Blogbox | Serbia

Aktivistët e nismës së të rinjve nuk do të heshtin

Nga - 08.11.2018

Përderisa kriminelët e luftës janë në qendër të vëmendjes, protestuesit e rinj ballafaqohen me gjoba të majme.

Javën e kaluar, tetë aktivistë nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut u ftuan për ta takuar Kryeministren serbe Ana Brnabić. Ftesa erdhi si reagim ndaj një letre të hapur që i ishte dërguar asaj, në të cilën u shkruajt kundër publikimit të librave nga kriminelët e dënuar të luftës në emër të Ministrisë së Mbrojtjes, që u paguan me paratë e qytetarëve të Serbisë.

Unë isha një nga tetë aktivistët.

Në takim me Brnabić, ajo na përgëzoi për përpjekjet tona, por nuk ofroi veprime konkrete që mund të merreshin si reagim ndaj shqetësimeve tona.

Në fund të vitit të kaluar, ne e publikuam një raport në të cilin prezantuam instanca të ndryshme të pranisë gjithnjë më të madhe të kriminelëve të dënuar të luftës në arenën politike. Nëpërmjet promovimit politik dhe institucional, direkt dhe indirekt, në mënyrë sistematike, është kryer “spastrimi” i biografive dhe mohimi i vendimeve të gjykatave për shkeljet masive të të drejtave të njeriut gjatë 90-ve.

Si reagim ndaj veprimeve të tilla, ne e mbajtëm një protestë në janar 2017 kundër kriminelit të dënuar të luftës Veselin Šljivančanin (i cili u dënua para Tribunalit të Hagës për krime të kryera në Vukovar, Kroaci), gjatë së cilës deklaruam qartë se nuk do ta përkrahim lartësimin e kriminelëve të luftës dhe i përdorëm pipëzat dhe banerat tonë për të shprehur mesazhin: “Kriminelët e luftës duhet të heshtin, në mënyrë që të flasim për viktimat”.

Për këtë, u ballafaquam me pasoja ligjore në një gjykatë serbe.

Në javën kur morrëm ftesën për t’u takuar me kryeministren, e morrëm edhe vendimin final të Gjykatës së Apelit për Kundërvajtje, që e etiketoi protestën tonë të vitit 2017 kundër kriminelit të dënuar të luftës, si sjellje të pacipë dhe me mungesë respekti, dhe si e tillë, përfaqësonte prishje të rendit publik dhe paqes. Ne jemi dënuar dhe gjobitur me nga 420 euro secili.

Padrejtësia vazhdon.

Foto nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Serbi.

Sot, në Kuvendin Kombëtar të Serbisë ulet një kriminel i dënuar i luftës, Vojislav Šešelj. Pavarësisht faktit se ligji thotë se mandati i Šešelj duhej të mbaronte në momentin që ai u dënua nga gjykata, Kuvendi ende nuk e ka konfirmuar mbarimin.

Sivjet, në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Beograd, Ministria e Mbrojtjes i promovoi librat e kujtimeve të luftës të gjeneral Nebojša Pavković (i dënuar me 22 vite burg për krimet e kryera në Kosovë), si dhe punimet letrare që i inkorporojnë kujtimet e Vladimir Lazarević (i dënuar me 15 vite burg për krime të kryera në Kosovë), pavarësisht faktit se Ligji për Forcat e Armatosura Serbe thotë se nëse një person me gradë zyrtare ushtarake dënohet për një krim, atij ose asaj duhet t’i merret grada.

Ata janë të gjithëpranishëm në jetën publike; mund t’i shohim në faqet e para të gazetave të përditshme dhe në emisione televizive politike. Ata ulen në karriget e Kuvendit Kombëtar dhe mbështeten nga partitë parlamentare, nga institucione dhe gati çdo ditë nga faqet e para të gazetave të përditshme, karakterë të ndryshëm, pasardhës dhe përkrahës të politikave luftënxitëse flasin haptas për përgatitje për luftëra të reja.

Javën e kaluar, pasi morrëm vendimin gjyqësor, ne e organizuam një protestë të titulluar “Gjithmonë me fishkëllimë, kurrë me pushkë” në qendër të Beogradit dhe gjatë saj në mënyrë simbolike fishkëlluam me pipëza siç kishim bërë në Beška, ku u mbajt protesta fillestare. Tani është shtuar edhe më shumë nevoja për ta krijuar një shoqëri që promovon zhvillimin e paqes për gjeneratat e ardhshme.

Mesazhi jonë është që nuk do ta përkrahim heshtjen e aktivistëve të paqes dhe do të jemi më të zëshëm kur ta përsërisim se kriminelët e luftës janë ata që duhet të heshtin. Shteti nuk duhet të jetë mikrofoni i tyre.

Foto nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Serbi.

Me vite kemi luftuar kundër llojeve të ndryshme të relativizimit të krimeve dhe heroizimit të atyre që i kanë kryer ato. Nuk jemi shumë, por ne ekzistojmë, sepse e dimë se alternativa e marrëzisë që daton nga të 90-at (dhe ndoshta edhe më parë) duhet të jetë aty.

Është e domosdoshme të ketë alternativë për të gjithë të rinjtë dhe gjeneratat që u lindën në paqe, ata që nuk e kujtojnë luftën dhe njohuritë e të cilëve për të kaluarën e afërt janë të dobëta ose inekzistente.

Të rinjtë jetojnë me pasojat e një kohe për të cilën nuk janë përgjegjës; ata janë peng i së tashmes. Ne duhet ta kemi parasysh se paqja ndërtohet çdo ditë, sepse në fund të fundit, ballafaqimi me të ardhmen për të cilën folin të gjithë në mënyrë aktive, varet e ardhmja.

E kaluara, e cila në mënyrë sistematike futet nën qilim, mbi të cilin vazhdimisht po marrim në thua, është pengesë të cilën duhet ta largojmë.

Qëllimi i Nismës së të Rinjve është t’i japim rinisë mundësi për ta krijuar të ardhmen që e duan ata për veten këtu, në vend se t’i shohim duke ikur për ta ndërtuar diku tjetër.

Javën e kaluar i zhvilluam tri nisma rajonale të cilat u kryqëzuan me njëra tjetrën. Përderisa në Serbi kërkuam që të ndalen të gjitha aktivitetet e botimit që përfshijnë libra të kriminelëve të luftës dhe e organizuam një protestë, kolegët tonë në Kroaci i shënuan vendet e vuajtjes në Zagreb ku njerëzit, kryesisht serbë, u mbajtën dhe u vranë në 1991, ngjarje për të cilën rrallëherë flitet.

Njëkohësisht, Nisma e Bosnjes dhe Hercegovinës e ka zbatuar në mënyrë aktive një fushatë për krimin në Kazani për shtatë ditë të njëpasnjëshme. Ky krim i luftës u krye në 1992 dhe 1993 në Malin Trebević, ndërsa ishte nën kontrollin e Brigadës së 10 Malore të Ushtrisë së Republikës së Bosnjes dhe Hercegovinës. Numri i viktimave mbetet i panjohur.

Nuk kemi mbështetje institucionale, por mund të llogarisim në këmbënguljen tonë. Sa herë të romantizohen karakterët dhe punimet e kriminelëve të dënuar të luftës, ne do të flasim për përgjegjësitë dhe vendimet gjyqësore; ata nuk janë përfaqësues të popullit, ata janë turpi i popullit. Paqja është e vetmja vlerë që do ta mbështesim.

Përderisa kriminelët e luftës po ndërtojnë rrëfenja për të kaluarën dhe po shpjegojnë se si duhet të bashkëpunojmë me rajonin, kam frikë se nuk jemi në rrugën e duhur. Por ne nuk do të heshtim, do ta përdorim lirinë tonë të fjalës për t’u ballafaquar me gjithçka që na çon prapa.

Pavarësisht të gjitha sfidave me të cilat përballemi, synimi jonë është motivi jonë më i madh. Nuk duam të jemi të ndarë nga urrejtja. Viktimat nuk duhet të margjinalizohen dhe harrohen.

Ju ftojmë të na mbështetni në përpjekjet tona. Nëse dëshironi ta mbështetni fushatën tonë globale për të mbledhur fonde për t’i paguar gjobat tona, mund ta bëni këtu. Faleminderit!

Foto nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Serbi.