Fushata jozyrtare zgjedhore më gjeti duke lexuar autobiografinë e Shimon Peres-it, shërbyesit dhe burrështetasit izraelit. Peres rrëfen për vitet e para të shtetit të ri të Izraelit. Brenda shtatë vjetëve nga shpallja e pavarësisë, Izraeli kaloi nga prodhimi i bicikletave në eksport të aeroplanëve. Brenda gjysmë shekulli, arriti që të bëhet vendi më i ri e më i vogël që lansoi satelit në hapësirë. Në aspektin ekonomik, Izraeli është vendi me numrin më të madh të start-up-eve për kokë banori.
Sikurse gjenerata e Peres-it, e cila ishte dëshmitare e lindjes së një shteti të ri, edhe ne jemi dëshmitarë dhe kontribues të shtetndërtimit në Kosovë. Por ngjashmëritë përfundojnë këtu.
Përderisa brenda shtatë vjetëve nga shpallja e pavarësisë Izraeli ia doli të eksportonte aeroplanë, eksporti më i madh i Kosovës mbeti skrapi – hekurishtet nga çmontimet e fabrikave. Deficiti tregtar i Kosovës po i afrohet shifrës prej tre miliardë eurosh dhe eksporti mbulon importin me vetëm 11%. E shprehur kjo në vlerë monetare, përmes importit Kosova hedh jashtë vendit 3.3 miliardë euro në vit, kurse eksporti na sjell vetëm 367 milionë euro. Edhe më tej materialet e papërpunara dhe metalet bazë përbëjnë pjesën më të madhe të eksporteve. Njëzet vjet pas çlirimit dhe 11 vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova importon rrëmojëse nga Kina, ose mbi 80 mijë kilogram hudhra në vit nga shtete si Kina, Egjipti e Greqia.
Kritikave për gjendjen e rëndë ekonomike dhe papunësinë e lartë, politikanët i përgjigjen se jemi shtet i ri. Por në kohë fushatash premtojnë parajsën.
Në fushatën e fundit zgjedhore, atë të vitit 2017, koalicioni i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma (koalicioni PAN) doli me një program zgjedhor të titulluar “99 premtime konkrete”. Nga këto 99 premtime konkrete, 54 veprime hynin në fushën e zhvillimit ekonomik, të reformave fiskale, mirëqenies sociale, politikave bujqësore, minerare, energjetike dhe infrastrukturore.
Sipas platformës për monitorimin e zbatimit të premtimeve zgjedhore të organizatës Demokraci Plus, vetëm shtatë nga 54 premtimet që bien në fushën e ekonomisë dhe të mirëqenies sociale janë përmbushur plotësisht. Kësisoj, premtimet për veprime konkrete u shndërruan në dështime konkrete.
Premtimet më të mëdha si: rritja ekonomike vjetore prej 8%, dyfishimi i buxhetit për bujqësi, themelimi i gjykatës tregtare, rehabilitimi i Trepçës, ulja e tatimit në fitim, punësimi i një anëtari nga çdo familje, etj. mbeten të papërmbushura. Në këto kalkulime nuk kam marrë për bazë premtimet e Aleancës ‘Kosova e Re’, e cila ishte pjesë e qeverisjes PAN e që premtonte 60 mijë vende të punës për çdo vit dhe rritje ekonomike dyshifrore.
Dy vjet pasi u dhanë këto premtimeve, gjendja ekonomike dhe trendi i punësimit është më negativ sesa në fillim të mandatit. Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se në tremujorin e parë të vitit 2019 ka më pak të punësuar në Kosovë sesa në vitin 2017, kur filloi qeverisja PAN.
Fokusi i shumë fushatave zgjedhore ishte krijimi i një mjedisi më të përshtatshëm për investimet e huaja direkte. Për këtë qëllim u miratua edhe Ligji për investimet strategjike, me qëllim të shkurtimit të procedurave administrative për investime, e në mandatin e kaluar funksionoi edhe Ministria për Diasporë dhe Investime Strategjike.
Por të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë për rënie të investimeve strategjike më 2018, krahasuar me dy vitet paraprake. Të dhënat e BQK për investimet e huaja direkte në pesëmujorin e parë të 2019 nuk japin shpresë se ky vit do të jetë më i mirë se vitet paraprake.
Në fund të korrikut 2019, një punonjës i sektorit privat ka më pak fuqi blerëse sesa kishte shtatë vjet më parë. Ndonëse paga mesatare neto nga viti 2012 deri në vitin 2018 është rritur për vetëm 9.3%, në të njëjtën periudhë inflacioni i akumuluar kap shifrën prej 10.1%. Me fjalë të tjera, 333 eurot që i ka marrë pagë mesatare një punonjës i sektorit privat më 2012 ishin më të vlefshme sesa 364 eurot që i merr në vitin 2019.
Në sektorin e bujqësisë, koalicioni PAN premtonte dyfishim të buxhetit për bujqësi dhe pesëfishim të eksporteve bujqësore. Por në vitin 2019 buxheti i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural është për një milion euro më i vogël sesa ai që kishte kjo ministri më 2017. Në anën tjetër, të dhënat e ASK tregojnë se në fund të vitit 2018 eksporti i produkteve bujqësore shënoi rritje prej vetëm 1.8%, por edhe deficiti tregtar shkoi duke u rritur për 2.8%.
Për regresin në zhvillimin ekonomik e në mirëqenien sociale gjatë qeverisjes PAN tregon edhe ky shembull nga Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale. Përderisa një nga objektivat e MPMS në programin qeverisës 2017-2021 ishte edhe ulja e numrit të familjeve në asistencë sociale, në fund të mandatit numri i këtyre familjeve ishte më i madh për 295 krahasuar me shtatorin e vitit 2017, kur PAN filloi qeverisjen.
Qeveria PAN e udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj ishte më jetëshkurta që nga shpallja e pavarësisë. Por, për ato 678 ditë sa ishte në pushtet, prodhoi skandale të panumërta. Kur Qeveria PAN mbushi 400 ditë mandat, kisha arritur të numëroja 100 skandale, shumica të ndërlidhura direkt me vendimet e kryeministrit Haradinaj. Pra, një skandal çdo të katërtën ditë. E shumë nga këto skandale paraqesin bazë të fortë për ndjekje penale.
Në javët e fundit të qeverisjes, Haradinaj filloi të shtynte përpara idenë e ndërtimit edhe të një autostrade, asaj të Dukagjinit, me një kosto prej afro një miliardë eurosh. Deri më tani janë shpenzuar mbi dy miliardë euro për ndërtimin e autostradave që lidhin Kosovën me Shqipërinë dhe Maqedoninë, ndërsa dhe kanë mbetur përgjysmë tri autostrada, në mungesë të mjeteve buxhetore (ajo e Mitrovicës, e Pejës dhe e Gjilanit). Përkundër kësaj, politikanëve nuk u duket ide e marrë të ndërtojnë edhe një autostradë 91 kilometërshe, 40% e të cilave do të kalojnë nëpër prona private.
Në politikë nuk vlen thënia “një i marrë e hedh gurin, njëqind të mençur nuk mund ta nxjerrin”. Në politikë, një i marrë e hedh një ide, e njëqind të tjerë as nuk marrin mundin që ta korrigjojnë. Madje e përvetësojnë idenë.
I tillë është rasti edhe me autostradën e Dukagjinit. Tani, duke u frikësuar nga humbja e votave, asnjëra nga partitë politike nuk e kundërshton plotësisht idenë e ndërtimit edhe të një autostrade. E çfarëdo koalicioni qeverisës i cili bën plane për të orientuar edhe një miliardë euro në një autostradë të re, dëshmon qysh tash se nuk do të ketë fare buxhet për të trajtuar problemet e tjera që ndërlidhen me arsimin, shëndetësinë, mirëqenien e punësimin.
Ndërsa po afrohet data e votimeve të reja të 6 tetorit, një përqindje e madhe e popullsisë është duke votuar çdo ditë – ata votojnë me këmbë. Të votosh me këmbë nënkupton t’ia mbathësh për të kërkuar një sistem më të mirë ekonomik, që nuk ta ofron vendi yt.
Në bazë të një përllogaritjeje të Institutit GAP, ndërmjet viteve 2009 dhe 2017, 11% e popullsisë kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Evropian së paku një herë. Duke i zgjeruar vitet e përllogaritjes, gazeta britanike The Guardian nxjerr të dhëna edhe më shqetësuese: në vitet 2007-2018 Kosova ka humbur 15% të popullsisë si pasojë e emigrimit.
Shkalla e lartë e emigrimit ka ndikuar edhe në procesin mësimor, duke bërë që numri i nxënësve në të gjitha shkollat dhe në të gjitha komunat të shkojë duke rënë. Miliona euro të investuara në objekte shkollore përgjatë viteve tanimë nuk kanë asnjë kuptim, ngase është paraqitur nevoja që shumë nga to të mbyllen.
Me qëllim që të ndalet ‘votimi me këmbë’, qytetarët duhet të fillojnë të ‘votojnë me kokë’. Duke marrë parasysh se premtimet zgjedhore të të gjitha partive tingëllojnë njësoj, vota e 6 tetorit duhet të jetë votë ndëshkimi. Ndëshkim për ato parti dhe ata politikanë të cilët janë fajtorë për degradimin e gjithëmbarshëm shoqëror.
Foto kryesore: Majlinda Hoxha & Arrita Katona / K2.0.