Në thelb | Zgjedhjet 2017 | Papunësia

Problematikat e mëdha zgjedhore: Papunësia

Nga - 23.05.2017

Si të ju gjejmë njerëzve punë.

Me më pak se tre javë që kanë mbetur deri në ditën e votimit, ethet e zgjedhjeve tashmë janë gjithandej. Hiperbolat e premtimet ambicioze po e dominojnë diskursin, e lajmet 24 orëshe po sjellin intervistë pas interviste, temë pas teme.

Në këtë seri, K2.0 po largohet prej gjithë këtyre. Para datës së zgjedhjes, me 11 qershor, po i marrim disa nga problematikat më të mëdha me të cilat përballet sot Kosova, dhe po i analizojmë qëndrimet e secilës prej pesë partive politike shqiptare të cilat ishin përfaqësuar në legjislaturën e kaluar në Kuvendin e Kosovës; po analizojmë programet, manifestet dhe politikat e tyre.

Zgjidhja e problemit të papunësisë është pjesë shumë e rëndësishme e secilës fushatë zgjedhore në politikën e Kosovës. Partitë politike vazhdimisht kanë premtuar që do ta ulin nivelin e papunësisë duke krijuar numra astronomik të vendeve të punës, me vëmendje të veçantë tek të rinjtë.

Pavarësisht këtyre deklaratave, shifrat e papunësisë janë ende në nivel shumë shqetësues. Sipas një raporti të vitit 2016 nga Programi për Zhvillim i OKB-së, 32.9 përqind e popullsisë kosovare është e papunë, ndërsa përqindja e të rinjve është gati dyfish më e lartë; një 60 përqindësh shkurajues.

Kosovo 2.0 analizoi programet politike të partive dhe i kontaktoi ato për të marrë përgjigje për atë se cilat mendojnë se janë politikat më të mira për të zgjidhur problemin e papunësisë në Kosovë.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK)

Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2014, PDK premtoi që do t’i krijonte 200,000 vende të reja të punës nëpërmjet krijimit të ‘Fondit’ – 1.5 miliard euro të mbledhura nëpërmjet privatizimit, duke rialokuar një shumë të paspecifikuar të fondit të kursimeve pensionale të Kosovës, dhe burimeve të jashtme.

Megjithatë, në tri vitet që PDK qeverisi bashkë me partnerin e saj në koalicion, LDK, ky fond nuk u krijua asnjëherë, pavarësisht faktit që Blerand Stavileci i PDK-së e udhëhoqi Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. Ndonëse partneri i tyre në koalicion, LDK, së fundmi pretendoi që u krijuan 40,000 vende të reja pune, ky numër është kontestuar prej ekspertëve të ekonomisë.

Pas shpërbërjes së parlamentit, PDK po zhvillonte një platformë të re të cilën e reklamoi shumë për zgjedhjet e ardhshme, me titullin ‘Fillimi i Ri’. K2.0 kontaktoi zyrtarë të PDK-së për të mësuar detaje për atë se si PDK përmes kësaj platforme do të luftojë papunësisë në vend, por nuk morri përgjigje prej tyre.

Kjo parti së fundmi ka nënshkruar koalicionin me AAK-në dhe Nisma-n, përfaqësues të së cilave konfirmuan për K2.0 se tri partitë do ta publikojnë një platformë të përbashkët për zgjedhjet e sivjetme nacionale.

Sa i përket punësimit, të vetmet informata që ekzistojnë në lidhje me politikat e partisë erdhën prej liderit të PDK-së, Kadri Veseli, i cili nisi fushatën parazgjedhore me një turne në media. Veseli ka përmendur shpeshherë se bujqësia (ministria e së cilës është udhëhequr nga PDK prej vitit 2010) dhe ndërmarrësia do të jenë prioritet, dhe do të ndihmojnë kështu me krijimin e më shumë vendeve të punës; por pak specifika ka dhënë për atë se si do të arrihet kjo.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)

Në vitin 2012, LDK, një parti lidershipi i së cilës është i mbushur me ekonomistë, e ndërtoi tërë programin politik rreth politikave për zhvillim të ekonomisë së vendit. Me këta hapa ata shpresuan që do të ndihmojnë në reduktimin e varfërisë dhe papunësisë.

Mbështetja për sektorin privat ishte shtyllë e këtyre politikave. LDK deklaroi se vendet e punës më së miri krijohen nëpërmjet bizneseve. Bujqësia u veçua si sektor që mund të ofrojë mundësi për krijim të vendeve të punës. Por, pa dhënë hapa konkret se si.

Gjatë tri viteve të fundit kur kjo parti ka qenë në qeveri me partnerin e koalicionit PDK, përfaqësuesit e LDK-së udhëhoqën Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Pavarësisht faktit që i kishin këto pozita kyçe, LDK dështoi që ta arrijë cakun e saj parazgjedhor të krijimit të 120,000 vendeve të reja të punës.  Muajin e kaluar, lideri i LDK-së dhe kryeministri në largim, Isa Mustafa, pretendoi se ishin krijuar 40,000 vende të reja të punës gjatë mandatit të koalicionit LDK-PDK, por kjo shifër u kontestua ashpër.

Në janar 2017, Mustafa deklaroi se ndonëse buxheti i Kosovës ishte rritur për 4.1 përqind gjatë mandatit të tij, për ta reduktuar dukshëm nivelin e papunësisë buxheti i Kosovës do të duhej të ishte më i madh; Mustafa vlerësoi se nevojitej një rritje në vlerë 6 përqind prej vitit 2014, rritje që qeveria në mandatin e tij nuk e mbërriti.

K2.0 kontaktoi zyrtarë të LDK-së, për të marrë më shumë përgjigje rreth hapave konkret dhe për qasjen e tyre në lidhje me papunësinë, por nuk mori ndonjë përgjigje prej tyre. Megjithatë, në një debat të transmetuar në televizion mbrëmë (22 maj), LDK-së iu ofrua një seksion tre minutësh për ta shpjeguar platformën e tyre politike, por zyrtarë të saj as që morën mundin të përmendin hapat me të cilët mendojnë të luftojnë papunësinë.

Vetëvendosje (VV)

Në platformën e vet të vitit 2013, ‘Alternativa Qeverisëse’, Vetëvendosja  thekson pjesëmarje më të madhe të shtetit në modelin e tyre zhvillimor ekonomik që synon të reduktojë papunësinë, dhe të ofrojë më shumë mirëqenie sociale. Në bisedë me K2.0, ish-deputeti i Vetëvendosje, Faton Topalli, shpjegoi shtatë politika specifike që trajtojnë fusha të ndryshme duke filluar nga shfrytëzimi i mineraleve, politikat e prokurimit, korrupsioni, etj.

Brenda këtyre politikave, bujqësia shihet si fushë me prioritet kombëtar. Topalli shpjegon se si qeveria e Vetëvendosjes do të mundohej që ta ngriste buxhetin për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në 120 milion euro – rritje e dukshme e buxhetit krahasuar me atë prej vitit 2017, me 48 milion euro për këtë ministri. Vetëvendosje beson se shtimi i granteve nga ministria dhe rivitalizimi i sistemit të ujitjes të Ibër-Lepencit, do të krijonte më shumë toka bujqësore që do të rezultonte në më shumë vende pune në këtë sektor.

Përkrah rigjallërimit të industrisë bujqësore, Vetëvendosje këto ditë ka folur edhe për shpërbërien e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe për krijimin e një ‘fondi sovran’ për Kosovën, i cili do të siguronte investime për kompanitë më të mëdha publike në Kosovë, përfshirë PTK-në, KEK-un dhe minierën e Trepçës. Sipas Topallit, ky fond po ashtu do të ofronte mbështetje për ndërmarrje të mesme që kanë mbijetuar për tre vite dhe treguar potencial për zgjerim, e si rezultat, edhe për krijim të më shumë vendeve të punës.

Vetëvendosje gjithashtu premton që do të gjenerojë më shumë punësim publik nëpërmjet politikave të prokurimit që i favorizojnë kompanitë vendase gjatë dhënies së tenderëve.

Për Vetëvendosje, përdorimi i lëndëve të para është gjithashtu faktor kyç për përmirësimin e ekonomisë dhe krijimin e vendeve të punës, me asetet nga fondi sovran që do të zgjeronin industrinë e minierave në Kosovë.

 

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)

AAK ka lajmëruar se do të garojë në koalicion me PDK dhe Nisma. Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, do të jetë kandidati i këtij koalicioni për kryeministër. Përfaqësues të AAK-së kanë konfirmuar për K2.0 se koalicioni do ta ketë një platformë që do të inkorporojë elemente të politikave të të tri partive.

K2.0 kërkoi detaje për hapat që kjo parti do të ndjek për ta ndikuar qasjen e saj në këtë platformë,  sa i përket papunësisë, por u informua se AAK nuk do t’u përgjigjet pyetjeve të mediave deri sa të bëhet publike platforma.

Megjithatë, disa përfundime mund të nxirren edhe nga programi 15 faqësh i AAK-së nga viti 2014, kur partia premtoi që të shtonte shumë prodhimin vendor duke krijuar “kushte pozitive ekonomike dhe rrethana institucionale”. Nëpërmjet këtij programi u deklarua se prodhimi i brendshëm bruto mund të shtohet deri në 6 miliard euro, e kjo shifër mund të dyfishohet deri në 2020 – ata u zotuan se një gjallërim ekonomik do të shtonte nivelin e punësimit dhe do ta ulte nivelin e varfërisë prej 50 në 20 përqind.

Kjo parti gjithashtu shpresonte që t’i shtonte investimet e huaja dhe t’i drejtonte “politikat ekonomike drejtë veprimeve ekonomike”, por hollësitë e sakta të këtyre politikave nuk u përmblodhën në paragrafin e vetëm që iu përkushtua zhvillimit ekonomik në këtë program.

Nisma për Kosovë

Nisma është pjesë e koalicionit me PDK dhe AAK. K2.0 iu konfirmua se ky koalicion do të garojë me një platformë të përbashkët që inkorporon elemente të të tri partive. K2.0 kontaktoi Nismën për të kuptuar se si do të përpiqen që të kenë ndikim në qasjen e platformës sa i përket punësimit por nuk morri ndonjë reagim prej tyre.

Në programin qeverisës të tyre prej vitit 2014, Nisma vazhdimisht e thekson rëndësinë e krijimit të vendeve të punës, duke deklaruar se e drejta për punësim është e pamohueshme dhe se askush nuk mund të ‘jetojë jetë me dinjitet pa patur punë’. Partia madje e etiketon papunësinë si ‘sëmundje e pashërueshme’ që duhet të zhduket.

Megjithatë, sa i përket hapave për ta gjetur ‘ilaçin’ për këtë sëmundje, në program deklarohet vetëm që “Nisma ka dëshirë të madhe për të nxitur individualizmin dhe për ta restauruar ekonominë”.

Fotografitë: Majlinda Hoxha / K2.0

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO