fikret-ahmeti_kisha-up
Pikëpamje | Hapësira Publike

Një simbol i represionit që duhet të mbesë i tillë

Nga - 04.10.2016

Kisha Ortodokse Serbe e Prishtinës duhet të qëndrojë, që të kujtojë terrorin e racizmit dhe opresionit.

Çdo kujtim imi për ndërtesën e papërfunduar të Kishës Ortodokse Serbe në kampusin e Universitetit të Prishtinës (UP) është i përshkuar me mjegull fantazmash të një godine të zymtë të rrethuar me sorra, me bar të gjatë dhe me therra.

Ka arsye pse kjo strukturë gjigante me kryqin e artë që shpon qiellin qëndron e tillë në kujtesën time, dhe besoj në kujtesën e gjeneratës time. Mundoheshim pa sukses të shihnim tutje, derisa ishim dëshmitarë të ndërtimit së saj në fillim të viteve të 90-ta, të këtij imponimi në oborrin e universitetit të cilin nuk na lejohej ta vijonim, në një kohë kur si shoqëri po nënçmoheshim çdo ditë, po turpëroheshim në çdo mënyrë të mundshme.

Ka arsye pse tani e gjejmë veten në mes të një debati të zjarrtë për të ardhmen e këtij objekti. Është debat që nuk e kemi bërë në këto 17 vjet të fundit, derisa prisnim drejtësinë ndërkombëtare të ndajë drejtësi, derisa provuam dhe testuam se cilët nga parimet e drejtësisë tranzicionale na përshtaten, derisa u munduam ta kuptojmë tërë atë përvojë dhe kërkuam të gjejmë mënyrën më të mirë për ta përkujtuar të kaluarën tonë.

Ndërsa në emër të ecjes përpara, të krijimit të narracionit heroik bëmë kompromise sesi do ta kujtojmë atë të kaluar; ndërsa tkurreshim shpesh brenda vetes tonë, se si vuajtja, ende e prekshme për shume prej nesh, u bë çështje semantike: konflikt, nëse doje të dukeshe objektiv e neutral; luftë, nëse doje të tregoje se ku qëndron në këtë çështje; ndërsa mundoheshim ta menaxhonim hidhërimin tonë për politikat që shumë njerëzve ua kishin shkatërruar jetën; ndërsa mundoheshim t’i rindërtonim jetët tona dhe shtetin tonë, vend i cili lindi mbi po ato argumente morale të shtypjes së pashembullt dhe krimeve të luftës të kryera ndaj nesh.

fikret-ahmeti-church

Nuk ka dilemë sesi ndihemi për atë se çka përfaqëson ai objekt në oborrin e universitetit. Për secilin prej nesh është përkujtues i kohërave të tmerrshme, jo për faktin që është i shenjtë për dikë, por për shkak të rrethanave në të cilat u ndërtua. Por sot, kur po e ndërtojmë shtetin, i cili një pjesë të legjitimitetit të tij e ka të mbështetur në trajtimin e minoriteteve, dhe derisa ende ish-shtypësit tanë na ndërsehen, na duhet të ecim përtej ndjenjave. E kemi mundësinë të zgjedhim se si duhet ta interpretojmë këtë të kaluar. Dhe për këtë mund të mësojmë nga të tjerët.

Më duket e qëlluar ta trajtoj çështjen e kishës ortodokse serbe në oborrin e UP-së përmes prizmit të debatit që po zhvillohet tash e sa kohë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për trashëgiminë e skllavërisë.

Në mbarë Shtetet e Bashkuara, nëpër kampuse universitare e muze, ku zakonisht fillojnë këto biseda të rëndësishme, po sfidohet trashëgimia e skllavërisë. Këto institucione janë përfshirë në kërkimin shpirtëror rreth monumenteve dhe statujave që janë emëruar sipas skllavopronarëve, ose që e glorifikojnë historinë e atyre që dikur kishin shtypur të tjerët, mbi bazën e identitetit të tyre etnik, religjioz apo racor.

Përderisa nuk ka një përfundim të vetëm, me secilin institucion të përfshirë në diskutim dhe në kërkim të një mesi – disa duke vendosur t’i rrëzojnë statujat e tjerët duke mos ndërmarrë ndonjë veprim – ekziston një koncensus i gjithëmbarshëm që këto monumente të degradohen në relikte të së kaluarës: “Instrumente të arsimimit më parë se objekte të shenjta”, përmes të cilave gjeneratat e reja mësojnë për dhunën, represionin dhe apartheidin.

Kisha Ortodokse serbe në oborrin e UP-së është ndërtuar ilegalisht dhe me dhunë, si pjesë e fushatës së represionit dhe ne duhet ta ruajmë si të tillë.

 

Së fundi, Qendra e Atlantës për Histori, sipas “The Economist”, ka propozuar që secilit monument t’i vihet një pano edukative, e cila do të shpjegonte kontekstin monumentit dhe kush i ngriti ato. Ky institucion ka propozuar që këto monumente të lihen aty ku janë, për të qenë njëlloj rrëfyesi për kohën dhe ngjarjen.

Në një rast tjetër, dhjetëra historianë e studiues nga Universiteti i Georgetown kanë filluar kërkimin për të zbuluar fatin e 272 skllevërve të shitur nga ky universitet, para më se një shekulli. Universiteti ka ndërmarrë hapa të menjëhershëm, që t’iu ofrojë trajtim preferencial pasardhësve të atyre skllevërve.

Kisha Ortodokse serbe në oborrin e UP-së është ndërtuar ilegalisht dhe me dhunë, si pjesë e fushatës së represionit dhe ne duhet ta ruajmë si të tillë. Edhe pse është objekt fetar, dhe si i tillë duhet të respektohet, koha dhe mënyra në të cilën është ndërtuar e bëjnë atë simbol të nacionalizmit serb, të racizmit ndaj shqiptarëve dhe duhet të mbetet përkujtues i atyre kohërave të kobshme.

Na duhet të kërkojmë nga klerikët që e kanë pranuar ndërtimin ilegal të kishës nga Sllobodan Millosheviqi, arkitekti i spastrimit etnik të shqiptarëve, që të përballen me rolin e tyre, kur vepruan bashkërisht me shtetin represiv, për të nxitur urrejtje.

Është e drejtë e jona të flasim hapur për këtë gjë. Dhe është e vetmja mënyrë për ne që të përballemi me reliktet e represionit. As Serbia e as Kisha Ortodokse Serbe nuk duhet t’i ikin përgjegjësisë për krimet e luftës të kryera në Kosovë.

Kosova kurrë më nuk duhet të bëhet vend ku rrënohen monumentet fetare. Por, fakti që janë objekte fetare nuk duhet t’iu mundësojë që t’i shmangen historisë se si u ndërtuan, në veçanti ato objekte të ndërtuara gjatë represionit serb. Nëse zgjedhim t’i shohim vetëm si vende të shenjta, jemi duke zgjedhur të tregojmë vetëm njërën anë të kësaj historie.

Nuk mund të qëndrojmë të heshtur se çfarë përfaqësojnë këto monumente dhe nuk mund të vazhdojmë thua se asgjë nuk ka ndodhur. Është punë e jona ta bëjmë të ditur edhe anën tjetër të rrëfimit, të transmetojmë me fjalë dhe me fakte terrorin që e përjetuam, se si u ndiem kur u vunë themelet e këtij objekti, në praninë e atyre që erdhën për ta shkatërruar jetën e kësaj gjenerate përgjithmonë.

Fotografitë: Fikret Ahmeti

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO