Interpol
Në thelb | Drejtësi

Apelohet për kosovarët në listën e Interpolit

Nga - 09.02.2017

Haradinaj një nga 20 rastet e dorëzuara në Interpol në dhjetor 2016.

Ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët kërkohen përmes Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale – INTERPOL, bazuar në fletëarrestet e inicuara nga Serbia për vepra si krime lufte e terrorizëm, do të mund të gjejnë përgjigjet rreth dilemave që kanë për  urdhërarrestet ndaj tyre në institucionet e Kosovës.

Këto të fundit, kanë deponuar një ankesë në zyrën ndërlidhësë të INTERPOL, në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). Përmes ankesës së dërguar më 14 nëntor 2016,  Policia e Kosovës ka kërkuar largimin e fletëarresteve ndërkombëtare të publikuara në INTERPOL nga Serbia për 20 ish-pjesëtarë të UÇK-së, ndër ta Ramush Haradinajn.

Lideri aktual i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), i cili u arrestua në aeroportin e Mulhouse Freiburg të Baselit më 4 janar, bazuar në një fletëarrest të Interpolit të vitit 2004, aktualisht gjendet në liri me kusht në Francë. Ai është duke pritur vendimin për esktradim apo jo të tij në Serbi. Një seancë e dytë pritet të mbahet sot, pasi seanca e parë është shtyrë, për shkak të rishqyrtimit të dëshmive të prezantuara nga Serbia.

Mosqënia e Kosovës anëtare e INTERPOL ia pamundëson institucioneve që të komunikojnë direkt me këtë organizatë. Komunikimi duhet të bëhet nëpërmjet UNMIK-ut, që sipas Rezolutës 1244 të OKB-së, ka mandat për të lehtësuar dhe ndërmjetësuar këtë komunikim, apo edhe komunikime të tjera me organizata ndërkombëtare që nuk e njohin Kosovën si shtet.

"Në dhjetor 2016 UNMIK lehtësojë dërgimin e ankesës së autoriteteve të Kosovës në INTERPOL, duke ngritur dilema ligjore për një numër të rasteve përfshirë atë të Haradinaj".

Sanam Dolatshahi, zëdhënës i UNMIK

Në rastin e fletëarresteve ndërkombëtare, ekziston një mundësi që ato në mungesë të bazës ligore të largohen nga baza e të dhënave. Një Komision brenda për brenda  INTEPROL shqyrton ankesat që mund të vijnë për raste të caktuara, duke u bazuar në rregullat e kontrollimit dhe procedimit të të dhënave në INTERPOL, si dhe vendos lidhur me kërkesat për largim.

Një proces i tillë i apelimit veç se ka nisur për Haradinaj dhe 19 individë tjerë – përfshirë deputetë të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) si dhe persona tjerë jashtë politikës – të cilët ishin të përfshirë në listën e dorëzuar nga Policia e Kosovës nëpërmjet UNMIK në nëntor. Kjo ankesë iu përcoll Zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të INTERPOL-it në Lion më 14 dhjetor 2016, saktësisht një muaj pasi iu dorëzua UNMIK-ut.

“Në përputhje me rolin e UNMIK-ut sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, në dhjetor të vitit 2016 UNMIK-u ua mundësoi autoriteteve të Kosovës dorëzimin e një ankese drejtuar INTERPOLIT, përmes së cilës ngriheshin një sërë pikëpyetjesh ligjore lidhur me një numër çështjesh, duke përfshirë edhe z. Haradinaj”, ka treguar për K2.0 Sanam Dolatshahi nga zyra për media në UNMIK.

Autoritetet në Kosovë ende po presin përgjigje ndaj kësaj ankese.

Lojëra politike

Megjithatë kjo nuk është ankesa e parë që institucionet e Kosovës kanë adresuar  në INTERPOL, përmes UNMIK-ut. Në vitin 2015 Policia e Kosovës kishte përpiluar po ashtu një ankesë prej dhjetëra personash ,ish-pjesëtarë të UÇK-së, në kërkim nga Serbia. Kjo listë iu dërgua Ministrisë së Drejtësisë për proces të brendshëm në atë kohë.

Pas aludimeve, nga burimet policore, që emra të individëve të caktuar u larguan selektivisht nga Ministria e Drejtësisë e drejtuar asokohe nga Hajredin Kuçi, për arsye politike, K2.0 kërkoi nga MD-ja që të ofronte për publik informatat lidhur me atë listë që ia përcolli UNMIK-ut (e që pastaj do t’i përcillej Interpol-it). Megjithatë, pavarësisht disa kërkesave të bëra gjatë tri javëve, MD-ja nuk i ofroi përgjigjet e kërkuara, e as nuk dha deklaratë.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Nuredin Ibishi, është njëri prej atyre për të cilët u lëshua urdhërarresti nga Serbia nëpërmjet Interpolit, nën akuzat për spastrim etnik dhe trafikim  të drogës, gjatë kohës kur ishte oficer i UÇK-së në 1999 dhe i njohur edhe si Komandant Leka. Tani si anëtar i Komisionit Parlamentar të Kosovës për Mbikëqyrje të Punëve të Brendshme dhe Sigurisë, ai thotë se pavarësisht disa diskutimeve rreth kësaj çështjeje, shumë më shumë është dashur të bëhet për të bërë apel në lidhje me urdhërarrestet e Interpol kundër ish-anëtarëve të UÇK-së. Sipas tij, Kosova gjithmonë ëshët një hap prapa Beogradit, sa i përket kësaj çështjeje.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës me 27 janar, Thaçi tha se të gjithë ish-komandantët e UÇK kanë urdhërarreste të Interpol të lëshuara kundër tyre, por se të gjithë individët në pushtet kanë imunitet.

Ibishi thotë se disa herë ka pasur probleme gjatë udhëtimeve në shtete jashtë Kosovës, madje edhe ka ngritur pikëpyetje për atë se pse liderët e tjerë të Partisë Demokratike të Kosovës, për të cilët gjithashtu ka patur urdhërarreste të lëshuara nëpërmjet Interpolit, nuk janë përballur me probleme të njejta në të kaluarën.

“Si duket ato ankesa [drejtuar në INTERPOL], janë të motivuara nga politika, meqë po flasim për persona që janë pjesë e PDK dhe nuk janë arrestuar asnjëherë”, tha ai, duke iu referuar rasteve si atij të kreut aktual të PDK-së, Kadri Veseli, dhe paraardhësit të tij, Hashim Thaçi; asnjëri nuk është arrestuar ndonjëherë për shkak të urdhërarresteve të lëshuara nga Beogradi nëpërmjet Interpol-it, pavarësisht udhëtimeve të rregullta jashtë vendit.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës me 27 janar, Thaçi tha se të gjithë ish-komandantët e UÇK kanë urdhërarreste të Interpol të lëshuara kundër tyre, por se të gjithë individët në pushtet kanë imunitet. Megjithatë, është e paqartë se në çfarë po e bazon Thaçi këtë pohim. Ndonëse Neni 3 i Kushtetutës së Interpol thotë se “është e ndaluar rreptësisht që kjo organizatë të ndërmerr çfarëdo ndërhyrje ose aktivitet të karakterit politik, ushtarak, religjioz ose racor”, nuk thotë që figurat politike nuk mund të arrestohen, nëse janë të akuzuara për krime. Njëlloj, Neni 89 i Kushtetutës së Kosovës që flet për “imunitetin” thotë se “Presidenti i Republikës së Kosovës gëzon imunitet ndaj ndjekjes penale, padive civile dhe shkarkimit për veprime ose vendime që janë brenda fushëveprimit të përgjegjësive të Presidentit të Republiëks së Ksoovës”, dhe kësisoji nuk e mbronë atë nga krimet e dushyara  para marrjes së detyrës.

“Libri i Bardhë”

Mosqënia e Kosovës anëtarë e INTERPOL-it ia ka lehtësuar Serbisë që të lëshojë urdhërarreste – që nuk bëhen gjithmonë publike- pa dijeninë e autoriteteve kosovare. Qeveria e Serbisë në vazhdimësi ka shtuar ish-pjesëtarë të UÇK-së në listën e “urdhërarresteve të kuq” të Interpol (për kërkim ndërkombëtar), listë kjo që përfshinë detaje për persona të akuzuar për krimet më të rënda – përfshirë rastin Haradinaj.

Ky gjendet edhe në mesin e një listës të përpiluar nga Beogradi, që shpeshherë është riprodhim i një listës së brendshme të quajtur “Libri i bardhë” nga autoritetet serbe, ku janë 157 pjesëtarë të UÇK-së, që mund të arrestohen po të hynë në Serbi automatikisht. “Libri i Bardhë”, përfshinë emrat e politikanëve aktual të Kosovës, si presidenti aktual Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli, deputetë si Fatmir Limaj, Nuredi Ibishi, Anton Quni, Agim Çeku, Azem Syla, ish- kryetar komunash si Sami Lushtaku, e Xhabir Zharku, e madje edhe ushtarakët e sotëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), si ish komandanti Kadri Kastrati dhe gjenerali aktual Rrahman Rama.

Hashim Thac, Libri i Bardh

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është një prej 157 ish-anëtarëve të UÇK që përfshihen në Librin e Bardhë të Beogradit, dhe që mund të arrestohen po të hynë në Serbi.

Arrestimi i Haradinaj në Francë nuk ishte i pari kur një kosovar që udhëtonte jashtë vendit u arrestua për shkak të urdhërarresteve të lëshuara nga Beogradi nëpërmjet Interpol-it për akuza të krimeve të luftës. Ai u arrestua më parë në vitin 2015 në Slloveni, por në atë rast ishte liruar pas 4 ditë ndalimi në mungesë të bazës ligjore për ta esktraduar në Serbi.

Ish-kryeministri i Kosovës Agim Çeku ishte arrestuar po ashtu më 24 qershor të vitit 2009 në Bullgari por ishte liruar pas dy dite.

Anton Lekaj, një ish-ushtar i UÇK-së, ishte arrestuar në Podgoricë të Malit të Zi. Asokohe 24-vjeçari nga Gjakova u ekstradua për në Serbi, ku u gjykua për krime të luftës kundër popullsisë civile nga Gjykata për krime lufte e Beogradit. Në 2006, ai u shpall fajtor për përdhunim, torturim dhe trajtim jonjerëzor dhe degradues, si dhe vrasje të një personi. Për shkak të mungesës së dëshmive, Gjykata e shpalli të pafajshëm për tri vrasje tjera dhe torturë, vepra tjera në akuzën ndaj tij. Ai do të lirohet më vonë gjatë këtij viti, pas vuajtjes së dënimit prej  13 vjet burg.

Sinan Morina, një tjetër ushtar i UÇK-së, u arrestua gjatë udhëtimeve jashtë vendit në katër raste. Në vitin 2007 ai u arrestua në Mal të Zi dhe u ekstradua në Serbi, ku u gjykua për krime të luftës. Ai u shfajësua në vitin 2008, por ai vendim më vonë u anulua nga Gjykata Supreme e Serbisë, pasi ai veç ishte larguar nga Serbia. Më vonë u arrestua në Slloveni, Kroaci dhe Austri, por u lirua.

Së fundmi, ish-ushtari i UÇK-së dhe drejtori aktual i Policisë në rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi u arrestua vitin e kaluar në Konçul të Serbisë. Ai u mbajt për afro dy muaj, deri në lirimin e tij për çka u desh ndërhyrje diplomatike që u ndërmjetësua nga UNMIK.

Ndonëse autoritetet në Kosovë pretendojnë që të gjitha urdhërarrestet kundër ish-anëtarëve të UÇK janë me motive politike nga Serbia, pafajësia e shumë prej atyre që janë të akuzuar për krime të luftës pritet që të gjykohet nga dhomat e reja speciale, të vendosura në Hagë. Këto dhoma, që do t’i lëshojnë paditë e para sivjet, do të funksionojnë nën ligjin kosovar, por me gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtar.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO