteti t`ia gjejë një banim e t`i ofrojë mundësinë për ta gjetur një punë.

“Dua të filloj një jetë të re”, thotë ajo. “Çdo ditë po insistoj që të dal prej strehimores, por edhe sikur të dilja, s`kam ku të shkoj. I bëj apel shtetit që t`më ndihmojë. Një punë së paku ta gjej. Di të gatuaj dhe jam një kuzhiniere e mirë”.

Pavarësisht lutjeve të saj, Merita thotë se i ka humbur shpresa që “dikush do të ndihmojë”.

Anekënd Kosovës ka me mijëra gra që kanë përjetuar e përjetojnë dhunë nga familjarët dhe që kanë mbetur në mëshirën e “fatit”. Pa banim, pa punësim. Shumica kanë rënë pre e dhunës sistematike për shkak se janë kthyer sërish të dhunuesi, në pamundësi për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme banimi e punësimi. E deri më tani, institucionet shtetërore u kanë ofruar vetëm zgjidhje afatshkurtër.

Në rritje numri i rasteve të raportuara të dhunës në familje

Njomza dhe Merita janë në mesin e qindra grave që kanë kërkuar strehim në Kosovë në një nga tetë strehimoret.

Vitin e kaluar 432 të mbijetuara janë regjistruar në strehimore për viktima të dhunës në familje. Prej tyre, në strehimoren “Shtëpia e sigurtë” në komunën e Gjakovës, ku gjindet edhe Njomza, janë pranuar 75 raste.

Drejtoresha e saj, Sakibe Doli thotë se shumica e viktimave vijnë nga komuna e Gjakovës, por ka edhe nga komuna e Malishevës e Rahovecit, duke mos përjashtuar edhe komunat e tjera në numër më të vogël. Po ashtu, rastet janë edhe nga fshatrat edhe nga qytetet.

Mosha e viktimave gra, sipas të dhënave të kësaj qendre, sillet nga 20 deri në 70 vjeç, përderisa po ashtu strehohen edhe fëmijë deri në moshën 13 vjeçare. Në 90 përqind të rasteve që ata pranojnë, dhunuesi është bashkëshorti, kurse në 10 përqind anëtarë të tjerë të familjes.

Dhuna në familje - me shifra

Raportimi i dhunës në familje në polici është në rritje.

Në vitin 2017, numri më i madh i rasteve të dhunës në familje u shënua në rajonin e Prishtinës, me 298 raste në tërësi; rajoni i Prizrenit i pati 242 raste, ndërsa rajoni i Pejës i pati 211.

Më 2018, rajoni i Prishtinës përsëri pati numrin më të madh të rasteve me 442; rajoni i Prizrenit përsëri ishte i dyti me 251 raste, ndërsa më pas ishte rajoni i Gjilanit me 211 raste.

Dhuna më së shpeshti ndodhi ndërmjet bashkëshortëve në secilin prej këtyre viteve: 553 raste më 2017, dhe 727 raste më 2018. Forma e dytë më e zakonshme e dhunës në familje ishte ndërmjet babait dhe të birit, me 142 raste në 2017 dhe 162 raste në 2018.

Raportet e dhunës në familje janë rritur në mesin e të gjitha grupeve etnike: më 2017, policia morri raporte prej 1,045 shqiptarëve; 107 romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve; 87 serbëve. Më 2018, këto shifra ishin: 1,287 shqiptarë, 123 romë, ashkalinj dhe egjiptianë; 101 serbë.

400 persona u arrestuan si të dyshuar në raste të dhunës në familje më 2017; ndërsa në 2018 u arrestuan 499 persona.

Pesë njerëz humbën jetën si rrjedhojë e dhunës në familje më 2017 dhe gjashtë njerëz më 2018.

*Të dhënat nga Policia e Kosovës

Doli thotë se shkaktarët e dhunës janë nga më të ndryshmit, nga abuzimi i drogës dhe alkoolit, te vetëbesimi i ulët, mendësia patriarkale dhe kushtet e vështira ekonomike.

Gjatë vitit të kaluar, Doli thotë se i kanë strehuar 44 gra dhe 31 fëmijë (17 vajza dhe 11 djem). Ndërsa vetëm në tre mujorin e parë të këtij viti, thotë se janë regjistruar 50 raste – 24 gra dhe 26 fëmijë (21 vajza dhe 8 djem).

Rritja e kërkeses për strehim përkon edhe me rritjen e raportimeve të rasteve të dhunës në familje në përgjithësi. Bazuar në statistikat e Policisë së Kosovës, 1,541 raste u raportuan më 2018, rritje 18 përqindëshe nga 1,269 rastet e raportuara më 2017.

