Në thelb | Zgjedhjet2021

Zgjedhjet 2021, një perspektivë tjetërqysh për drejtësinë tranzitore

Nga - 12.02.2021

Me zgjedhje gati çdo dy vjet, midis premtimeve të largëta, K2.0 dëgjon ide për zgjidhje.

Ani pse zgjedhjet janë bërë ndodhi e shpeshtë në Kosovë, diskutimi për atë që njëmend ka rëndësi për jetën e zgjedhësve është i rrallë.

Në tubimet e partive politike, debatet televizive e në atë që shkruhet e thuhet nga dhe për partitë politike flitet shumë për llogaritje e manovrime partiake, sondazhe, slogane e njerëz, e më pak për çështje praktike që në thelb do t’i njoftonin votuesit se çfarë mund të presin pas fushatave zgjedhore. Në parim, vetë fushatat zgjedhore do duhej të ishin në funksion të këtij qëllimi — që votuesit të dinë për çfarë po votojnë.  

Midis gjithë kësaj e mbi të gjitha për ta sfiduar këtë kontekst, në K2.0 kemi folur me ekspertë të fushave të ndryshme dhe përmes përgjigjeve të tyre jemi përpjekur të radhisim disa prej çështjeve që nuk diskutohen e që janë të rëndësishme për votuesit në këtë 14 shkurt. 

Përmes serisë “Zgjedhjet 2021, një perspektivë tjetërqysh”, në nëntë artikuj të fokusuar në nga një lëmi shtjellojmë se çka konkretisht nuk po merr vëmendjen e duhur, cila është situata e tanishme dhe çka duhet bërë që gjërat të ndërrojnë në favor të qytetarëve. Po ashtu, provojmë që përmes ofrimit të zgjidhjeve largpamëse të informojmë votuesit e ta kthejmë mirëqenien e tyre në qendër të diskutimit.

Perspektivë tjetërqysh për ballafaqimin me të kaluarën

Drejtësia tranzitore adreson shkeljet e rënda dhe sistematike të të drejtave të njeriut gjatë periudhës së luftës, megjithatë 21 vjet më pas koncepti i saj vazhdon më shumë të shihet si çështje që u takon OJQ-ve se sa të gjejë hapësirë në diskursin politik në Kosovë. 

Më shumë se 10,000 njerëz janë të vrarë apo të zhdukur në luftën në Kosovë, përfshirë mbi 1,640 persona ende të pagjetur. Është pikërisht drejtësia tranzitore ajo që kërkon trajtimin e kësaj trashëgimie të luftës, kërkon llogaridhënie dhe dëmshpërblim për viktimat dhe familjarët e tyre.

Zakonisht janë ndjekjet penale, komisionet e së vërtetës dhe programet e reparacioneve që përbëjnë mekanizmat kryesorë për të adresuar krimet e luftës, por të gjitha mbesin në rastin më të mirë nisma shumë të mangëta. Kjo bëhet më e qartë vetëm kur kujtojmë se të pagjeturit ende nuk janë bërë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi. 

Kërkimfalja prej shtetit serb për krimet e luftës nën regjimin e Milošević-it, zbulimi i varrezave masive ku mendohen të jenë mbi 1,110 trupa të shqiptarëve, reparacionet e munguara dhe proceset e ngadalshme gjyqësore të kriminelëve të luftës japin shijen e hidhur të trajtimit të drejtësisë tranzitore në Serbi. Ndërsa Kosova vazhdon të mos japë asnjë përgjigje zyrtare për mbi 400 të pagjetur serbë dhe romë, të vrarë kryesisht gjatë vitit të parë të pasluftës dhe të dështojë me ndjekjen penale të autorëve të krimeve.

"Çfarë mungon është vizioni për të ardhmen, i projektuar nga mësimet e nxjerra nga e kaluara dhe drejtësia e vendosur për viktimat dhe të mbijetuarit/at e të gjitha etnive që bashkëjetojnë në Kosovë."

Korab Krasniqi, forumZFD

Programet politike të partive që po kandidojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit nuk përmendin me terminologji drejtësinë tranzitore, megjithatë disa prej tyre theksojnë disa mekanizma të kësaj çështjeje. Asnjëri prej programeve nuk adreson krimet e pasluftës ndaj popullatës joshqiptare.

LDK-ja nuk ka asnjë pjesë programore që i kushtohet trajtimit të krimeve të luftës, ndërsa AAK-ja kufizohet te propozimi i numrit të prokurorëve dhe gjyqtarëve në Departamentin për Krimet e Luftës. 

Vetëvendosja ua kushton krimeve të luftës një kapitull programor ku renditen masa të ndryshme me të cilat synohet të adresohen krimet e kryera gjatë luftës si dhe të maten dëmet e shkaktuara në njerëz, komunitet, ambient dhe ekonomi. Gjithashtu propozon përgatitjen e një platforme reparative për krimet e kryera gjatë luftës, ndërsa si prioritet të qeverisë e nënvizon padinë ndaj krimit të gjenocidit të Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. 

PDK-ja trajtimin e trashëgimisë së luftës e bën në kapitullin mbi diaologun si pjesë të kërkesave të partisë për marrëveshje finale. Aty thotë që kërkon zgjidhjen e plotë të çështjes së personave të pagjetur, reparacionet e luftës, kompensimin e dëmeve të luftës, dëmshpërblimin për shkatërrimin e sistemit buxhetor dhe financiar të Kosovës, etj. Po ashtu konkludon se marrëveshja duhet të përmbajë kërkimfalje të Serbisë për krimet e bëra në Kosovë.

Për ballafaqimin me të kaluarën dhe drejtësinë tranzitore kemi folur me Valëza Sadriun dhe Korab Krasniqin, aktivistë të kësaj fushe dhe pjesëtarë të shoqërisë civile. Në pyetjet tona për atë se çfarë na mungon, çfarë aspiratash do duhej të kemi dhe si do të mund të vijë ndryshimi, kështu u përgjigjën ata:

Çka po na mungon?

Korab Krasniqi, menaxher programi, forumZFD 

Në mungesë të një strategjie gjithëpërfshirëse nacionale, drejtësia tranzitore në Kosovë zhvillohet kryesisht përbrenda një qarku akterësh joshtetërorë, të cilët në mungesë të kompetencave institucionale drejtojnë procese të cilat përfshijnë  një mori aspektesh të punës së drejtësisë tranzitore. 

Ajo çfarë dukshëm mungon është vizioni për të ardhmen, i projektuar nga mësimet e nxjerra nga e kaluara dhe drejtësia e vendosur për viktimat dhe të mbijetuarit/at e të gjitha etnive që bashkëjetojnë në Kosovë. Shoqëria civile në Kosovë në masë të konsiderueshme ka arritur të dokumentojë dhe të adresojë në publik shkeljet e shumta të të drejtave të njeriut si rezultat i represionit dhe shtypjes nga regjimi i Milošević-it gjatë viteve ’90. 

Megjithatë, çfarë mbetet jashtë diskursit të punës janë dëbimet masive, plaçkitja dhe shkatërrimi i arkitekturës, dëmet ekonomike, pengmarrjet, burgosjet dhe keqtrajtimet, vjedhja e fondeve pensionale, dokumenteve kadastrale, pasurive arkeologjike dhe muzeore, etj., të cilat janë aplikuar si mjete lufte nga ushtria jugosllave dhe policia e Serbisë.

Valëza Sadriu, hulumtuese:

Kosova ka mungesë të infrastrukturës institucionale për ballafaqim me të kaluarën, e cila është e nevojshme për t’i adresuar nevojat e viktimave dhe të qytetarëve. Si rezultat, ballafaqimi me të kaluarën në vendin tonë është adresuar vetëm pjesërisht.

Për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe burimeve institucionale për inicimin e një procesi të ballafaqimit me të kaluarën në nivel kombëtar, Kosova ende nuk e ka përmbushur detyrimin për ndjekjen dhe dokumentimin e shkeljeve sistemike të të drejtave të njeriut apo për vlerësimin e dëmeve socio-ekonomike të shkaktuar gjatë konfliktit.

Institucionet e Kosovës ende nuk kanë bërë përpjekje serioze për hulumtimin e mundësive ligjore për kërkim të drejtësisë dhe njohje të viktimave në nivelin rajonal ose ndërkombëtar. Shpesh i dëgjojmë politikanët, sidomos tani në kohë të zgjedhjeve, të thonë se “padia kundër Serbisë” do të jetë prioritet i tyre; megjithatë, asnjë nga qeveritë e deritanishme nuk ka punuar për të ndërtuar rastin apo për t’i gjurmuar rrugët e disponueshme ligjore për të vazhduar me një padi të mundshme.

Politika jonë e jashtme dhe diplomacia kanë dështuar të jenë zëri i viktimave dhe nevojave të tyre. Institucionet e Kosovës i kanë anashkaluar kërkesat e viktimave për të vërtetën, për drejtësi dhe kompensim për krimet e kryera, në dialogun me Serbinë apo në instanca të tjera ku shteti ka pasur mundësi ta kërkojë plotësimin e të drejtave të tyre.

Kosovës gjithashtu i mungon një perspektivë e unifikuar dhe vullnet për ballafaqim me të kaluarën nga ana e institucioneve, partive politike dhe liderëve. Identifikimi i nismave me inicuesit e tyre është pengesë për mekanizmat e drejtësisë tranzitore të cilat synojnë ta kenë besimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve pjesë të punës së tyre.

Cilat qëllime duhet të na prijnë?

Korabi: Kosova duhet të aspirojë vendosjen e paqes së qëndrueshme në vend duke u siguruar të gjithë qytetarëve të saj të drejta të barabarta, qasje të barabartë në burime publike dhe të drejtën për t’i ushtruar pa u (para)gjykuar gjuhën, kulturën, besimin, gjininë, etj. Proceset e drejtësisë tranzitore në Kosovë duhet të sigurojnë vendosjen e së vërtetës dhe fibrës shoqërore.

"Shteti duhet t’u ofrojë gjeneratave të ardhshme mësime për të kaluarën dhe t’i përkujtojë viktimat."

Valëza Sadriu, hulumtuese

Duhet të synohet vendosja e kulturës shoqërore e institucionale për ballafaqim me të kaluarën dhe vendosja e  drejtësisë për të gjitha viktimat e luftës së viteve 1998-99 në Kosovë, pa dallim etnie, besimi apo gjinie. Kosova duhet të angazhohet në ndërrimin e politikave dhe praktikave për edukim dhe memorializim duke njoftuar modele gjithëpërfshirëse dhe të shumëtrajtshme të cilat, veç tjerash, akomodojnë narrativa me bazë në përvoja civile, përkundër politikave që mirëmbajnë diskursin glorifikues e maskulin dhe thellojnë identitetin viktimizues.

Valëza: Përmes drejtësisë tranzitore Kosova duhet ta synojë realizimin e së drejtës për të vërtetën për viktimat dhe shoqërinë. Qëllimi i këtij procesi duhet të jetë të kontribuojë drejt qartësimit historik të asaj se çfarë ka ndodhur, para dhe gjatë konfliktit, dhe të zbardhë fatin e çdo viktime të cilëve i njihet rasti.

Qëllim tjetër është kërkesa dhe kontributi për t’i njohur të gjitha viktimat pavarësisht etnisë, gjinisë apo lidhjeve. Njohja e viktimave është një mënyrë e realizimit të së drejtës së tyre për drejtësi. Është po ashtu përgjegjësi e shtetit, dhe duhet të jetë — insitucionet kosovare mund të vendosin drejtësi për viktimat më së miri duke u siguruar se do të hetojnë, ndjekin dhe dënojnë sa duhet përgjegjësit për krimet e kryera.

Duhet të synojmë ta luftojmë mosndëshkimin e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut. Çdo veprim, çdo masë apo iniciativë për ballafaqim me të kaluarën duhet ta reflektojë këtë luftë kundër mosndëshkueshmërisë.

Promovimi dhe kontributi për bashkëjetesë ndërmjet komuniteteve është synim i nevojshëm për paqe të qëndrueshme. Në këtë drejtim, ruajtja e kujtesës kombëtare është gjithashtu thelbësore. Shteti duhet t’u ofrojë gjeneratave të ardhshme mësime për të kaluarën dhe t’i përkujtojë viktimat.

Si të arrijmë te ndryshimi?

Korabi: Kosova me efekt të menjëhershëm duhet të angazhohet në hartëzimin e akterëve (shtetërorë dhe joshtetërorë) dhe me pjesëmarrje të gjerë të draftojë një strategji nacionale për drejtësi tranzitore me bazë civile dhe të çkapur nga ndikimi politik dhe perceptimi i njëtrajtshëm për drejtësinë dhe historinë, nëpërmjet së cilës mëtohen objektiva të caktuara, harmonizohen iniciativat dhe sigurohet vendosja e politikave gjithëpërfshirëse për drejtësi tranzitore.

Lufta e Kosovës gjatë viteve 1998-99 dhe shkeljet flagrante të të drejtave të njeriut duhen hulumtuar, dokumentuar dhe teoritizuar më tej nga konteksti nacional, rajonal dhe ndërkombëtar. Për këtë nevojiten institute dhe programe hulumtuese, duhet angazhim më i gjerë akademik e praktik, rishikim i teksteve të historisë, projekte muzeologjike dokumentuese, politika për përfaqësime kulturore, etj. 

"Dokumentimi i shkeljes së rëndë të të drejtave të njeriut dhe vlerësimi i dëmeve socio-ekonomike janë ndër detyrat e para që duhet të marrin insitucionet tona."

Valëza Sadriu, hulumtuese

Diskursi publik linques karshi akterëve që punojnë drejt faktimit dhe vendosjes së të vërtetës mbi ngjarjet e luftës së fundit në Kosovë duhet të dënohet dhe partitë politike, institucionet publike, mediat dhe të tjerët duhet të adoptojnë politika dhe fjalorë të sensibilizuar për konflikt. Çdo praktikë që inkurajon të kundërtën pamundëson ballafaqimin me të kaluarën e vështirë dhe vështirëson realizimin e aspiratave për transformimin demokratik të shoqërisë dhe vendosjen e drejtësisë. Mohimet dhe shtrembërimet e së vërtetës i thellojnë çarjet dhe antagonizmat etnike.

Valëza: Institucionet tona duhet ta zhvillojnë një strategji, plan, apo sistem funksional për ballafaqim me të kaluarën. Kosova duhet t’i sigurojë burimet e nevojshme dhe kapacitetet institucionale për nismat e drejtësisë tranzitore apo masat për arritjen e qëllimit të tyre.

Duhet t’i përcaktojmë rezultatet që dëshirojmë t’i arrijmë përmes procesit të drejtësisë tranzitore. Mungesa e qartësisë dhe kuptimit të qëllimeve që duam t’i arrijmë përmes këtij procesi do të rezultojë në masa joefikase dhe përmbushje të pasuksesshme të nismave.

Mekanizmat e drejtësisë tranzitore duhet t’u përgjigjen veçantive të rastit tonë dhe kontekstit tonë specifik. Nëse përpiqemi të përdorim mekanizma tradicionalë të drejtësisë tranzitore të përdorura në kontekste të tjera nga struktura me qëllime të njëjta, nuk do t’i adresojmë si duhet nevojat e viktimave.

Dokumentimi i shkeljes së rëndë të të drejtave të njeriut dhe vlerësimi i dëmeve socio-ekonomike janë ndër detyrat e para që duhet të marrin insitucionet tona. Vetëm pas plotësimit të këtyre detyrave, ne mund të vazhdojmë përpara për të kërkuar të vërtetën, drejtësinë dhe kompensimin për viktimat në nivel ndërkombëtar.

Institucionet e Kosovës dhe akterët politikë duhet të shmangin çdo negocim dhe të refuzojnë pjesëmarrjen në çdo nismë në rast se amnistia për krimet e rënda kundër të drejtave të njeriut  dhe krimeve kundër njerëzimit të kryera gjatë konfliktit të Kosovës është pjesë e tyre.

Ne duhet aktivisht t’i dëgjojmë nevojat dhe shqetësimet e viktimave. Duhet t’i kuptojmë kërkesat e tyre dhe të përgjigjemi në përputhje me ato kërkesa. Në vend se t’i shohim si viktima pasive, shoqëria dhe insitucionet tona duhet t’i shohin viktimat si të mbijetuar të fuqishëm dhe udhëheqës të komunitetit tonë.K

Imazhi i ballinës: Ferdi Limani.