Pikëpamje | Zgjedhje

Zgjedhjet – mundësi për ndryshim të qeverisjes apo vetëm ndryshim të qeverisë?

Nga - 21.08.2019

Çfarё mund tё presim nё bazё tё pёrvojave tё deritanishme?

Mё 22 gusht pritet tё miratohet mocioni pёr shpёrndarje tё Kuvendit tё Kosovёs qё do t’i hapte rrugё shpalljes sё zgjedhjeve tё parakohshme parlamentare brenda 45 ditёve. Zgjedhjet po mbahen pas dorёheqjes sё kryeministrit Ramush Haradinaj mё 19 korrik dhe mosgatishmёrisё sё partive politike parlamentare pёr tё krijuar shumicё tjetёr qeverisёse qё do tё vazhdonte mandatin qeverisёs deri nё pёrfundim tё afatit tё plotё ligjor nё qershor 2021.

Ndonёse zyrtarisht ende nuk ka filluar kampanja zgjedhore, partitё politike janё nё vlugun e aktiviteteve politike nё terren. Nё krahasim me zgjedhjet e vitit 2017, peisazhi politik duket tё jetё fragmentuar edhe mё shumё me krijimin e katёr poleve politike (LDK, LVV, PDK dhe AAK) qё duket se do kanё dallim jo mё tё madh se 7% mes vete. Nga partitё tjera, duket se vetёm Nisma Socialdemokrate do tё mund tё kaloj vet pragun zgjedhor prej 5%, ndёrsa mbёshtetja pёr PSD-nё dhe AKR-nё ёshtё poshtё pragut zgjedhor. 

Nё situatё tё tillё, zgjedhjet e ardhshme parlamentare do tё jenё pёrcaktuese pёr trajektoren qeverisёse nё Kosovё. Mё konkretisht, a do tё vazhdohet me modelin ekzistues tё instaluar nga PDK-ja qё nga viti 2007 qё sipas raporteve tё fundit tё Komisionit Evropian dhe organizatave tjera ndёrkombёtare ka rezultuar me kapje tё shtetit, gjyqёsor tё kontrolluar nga pushteti dhe monopole ne ekonomi? Apo zgjedhjet e parakohshme parlamentare tё kёtij viti paraqesin mundёsi pёr ndёrrim tё kursit qeveritar qё bazohen nё transparencё dhe llogaridhёnie? Por, sa ёshtё realiste tё priten ndryshime radikale nё modelin qeverisёs nё kontekstin momental politik?

Nёse bazohemi nga tё dhёnat e zgjedhjeve parlamentare nga viti 2007 deri 2017 (tё pёrfshira nё tabelёn mё poshtё) atёherё mund tё identifikojmё disa konkluzione. 

Rezultatet zgjedhore nga viti 2007 deri 2017 (ndarja e votave pozitë-opozitë mes partive shqiptare dhe përfshirja e partive minoritare). Burimi: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Nga viti 2007, çdo i dyti cikёl zgjedhor ka prodhuar qeveri me shumicё prej 2/3 tё deputetёve. Krahasuar me pёrbёrjet e kaluara, pёrbёrja e Kuvendit tё Kosovёs e vitit 2017 ishte mё pёrfaqёsuesja e votuesve me 96.74%. Zgjedhjet e vitit 2010 dhe 2017 kanё prodhuar shumicё minimale qeverisёse e cila nuk ka pasur mbёshtetjen e shumicёs sё votuesve nё Kosovё. Nё vitin 2010 shumica qeverisёse perfaqёsonte 46.1% tё votuesve, derisa nё vitin 2017 pёrqindja ishte vetёm 43.72% e votuesve. Kjo shёnonte pёrqindjen mё tё ulёt tё mbёshtetjes sё votuesve pёr shumicёn qeverisёse qё nga viti 2001. 

Nё katёr zgjedhjet e fundit parlamentare, pёrqindja e votave pёr partitё parlamentare shqiptare sillej nga 84% deri nё 89% te elektoratit te pergjithshёm. Pёrqindja e votave e partive parlamentare minoritare ka shёnuar ngritje nga 3.4% nё 6.6% nё zgjedhjet e fundit tё vitit 2017. Ndёrkaq, partitё politike dhe nismat zgjedhore qё nuk kalojnё pragun zgjedhor mesatarisht pёrbёjnё prej 3% deri nё 7% tё trupit votues.

A munden zgjedhjet e jashtёzakonshme parlamentare ta ndёrrojnё pёrfaqёsimin nё Kuvend?

Nёse merren parasysh rezultatet e anketave tё realizuara nga organizatat ndёrkombёtare qё punojnё me partitё politike, dhe poqёse pesё partitё kryesore parlamentare garojnё tё vetme (pra, pa koalicione parazgjedhore) atёherё renditja e tyre pritet tё ndryshoj nё zgjedhjet e parakohshme paralamentare. 

LDK pritet t’i merr mes 24% dhe 26% tё votave qё pёrkthehet nё 26 ose 28 deputetё. Pёrkundёr deklarimeve tё shpeshta tё pёrfaqёsuesve tё LDK-sё pёr rritje tё ndjeshme tё mbёshtetjes publike, fitorja eventuale nё zgjedhje nuk do tё jetё me dallim tё madh nё krahasim me partitё e tjera. Pёrkundrazi, rezultatit i tillё paraqet rritje tё vogёl krahasuar me rezultatin e vitit 2017 kur LDK nё koalicion parazgjedhor me AKR dhe Alternativёn mori 25.53%. 

Nё anёn tjetёr, LVV pёrkundёr largimit tё njё pjese tё grupit parlamentar gjatё vitit 2018, pritet t’i merr mes 22% dhe 24% tё votave qё pёrkthehet nё 24 ose 26 deputetё. Ky rezultat do tё rrisё pёrfaqёsimin e LVV-sё nё Kuvend, ndonёse rezultati zgjedhor do tё jetё pak mё i keq krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017 kur LVV arriti e vetme tё siguroj 27.49%. 

Ështё iluzore tё pritet qё nё tё ardhmen e afёrt njё parti vet tё arrij tё formoj qeverinё.

PDK pritet t’i merr mes 20% dhe 22% tё votave qё pёrkthehet nё 22 ose 24 deputetё. Ky rezultat do tё dёshmojё rёnien drastike tё mbёshtetjes sё votuesve pёr PDK-ёn, qё nuk u shpёrfaq publikisht nё vitin 2017 pёr shkak tё koalicionit PAN. Ky pritet tё jetё rezultati mё i keq zgjedhor i PDK-sё qё nga themelimi i saj, pasi qё pёr herё tё parё mbёshtetja elektorale e saj bie nёn 25% (duke pёrfshirё edhe zgjedhjet e vitit 2001 dhe 2004).

AAK pritet t’i merr mes 15% dhe 18% tё votave qё pёrkthehet nё 17 ose 20 deputetё. AAK pritet tё shёnojё rritjen mё tё madhe nё zgjedhjet e vitit 2019 nё krah tё politikave populiste duke arritur gati tё dyfishoj rezultatin e saj zgjedhor krahasuar me zgjedhjet e vitit 2014 kur mori 9.54% tё votave. Duket se AAK ka arritur tё tёrheqё numёr tё konsiderueshёm tё trupit votues tё PDK-ёs, si dhe ka depёrtuar nё shtratin votues tё saj.

Nisma Socialdemokrate pritet t’i merr mes 5% dhe 6% tё votave qё pёrkthehet nё 6 ose 7 deputetё. Ky rezultat ёshtё reflektim i mirёmbajtjes sё bastioneve zgjedhore dhe tregon stabilitetin zgjedhor tё Nismёs Socialdemokrate.

Koalicion pёr ndryshim tё qeverisjes apo veç ndryshim tё qeverisё?

Pёr shkak tё sistemit zgjedhor dhe fragmentimit tё pёrfaqёsimit politik nё katёr pole politike, ёshtё iluzore tё pritet qё nё tё ardhmen e afёrt njё parti vet tё arrij tё formoj qeverinё. Andaj koalicionet, qoftё para zgjedhjeve apo edhe pas tyre, mes partive politike janё tё pashmangshme pёr formimin e qeverisё. 

Çёshtja ёshtё se a dёshirojnё partitё politike tё vazhdojnё praktikёn e deritanishme qё pas zgjedhjeve tё bёhet pazar politik dhe tё filloj “gjahu” pёr votat e deputetёve pёr tё krijuar shumicё qeverisёse nё kundёrshtim me vullnetin e votuesve? Apo partitё politike do tё tentojnё tё arrijnё koalicione parazgjedhore parimore me partitё qё kanё pajtueshmёri mbi prioritetet e ardhshme qeverisёse? 

Nёse parashikimet zgjedhore tё mёsipёrme i marrim si tё mirёqena, atёherё pёr sa i pёrket koalicioneve paszgjedhore mund tё presim gjashtё zhvillime. 

 

  1. Sikurse pas zgjedhjeve tё vitit 2007 dhe 2014, zgjedhjet e 2019-ёs mund tё prodhojnё qeveri me shumicё prej 2/3 tё deputetёve. Nё kontekstin e sotёm, kjo mund tё arrihet vetёm nёse dy nga katёr partitё kryesore arrijnё tё formojnё koalicion paszgjedhor me mbёshtetjen e Nismёs Socialdemokrate dhe gjitha partive parlamentare tё komuniteteve minoritare.

 

  1. Sё kёndejmi, Nisma Socialdemokrate nёse del e vetme nё zgjedhje dhe kalon pragun zgjedhor, do tё jetё ‘king-maker’ pёr krijimin e shumicёs sё tillё. Kalimi i pragut elektoral si parti e vetme i shton vlerёn gjatё negociatave pёr krijimin e qeverisё sё re.

 

  1. Duket se LDK ёshtё nё pozitёn mё tё favorshme pёr udhёheqjen e qeverisё, pasi qё mund tё lidh koalicion paszgjedhor me tё gjitha partitё perveç PDK-sё. Aleatёt mё tё mundshёm paszgjedhor duket tё jenё Nisma Socialdemokrate, AAK dhe LVV.

 

  1. Nё anёn tjetёr, opsionet pёr koalicion paszgjedhor tё LVV-sё nuk janё edhe aq tё shumta. LVV pёrveç refuzimit tё PDK-sё, mund tё lidh koalicion sё paku me LDK-nё dhe Nismёn Socialdemokrate. Kjo gjithsesi qё do tё kufizoj hapёsirёn e LVV-sё pёr negocim tё koalicionit paszgjedhor me LDK-nё dhe Nismёn Socialdemokrate pas zgjedhjeve, pasi qё ato kanё mundёsi tё lidhin koalicion edhe me AAK-nё. Ndonёse, LVV-ja ka edhe avantazhet e saja pasi qё mund t’i ofroj LDK-sё mundёsinё pёr bashkёpunim afatgjatё politik qё do tё mund tё ndryshonte qeverisjen dhe skenёn politike nё dekadёn e ardhshme.

 

  1. PDK duket se ёshtё nё pozitёn mё tё vёshtirё pasi qё gjysma e bllokut politik shqiptar (LDK dhe LVV) nuk do tё bashkёpunonte me tё pёr ta formuar qeverinё e re pas zgjedhjeve. AAK dhe Nisma Socialdemokrate ende nuk kanё pёrjashtuar njё mundёsi tё tillё. Andaj, i vetmi opsion pёr PDK-nё qё tё mbetet nё qeveri ёshtё rikrijimi i koalicionit PAN 2 pas zgjedhjeve. Sё kёndejmi, ka shumё gjasa qё PDK do t’i kthehet ulёsёve parlamentare si parti opozitare.

 

  1. AAK ndonёse pritet tё shёnoj rritje nё pёrfaqёsimin e saj nё Kuvend, opsionet e saj pёr tё qenё pjesё e qeverisё lidhen vetёm me LDK-nё dhe PDK-nё. Pёr shkak tё keqqeverisjes agresive gjatё viteve 2017-2019 dhe shtimit tё izolimit ndёrkombёtar, AAK-ja mund tё pёrjashtohet nga konsiderata pёr koalicionet e mundshme paszgjedhore. Qёndrimi nё opozitё do tё mund t’i radikalizonte qёndrimet e AAK-sё pёr sa i pёrket procesit negociator me Serbinё dhe tё vazhdoj trendin e kanibalizimit tё bazёs elektorale tё PDK-sё.

Pёrcaktimi i fituesit tё zgjedhjeve tё jashtёzakonshme parlamentare mes katёr partive kryesore duket tё jetё, sё paku, aftёsia e tyre tё lidhin koalicionet parazgjedhore me sa mё shumё prej nismave dhe partive qё nuk kanё gjasa tё kalojnё pragun zgjedhor. Partitё politike kryesore qё arrijnё kёto marrёveshje politike mund tё rezultojnё me shtim tё votёs sё tyre prej 2 deri nё 4%. Ndonёse kjo nё pamje tё parё mund tё duket pёrqindje e vogёl, pesha e pёrqindjes sё tillё ёshtё e jashtёzakonshme kur kihet parasysh se dallimi mes partisё sё parё dhe tё tretё mund tё mos jetё mё i madh se 5%.

Zgjedhjet e jashtёzakonshme tё vitit 2019 do tё jenё tё ndryshme nga ato tё vitit 2017 pёr shkak tё edhe ndikimit elektoral tё ikjes sё tё rinjve nё dy vitet e fundit. Mos dalja nё zgjedhje e kёtyre tё rinjve pritet tё ndikoj negativisht nё rezultatin zgjedhor tё partive opozitare. 

Pёr fund, zgjedhjet e 2019-ёs pritet tё prodhojnё paradoksin e radhёs nё skenёn politike nё vend. Pёrkundёr keqqeverisjes sё koalicionit PAN, ata si tёrёsi pritet tё kenё rritje tё votёs, mes 42% dhe 45%, krahasuar me 33.74% qё kanё arritur nё vitin 2017. Pra, votuesi kosovar do tё “shpёrblejё” ndonjёrёn prej partive tё PAN-it, pёrkundёr keqqeverisjes. Ndёrkaq, votuesit pritet qё tё “dёnojnё” ndonjёrёn prej partive opozitare, pasi qё pёrqindja e tyre e pёrgjithshme pritet tё bie nga 53% nё nen 50%. 

Me kёto rezultate potenciale zgjedhor, qё imponojnё krijimin e koalicionit qeverisёs me mё shumё se dy parti kryesore politike, ёshtё e vёshtirё tё pritet ndryshim drastik nё modelin qeverisёs. Arritja e koalicioneve tё tilla do tё pёrcillet me kompromise rreth synimeve qeverisёse dhe pastёrtisё sё pёrbёrjes sё ardhshme qeveritare qё do tё kufizoj hapёsirёn pёr veprime tё prera nё luftёn kundёr krimit, korrupsionit dhe monopoleve.

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.