Në thelb | Pavarësia

Zërat nga brezat kufitarë

Nga - 17.02.2019

Jeta në zonat që po konsiderohen për ‘shkëmbim territori’.

Sot shënohet 11 vjetori i pavarësisë së Kosovës. Më 17 shkurt 2008, deputetët e zgjedhur në Kuvendin e Kosovës votuan në mënyrë unanime për Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, duke u zotuar ta mbrojnë integritetin territorial të shtetit më të ri në Evropë.

Pas një dekade filluan diskutimet për mundësinë e shkëmbimit të territorit. Gjatë muajve të fundit, fjalët “korrigjim i kufirit”, “ndryshimi i kufirit” dhe “shkëmbimi i territorit” kanë hyrë në diskursin e përditshëm, pasi Presidenti Kosovar Hashim Thaçi dhe Presidenti Serb Aleksandar Vučić — që po e drejtojnë dialogun ndërmjet dy shteteve, cili është nën ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel me synim të normalizimit të marrëdhënieve — filluan të flasin haptas për idenë e rivendosjes së kufijve.

Natyra e saktë e ndryshimeve potenciale kufitare që po merren parasysh nuk është artikuluar asnjëherë në mënyrë transparente, duke i lënë kështu qytetarët dhe komentuesit të vinë në konkludimet e tyre; alternativa më e diskutuar është shkëmbimi i pjesëve të Kosovës së veriut në të cilat serbët janë popullsi shumicë, me Luginën e Preshevës në jug të Serbisë që ka shumicë shqiptare.

Pak vëmendje i është kushtuar atyre që jetojnë në dy zonat që janë çështje e një debati kaq të madh.

Pasi që ka pak informata në dispozicion, shumë pyetje specifike kanë mbetur pa përgjigje: A do të përfshiheshin në këtë shkëmbim burimet kyçe strategjike si Liqeni i Ujmanit në veri të Kosovës? A do t’i dorëzohet Serbisë pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës? A do t’i bashkohet Kosovës e gjithë Komuna e Preshevës? E Bujanoci, qyteti me shumicë shqiptare por me përqindje të lartë të serbëve?

Idea është pritur me reagime të fuqishme në Kosovë dhe rajon, dhe nga liderët e huaj; kundërshtuesit e saj kanë deklaruar se e rrezikon shtetësinë e Kosovës dhe stabilitetin e rajonit, ndërsa mbështetësit thonë se mund të ofrojë më në fund një lloj zgjidhje për armiqësinë e vazhdueshme ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Ndonëse situata më e gjerë — gjeopolitika, pasojat në rajon dhe precedenti që mund të vendoset nga një lëvizje e tillë — është diskutuar gjerësisht, pak vëmendje i është kushtuar atyre që jetojnë në dy zonat që janë çështje e një debati kaq të madh.

Çfarë mendojnë për debatin aktual qytetarët në Luginën e Preshevës dhe në veriun e Kosovës? Si është të jetosh në pasiguri, me pak detaje në dispozicion në lidhje me alternativat që po konsiderohen? Çfarë ndikimi do të kishte shkëmbimi eventual në jetët e tyre?

K2.0 i pyeti shtatë banorë nga Lugina e Preshevës dhe nga ana veriore e Kosovës — persona për të cilët plot të tjerë po flasin, por rrallëherë e kanë mundësinë të flasin për vete — për pikëpamjen e tyre në lidhje me këtë situatë. Përderisa disa prej tyre e shohin ndryshimin e kufijve si mundësi për t’iu bashkuar shteteve në të cilat do të përkisnin si mazhorancë etnike, të tjerët mendojnë se një ndryshim i tillë nuk do t’ua rregullonte problemet e përditshme, pa marrë parasysh cilit shtet i përkasin.

Photo: Atdhe Mulla / K2.0.

Milica Andrić Rakić

Profesioni: Gazetare (Kossev)

Nga: Zubin Potoku

Personalisht — edhe pse mendoj se reflekton opinionin e shumëkujt —- jam me dy mendje për mundësinë e shkëmbimit të territoreve. Nuk mendoj se ka ndonjë person këtu që do të thoshte, “Jo, nuk do të doja të kishim institucione funksionale serbe këtu”, dhe [nuk do të doja] ta bënim përsëri Marrëveshjen e Brukselit e ta kthenim situatën siç ishte në periudhën para vitit 2013.

Megjithatë, si plot të tjerë këtu, mendoj se nëse ka qenë një kohë e duhur për ta bërë këtë, ishte viti 2013, sepse në thelb kishim institucione serbe këtu — nuk i përkisnim pjesës tjetër të Kosovës, asnjë vendim që merrej nga qeveria në Prishtinë nuk kishte efekt ligjor në jetët tona këtu.

Nga viti 2013, me Marrëveshjen e Brukselit, kjo nuk është më e vërtetë. Shumë njerëz tani varen edhe nga institucionet e Kosovës, gati gjysma e tyre janë të integruar, vetëm sistemi i arsimit dhe i shëndetësisë janë funksional në sistemin serb. Kjo do të kërkonte një periudhë të riintegrimit në institucionet serbe dhe mund të implikojë edhe dhunë — veçanërisht në Mitrovicë.

Mendoj se deri në 2013, shumica e njerëzve këtu mendonin se dikur do të ishte e qartë se kjo pjesë do të ishte serbe, dhe pjesa tjetër do të ishte Kosovë.

"Politikanët në thelb na kanë shkelur. Pra, ne jemi të rrahur dhe jemi në një pikë ku do të pranojmë çkado, veç të kryhet kjo më në fund".

Milica Andrić Rakić

Pas shumë viteve me trazira dhe përpjekje në drejtime të ndryshme, nuk mendoj se njerëzit këtu kanë më energji për ndryshime të mëdha. Në këtë pikë, mendoj se komuniteti është aq i rraskapitur, sa që do ta pranojë çfarëdo zgjidhje — si do që ta prezantojnë.

Çfarëdo zgjidhje përveç ndonjë që implikon dhunë do të pranohej në fund nga komuniteti, sepse mendoj se ata — dhe kur them “ata” e kam fjalën për politikanët në Serbi dhe në Kosovë — në thelb na kanë shkelur. Pra, ne jemi të rrahur dhe jemi në një pikë ku do të pranojmë çkado, veç të kryhet kjo më në fund.

Njerëzit e Luginës së Preshevës nuk po i pyesin se a janë të gatshëm t’i binden [aspekteve praktike të korrigjimit të kufirit] sepse nuk është realisht për popullin, është për qeveritë serbe dhe kosovare, dhe atë se çfarë lloj marrëveshje mund të arrijnë për të garantuar njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke e bërë njëkohësisht të mundur që Serbia ta bëjë këtë pa trazira të mëdha politike në këtë vend.

Ka kaluar një kohë e gjatë prej kur i pyesnin njerëzit këtu se çfarë duan. Po t’i kishin pyetur në 2013, ata kurrë nuk do ta kishin pranuar integrimin në institucionet e Kosovës. Por një gjë e rëndësishme, që mendoj është gabimi më i madh nga qeveria kosovare, është perceptimi në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Sepse çështjet e sistemeve të shëndetësisë dhe arsimit ishin rreziqet e para reale, ato ishin vijat e kuqe për njerëzit e komuniteteve serbe në Kosovë [sa i përket integrimit në institucione], veçanërisht për shkak të problemeve praktike: Ne mendojmë se është e frikshme idea të shkosh te doktori dhe të paguash. [Në sistemin serb] Paguan prapëseprapë, por të hiqet nga rroga dhe nuk mendon realisht për të — është dallim i madh pastaj të pagaush për kujdes shëndetësor privat.

Gjithmonë kemi thënë se duhet të jetë një organ që mund të koordinojë dhe ta themelojë me lehtësi një sistem të shëndetësisë në të cilin paguan [në mënyrën e sistemit serb]. Ky institucion do të ishte thelbësisht i ngjashëm me sistemin serb, dhe nuk do t’i thente ligjet e Kosovës.

"Njerëzit këtu janë tepër të lodhur nga incidentet e inskenuara politike dhe kam frikë se nëse ka dhunë, njerëzit thjeshtë do t’i mbledhin gjërat e të ikin".

Milica Andrić Rakić

 

Dhe gjithashtu presioni do t’i binte Serbisë, sepse kur Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk po funksiononte, Vučić e kishte një argument: “Jemi pajtuar për diçka dhe ata nuk duan ta zbatojnë. Nuk mund të flas me këta njerëz. Më duhet diçka më shumë. Nuk do të iu jap njohje për diçka për të cilën veç se kemi negociuar”. Kështu arriti ta bëjë Kosovën të duket e pasigurtë, dhe realisht jo e gatshme për t’u marrë me komunitetin serb.

Mendoj se ky ishte gabimi më i madh nga negociuesit e Kosovës. Mosformimi i Asociacionit na ka sjellë në këtë situatë, në të cilën Vučić mund të kërkojë diçka më shumë. Sepse ai ka arritur të vijë nga një situatë në të cilën e nënshkroi Marrëveshjen e Brukselit, e cila në thelb ishte rezolutë që kërkoi vetëm miratim në parlament, në këtë pikë ku të gjithë thonë: “Po, ok, por Vučić-it duhet t’i japim diçka për ta kryer këtë”.

Njerëzit këtu janë shumë të lodhur, veçanërisht në veri —  sa herë që u duhen njerëzve vlerësime më të larta, ata vijnë këtu. Si me arrestimin e Marko Đurić-it [në 2018], si me trenin [anash së cilit shkruante “Kosova është Serbi” në 21 gjuhë, dhe i cili u nis nga Beogradi drejt Kosovës në 2017], gjithmonë ka diçka.

Verën e kaluar, ishin disa thashetheme që mund të kishte incidente të inskenuara që mund ta vënin në fuqi këtë skenar, dhe ta realizonin me forcë këtë shkëmbim të territoreve. Unë kam frikë se njerëzit këtu janë tepër të lodhur nga incidentet e inskenuara politike dhe kam frikë se nëse ka dhunë, njerëzit thjeshtë do t’i mbledhin gjërat e të ikin — duke i lënë shtëpitë e tyre — dhe nuk mendoj se do ta konsideronin kthimin.

Në vitin 2011, kur forcat speciale të policisë së Kosovës u munduan t’i marrin pikat kufitare për ta imponuar embargon e tregtisë dhe pastaj serbët filluan të ndërtojnë barrikada, bënin edhe ato sirenat e sulmeve ajrore, dhe kur njerëzit i dëgjuan, të gjithë dilnin për të parë se çfarë po ndodhte, duke e ndjerë rrezikun.

Dy herët e fundit këto sirenat e sulmeve ajrore ndodhën në Mitrovicë dhe ishte për arrestimin e Marko Đurić-it dhe përpjekjen për ta arrestuar Milan Radojičić [në 2018] — dhe askush nuk doli — ne nuk duam të jemi pjesë e saj, nuk i besojmë këto sinjale. Njerëzit nuk duan të jenë pjesë e shfaqjeve politike dhe thejshtë janë dorëzuar.

Prandaj po them se herën e ardhshme, nëse ndonjë plan që ata e kanë përfshinë një incident të sigurisë si pjesë e së cilit duan t’i lëshojnë sirenat e sulmeve ajrore dhe t’i çesin serbët prej shtëpive për të ndërtuar barrikada, kjo nuk do të ndodhë — ata do t’i lëjnë shtëpitë dhe të ikin, sepse askush nuk do më të jetë pjesë e skenareve.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Liburn Mustafa

Profesioni: Arsimtar i sociologjisë në shkollë të mesme

Nga: Presheva

Prej disa viteve diskutime dhe dialog mes Kosovës dhe Serbisë, palët kanë arritur në një pikë ku “normaliteti dhe paqja është e mundur vetëm nëse palët do të diskutojnë rivizatimin apo korrigjimin e kufijve shtetërorë”. Këtu iu referohemi qëndrimeve/deklarimeve të faktorit ndërkombëtarë gjegjësisht BE-së dhe SHBA-së, se palët do të duhet të gjejnë gjuhën e kompromisit dhe të tejkalojnë konfliktin e ngrirë që do të çoj në njohje reciproke të shteteve përkatëse.

Gjithashtu këtu kemi parasysh qëndrimet e Presidentit Vučić, se ka ardhur koha për një zgjidhje përfundimtare me Kosovën dhe posaçërisht deklarimet e Presidentit Thaçi që në kuadër të kësaj marrëveshje Luginën e Preshevën e sheh si çështje qendrore dhe të pashmangshme. Gjegjësisht, ai shprehimisht thotë se korrigjimi i kufijve nuk do të thotë ndarje e Kosovës por bashkëngjitje të Luginës së Preshevës me Republikën e Kosovës.

Pra,duke iu referuar të gjithë faktorëve në fjalë mund të themi se themi se shqiptarët e kësaj anë asnjëherë nuk kanë qenë më afër jetësimit dhe realizimit të idealit të tyre të kahmotshëm për bashkëngjitje me Kosovë. Pra tek ne aktualisht është ngjallur një entuziazëm i paparë deri më tani sepse mundësia për ribashkim me Kosovën është shumë afër dhe realisht e mundshme.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë shprehur vullnetin e tyre politik në çdo periudhë kohore që është kërkuar dhe me akte politike nga më të rëndësishmet. Këtu mund të përmendi, protestat, demonstratat, grevat e ndryshme dhe pjesëmarrja e shqiptarëve të kësaj ane në dy luftërat e fundit, e me theks të veçantë do të kisha përmendur Referendumin 1 dhe 2 Marsit [1992] kur Shqiptarët e kësaj ane në formë plebishitare u shprehën për bashkëngjitje me Kosovën. Pra vullneti i tyre është i shprehur në forma të natyrshme dhe jo në refleksion me ndonjë rajon apo komunitet tjetër kudo qoftë ai.

"Idea e korrigjimit të kufirit nuk mund të themi se është e duhura dhe më e mira për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi, por është më e arsyeshmja aktualisht".

Liburn Mustafa

Por nëse duhet pranuar shkëmbimi i territoreve mes Serbisë dhe Kosovës, sepse kjo është maksimumi që mund të arrihet në këto konstelacione politike dhe se palët duhet të heqin dorë nga njëra për të fituar tjetrën, për këtë mendoj se duhet të vendosë në tërësi politika mbarëshqiptare dhe interesi i përgjithshëm shtetëror e nacional sepse një gjë e tillë nuk mund të rëndojë mbi supet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për shkak të ambicieve të tyre për bashkim me Kosovën.

Bazuar në qëndrimet e palëve dhe faktorëve relevant akoma nuk kemi hasur në diçka të tillë, pra deri më tani askush nuk posedon ndonjë detaj, skenar apo plan se ku do të jenë kufijtë e ardhshëm të Kosovës dhe Serbisë. Por, vlen të theksojmë se vullneti i çdo qytetari të kësaj ane ka qenë dhe është që ky rajon, me kompaktësinë territoriale dhe popullore që posedon, duhet t’i bashkohet shtetit të Kosovës. Tendencat për ta ndarë apo copëtuar atë nuk do të hasin  mirëkuptim dhe nuk do të jetë e pranueshme.

Idea e korrigjimit të kufirit nuk mund të themi se është e duhura dhe më e mira për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi, por është më e arsyeshmja aktualisht nëse arrihen të ruhen asetet vitale dhe zhvillimore të shtetit të Kosovës. Aktualisht kemi “Korgjimin” dhe “Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë” që po shihet si shumë i dëmshëm sepse një ide e tillë parasheh kompetencat ekzekutive për komunitetin serb në Kosovë dhe nënkupton autonominë politike dhe territoriale për Serbët e Kosovës. Çka do të thotë se në të ardhmen do të kemi një komunitet serb shumë më të fuqishëm sesa tani dhe askush nuk garanton se ky komunitet në të ardhmen do të kërkojë shkëputjen nga Kosova.

Gjithashtu bazuar në trendet e migrimit aktual në Luginë të Preshevës mund të themi se pas disa vitesh do të kemi një komunitet shqiptar në Serbi para zhbërjes, çka nënkupton që në të ardhmen do t’i humbim të dyja pjesët kushtimisht.

Nëse kjo iniciativë përfundon me mos bashkimin e Luginës me Kosovën do të ishte një zhgënjim i madh për shqiptarët e kësaj ane dhe mund të reflektojë edhe më shumë në migrimin e qytetarëve të këtij territori, sepse presioni dhe diskriminimi sistematik shtetërorë Serb është bërë tashmë i papërballueshme. Por, shpresojmë që nëse realizohet ndonjë ide tjetër nga ajo korrigjimit e kufijve atëherë të parashihen të drejta të ngjashme edhe për shqiptarët e Serbisë sikurse për Serbët e Kosovës.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Suzana & Zoran Stojković

Profesionet: Inxhiniere e bujqësisë (niveli master), e papunësuar / biznesmen. (Të dy aktualisht punojnë në zyrën e tyre private për shkëmbim të valutave.)

Nga: Presheva

Suzana: Për neve serbëve në Preshevë në përgjithësi, çfarë do të ndryshonte lëvizja e kufirit? Po jetojmë përkrah shqiptarëve. Fqinji im është shqiptar, fqinji im këtu është shqiptar, fqinji im atje poshtë është shqiptar. Në përgjithësi, të gjithë jemi të përzier me fqinjtë tanë, me njerëz me të cilët punojmë. Të gjithë po punojmë në këtë ambient të përzier.

Mendimi im për shkëmbim tokash është negativ. Këto janë gënjeshtra të liderëve në të dy anët. Në bazë të asaj që kam lexuar në Kushtetutën e Ksoovës dhe marrjen e pavarësisë së Kosovës në bazë të kufijve të saj nga viti 1999, kufijtë nuk mund të ndryshohen. Nuk ka mundësi. Nëse ndodh ndonjë shkëmbim territori apo zhvendosje e kufijve, atëherë Kosova e humb pavarësinë e saj. Mendimi im është se kjo nuk do të ndodhë.

Nuk kam frikë fare në lidhje me atë se ku jetoj, qoftë në Kosovë, qoftë në Serbi, sido që ta quani — dua t’i kem të drejtat e mia, të drejtën për të jetuar, për të punuar, për të lëvizur lirshëm — më parë këto nuk më janë mohuar, kështu që shpresoj se nuk do të më mohohen në të ardhmen.

E kam një problem aktualisht në vendin tim, edhe pse jam serbe, që nuk po mund të gjejë punë. I kam kryer dy fakultete, kam diplomë dhe rri pa punë. Sepse në Serbi duhet të jesh politikisht e përshtatshme për të gjetur punë. Nuk ka rëndësi a ke njohuri apo aftësi. Pra nëse hyjmë në një situatë në të cilën bashkohemi me Kosovën, mbase ata do të kenë nevojë për njerëz të aftë.

Nuk do të doja dikush të më zhvendoste prej këtu. Mund të bëjnë çfarë të duan, por unë nuk do të largohem. Nuk ka forcë në botë që do të më zhvendosë, e të më detyrojë të shkoj në Mitrovicë, që dikush tjetër të vijë këtu — kjo nuk do të ndodhë.

Zoran: Kosova nuk do të kishte kërkuar kurrë të ndahej nga ish-Jugosllavia apo Serbia, po të kishte lulëzuar bashkë me Serbinë. Me qëllim e lanë të jetë e varfër dhe kur je i varfër, duhet të ankohesh.

Për shembull, di për Gjilanin prej kohës kur isha i ri në ish-Jugosllavi. Gjilani ishte totalisht i pazhvilluar. E kishin një fabrikë të duhanit, rrugët ishin të zbrazëta, si tani në Preshevë. Dhe tani Gjilani është i mbushur, i zhvilluar, janë ndërtuar ndërtesa e gjithçka, që do të thotë se kishte shumë investime më pas.

Kur një nënë e braktis fëmiun e saj, fëmiu kur rritet duhet ta menaxhojë veten. Kjo ndodhi me Kosovën. Serbia e braktisi dhe tani po kërkon të kthehet -— eh, s’ka ashtu shok!

Gjëja që më bën më së shumti të ndihem keq është që njerëzit e varfër vdiqën për Kosovën, u bënë viktima. Kush e han? I varfëri. Ata që janë të pasur dhe të fuqishëm, qofshin serbë apo shqiptarë, tani janë të angazhuar në politikë dhe qeveri.

Suzana: E vërtetë dhe politikanët gjithmonë vijnë në qyteza gjatë zgjedhje, për Kosovë s’kam ide, por këtu të gjithë nga Serbia — zyrtarët, sekretarët shtetërorë të tyre — vijnë këtu dhe i gënjenjë njerëzit: “Votoni për mua dhe do ta bëjë këtë për juve.” Pastaj nuk vijnë më kurrë deri në zgjedhjet e ardhshme. I lënë numrat e telefonit dhe kurrë nuk përgjigjen.

"Nuk ka asnjë shtet që është etnikisht i pastër. Pse ne duhet të jemi një shembull i tillë? Në vend se të jemi shembull i mirë i zhvillimit ekonomik".

Suzana Stojković

Zoran: A e dini se cila është zgjidhja më e mirë për statusin e Kosovës, për statusin e gjithë Jugosllavisë? Një lloj konfederate: “të gjithë për vete, por të gjithë së bashku”. Për shembull, ne themi “Kosova është serbe”. Unë mendoj kështu, që është serbe. Serbët kanë jetuar këtu, serbët kanë vdekur, serbët kanë luftuar luftëra, por pastaj vëllezërit tonë shqiptarë erdhën dhe u vendosën në këtë zonë dhe tani jetojnë këtu.

Pasi që janë popullsi shqiptare shumicë, t’i lëjmë të marrin vendime për territorin e tyre, por si pjesë e një Jugosllavie. Quaje si të duash, si një federatë e përbashkët. Të gjithë do t’i bashkoheshim Evropës së bashku. Jugosllavia ishte pjesë e Evropës. T’i hapim kufijtë. Ta nënshkruajmë një marrëveshje 30 vjeçare. Le të jetë ashtu.

Nëse Serbia është aq shtet i fortë, pse ankohen që Kosova ka vendosur taksë 100 përqindëshe? Mbylleni gojën, filloni të eksportoni në Maqedoni nëse jeni aq të fortë — por nuk munden, sepse biznesmenët e Beogradit janë ata që eksportojnë dhe importojnë. Ata janë në krye.

Suzana: Pas bombardimeve të vitit ‘99, kur u krye gjithçka, Serbia ishte e para që e vendosi regjimin e doganës në Preshevë, në vendkalimin në Muçibabë. Ne e themeluam kufirin tonë dhe pastaj themi “Kosova u nda”. Çfarë kemi nga kjo? Vet e kemi vendosur aty [kufirin]. Pse është vendosur aty? Kosova e vendosi doganën dy vite më vonë.

Dhe së dyti, nëse Serbia beson se Kosova është pjesë e territorit të saj, pse nuk i njeh diplomat universitare nga Prishtina? E kisha një mik shqiptar që ka ndërruar jetë tani vonë. Vajza e tij kishte përfunduar studimet për mjekësi në Prishtinë. Meqë punonim bashkë në zyrë, ai më tha, “Të lutem pyete dikënd se si validohet diploma”. Në uebfaqen e Autoritetit Koordinues, është një referencë për validimin e diplomave kosovare. E thirra numrin telefonik për të pyetur, më thanë “Nuk mund të bëhet”. Nëse Kosova është Serbi, pse nuk i njohin diplomat?

Edhe një gjë tjetër. Kush mund të na garantojë që jeni shqiptarë të pastër apo që unë jam serbe e pastër? Për 500 vite, turqit kanë sunduar në këtë vend. I morrën gratë më të bukura, bënë fëmijë me to dhe i lanë.

Zoran: Siç tha një boshnjak: Unë jam lindur musliman, por e di se stërgjyshi im ishte serb… Ai e di se kush është. E viziton xhaminë. Tash, shko në xhami dhe bëhu i mirë.

Suzana: Të gjithë duhet t’i respektojmë religjionet tona. Bëhu shqiptar i mirë, unë do të jem serbe e mirë dhe ta respektojmë njëri tjetrin. Nuk ka asnjë shtet që është etnikisht i pastër. Pse ne duhet të jemi një shembull i tillë? Në vend se të jemi shembull i mirë i zhvillimit ekonomik.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Emir Azemi

Profesioni: Ish-zëvendës kryetar i Asamblesë Komunale të Komunës së Mitrovicës së Veriut

Nga: Mitrovica e Veriut

Fillimisht çështja e shkëmbimit të territorit edhe për mua — por besoj edhe për popullatën në veri — mbetet çështje spekulimi sepse ende nuk është paraqitur në mënyrë zyrtare nga palët e përfshira në proces. Pra është vështirë të nxjerret një qëndrim rreth kësaj çështje, por ne si banorë, por edhe unë si njohës i çështjes politike në veri — jemi duke e përcjellur me shqetësim çështjen e shkëmbimit të territoreve sepse nuk dimë në të vërtetë se çka përmban ky shkëmbim. Por, është e qartë që banorët në veri janë kundër që kufiri të vendoset te Lumi Ibër.

Gjendja e sigurisë është përmirësuar dukshëm tash e disa vite. Ka një liri të lëvizjes dhe të bashkëjetesës në mes komuniteteve. Shqiptarët kanë nevojë të përkrahen më tepër në fushën e punësimit, ndërtimit si dhe kthimit në pronat e tyre, edhe pse gjatë këtyre viteve ka pasur zhvillime pozitive në këtë drejtim.

Asociacioni [i Komunave me Shumicë Serbe] me kompetenca ekzekutive do të ishte një kancer për Republikën e Kosovës dhe do të ishte një ndarje e brendshme. Kosova duhet të bëjë analizë të qartë se cili është interesi i saj dhe të vendosë në mes të dy të këqijave dhe ta zgjedhë një të keqe më të vogël. Kosova duhet ta shikojë interesin e saj politik, ekonomik e strategjik — si dhe atë ndërkombëtar — para se ta nënshkruajë një marrëveshje finale.

Shfuqizimi i Rezolutës 1244 dhe anëtaresimi në OKB e kompleton shtetin e Kosovës. Serbia dhe Kosova duhet t’i japin fund konfliktit shekullor me një marrëveshje paqeje të pranueshme për dy shtetet dhe kombet tona sepse ky është interes i dyanshëm afatgjatë. Çdo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht obliguese.

Photo: Atdhe Mulla / K2.0.

 

 

Miljana Dunđerin

Profesioni: Artiste / Drejtoreshë e qendrës kulturore ‘Aquarius’

Nga: Mitrovica e Veriut

 

Kosova — apo Kosova dhe Metohija, siç e quajmë dhe perceptojmë ne serbët — kurrë nuk ka qenë politikë e përditshme, por çështje që shkon thellë në qenësinë historike, shpirtërore dhe kulturore të disa grupeve etnike që kanë jetuar në këtë territor me shekuj. Me kohë, secili person objektiv dhe i sinqertë duhet ta kuptojë se disa kultura, gjuhë dhe identitete të ndryshme — kryesisht serbe, pastaj turke, dhe në fund, në historinë bashkëkohore, shqiptare — janë munduar ta zhdukin dhe dominojnë njëra tjetrën dhe secilën herë këto përpjekje kanë qenë të pasuksesshme: Të gjitha përfundojnë duke u përzier në pasurinë e këtij vendi të bukur.

Nuk është mit — Zonja jonë e Ljevisit dhe Xhamia e Sinan Pashës nuk mund të preken, janë reale, ekzistojnë, përkrah njëra tjetrës, në të njejtin qytet [Prizren]. Mendoj se shkëmbimi i territoreve do ta rrezikonte identitetin personal, kulturor dhe shpirtëror të grupeve etnike që jetojnë në këtë territor.

Megjithatë, një gjë tjetër që është jetike ta themi në lidhje me këtë temë: fati i Kosovës — dhe Metohijës, siç themi ne — nuk mund të vendoset nga njerëzit që kanë afate të skadimit, e veçanërisht jo nga fantazmat e së kaluarës. Për të gjetur zgjidhje, fillimisht, elitat inelektuale, kulturore dhe shkencore të shqiptarëve dhe serbëve duhet të fillojnë të flasin, të përdorin argumente dhe t’i respektojnë pikëpamjet e njëra tjetrës. Të flasin për gjithçka — lirshëm. Këto biseda duhet t’i përfshijnë edhe komunitetet religjioze — ortodokse, islamike, katolike. Ky proces është i gjatë dhe i vështirë.

"Serbët dhe shqiptarët nuk kanë vendosur për fatin e tyre tash e dy dekada, pejsërisht për shkak se nuk komunikojnë me njëri tjetrin".

Miljana Dunđerin

Mendimet e njerëzve këtu janë të ndara. Kryesisht i marrin nga Beogradi, Prishtina apo qendrat e huaja të pushtetit. Njerëzit që janë të gatshëm ta shprehin mendimin e tyre janë të rrallë.

Jemi tepër të vegjël për të qenë të lirë. Prandaj për një kohë të gjatë serbët dhe shqiptarët kanë qenë marioneta, fijet e së cilave i kanë manovruar Beogradi dhe Prishtina, por edhe kryeqytetet e mëdha botërore: Brukseli, Londra, Berlini, Uashingtoni, Moska.

Serbët dhe shqiptarët nuk kanë vendosur për fatin e tyre tash e dy dekada, pejsërisht për shkak se nuk komunikojnë me njëri tjetrin. Prandaj fati i njerëzve që jetojnë këtu — qofshin serbë, shqiptarë, boshnjakë, goranë, romë, çifutë — do të vendoset në qendra tjera të pushtetit të cilat nuk e njohin mentalitetin e tyre, trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore të tyre, e as problemet reale që i kanë vuajtur njerëzit këtu me shekuj, së bashku, duke jetuar e mbijetuar.

Ajo se kush e sundon këtë vend kurrë nuk është varur dhe kurrë nuk do të varet nga ajo se kush e qeveris territorin, por varet nga ajo se deri në çfarë mase shpirtërat tonë e mbajnë çdo centimetër të kësaj toke. Ata që e kanë “gjenomin” e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore, dhe mund të ia kalojnë gjeneratave tjera, janë pronarët e kësaj toke. Ndoshta Kosova me të vërtetë është Jerusalemi i dytë.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Medina Qerimi

Profesioni: E diplomuar në shkenca politike

Nga: Presheva

Tema e ndryshimit të territorit ka qenë në Preshevë e diskutuar që në kohën e Jugosllavisë. Dëshira për bashkim është shprehur edhe në vitin 1992 përmes një referendumi, ku shqiptarët e Luginës unanimisht votuan pro kësaj [bashkimit], por shteti serb e injoroi një gjë të tillë. Por dëshira e qytetarëve për t’u bashkuar me Kosovën është hasur edhe më pastaj.

Në vitin 2001, pasi që Presheva nuk arriti qëllimet e veta, pas konfliktit [në të cilin një kryengritje etnike shqiptare bëri përpjekje për t’i ndarë tri komuna me shumicë shqiptare nga Serbia dhe t’i bashkojë me Kosovën] filloi një proces integrues me ndihmën e ndërkombëtarëve. Por, ky proces integrimi dështoi dhe mbeti vetëm në letër dhe rinia filloi në masë të madhe të emigronte në vende të ndryshme të botës.

Shqiptarët në Preshevë kanë shumë probleme — p.sh në aspektin e arsimit, nxënësit shqiptarë ende nuk kanë libra në gjuhën shqipe ose p.sh nuk ka spital dhe duhet të udhëtosh gjer në Vranjë për shërim.

"Për mua më e rëndësishme është që në Preshevë të kem liri të shkollimit dhe t’i shfrytëzoj librat në gjuhën shqipe, pavarësisht a është Presheva në Kosovë apo në Serbi".

Medina Qerimi

Ndonëse idea për t’u bashkuar [me Kosovën] ka qenë gjithnjë e mirëpritur, tash është një problem sepse ne nuk i dimë detajet. P.sh gjersa Presheva është e banuar kryesisht me shqiptarë, Medvegja banohet kryesisht nga serbë e Bujanoci pjesërisht. Pra, nëse analizohet shkëmbimi i territoreve, derisa Presheva automatikisht bëhet pjesë e Kosovës, dy qytetet e tjera rrezikojnë të mbeten në Serbi. E, kjo do të ishte e pakuptimtë.

Unë personalisht jam në favor të kësaj ideje, por më e rëndësishmja është rinia. Për mua më e rëndësishme është që në Preshevë të kem liri të shkollimit dhe t’i shfrytëzoj librat në gjuhën shqipe, pavarësisht a është Presheva në Kosovë apo në Serbi.

Problematike do të ishte edhe që të heqim dorë nga një pasaportë që na mundëson të udhëtojmë në BE dhe shumë vende të botës. Për shembull, unë kam udhëtuar në shumë vende. Por, nëse Kosova merr liberalizimin [e vizave], ne me më dëshirë do ta zgjidhnim bashkimin [me Kosovën]. Por, më shumë se sa këto benefite, shqiptarët e Luginës kanë probleme dhe shumica e tyre do ta përkrahin shkëmbimin.

Mendoj se vetë serbët janë të ndarë dhe kanë mendime të ndryshme. Për ata që nuk janë të lidhur me politikën, që janë njerëz të thjeshtë, më socialë, [shkëmbimi] nuk do të paraqiste problem. Por, ka të atillë që janë më nacionalistë që po t’ia thuash një ide të atillë edhe mund të ndëshkohesh.K

Këto fjalë, të formuara nga përgjigjet për pyetjet, janë redaktuar për gjatësi dhe qartësi.

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.