Biseda | Kulturë

Alketa Xhafa Mripa: Nevoja për të qenë zëri i atyre që nuk kanë zë, është thjeshtë kontributi im si njeri

Nga - 05.04.2017

Artistja konceptuale flet për refugjatë, gota të çajit dhe frymëzimin që e merr nga babai i saj.

Alketa Xhafa Mripa është e ulur në pjesën e pasme të një kamioni të hapur e të parkuar para një prej ndërtesave më ikonike në Londër. Me një gotë çaj në dorë, ajo bisedon me ngrohtësi me një prej shumë vizitorëve të instalacionit të saj të fundit, “Refugees Welcome” (refugjatët e mirëpritur). Është pjesë e një serie më të gjërë që titullohet “Kush jemi ne?”, që reflekton mbi tema si identiteti, përkatësia dhe migrimi.

Instalacioni i zonjës Xhafa Mripa dallohet sepse nuk është i vendosur në qosh të një dhome, por qëndron me krenari, edhe pse në pjesën e prapme të një automjeti, para hyrjes së muzeut. Fytyra të pafundme shikojnë brenda kamionit me kurreshtje, e kur ta shohin shkrimin e ndritshëm “Refugees Welcome” dhe “Hope” (shpresë), pranë porcelanit të bukur që e stolis tavolinën e vjetër cilësore që gjindet në qendër, ato fytyra të hutuara shndërrohen në fytyra të buzëqeshura.

Artistja e ka krijuar një hapësirë që i fton njerëzit që të ulen me të e t’i ndajnë mendimet, opinionet dhe historitë personale të tyre për temën e refugjatëve. Atmosfera është e ngrohtë dhe mikëpritëse, pikërisht ashtu si dëshiron ta përshkruaj Xhafa Mripa. Këtë ngrohtësi ajo e lidh me Britaninë kur kujton kohën kur ajo kishte shkuar në Mbretërinë e Bashkuar (MB) si studente e artit në vitin 1997. Pak kohë pas udhëtimit të saj, ajo nuk kishte më mundësi që të kthehej në vendlindjen e saj, në Kosovë, meqë atje po shpërthente lufta dhe njerëzit dëshpërimisht po mundoheshin që të iknin.

Në instalacionin e fundit të Alketa Xhafa Mripës, “Refugees Welcome”, ajo ka krijuar një hapësirë në pjesën e prapme të një kamioni që i fton njerëzit që të ulen e t’i ndajnë mendimet dhe tregimet e tyre për refugajtë. Foto: Blerim Racaj.

Tema e refugjatëve mbetet ende çështje e rëndë dhe shumë e diskutueshme sa i përket adresimit të saj, por nuk është hera e parë që Xhafa Mripa e përdorë artin e saj për të ngritur nivelin e ndërgjegjësimit për çështje të rëndësishme sociale. Kjo ndërgjegje sociale dhe ky aktivizëm u mbështet edhe nga ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ndihmoi që të sjellte në Kosovë instalacionin për të cilën ajo njihet më së shumti: “Thinking of You” (mendoj për ty/juve).

Në vitin 2015, Xhafa Mripa e përdori stadionin futbollistik të Prishtinës si kanavacë, duke e stolisur me funde e fustane si përkujtim të dhunës seksuale të kohës së luftës që e vuajtën me mijëra njerëz. Ishte instalacion që mori kritika pozitive nga shumë njerëz; punimi i saj ishte  vepra e parë që e sfidoi një temë kaq tabu në Kosovë – dhunën seksuale gjatë luftës. Ajo e detyroi vendin, si dhe gjithë botën, që të përballen me një padrejtësi për të cilën shumë njerëz u turpëruan e u ndjenë të izoluar e të përjashtuar nga shoqëria.

K2.0 diskutoi me artisten për aktivizmin e saj, mënyrën se si aktivizmi ia formëson artin, dhe për atë se sa shumë identiteti dhe përvojat e saja luajnë rol në punën që ajo e prodhon.

K2.0: Meqë dikur ke qenë refugjate, ndoshta më së miri pyetja e parë të jetë: çfarë të frymëzoi që ta krijosh këtë instalacion? Ose, cili ishte frymëzimi që rezultoi në këtë qasje?

Alketa Xhafa Mripa: Kur erdha këtu para 20 viteve si studente e artit, pas 2 viteve, nuk mund të kthehesha më në vendin tim sepse kishte nisur lufta. Punoja me Kryqin e Kuq kështu që e shihja solidaritetin e njerëzve britanez; ishin shumë mikpritës dhe kështu e asociova Britaninë me këtë qëndrim – meqë ata i hapën zemrat e shtëpitë e tyre për shumë njerëz që kishin nevojë. Kështu që fillova të pyesja vetën se çfarë ndodhi me atë qëndrim mikpritës që e përjetova unë. Dinamika kishte ndryshuar në mënyrë drastike gjatë viteve të fundit.

Xhafa Mripa thotë se kur erdhi në MB nga Kosova në vitin 1997, njerëzit i hapën zemrat dhe shtëpitë e tyre, ndërsa tani atmosfera po ndryshon. Foto: Blerim Racaj.

Ky instalacion debutoi në Muzeun Britanez, dhe tani jemi të ulur në pjesën e prapme të një kamioni të hapur – çfarë kuptimi ka kjo dhe nga çfarë frymëzimi rrjedh?

Para dy viteve isha në pushim në Francë, dhe deri sa po kaloja kah Calais për të ardhur në MB pashë refugjatë anash rrugës që dëshpërimisht po mundoheshin që të hipin në një kamion. E shihja se si ai kamion simbolizonte lirinë për ata njerëz, sepse erdhi me shpresë dhe mundësi për të shkuar në një vend tjetër që mund ta ofrojë sigurinë që ata nuk e kanë. Por në anën tjetër, kamioni e ka elementin e të qenit varrë, sepse shumë njerëz kanë vdekur në këtë mënyrë. Mendova se si mund ta kapi këtë që po e shoh – vizualisht? Kështu më erdhi ai kontrast, dhe një ftesë për njerëzit për të ardhë e për t’i ndarë historitë e tyre.

Xhafa Mripa beson se për refugjatët një kamion mund ta simbolizojë edhe lirinë por edhe një varr. Foto: Blerim Racaj.

Secili punim që e ke krijuar të ka çuar nëpër një udhëtim në një mënyrë apo tjetër. Para se ta filloje këtë, çfarë shpresa dhe synime kishe me këtë instalacion?

Më kujtohet kur isha vajzë e vogël, 5-6 vjeçare; shikoja TV dhe shihja shkolla në Kosovë duke u mbyllur, e studentë që po helmoheshin, e i thoja vetës , o Zot, qysh mundet e gjithë bota me ndejt duke shiku deri sa ndodh kjo? Pra për mua, brenda meje, këto çështje si dhuna seksuale, të drejtat e njeriut etj, kishin rrënjë të thella, për shkak të mënyrës se si jam rritur dhe ambientit politik që më ka rrethuar. Dhe tani po e shoh duke ndodhur rreth meje, njerëz në situata të skajshme, dhe ky zë brenda meje po del, kjo nevojë për të qenë zëri i atyve që nuk kanë zë. Është thjeshtë kontributi im si njeri, si dhe si artiste, kapja e gjithë këtyre gjërave në mënyrë vizuale.

Kjo nuk është hera e parë që ke krijuar një vepër që frymëzon dhe nis një dialog për një çështje të kontestuara…

Sot Kosova ende është shoqëri shumë patriarkale, por duke u rritur në familjen dhe mjedisin tim, unë nuk e kam parë këtë – nuk jam rritur ashtu. Tek kur u rrita fillova të shoh pabarazitë në shoqëri, dhe pozitën tonë si gra. Pra si rezultat, gjithmonë jam munduar që ta paraqes bukurinë e grave. Jo bukurinë estetike, por bukurinë e fuqisë sonë, dhe në një farë mënyre, këtë doja ta bëja me “Thinking of You”. Por edhe para kësaj, jam munduar që të ballafaqohem me çështje të cilave u shmangen shumë njerëz – ekspozita ime këtu në Londër në vitin 2015 kishte disa pjesë për krenarinë që e ndjejë kur u jap gji fëmijëve të mi, e tjetra ishte për kur e laj babain tim. Të gjitha këto tabu që nuk folen; dhe pikërisht për këtë e kam quajtur ekspozitën “You Just Don’t Talk About It” (Thjeshtë Nuk Folni Për To).

Artistët duhet të frymëzojnë e krijojnë dialog që në fund mund të çojë në ndryshime.

Është një element i aktivizmit në gjithë punën e juaj. A do të ishte e drejtë të themi që aktivizmi dhe arti juaj shkojnë dorë për dore?

Definitivisht. E kam të qartë se në mesin e artistëve ekziston një tendencë për të qenë vetjak dhe egocentrik, ashtu ‘qe punimi jem’. Për mua, arti është gjithmonë për të nxitur ose nisur diçka, gjithmonë për të shtruar pyetje e për të krijuar një platformë që i bashkon njerëzit. Vetëm nëpërmjet bashkimit të njerëzve aktivizmi evoluon nga një punim artistik dhe ndihmon me arritjen e ndryshimeve pozitive. Unë me të vërtetë besoj në aktivizëm, dhe e shoh në njerëz si Ai WeiWei, që është aktivist nëpërmjet artit të tij.

Njëlloj për mua ka të bëjë me tregimin e së vërtetës nëpërmjet artit dhe tregimin e gjërave që po ndodhin. Është gjithashtu arsyeja pse jam kaq e përfshirë në punimet e mia, dhe shpeshherë prezente brenda tyre, sepse shumë pjesë të tyre lidhen me përvojat e mija dhe identitetin tim. Është një prej arsyejeve pse jam kaq e pasionuar për mesazhin që e përçoj.

