Mentorimi | Zgjedhjet 2019

Zgjidhja nuk është te zgjedhjet

Nga - 04.10.2019

Kosovës i nevojitet një projekt kolektiv shoqëror

Elementi thelbësor nuk është emri i sistemit, por mënyra se si ai sistem funksionon në realitet, thotë Robert Kaplan, korrespondenti i revistës The Athlantic Monthly, në librin e tij “Anarkia që po troket”. Sipas tij, nuk mjafton vetëm pagëzimi i sistemit me emrin ‘demokraci’, në mënyrë që një shoqëri të funksionojë si duhet, por kërkohet një truall pjellor që e lejon demokracinë të lëshojë rrënjë të forta. 

Pa një qytetari aktive, me moral publik, tërheq vërejten Kaplan, ekziston rreziku që “demokracia t’i dobësojë shtetet, sepse bën të nevojshme kompromise jofunksionale dhe qeveri të brishta koalicionesh”, me ç’rast partitë e shumta që formojnë qeverinë, kërkojnë hisen e tortës së pushtetit. 

Kosova, sidomos pas shpalljes së pavarësisë, është përballur pikërisht me këtë problem. Nevoja e koalicioneve të shumë partive në mënyrë që të arrihet kuota e kërkuar për të formuar qeverinë, ka çuar në rritjen e vazhdueshme të administratës shtetërore, madje edhe të vetë kabinetit qeveritar. Për shembull, qeveria e fundit, e drejtuar nga Ramush Haradinaj, ishte koalicion i rreth 15 partive, që si rezultat kishte 20 ministri, e numri i zëvendësministrave kapi shifra rekorde, duke arritur në 100.

Nëpër fushatat e debatet parazgjedhore vazhdojnë të mbizotërojnë sulmet personale, fyerjet e etiketimet.

Të besosh se njëra parti është mishërim i të mirës dhe tjetra djalli vetë, është naivitet. Në Kosovë, dallime me të mëdha ekzistojnë përbrenda partive sesa midis partive. Mjafton të shohësh lehtësinë më të cilën njerëzit kalojnë nga një subjekt në tjetrin, apo nga sharja e një lideri te thurja e elozheve për të. Kjo flet për kufij fluidë midis forcave politike, të cilat marrin lëndën e parë nga i njëjti brumë. 

Prandaj, çështja kryesore është nëse partitë kosovare janë grupime njerëzish që synojnë pushtetin për të implementuar një ideologji a program politik, apo janë grupe interesi që tentojnë ta marrin pushtetin e ta përdorin për përfitime klanore? 

Njëzet vjet pas luftës, e udhëhequr pak a shumë nga e njëjta kastë politike, Kosova vazhdon të përballet me një varg sfidash, ku spikatin korrupsioni, krimi i organizuar dhe nepotizmi. Këtë e tregojnë raporte të ndryshme, vendore e ndërkombëtare. 

Për shembull, në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën, të vitit 2018, në 30 faqe fjala ‘korrupsion’ përmendet 16 herë. Aty thuhet: “Zyrtarët shtetërorë, të përfshirë në afera korruptive, nuk ndëshkohen. Mungesa e një mbikëqyrjeje efektive gjyqësore dhe dobësia e përgjithshme në sundimin e ligjit, kontribuuan në këtë problem”. Ngjashëm raportohet edhe nga Instituti Kosovar për Drejtësi, sipas të cilit gjatë periudhës 2015-2017, Prokuroria Speciale e Kosovës ka treguar rezultat vetëm në mbrojtjen e aktakuzave dhe dënimin e vetëm tre personave për korrupsion. “Që i bie mesatarisht, një i dënuar për çdo vit”, thuhet në raport. 

Madje edhe zyrtarë ndërkombëtarë nuk e kanë zor ta thonë hapur se Kosova ka dështuar të krijojë një shtet të të drejtës. Ish-ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi o’Connell, disa herë pati shprehur shqetësimin për nivelin e lartë të korrupsionit.

“Në shumicën e rasteve vendimet merren për interesa personalë”, pati thënë ai. “Ky është definimi i korrupsionit, pasi është krijuar kultura që çdo shkelje nuk është skandal, por e natyrshme. Asnjë shkelje nuk mund të pranohet. Edhe një shkelje e vogël nga zyrtarët publikë në qoftë se pranohet, i bie se krijohet kultura për shkelje të mëdha”.  

Përkundër kësaj situate, nëpër fushatat e debatet parazgjedhore vazhdojnë të mbizotërojnë sulmet personale, fyerjet e etiketimet. Rrallëherë debatet fokusohen në diskutime përmbajtjesore për problemet e vendit. Nuk të zë veshi shpalosje të ndonjë plani afatgjatë, fjala vjen, për 20 apo 30 vitet e ardhshme. 

Pra a kemi të bëjmë vetëm me parti të papërgjegjshme apo rrënjët e problemit janë edhe më të thella?

Pa projekt kolektiv shoqëror, mungon edhe qytetaria aktive 

Shpesh kur flitet për problemet thelbësore të Kosovës, harrohet se nuk janë vetëm qeveria e partitë që ushtrojnë ndikim në formësimin e një shoqërie, por edhe se shoqëria u jep trajtë partive. 

Nëse situata lexohet me lentet e sociologjisë ose të psikologjisë sociale, del se kosovarët nuk i bashkon ndonjë projekt i përbashkët, se u mungon nyja përbashkuese rreth të cilës do të organizoheshin. Pra, kosovarët nuk kanë projekte të përbashkëta kolektive, të cilat janë fijet që mbajnë të nyjëzuar një komb.

Qytetarët sot janë llogaritarë gjithnjë e më të ftohtë, në kuptimin që janë racionalë e pragmatikë, të fokusuar më fort te zgjidhjet dhe përfitimet individuale.

Ata mendojnë dhe përpiqen vertikalisht, duke tentuar të lënë pasuri për pasardhësit. Ndërkohë, funksionimi i shtetit-komb kërkon të menduarit horizontal, do të thotë të mirat materiale nuk konservohen vetëm për pasardhësit e linjës biologjike, por shpërndahen edhe për projekte në shërbim të bashkëqytetarëve. Është pikërisht ky element që ua ka mundësuar shoqërive njerëzore të krijojnë organizime në shkallë të gjerë, siç janë shtetet.

Në vend të kësaj, shoqëria kosovare është familjecentriste ose fisnore. Ajo funksionon sikur nuk ka arritur në stadin e kombit, si koncept modern i organizimit shoqëror. 

Prandaj, programet qeverisëse në nivel kombëtar, të dizajnuara për të ofruar zgjidhje kolektive, do ta kishin të vështirë të depërtonin te një numër i madh i qytetarëve mbasi që nuk i përputhen konceptit që këta kanë për shoqërinë, për moralin, për shtetin.

Qytetarët sot janë llogaritarë gjithnjë e më të ftohtë, në kuptimin që janë racionalë e pragmatikë, të fokusuar më fort te zgjidhjet dhe përfitimet individuale. Me fjalë të tjera, duke e parë situatën, kosovarët gjithnjë e më shumë e shohin rrugën e realizimit personal jashtë angazhimit të përbashkët për ta zhvilluar vendin e tyre, duke kërkuar kanale të tjera, sidomos migrimin dhe punësimin në institucione shtetërore.

Migrimi mbetet alternativë shumë tërheqëse për kosovarët, prandaj Kosova po zbrazet përditë. Sipas Agjencisë së Statistikave së Kosovës, vetëm gjatë vitit 2018, rreth 30 mijë kosovarë kanë lëshuar Kosovën. Numri i atyre që kanë në plan të largohen është shumë herë më i madh. Në raportin e publikuar nga Gallup International rezulton se rreth gjysma e të rinjve kosovarë dëshirojnë të migrojnë. 

E për shumicën prej tyre arsyeja kryesore është sigurimi i një jetese më të mirë. 

Në situatën kur rreth 50% e të rinjve e mendojnë Kosovën si një vendqëndrim të përkohshëm, është e vështirë të pritet investimi i tyre në plane kolektive. Madje, edhe demokracia duket si iluzion. Nëse demokraci është “sundimi i popullit”, atëherë si mund të pritet të qeverisë një popull që i ka braktisur idealet e përbashkëta dhe i ka gati valixhet për të ikur?

Zgjedhjet si betejë armiqsh, e jo rivalësh politikë

Demokracia në një shoqëri parakombëtare, e cila nuk e lubrifikon ingranazhin e madh të aparatit shtetëror me një lloj nacionalizmi qytetar, është tejet e vështirë të funksionojë.

Në Kosovë, ku politika i nënshtrohet logjikës së tregut të lirë, kërkesa përcakton ofertën. Kështu, partitë nuk tentojnë përpilimin e programeve afatgjata për të mirën e përgjithshme, por angazhohen “në terren”, duke u ofruar qytetarëve “zgjidhje individuale” nëpërmjet shfrytëzimit të buxhetit të shtetit.

Në këtë situatë nuk mund të ketë rivalë politikë që garojnë për ide, por vetëm armiq që shahen e akuzohen para e pas zgjedhjeve.

Për shembull, Qeveria e Hashim Thaçit në vitin 2014 kishte marrë vendim për rritjen e pagave të punonjësve civilë për 25%, duke bërë kalkulime elektorale për të marrë votat e tyre. Vetë kreu i atëhershëm qeveritar, rritjen e pagave e kishte premtuar gjatë fushatës elektorale. Sapo mori detyrën, Thaçi, duke injoruar kritikat e ekonomistëve dhe duke rrezikuar bashkëpunimin me Fondin Monetar Ndërkombëtar, jetësoi premtimin e dhënë. Të tjerë politikanë i ofrojnë dikujt ndonjë vend pune, disave kioska, disave kontrata, disave tenderë, të tjerëve favore.

Pra nuk tentohet të fitohen zgjedhjet me projekte nacionale, por me premtime individuale, sepse kosovarët nuk funksionojnë si komb, por si një shoqëri e atomizuar pa plan kolektiv për të ardhmen, e nxitur nga dëshira për të gjetur zgjidhje individuale.

Andaj, zgjedhjet në Kosovë nuk ngjajnë me një garë idesh, por më shumë duken si një luftë “me mjete të tjera” ku subjekti që fiton merr gjithçka, e atyre që humbin nuk u lihet asgjë. Duke qenë se partitë që formojnë qeverinë i mbajnë premtimet e dhëna ndaj një pjese të elektoratit të tyre – të cilët nuk janë koletiv, por individë të veçuar – qeveria menjëherë vihet në aksion për të shpërndarë favoret e premtuara. Ndërsa partitë humbëse mprehin shpatat për të hedhur akuza kundër partive në pushtet. 

Rezultati i kësaj mendësie qeverisëse është krijimi i tri klasave: të punësuarit në sektorin privat, të punësuarit në sektorin publik dhe të papunët. 

Në një ekonomi të dobët si kjo e Kosovës, mbingarkesa me staf në administratën shtetërore është, në rastin më të mirë, ekonomikisht e dëmshme. Për ta ruajtur balancën, qeveria lejon shfrytëzimin e punëtorëve në sektorin privat. Këta të fundit punojnë shumë më tepër sesa paguhen, në mënyrë që mbivlera e mbipunës të përdoret për të mbajtur një administratë gjigande e tejngopur me militantë partiakë, familjarë e akraba. 

Në këtë situatë nuk mund të ketë rivalë politikë që garojnë për ide – të cilët pas zgjedhjeve pajtohen të ndihmojnë njëri-tjetrin për t’i shtyrë projektet shtetërore – por vetëm armiq që shahen e akuzohen para e pas zgjedhjeve.

Gjendja është saktësisht ashtu siç e përshkruan historiani izraelit Yuval Noah Harari kur analizon dallimin midis shoqërive demokratike (të brumosura me ndjenja dhe përgjegjësi kombëtare) dhe shteteve jodemokratike që u ngjajnë fiseve paramoderne. 

 “Zgjedhjet funksionojnë mirë vetëm në situatën kur politikanët mendojnë që rivalët politikë mund ta kenë gabim, madje ndoshta që janë budallenj, por nuk e urrejnë njëri-tjetrin”, ka thënë ai në një ligjeratë në Central European University. “Kur njerëzit urrehen dhe shoqëria është e ndarë në grupe armiqësore, demokracia është e brishtë, kjo prodhon situata të tilla ku njerëzit mendojnë se të gjitha mjetet mund të përligjen në mënyrë që të fitohen zgjedhjet, sepse nëse ata humbin, grupi i tyre do të diskriminohet, ndërsa ata që i fitojnë zgjedhjet, do të kujdesen vetëm për anëtarët e fisit apo të partisë së tyre”.

Servilizmi si minues i demokracisë

Në Kosovë, në analizat politike shpesh flitet për servilizmin kundrejt liderit apo shefit. Por, më fort se ky lloj servilizmi nga poshtë lart, servilizmi nga lart poshtë është edhe më i rrezikshëm. Marrja e një posti, qoftë brenda partisë apo në institucione nacionale, varet kryekëput nga mbështetja e njerëzve. 

Për t’u zgjedhur kryeministër duhet të sigurosh votat e deputetëve, për t’u emëruar kandidat për kreun qeveritar duhet mbështetje nga anëtarët e partisë. Përfshirjen në listë zgjedhore nuk e bën dot pa pasur kredencialet e një njeriu që sjell vota. 

Sikur në kapitalizëm që kryefjalë është paraja, në demokraci gjithçka matet me votë. 

Për ta thjeshtuar, partitë përbëhen nga njerëz që sjellin vota ose kanë lidhje me biznese të cilat mbështesin partinë. Asnjë lider nuk e ka ”luksin” të tregojë autoritetin duke ndëshkuar një anëtar partie për ndonjë veprim të dëmshëm për publikun, fjala vjen, për ndonjë aferë korruptive. Lideri u serviloset, i mbron, i ngre në qiell anëtarët e partisë, ngase nga ata varet shkalla në të cilën ai do të jetë në hierarkinë e pushtetit. 

E nepotizmi derivon pikërisht nga këta dy faktorë: servilizmi nga lart poshtë, dhe mentaliteti fisnor i shoqërisë, e cila nuk e ka përbrendësuar ndonjë projekt kolektiv dhe nuk shkon përtej interesave familjarë. 

Në demokraci shteti do të duhej të ndërtohej nga shoqëria politikisht aktive. Në sistemet totalitare individi merr në dorë të gjitha levat e pushtetit dhe instalon mbi shtetin vizionin e tij, duke e kthyer vendin pothuaj në pronë private. 

Por, Kosova nuk është as diktaturë, as mbretëri. Në kushtet e pluralizmit politik, mënyra e qeverisjes, institucionet e klasa politike, më shumë i shëmbëllejnë mentalitetit të qytetarëve sesa ndonjë mbivendosjeje arbitrare që i zë frymën atij. Prandaj zgjidhja, më parë se te zgjedhjet, me ç’rast kandidatët e njëjtë reciklohen vazhdimisht, duhet kërkuar te vetëdijësimi i shoqërisë, aktivizimi i saj dhe sidomos besimi te një lloj “utopie” sado e vogël që do të mund të shërbente si motor i zhvillimit. K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.