Të dhënat e policisë poashtu tregojnë që dhuna më së shpeshti evidentohet ndërmjet bashkëshortëve, ndërsa një numër i madh i rasteve ndodhin edhe në raporte mes babait dhe të birit. Më 2017, 818 gra dhe 227 ishin viktima të rasteve të raportuara të dhunës në familje, ndërsa më 2018, 1,189 viktima të raportuara ishin gra dhe 308 ishin burra.

Si kryeqytet, Prishtina shënon numrin më të madh të rasteve të raportuara të dhunës në familje. E që nga rihapja e strehimores në qershor 2018, pas një ndërprerje 18 muajshe, drejtoresha e re e ngarkuar, Zana Hamiti-Asllani, thotë se kanë qenë 55 raste për strehim. Shumica prej tyre thotë se janë nga komuna e Prishtinës, kurse pjesa tjetër nga komunat e tjera, siç janë: Fushë Kosova, Lipjani, Obiliqi, Drenasi e Podujeva.

Në shumicën e strehimoreve në vend, një viktimë mund të strehohet deri në gjashtë muaj e në disa strehimore maksimumi deri një vit, varësisht nga statuti i brendshëm i qendrave dhe resurset e kapacitetet që i kanë në dispozicion.

Megjithatë, shumë shpesh ndodh që këto periudha kohore të tejkalojen.

Në qendrën në Gjakovë, ku strehimi është i paraparë deri më 12 muaj, drejtoresha e saj Doli thotë se ka raste që qëndrojnë deri në 3 vjet. Ngjashëm në qendrën në Prishtinë që parasheh strehim deri më gjashtë muaj, Hamiti-Asllani thotë se viktimat që kanë përjetuar dhunë psikologjike apo që vijnë me lëndime trupore, si pasojë e dhunës fizike, “nuk i lënë në rrugë”.

“Arsyeja që një viktimë vazhdon të qëndrojë në qendër edhe për më shumë se gjashtë muaj, është se nuk ka ku të shkojë, familjarët nuk e pranojnë dhe ajo vetë nuk mund të mbijetojë, përderisa nuk ka kurrfarë të ardhurash”, tregon Hamiti-Asllani. “E kemi një rast këtu, që nuk është dhunë në familje, por para disa vitesh ka qenë. Është ende këtu, sepse nuk ka ku të shkojë, kurse punëtorët socialë ende nuk kanë arritur t`i gjejnë banim”.

Punëtorët socialë janë nga Qendra për Punë Sociale në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale; ata veprojnë si ndërmjetësues në mes të strehimores (viktimës) dhe komunës, mbase që kjo e fundit e ka për detyrë të sigurojë banimin. Për më tepër, MPMS-ja po ashtu ka përgjegjësi licensimin e strehimoreve, mbase ato janë të regjistruara si jofitimprurëse.

Deri vitin e kaluar gjysma e nevojave financiare mbulohej nga ministria dhe pjesa tjetër nga komunat, por lobimi nga aktivistët për të drejtat e grave ka ndikuar që të rritet buxheti i alokuar nga niveli qendror.

Por që nga fillimi i këtij viti, në kuadër të buxhetit 2019 janë ndarë 60,000 euro për strehimore të licensuar për vit. Sipas Rrjetit të Grave të Kosovës, OJQ e cila edhe ka avokuar për përfshirjen e kësaj linje buxhetore, ajo shumë është përcaktuar në bazë të vlerësimeve të bëra nga përfaqësueset e strehimoreve për të mbuluar të gjitha shpenzimet vjetore.

Por deri më tani, RrGK-ja thotë se strehimoret kanë pranuar vetëm gjysmën e mjeteve të dedikuara për to, e ndërkohë rastet recidive edhe më tej mbesin pa përkrahje afatgjatë.

Strehim pa mekanizma mbështetës afatgjatë

Strehimi në vetvete nuk ofron zgjidhje të qëndrueshme, e kjo posaqërisht për gratë që bien pre e dhunës së vazhdueshme.

Sipas Hamiti-Asllanit, shumë prej viktimave që strehohen në qendrën në Prishtinë janë raste recidive. Pikërisht, sipas saj, kjo po ndodhë për shkak se nuk është duke iu bërë zgjidhje viktimave për banim dhe “ato po detyrohen të kthehen sërish tek dhunuesit ”.

Ndërkohë, për të mësuar rreth riintegrimit dhe zgjidhjes së çështjes së banimit të viktimës është kontaktuar edhe MPMS-ja, si hartuese e politikave sociale. Por sipas Musa Demirit, udhëheqës i Zyrës për Komunikim me Publikun në kuadër të ministrisë, përdërisa ministria ofron grante për shërbimet e strehimit, rehabilitimit dhe ri-integrimit për viktimat e dhunës në familje në tetë strehimoret e vendit, përgjegjësia për banim bie mbi komunat.

“Shërbimet sociale trajtojnë çdo rast të dhunës në familje në bazë të mandatit që kanë, duke përfshirë koordinimin dhe ofrimin e këshillëdhënies për rastet pa strategji dalëse, por është përgjegjësi dhe mandat i komunave që të sigurojnë strehim afatgjatë për qytetarët kur veç janë viktima të dhunës”, thotë ai.

Strategjia Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Plani i Veprimit 2016-2020 parashohin që komunat janë përgjegjëse të ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme për rehabilitimin dhe riintegrimin afatgjatë të viktimave të dhunës në familje, e që përfshin edhe çështjen e sigurimit të vendbanimit afatgjatë.

Por sipas një raporti të RrGK të vitit 2017, “përfaqësuesit e institucioneve komunale nuk ishin të informuar për kuadrin përkatës ligjor dhe përgjegjësitë e tyre. Asnjë prej komunave të shqyrtuara nuk kishte hequr mënjanë fonde për zbatimin e SKMDHF-së apo të ndonjë programi tjetër për personat që kanë pësuar dhunë me bazë gjinore”. Sipas RrGK-së, në thelb gjendja nuk është se ka ndryshuar deri më sot.

Në lidhje me çështjen e banimit, zyrtarë nga komuna e Gjakovës kanë mohuar të kenë pasur ndonjë kërkesë nga viktimat gjatë vitit 2018 për të kërkuar strehim afatgjatë.

“Të gjitha rastet e dhunës referohen për strehim nga policia dhe Qendra për Punë Sociale në ‘Shtëpinë e sigurtë’ (strehimore) në Gjakovë. Sa i përket institucionit të komunës, nuk kemi asnjë rast në vitin 2018. Për vitin 2019 është një rast, i cili është në procedurë që të vendoset në banesë t`i paguhet qiraja”, thotë Blerta Qela, zyrtare e komunës së Gjakovës.

Ndërkaq, zyrtarë nga komuna e Prishtinës, respektivisht Drejtoria për Mirëqenie Sociale, bazuar në statistikat e vitit 2018 dhe tremujorit të parë të këtij viti, kanë deklaruar se nuk u kanë siguruar asnjë strehim afatgjatë ndonjë viktime të dhunës në familje, për shkak se nuk kanë pranuar një kërkesë të tillë.

“Në rastet e evidentuara të viktimave të dhunës në familje, në territorin e komunës së Prishtinës, kryesisht përmes Qendrave për Punë Sociale kemi arritur që me punonjësit socialë të trajtojmë lëndën/rastin dhe të rezultojnë me pajtim të palëve ose, në rast të mospajtimit, viktima është kthyer në familjen biologjike”, ka thënë Premtim Fazliu, koordinator në Drejtorinë për Mirëqenie Sociale në komunën e Prishtinës. “Megjithatë, në rast të paraqitjes së kërkesave, ne iu japim mundësi të gjitha rasteve për strehim afatgjatë, nëpërmes subvencionimit të qirasë për banim, por edhe nëpërmjet donatorëve për ndërtimin e shtëpive (për ata persona që posedojnë pronë të tyre)”.

OJQ-të sikurse RrGK-ja vlerësojnë se dështimi i shtetit në këtë drejtim po ndodhë në mungesë të vullnetit të ndarjes së fondeve, si dhe në mungesë të vetëdijes për t`i trajtuar me seriozitet këto raste.

Fazliu ka shtuar se në planin e veprimit për këtë vit kanë paraparë projektin për banim social, që do ta zgjidhte problemin e banimit për një kohë të gjatë.

“Bëhet fjalë për të gjitha rastet e të pastrehëve, përfshirë edhe personat që janë viktima të dhunës në familje. Ndërkaq, sa i përket rasteve për strehim afatshkurtër, sërish bëhet fjalë për fare pak raste, gjithsej tre sosh, të cilave iu është subvencionuar qiraja për tre, respektivisht gjashtë, muaj”, ka thënë ai.

Megjithatë, OJQ-të sikurse RrGK-ja janë më kritike sa i përket përpjekjeve dhe punës në nivelet lokale për të gjetur zgjidhje më afatgjatë. RrGK-ja ka vlerësuar se dështimi i shtetit në këtë drejtim po ndodhë në mungesë të vullneti të ndarjes së fondeve, si dhe në mungesë të vetëdijes për t`i trajtuar me seriozitet këto raste.

“Komunat hezitojnë të ndajnë vendbanim për viktimat; gjykatat tek tash vonë kanë filluar të trajnohen dhe t`u japin viktimave të drejtën e tyre përmes fondit për kompensim të viktimave; Qendrat e Punësimit dështojnë t`u japin prioritet grave që kanë përjetuar dhunë”, thuhet në përgjigje.

Ngjashëm është shprehur edhe Doli, e cila ka cekur se në kuadër të Ligjit për Dhunë në Familje duhet paraparë mekanizma koordinues nëpër komuna në mënyrë që të ketë koordinim më efikas me strehimoret. Sipas saj, deri më tani ky bashkëpunim ka mbetur peng i vullnetit të komunave.

Për më tepër, Doli e sheh si problem edhe mungesën e angazhimit rreth riintegrimit të viktimave, për shembull nëpërmjet punësimit nga institucionet shtetërore. E ky është vetëm një boshllëk tjetër të cilin qendra e saj tenton ta plotësoj përmes donacioneve të jashtme e me memorandume të mirëkuptimit.

“Përmes ngritjes profesionale në Qendrën për Aftësime Profesionale, u ofrojmë viktimave kurse disamujore trajnimi. Ta zëmë, për rrobaqepësi, floktari, administrim në zyre, kontabilitet, si dhe kurse brenda strehimores, si: gatim i brumërave, bletari, thurje, qëndisje, mësim të gjuhës angleze. Po ashtu, gratë mund të punojnë edhe në familjet e qytetit me punë ditore, ta zëmë të pastrojnë, por edhe si kujdestare të fëmijëve apo pleqve dhe të hollat e fituara i marrin për vete”, vazhdon Doli.

Komuniteti serb me qasje të limituar

Përderisa janë tetë strehimore anembanë Kosovës, për gratë e komunitetit serb qasja në to mbetet e vështirë. Për shembull, edhe Doli edhe Asllani-Hamiti thonë se nga komuniteti serb ka vite që nuk kanë pranuar ndonjë rast. Ndërkohë, strehimorja e themeluar në Novobërbë vitin e kaluar ende është në funksionalizim e sipër. Kjo strehimore është në proces të licencimit të profesionistëve dhe është mbështetur financiarisht nga UNMIK-u, KFOR-i dhe OSBE-ja.  

Por, çështja më problematike duket të jetë në pjesën veriore të vendit, ku të regjistruar nuk ka asnjë strehimore.

Lidhur me situatën atje, Tijana Simic, menaxhere e Qendrës për Parandalimin dhe Mbrojtjen e Grave nga dhuna gjinore dhe dhuna në familje, e cila ofron ndihmë juridike e psikologjike falas, e po ashtu edhe riintegrim, thotë se vitin e kaluar ka pasur një rritje të numrit të rasteve të dhunës në familje krahasuar me vitin 2017.

“Qendra jonë ka ofruar shërbime për rreth 800 klientë gjatë dy vjetëve të fundit”, thotë ajo. “Por, rritja e përqindjes së rasteve nuk do të thotë domosdoshmërisht që ka një rritje të dhunës në familje”.

Përkundrazi, Simic beson se krijimi i gjykatës në veri mund t’i ketë motivuar gratë të raportojnë abuzimet”.

Viktimat e dhunës në veri, siç thotë Simic, zakonisht kërkojnë strehim në Qendrën Strehimore në Jug të Mitrovicës, e cila udhëhiqet nga komuniteti shqiptar.

“Ne kemi një bashkëpunim të mirë me atë qendër. Sidoqoftë, viktimat hezitojnë për të shkuar aty.  Është edhe një traumë tjetër për to. Megjithatë, ato marrin kujdesin e nevojshëm”, shton ajo.

Sa i përket zgjidhjes së çështjes së banimit për viktimat, Simic thotë se nuk ka informacione në tërësi nëse ndonjërës i është ofruar banim afatgjatë, por mund të thotë se nuk i është bërë kjo zgjidhje asnjë viktime që kanë pranuar në qendër.

Vështirësitë, sipas janë, krijuar në momentin që ka filluar të funksionojë gjykata në veri nën patronatin e Republikës së Kosovës, në fund të vitit 2017.

“Ne kemi nevojë për ngritjen e vetëdijes, trajnime për ofruesit e shërbimeve të përgjithshme - policia, stafi mjekësor, prokurorët, gjyqtarët, punonjësit socialë".

Tijana Simic

Paraprakisht, Simic thotë se shumica e martesave janë legalizuar në gjykatën serbe në veri të Mitrovicës dhe fëmijët kanë lindur në spitalin serb. Pasi që gjykata u integrua në sistemin e Kosovës, siç shpjegon ajo, sistemi nuk i njohu ato martesa, as certifikatat e lindjes së fëmijëve të lëshuara nga sistemi serb. Gjykata, gjithashtu nuk i njohu vendimet e gjykatës serbe që ishin lëshuar para riintegrimit gjyqësor.

“E kishim një rast ku një grua nuk mund të divorcohej, sepse ajo ishte e martuar në një gjykatë serbe, por gjithashtu nuk mund të kërkonte kujdestarinë ose vizitën e një fëmije, sepse fëmija nuk kishte certifikatë lindjeje të Kosovës. Pra, nuk ishte njohur nga sistemi”, tregon ajo.

“Kjo po ndodhte për rreth një vit përpara se të zgjidhej çështja se ku të njiheshin dokumentet. Gjatë negociatave në Bruksel, këto probleme nuk ishin parashikuar. Negociatorët nuk mendonin me të vërtetë për ndryshimet praktike që do të ndodhnin gjatë dhe pas tranzicionit”.

Simic gjithashtu e thekson “procesin e komplikuar” dhe shton se disa gra me të cilat ka biseduar janë demotivuar kur kanë menduar t’i drejtohen gjykatave për shkak të procedurave të gjata.

Ajo beson se për të ofruar zgjidhje në këtë drejtim, shteti duhet ta miratojë dhe zbatojë Konventën e Stambollit (Konventa e Këshillit të Evropës për Luftimin dhe Parandalimin e Dhunës ndaj Grave dhe Fëmijëve), nënshkruese e së cilës po pretendon që të bëhet edhe Kosova.

Kjo Konventë përcakton rolin e shtetit, institucioneve dhe ofruesve të shërbimeve të OJQ-ve.

“Është imperative të bëhet rishikimi i ligjeve përkatëse në përputhje me Konventën e Stambollit”, shton ajo.

Në përgjithësi, ajo beson se çështjet me të cilat ballafaqohet komuniteti serb sa i përket dhunës në familje, si dhe zgjidhjet potenciale, janë gjerësisht të ngjashme me ato me të cilat përballen komunitetet tjera.

“Ne kemi nevojë për ngritjen e vetëdijes, trajnime për ofruesit e shërbimeve të përgjithshme – policia, stafi mjekësor, prokurorët, gjyqtarët, punonjësit socialë. Kemi nevojë për njohjen e organizatave të udhëhequra nga gratë, të cilët ofrojnë shërbime të specializuara mbështetëse nga autoritetet lokale”.

RrGK-ja pajtohet se kërkohen veprime të fuqishme sa i përket ballafaqimit me dhunën në familje, mbështetjen e të mbijetuarve dhe ndryshimin e kulturës që shpeshherë e trajton të mbijetuarin si fajtor.

“Arsyeja më e shpeshtë se pse një burrë është ushtrues recidiv i dhunës ndërlidhet me politikat ndëshkimore për ushtruesit e dhunës dhe kulturën e fajësimit të viktimës”, thuhet në përgjigjen e organizatës. “Pra, është tentuar që të minimizohet dhuna, kurse deklaratat e grave nuk janë marrë parasysh. Dhunuesit, duke parë se shteti nuk po i ndëshkon, kanë vazhduar t’i përsërisin sjelljet e dhunshme ndaj anëtarëve të familjes. Dënimi meritor për këtë kategori ndikon dukshëm edhe në minimizimin e rasteve recidive”.

Informacione rreth dhunës në familje, veçanërisht rreth trajtimit të tyre dhe verdikteve finale nëpër gjykata, janë kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Mirëpo, në përgjigjen e tyre nuk janë ofruar këto të dhëna. Janë dërguar disa statistika rreth veprave penale që ndërlidhen me martesën dhe familjen që më shumë flasin për obligimet rreth fëmijëve, si dhe martesave të jashtëligjshme, duke përjashtuar statistikat rreth rasteve te dhunës.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

*Emrat e të mbijetuarve të dhunës seksuale të përfshirë në këtë artikull janë ndryshuar për t’i mbrojtur identitetet e tyre.

Ky artikull është prodhuar në kuadër të projektit “Shtëpia ime, të drejtat e mia”, implementuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe mbështetur nga UNMIK (Confidence Building Measures Project-CBMP). Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autores dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i UNMIK-ut ose AGK-së.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.