Blogbox | DokuFest 2017

Zhytje në një botë virtuale

Nga - 05.08.2017

K2.0 eksploron Realitetin Virtual (RV) nëpërmjet filmit në DokuFest.

Prizreni gjatë verës është një realitet prej së cilit normalisht nuk kam dëshirë të iki. Por, për hir të eksplorimit artistik, e kalova natën e hapjes së DokuFest pak duke më ardhë marre, në mesin e fëmijëve të shkollës së mesme, ata bashkë me mua duke kërkuar biletë për t’u ulur në karriget e rehatshme me rrota pranë lumit, para se të zhyteshim në një ekzistencë të re virtuale, nëpërmjet helmetës së madhe të minatorëve të cilën e kisha vënë në kokë.

Kjo ishte përvoja ime e dytë me RV, meqë më parë e kisha parë një pjesë të shkurtër të “The Conjuring 2”, i rehatuar në shtëpinë time, me ndihmën e një kartonit të Google që kushtonte 20 dollarë. Atëherë e kalova pjesën më të madhe të filmit duke iu shmangur murgeshës miqësore që po më përcjellte mua, në vend se ta përcjellja unë atë. Këtë herë iu betova vetës që do të përpiqesha t’i ndiqja imazhet në vend se t’i mbylli sytë e të ulem pa dashje.

Tre filma të shkurtër po shfaqen në Kino RV, dy janë nga 6 minuta të gjatë dhe i theksojnë shumë elementet pamore, gjegjësisht “Chasing Coral: the VR Experience” (Ndjekja e Koraleve: Përvoja RV) dhe “A History of Cuban Dance” (Histori e Vallëzimit Kuban), e tjetri është një kapitull përplot me audio i titulluar “Notes on Blindness” (Shënime për Verbërinë). Unë e zgjodha Kubën si destinacion të parë virtual, duke shpresuar që nuk më jep kokëdhimbje ekrani, meqë e kisha shumë afër.

Së shpejti isha në Havana. Befasisht i ngjante Prishtinës, meqë kishte banesa me arkitekturë socialiste. Sigurisht, termi “realitet virtual” gjitmonë senzacionalizohet sepse në fund të fundit unë isha duke shikuar në një ekran që e kisha të ngjitur për koke, por gjatë gjashtë minutave u ndjeva sikur vallëzuesit që bënin pirueta në rrugët e Havanës ishin aty bash para meje. E ktheja kokën për t’i ndjekur lëvizjet e vallëzuesve, e pastaj kthehesha në botën reale kur shikoja poshtë e nuk i shihja këmbët e mija.

Por kjo përvojë prapë se prapë më bëri të ndihem sikur isha shumë afër rrugëve të Kubës, edhe pse është vend të cilin nuk e kam vizituar kurrë. RV ofron diçka shumë më shumë se përvoja që e ke duke e shikuar Travel Channel në një ekran të rrafshët. Vizualisht isha aty në Kubë. I pashë këmbësorët, performuesit që vallëzonin para syve të mi, e nuk isha në dhomë të ditës duke e parë nëpërmjet ekranit dikë që është me kilometra larg meje. Pa marrë parasysh sa të mirë e ke TV, nuk ia kalon ndjesisë që ta jep kjo përvojë, gjatë së cilës nuk ke kufi në mes të vetës dhe performuesve dhe ambientit të tyre.

Kino RV është e hapur për publikun gjatë gjithë këtij edicioni të DokuFest, sapo të zbritni shkallëve të Xhamisë së Sinan Pashës. Foto: Agan Kosumi / K2.0.

Stimujt vizual të filmit RV ishin aq të fuqishëm sa që ende më kujtohen hollësitë e dalluara të kostumit të njërës vallëzuese e cila ushtronte para syve të mi, e udhëhequr prej instruktorit të saj. Ato pamje janë aq të fuqishme sa që mund t’i reduktojnë pak shqisat tjera. Më kujtohet pak muzika salsa që i shoqëronte vallëzimet, por gati aspak nuk më kujtohet rrëfimi i folësit.

Duke menduar se nuk e kam kënaqur sa duhet shqisën e të dëgjuarit nëpërmjet realitetit virtual, të nesërmën e durova nxehtësinë e Prizrenit (39 gradë celsius) dhe shkova përsëri në Kino RV. Të gjitha shpresat i kisha në kapitullin e parë të “Notes on Blindness”.

Ky dokumentar rrëfehet prej shkrimtarit dhe teologut John Hull, i cili u verbërua krejtësisht pas disa viteve që i kaloi duke u përballur me probleme me shqisën e të pamurit. Deri sa Hull i rrëfen tingujt që i dëgjon në një park, pamje të shkëlqyeshme shfaqen e zhduken, sikur të ishe në mendjen e Hull, duke e parë atë duke i krijuar këto imazhe në kokën e tij prej kujtimeve që i ka.

Nuk pretendoj se tani e njoh krejtësisht botën e të verbërve, por për shtatë minuta isha në pozitën e një burri i cili kishte kujtime për atë se si duket bota, i cili po mundohej që t’i ruante perceptimet vizuale edhe pasi kishte humbur të pamurit.

Më bëri të mendoj për potencialin e realitetit virtual, jo vetëm për të ofruar zbavitje për masën nëpërmjet kësaj forme të re, por për të krijuar përvoja virtuale të njerëzve si personat e verbër, të shurdhër apo njerëz me dallime jtera shqisore, botërat e së cilëve ndoshta nuk mund t’i kuptojmë plotësisht. RV mund të hapë shumë dyer për shumë fusha të ndryshme. Është botë krejtësisht e re për të ardhmën e filmit.K

Foto kryesore: Agan Kosumi / K2.0.