A do të thoje se kjo është pasqyrë e pikëpamjes që e ke sa i përket rolit që arsitët duhet ta luajnë në botë aktualisht?

Nuk mund të flas për të gjithë por për mua definitivisht është kështu. Është për kapjen e së vërtetës, veçanërisht tani me gjithçka që po ndodh në botë, me këta politikanë të krahut të djathtë, artistët duhet të flasin e ta ngrisin zërin. Si artistë ne kemi zë dhe duhet ta përdorim. Prandaj i përmendi e i vlerësoj artistë si Ai WeiWei dhe së fundmi Banksy me punimet e tij. Artistët duhet të frymëzojnë e krijojnë dialog që në fund mund të çojë në ndryshime.

Në shkollë kur të gjithë flisnin për atë se çfarë duan të bëhen kur të rritën; dëgjoja përgjigje si ‘doktor’, ‘avokate’ e pastaj unë thoja ‘artiste’ dhe të gjithë qeshnin.

Meqë jemi te artistët, edhe babain e ke artist. Si të ka ndikuar ky fakt?

Unë jam rritur në një familje artistike. Vetëm këtë e njoh. Edhe babai e edhe vëllai im janë artistë. Pra që nga një moshë e re, e dija që do të përfundoja duke bërë diçka kreative. Më kujtohet koha në shkollë kur të gjithë flisnin për atë se çfarë duan të bëhen kur të rritën; dëgjoja përgjigje si ‘doktor’, ‘avokate’ e pastaj unë thoja ‘artiste’ dhe të gjithë qeshnin.

Por për mua, fuqia ime i kishte rrënjët te babai im. Ai është marrë shumë me qepje, dhe kur e shikoja duke punuar, e shihja duke derdhur gjithçka në të – nervozën, frustrimin e tij, veçanërisht me okupimin e vendit të tij. E pash atë bukuri dhe përkushtim, dhe më ndikoi shumë. Është arsyeja pse ma ndinë aq shumë për të vërtetën, e më pak për bukurinë estetike.

Për një kohë të gjatë nuk e kam parë ndikimin që e kishte babai im, tek më vonë gjatë jetës e kuptova. Edhe unë mundohem të tregojë diçka me punimet e mija, siç e pashë atë duke bërë. Edhe pse stilet tona janë shumë të ndryshme, unë, babai im dhe vëllai im prapë se prapë i kemi të njëjtat baza në thelb. Babai im gjithmonë më mësoi se ai origjinalitet do të ma mundësonte që të dallohesha, dhe në një farë mënyre është arsyeja pse arti im merr forma të ndryshme.

Pra sa i përket stilit, punimeve të kaluara dhe përpjekjeve të së ardhmës, si do ta përshkruaje vetën si artiste?

Jam artiste konceptuale, kështu që për mua gjithmonë është për konceptin, idenë dhe atë që dua ta them. Kjo vjen gjithmonë e para. Pastaj është për prezantimin: a dua që të jetë pikturë, skulpturë, fotografi, film etj. Për mua, kjo ka shumë më pak rëndësi se koncepti.

Unë mendoj për artin në mënyrë universale. Është diçka që duhet të udhëtojë përtej mureve, kufijve, kulturave dhe religjioneve. Duhet të jetë diçka që mund ta angazhojë e magjeps këdo, pa marrë parasysh formimin kulturor apo besimin e tij apo saj. Kjo që mendoj për shikuesin pastaj ka ndikim të madh në stilin dhe qasjen time, sepse e marrë parasysh atë se si dua që punimi im t’i bëjë të ndihen njerëzit. Fokusohem në gjetjen e një mënyre që e kap dhe prezanton më së miri atë që dua ta them, në mënyrën më të fuqishme. Prandaj qasja ime dallon.

“Thinking of You” ishte instalacion dhe funksionoi mirë, por për shembull me punimin ku po e laja babain tim, e dija që një fotografi nuk do të kishte qenë e mjaftueshme; filmi e kap më së miri. Megjithatë, një tjetër punim i imi, “To the Children” (për fëmijët), përfshiu fotografi të shkrimeve në ditarin tim për shpresat dhe dëshirat që i kam për fëmijët e mi, bashkë me rrobat me të cilat i vishja kur ishin foshnje. Emocioni pas kësaj, këto gjëra të vendosura pranë njëra tjetrës, u kap shumë mirë nëpërmjet fotografisë. Pra kush e di se çfarë mund të përfshijë punimi im i radhës. Ndoshta do të jetë punim me performancë, apo shtyp apo pikturë.

Foto kryesore: Blerim Racaj.

  • PËR AUTORIN/EN Nuriya Qamili
  • Ky artikull fillimisht është shkruar në shqip.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO