Pikëpamje | Serbia

Fitorja e Vucic e çon Serbinë kah autokracia

Nga - 04.04.2017

Presidenti i sapo zgjedhur i Serbisë mund ta çojë këtë vend në rrugën e njëjtë si Turqinë e Rusinë.

Me shumë pak pasiguri, Serbia zgjodhi kreun e ri të shtetit të saj. Vetëm posti është i ri, ndërsa fytyra është e njohur. Aleksandar Vucic, që ishte kryeministër në dy mandate të papërfunduara (2014-2016 dhe 2016-2017) tani do ta ndërrojë karrigën e kryeministrit me karrigën e presidentit. Ai arriti që ta fitojë këtë post në raundin e parë të zgjedhjeve, me 55 përqind të mbështetjes së elektoratit.

Kundërshtari më i afërt i tij, me afro 16 përqind të votave, ishte kandidati pa parti, Sasa Jankovic, ish-avokat i popullit, i cili nuk ngurroi që ta kritikonte haptas punën e institucioneve që udhëhiqen nga shteti, gjatë kohës kur ishte në postin e tij të mëparshëm. Ndoshta për shkak të kësaj arsyeje, përfaqësuesit e qeverisë dhe gazetat sensacionale pro-qeveritare pa pikë turpi madje kanë garuar se  kush po e kritikon më shumë Jankovicin (fat që realisht përcolli  të gjithë ata që guxuan ta kritikonin publikisht qeverinë). Edhe këto “media”, nën kontrollin e qeverisë, e dhanë kontributin e tyre gjakpirës në këtë fushatë zgjedhore të stilit “Blitzkrieg”.

Mjeshtër i manipulimit

Gjatë një periudhe një-mujore, gjatë garës presidenciale, me sa duket asnjë ditë nuk kaloi ku gazetat sensacionale e televizionet që janë pro-regjimit nuk i vënë në shënjestër kandidatët e opozitës, duke i etiketuar ata si mercenarë të huaj që kanë planifikuar të krijojnë një “skenar maqedon” në Serbi; u quajtën tradhtarë e përfitues të Soros. Njëkohësisht, në po ato televizione, Vucic si kandidat i koalicionit udhëheqës u mbulua më së shumti në emisione informative (sigurisht, gjithmonë me lavdata për të). Ai ishte mysafir gati çdo javë në media që e favorizonin atë, ndërsa u distancua prej mediave tjera. Cirku i tij fluturues u bë disa orë para heshtjes zgjedhore në një televizion privat, ku gjatë një emisioni – ku mysfair ishin edhe prindërit e tij – ai i ofroi ndihmë para kamerave një djaloshit në audiencë; djaloshit “i ra të fikët”, ndërsa të gjithë tjerët qëndruan të shtangët e vetëm e shikuan.

Aleksandar Vucic është mjeshtër i manipulimit të mediave. Ai këtë zanat e morri nga Vojislav Seselj – që është po aq i ditur e po aq i pabesë – gjatë kohës kur ishte anëtar i Partisë Radikale Serbe të krahut të djathtë. Prej kohës kur Partia Progresive Serbe e Vucic morri gjithçka në duart e saj, kryeministri aktual dhe presidenti i sapozgjedhur e ka përsosur këtë aspekt të udhëheqjes.

Shumë analistë në komente pas zgjedhjeve thonë se ky rezultat mund të jetë bazë e mirë mbi të cilën mund të ndërtohet një opozitë e re pro-demokratike.

Mundësi për konsolidim të opozitës?

Në rrethana në të cilat kanalet e komunikimit me votuesit në mediat më të njohura ishin të mbyllura për opozitën, vendi i dytë i Jankovic dhe mbështetja e 16 përqind të votuesve mund të konsiderohet si sukses. Pasi Partia Demokratike (DS) i humbi zgjedhjet parlamentare në vitin 2012 (për shkak të politikave arogante e partikratike të liderit dhe presidentit të atëhershëm të Serbisë, Boris Tadic) dhe i dorëzoi fuqinë progresivëve te Vucic, rezultati i ish-avokatit të popullit tregoi se është e mundur që të mobilizohen disa prej ish-votuesve të DS. Të paktën ata që janë zhgënjyer me mënyrën se si është udhëhequr vendi prej kohës së rrëzimit të regjimt të Slobodan Milosevic me 5 tetor të 2000 -es dhe vrasjes së Zoran Djindjic në 2003.

Si krahasim, Partia Demokratike, që e mbështeti Sasa Jankovicin, e morri vetëm një mbështetje të mjerë 6 përqindëshe në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, apo rreth 230,000 vota. Ndërsa Jankovic morri diku 570,000 vota sivjet.

Shumë analistë në komente pas zgjedhjeve thonë se ky rezultat mund të jetë bazë e mirë mbi të cilën mund të ndërtohet një opozitë e re pro-demokratike. Sigurisht, kjo do të ishte e mundshme vetëm nëse liderët e partisë opozitare do të arrinin që t’i tejkalonin krenarinë e tepërt dhe armiqësitë personale, e ta çlironin rrugën për Jankovic apo njerëz të ngjashëm, të cilët nuk janë politikisht të kompromentuar. E nëse gjykojmë në bazë të përvojave të së kaluarës, shumë pak mundësi ka që të ndodh një gjë e tillë.

Inerci e shantazhe, rrugë drejtë fitores

Pavarësisht faktit se Jankovic ka të drejtë që ta konsiderojë vetën si fitues i zgjedhjeve në këtë fushatë të ndyrë, e pakundërshtueshme është që Vucic i fitoi me lehtësi zgjedhjet në raundin e parë. Me mbështetje nga shumë partnerë të koalicionit, përfshirë partinë e dytë më të fuqishme, Partinë Socialiste të Serbisë (SPS), ai morri më shumë se 1.9 milion vota, 100,000 më shumë se numri që e fitoi koalicioni i tij (atëherë pa SPS) në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar.

Numri i rreth 500,000 njerëzve që punojnë në sektorin publik nuk është i parëndësishëm. Ata pothuajse u shantazhuan që të votojnë për partinë udhëheqëse e t’i ruajnë vendet e tyre të punës.

Si duket rezultatet zgjedhore nuk u dëmtuan nga masat shtrënguese, pjesë e së cilave ishte reduktimi i pensioneve nga ana e qeverisë, përkundër Kushtetutës, e as nga qëndrimi autokratik i tij ndaj shoqërisë e mediave. Madje asnga aferat në të cilat morrën pjesë ministrat e bashkëpunëtorët e afërt të partisë së Vucic, as nga partikracia që e kaploi çdo segment të shoqërisë, as nga shkatërrimi i pazgjidhur i objekteve private në lagjen Savamala në Beograd nën hijen e natës – kur persona të maskuar i kapën në mënyrë të paligjshme kalimtarët e rastit që ishin dëshmitarë të këti incidenti. Si duket asnjëra prej këtyre nuk i nxitën votuesit që të votojnë në masë të madhe me 2 prill.

Arsyet për këtë nuk janë të  thjeshta dhe ende po analizohen: në një fushatë të ndyrë presidenciale, siç e thamë, kandidatët e opozitës mezi i prezantuan programet, e sigurisht jo si fituesi. Gjithashtu, numri i rreth 500,000 njerëzve që punojnë në sektorin publik nuk është i parëndësishëm. Ata pothuajse u shantazhuan që të votojnë për partinë udhëheqëse e t’i ruajnë vendet e tyre të punës. Një faktor po aq i rëndësishëm është inercia, sipas së cilës një pjesë e elektoratit i dha mbështetje personit që kishte më së shumti gjasa të fitonte; në këtë rast ishte Vucic.

Befasia me kostum të bardhë

Shumë kishin shpresuar se presidentit të sapozgjedhur do t’i duheshin dy raunde për ta marrë këtë post. E kështu disa kot shpresuan se do të dilnin për të votuar më shumë njerëz që do ta parandalonin kështu Vucicin që të mos ekalonte pragun zgjedhor 50 përqindësh, që është kusht për ta fituar raundin e parë.

Ai arriti që t’i tregojë qeverisë dhe opozitës që një numër jo i vogël i njerëzve kanë humbur besimin që e kishin në këtë sistem.

Megjithatë, 55 përqind e qytetarëve e përdorën të drejtën e tyre për të votuar (që është 1 përqind më pak se zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar), kështu që mund të ishte pritur që nuk do të kishte qenë e vështirë që kandidati i koalicionit udhëheqës ta arrinte synimin e tij.

Pjesëmarrja më e madhe e njerëzve në votim nuk u ndihmua nga Ljubisa Preletacevic Beli, karakter imagjinar i veshur me kostum të bardhë kiç dhe këpuca tradicionale serbe, që në fakt është Luka Maksimovic. Për shkak të qëndrimit satirik të tij drejt politikës e politikanëve (serb) – Beli nuk dha premtime të rreme, por haptas u tha ndjekësve të tij se është duke i gënjyer dhe se do të bëhet i pasur në krah të tyre – Preletacevic morri 10 përqind të votave, aspekt që nuk mund të shpërfillet. Duke fituar 325,000 vota e duke fituar vendin e tretë, ai ishte para politikanëve profesionist që kanë përvojë me vite, si Vuk Jeremic, ish-ministri i punëve të jashtme dhe Vojislav Seselj.

Kur i marrim të gjitha parasysh, si duket të rinjtë ishin ata që kryesisht votuan për të, ata që u rritën me rrjete sociale dhe që besojnë se mekanizmat aktuale demokratike janë të korruptuara.

Duke përdorur qasjen humoristike dhe performancat teatrale, Beli nuk arriti që të tërheq një numër të mjaftueshëm të abstenuesve në procesin zgjedhor, që do ta kishte vështirësuar fitoren e Vucic në raundin e parë. Megjithatë, ai arriti që t’i tregojë qeverisë dhe opozitës që një numër jo i vogël i njerëzve kanë humbur besimin që e kishin në këtë sistem. Në fund kjo është dëshmuar nga të dhënat e pjesëmarrjes në votim.

Kryeministri aktual do të kalojë në presidencë në lagjen Andricev Venac, e nëse e gjykojmë nga mënyra aktuale e qeverisjes së tij, mund të presim që Vucic nuk do të jetë i kënaqur me fuqitë e vogla të protokolit që janë në duart e një presidenti të Republikës. Rrezik i madh është që, i modeluar nga autokratët si Vladimir Putin dhe Recep Tayyip Ergodan, Vucic mund ta vendosë një figurë pasive në postin e kryeministrit, e ta mbajë fuqinë konkrete në pozitën e tij, që u performua me sukses të pjesshëm nga ish-presidenti Boris Tadic, që ishte gjithashtu pjesë e Partisë Demokratike.

Në këto rrehtana, opozita dhe qytetarët duhet sa më shpejtë të pajtohen me faktin se raundi i dytë zgjedhor nuk do të mbahet, sepse ata dhe e gjithë Serbia së shpejti mund ta gjejnë vetën në një prej rretheve të Dantes.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0