Pikëpamje | Dialogu

Ndryshimet e kufijve të Ballkanit rrezikojnë kthimin e konflikteve të hapura

Nga - 05.09.2018

Rivendosja e kufijve do t’i dëmtonte parimet ndërkombëtare që janë vendosur prej dekadash.

Në vitin 2014, Denis Bećirević, i cili aktualisht është kandidat për Presidencën e Bosnjes dhe Hercegovinës, e dorëzoi një nismë në Parlamentin Boshnjak nëpërmjet së cilës propozoi ndryshimin e kufirit me Malin e Zi. Ai donte që Sutorina, një fshat i vogël afër kufirit ndërmjet Malit të Zi dhe Kroacisë i cili dikur i përkiste mbretërisë mesjetare boshnjake, t’i dorëzohej shtetit bashkëkohor të Bosnjes dhe Hercegovinës.

Parimi që e propozoi ai ishte historik, por tepër i dobët, për shkak se sipas teorive të marrëdhënieve ndërkombëtare, Bosnja nuk ekzistoi si shtet modern para 1990-ve, ishte kundër pikëpamjeve të Komisionit Badinter, në kundërshtim me Marrëveshjen e Helsinkit dhe Marrëveshjen e Paqes Dayton, si dhe kundër rendit gjeopolitik dhe interesave të fuqive të mëdha botërore.

Kjo ide erdhi në një epokë që disa analistë e kanë përshkruar si Lufta e Dytë e Ftohtë apo ‘vazhdimësia e Luftës së Ftohtë’. Sidoqoftë, Mali i Zi dhe Kroacia tani të dyja janë shtete anëtare të NATO-s. I vetmi territor bregdetar në Evropën Jugore ndërmjet Sirisë dhe Oqeanit Atlantik që tani është pjesë e NATO-s janë 24 kilometrat e bregut të Bosnjes dhe Hercegovinës rreth Neumit. A mund ta paramendojë një njeri i arsyeshëm që një shtet i NATO-s ta dorëzojë një pjesë të territorit të tij, sado e vogël qoftë, një shtetit që nuk është pjesë e aleancës dhe karakterizohet nga një rend i brendshëm kompleks, ku forcat politike të serbëve të Bosnjes do ta merrnin nën udhëheqje Sutorinën, e këto forca njihen se reagojnë pa menduar dy herë sa herë të kërkojë Moska?

Mbase është më e besueshme t’i paramendojmë ndryshimet kufitare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës pikërisht për shkak se ato mund të shihen si ndryshime që janë në interesin e dy fuqive dominuese të Luftës së Ftohtë.

Mbase është më e besueshme t’i paramendojmë ndryshimet kufitare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës pikërisht për shkak se ato mund të shihen si ndryshime që janë në interesin e dy fuqive dominuese të Luftës së Ftohtë – SHBA dhe Rusisë, si shtet pasardhës i Bashkimit Sovjetik. Në fund të fundit, marrëveshja origjinale kufitare e Luftës së Ftohtë ishte rrjedhojë e negociatave të gjata ndërmjet tyre.

Akti Final i Helsinkit (njohur dhe si Marrëveshja e Helsinkit), e nënshkruar në pikën kulmore të procesit të Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në vitin 1975, nëpërmjet së cilës u lajmërua themelimi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, me qëllim për t’i bërë të paprekshëm kufijtë në Evropë. Me përjashtim të Shqipërisë dhe Andorrës, ky Akt u nënshkrua nga të gjitha shtetet evropiane, si dhe nga SHBA dhe Kanada.

Ajo e reflektonte gjeopolitikën e Luftës së Ftohtë, e cila mundësoi zhvillimin e paqes për një kohë të gjatë në Evropë, nëse jo në pjesët e tjera të botës, ku u nisën disa luftëra nga fuqitë e mëdha, në të cilat nuk u përfshinë ato vet. Stabiliteti i kufijve të Evropës, ndonëse i nënshkruar në letër, nuk ishte i lidhur ligjërisht, sepse kjo Marrëveshje lejonte ndryshime paqësore me marrëveshje të brendshme.

Ky lloj i zbatimit të dobët ishte i qëllimshëm, sepse amerikanëve nuk u pëlqente i gjithë procesi. Henry Kissinger e kuptonte si dorëzim ndaj majtistëve në Perëndim të cilët merreshin me çështje të të drejtave të njeriut, ndërsa Leonid Brezhnev e pa si konfirmim të pushtimit sovjetik në Evropën Lindore dhe Qendrore pas Luftës së Dytë Botërore, por nuk i pëlqente disa elemente të caktuara, si ato që lidhen me të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Asnjëra palë nuk do të kishte qenë e kënaqur po të kishte qenë Marrëveshja më precize. Duke e lënë kështu, të gjithë liderët kishin mundësi të pretendojnë se kanë fituar në këtë proces të gjatë.

Bashkimi i Gjermanisë erdhi 15 vite më vonë dhe u pa nga disa analistë si shkelja e parë e Marrëveshjes, apo të paktën një ndryshim në qasjen e saj. Megjithatë, marrëveshje për këtë pati brenda – pra brenda dy shteteve gjermane – dhe jashtë me SHBA-në, superfuqinë e vetme të mbetur dhe Bashkimin Sovjetik që deri në vitin 1990 veç se ishte bërë ish-superfuqi. Ministri i fundit i Punëve të Jashtme të Jugosllavisë, Budimir Lončar, shpjegoi në memoaret e tij se si politikanë të ndryshëm gjermanë e kishin pyetur se a duhet të presin apo të vazhdojnë me procesin e bashkimit. Madje edhe kancelari i plotfuqishëm i Gjermanisë Perëndimore, Helmut Kohl, ishte i mendimit se duhet të presin për shkak të gjeopolitikave.

Ky ishte ndryshimi i parë kufitar në Evropë që sipas Dejan Jović, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Zagrebit, krijoi precedentin dhe mundësinë për interpretime të ndryshme të Marrëveshjes së Helsinkit. Nacionalistët në Bashkimin Sovjetik dhe veçanërisht në Jugosllavi, e panë bashkimin e Gjermanisë si shenjë të mundësisë. Këtë e morrën relativisht në mënyrë paqësore në superfuqinë e dikurshme të Bashkimit Sovjetik, ndërsa jugosllavët i morrën armët, të vendosur për t’i ndryshuar kufijtë e brendshëm shtetëror.

Nga të gjitha federatat e pas Luftës së Dytë Botërore në Evropë, tri udhëheqeshin prej komunistëve. Çekosllovakia u shpërbë në mesnatën e 31 dhjetorit të vitit 1992 dhe shumë sllovakë e çekë festuan me shampanjë. Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik u karakterizua nga disa lufta të kufizuara, ndërsa seria e luftërave post jugosllave shënoi fundin e federatës jugosllave. Në çfarëdo niveli të dhunës, një parim u respektua në të gjitha rastet: paprekshmëria e kufijve të brendshëm të ish-federatave. Në këtë mënyrë, republikat janë bërë shtete dhe kufijtë e dikurshëm të brendshëm janë bërë kufijë të njohur ndërkombëtarisht.

Komisioni ndërkombëtar i themeluar në vitin 1991 nga Komuniteti Evropian (atëherë Ekonomik) me synim të ndërhyrjes në procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë, që shpeshherë referohet me emrin e kryetarit të tij Robert Badinter, ofroi mendime ligjore mbi shpërbërjen e Jugosllavisë, përfshirë këtu për çështjet kufitare. Parimi ligjor uti possidetis juris – që konsideron se shtetet e reja duhet t’i kenë kufijtë e njejtë si territoret e tyre para pavarësisë – u zbatua tek kufijtë ndërmjet republikave, të cilët u bënë kufijë ndërkombëtarë.

Një komision ndërkombëtar morri vendimin se ndërhyrja kishte qenë e jashtëligjshme, por legjitime. Kjo ka mbetur si problem prej asaj dite.

E rëndësishme është të kuptohet se Republika Federative e Jugosllavisë, e përbërë nga Serbia dhe Mali i Zi, nuk u njoh si pasardhësi i vetëm i federatës socialiste. Pra, parimet ligjore që u zbatuan edhe tek shtetet e tjera post jugosllave sa i përket njohjes – që vetëm republikat kanë të drejtë për shkëputje – vetëm nga një pikëpamje ligjore, duhet të jenë zbatuar edhe te pjesa e mbetur e Republikës Federative. Kjo mund të bëhet problem, kur marrim parasysh vitin 1999 dhe ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.

Shkeljet masive të të drejtave të njeriut nga regjimi i Beogradit, nxitën veprimin e NATO-s që rrjedhoi në tërheqjen e autoriteteve serbe nga Kosova dhe themelimin e Kosovës si protektorat ndërkombëtar. Një komision ndërkombëtar i themeluar nga qeveria e Suedisë pas ndërhyrjes, dhe i bashkëdrejtuar nga kryeprokurori i parë i TPNJ (Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë) Richard Goldstone, morri vendimin se ndërhyrja kishte qenë e jashtëligjshme, por legjitime. Kjo ka mbetur si problem prej asaj dite.

A mund të çojë një veprim i jashtëligjshëm te njohja e pavarësisë së një shteti të ri? Komisioni Badinter kishte marrë vendimin se shpallja e pavarësisë së Sllovenisë ishte e pranueshme, ndërsa shtetet e tjera të ish-Jugosllavisë u detyruan t’i tejkalonin disa pengesa: Kroacia u detyrua t’i ofrojë mbrojtje komunitetit pakicë serb, Bosnja dhe Hercegovina organizoi referendum për pavarësinë e saj, ndërsa Maqedonia u ballafaqua me rezistencën e Greqisë.

Cilado qoftë çështja, një koncept u rikonfirmua vazhdimisht: paprekshmëria e ish-kufijve të brendshëm. Koncepti i kundërt, i cili u refuzua në mënyrë të prerë nga komuniteti ndërkombëtar, ishte një parim etnik për krijimin e shteteve të reja në territorin e federatës së dikurshme. Në rastin jugosllav, u përkthye nga regjimi i Slovodan Milošević si “të gjithë serbët në një shtet”.

Megjithatë, kjo nuk ishte një përpjekje unike e rivendosjes së kufijve. Presidenti kroat Franjo Tudman i vizatoi kufijtë e Kroacisë së Madhe në një faculetë gjatë një darkës dhe ja tregoi Paddy Ashdown, ish-politikanit dhe diplomatit britanez i cili ishte mbështetës i fuqishëm i ndërhyrjes ushtarake në vitet e 90-a.

Në vend të rivendosjeve masive të kufijve që do t’i mbanin pjesë të mëdha grupeve etnike në një shtet të vetëm, parimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut, mbrojtjes së minoriteteve dhe proceset e ndërtimit të shteteve dhe institucioneve u prezantuan dhe pranuan nga fuqitë dominuese në vitet e 90-a. Ndonëse pavarësia e vetëshpallur e Kosovës në vitin 2008 u njoh nga pjesa më e madhe e shteteve perëndimore, në anën tjetër, Rusia, Kina, India dhe afro gjysma e komunitetit botëror ende nuk e njohin – madje edhe pesë shtete anëtare të BE-së janë kundër njohjes së Kosovës si shtet. Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qipro i kanë arsyet e veta të brendshme për mosnjohjen e Kosovës – sepse i kanë minoritetet e tyre që kanë ambicie potenciale për ndarje – pra edhe nëse Serbia dhe Kosova pajtohen për ndryshime të kufirit, vështirë është të shohim ndryshime në qasjet e këtyre pesë shteteve.

Shkëmbimi i territoreve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të çonte drejtpërdrejtë te zhvillimi i dy komb shteteve gjithnjë më homogjene, të formuara kundër parimeve të të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së minoriteteve.

Koncepti i vetëvendosjes, bashkë me qëndrimin e fuqishëm kundër korrupsionit, është në thelb të Vetëvendosjes, partisë më të madhe politike opozitare në Kosovë, e cila i kundërshton vendosmërisht negociatat me Serbinë. Ata duan Kosovën në tërësi, por shtrohet pyetja, çfarë do të ndodhte po t’i pyesnim njerëzit në Shqipëri, Maqedoninë perëndimore, Kosovë dhe pjesët jugore të Malit të Zi, se në cilin shtet duan të jetojnë.

Ndarjet e fundit brenda Vetëvendosjes mund ta reduktojnë ndikimin e kësaj pikëpamjeje, por këtë koncept lehtë mund ta gjejmë në pjesë tjera të Ballkanit. Lideri i serbëve të Bosnjes, Milorad Dodik, vazhdimisht po e kundërshton komunitetin ndërkombëtar dhe autoritetet shtetërore në Bosnje dhe Hercegovinë me deklarata për referendum për ndarje dhe bashkim me Serbinë. Idea e një kombi homogjen të shqiptarëve ka qenë e njohur për një kohë të gjatë – një sondazh i zhvilluar në vitin 2010 gjeti se 81 përqind e shqiptarëve të Kosovës, 62 përqind të shqiptarëve të Shqipërisë dhe 51 përqind të shqiptarëve të Maqedonisë e mbështetin idenë e Shqipërisë së Madhe – ndërsa ka mbështetje anekdotike në mesin e serbëve për një shtet ekuivalent.

Problemi është se janë shumë grupe të tjera etnike që do të prekeshin nga këto procese. Do të sfidoheshin themelet historike dhe do të bëheshin të pakuptimtë standardet e mbrojtjes së minoriteteve etnike dhe të drejtave të njeriut. Mesazhi për botën – Kaukazin, Azinë Qendrore, Lindjen e Mesme – do të ishte një mesazh kundër paqes dhe sigurisë.

Vetëm dy dekada më parë, bota ndërhyri kundër krijimit të ‘Serbisë së Madhe’. Secila epokë historike i sjell rregullat dhe normat e veta, por a ka ndryshuar mjaftueshëm bota gjatë këtyre 25 viteve për ta lejuar krijimin e kombeve të zgjeruara dhe pothuajse etnikisht të pastër? Gati një shekull ka kaluar prej shkëmbimit greko-turk të popullsisë. A e zgjidhi ajo problemin?

Shkëmbimi i territoreve ndërmjet Serbisë (në rastin e Luginës së Preshevës) dhe Kosovës (disa pjesë veriore) do të çonte drejtpërdrejtë te zhvillimi i dy komb shteteve gjithnjë më homogjene, të formuara kundër parimeve të të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së minoriteteve. Kjo do ta dëmtonte gjithashtu sovranitetin e disa shteteve tjera post jugosllave. Ndonëse shtetet anëtare të BE-së Sllovenia dhe Kroacia nuk kanë minoritete të mëdha, por Bosnja dhe Hercegovina menjëherë ndikohet nga agjendat nacionaliste.

Nëse ndryshimet kufitare janë në rregull, a do të lejoheshin serbët në Mitrovicë t’i bashkohen ‘shtetit fqinj’, e ata në Banja Lluka jo?

Kjo situatë do të ishte e pranueshme vetëm nëse ndryshimet kufitare Kosovë-Serbi do ta ruanin paqen dhe do t’i jepnin fund problemit të kahmotshëm ndërmjet këtyre dy shteteve. Problemi është se si t’i shpjegohet të tjerëve në Ballkan, atyre që kjo nuk u është lejuar në të kaluarën, dhe që nuk do tu lejohet në të ardhmen.

A mund të sjellin ndryshimet kufitare paqe dhe stabilitet në një vend dhe disa qindra kilometra në veri perëndim ta bëjnë pikërisht të kundërtën?

Përgjigja do të ishte pozitive po të kishin qenë të përfunduara proceset e ndërtimit të institucioneve dhe të shtetit në Bosnje dhe Hercegovinë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Megjithatë, çfarëdo ndryshime kufitare kudo në Ballkan me gjasë do të sjellnin më shumë jostabilitet dhe një kthim të mundshëm të situatës së konflikteve të hapura. Rundi i dytë i luftërave post jugosllave me gjasë mund ta ndjekë traditën e Luftërave të Ballkanit nga fillimi i shekullit 20, që gjithashtu u zhvilluan në dy runde.

Mënyrën për t’iu shmangur konflikteve dhe nevojës për ndryshime kufitare mund ta gjejmë në një koncept të ofruar në vitin 2005 nga një komision i udhëhequr nga ish-Kryeministri italian Giuliano Amato dhe i popullarizuar nga historiani britanez Timothy Garton Ash. Propozimi i asaj kohe do t’i bënte Kosovën dhe Serbinë shtetet anëtare 33 dhe 34 të BE-së, duke u miratuar nga Bashkimi së bashku me shtete të tjera jo-anëtare të Ballkanit në një ceremoni të mbajtur në Sarajevë në 100 vjetorin e vrasjes së Franz Ferdinand në vitin 1914, ngjarja që nxiti Luftën e Parë Botërore.

Ndërkohë, atmosfera ka kaluar nga optimizmi e gati në pesimizëm ekstrem. Jemi katër vjet pas atij përvjetori, shtetet e Ballkanit Perëndimor ende janë larg anëtarësimit në BE dhe ide të reja – më pak premtuese – po hynë në diskursin publik.

Foto kryesore: Besnik Bajrami / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO