Biseda | LGBTQ+

Erik de Krujif: Është shumë e mundur të jesh transgjinore, aktiviste e të drejtave LGBT dhe katolike e devotshme

Nga - 28.11.2017

Kuratori i Pride Photo Award flet për nxitjen e pranimit me anë të fotografisë.

Prej të martës, më 21 nëntor, në Fakultetin e Arteve në Prishtinë janë gjallëruar muret e galerisë me disa fytyra të reja dhe të panjohura, meqë në këtë hapësirë është mbajtur ekspozita Pride Photo Award. Kjo ishte hera e parë që ky organizim u mbajt në Prishtinë.

Fytyrat u përkasin individëve të ndryshëm nga e gjithë bota të cilët nën lëkurën e tyre përjetojnë identitete gjinore dhe seksuale të cilat nuk përputhen me ndarjen dypjesëshe të sekseve dhe gjinive e cila përgjithmonë është imponuar në shoqëritë tona. Ato janë përtej.

Ekspozita me 60 fotografi është rezultat i garës së fotografisë Pride Photo Award. Kjo është garë ndërkombëtare e fotografisë e cila u lind para shtatë vjetësh në Amsterdam. Ajo trajton dhe eksploron identitetet gjinore dhe diversitetin seksual nëpërmjet fotografisë, vegël e cila ka fuqinë t’i ndalë sytë tanë deri sa janë duke shfletuar, ose t’i bëjë ata të varur nga shfletimi.

Fotografitë e kësaj ekspozite janë pjesë e një peisazhi. Ato tregojnë histori të cilave rrallëherë u ekspozohemi. Ato vijnë prej vendeve të largëta si Ukraina, Meksika, Libani e Japonia, dhe ndoshta edhe prej realiteteve të largëta si interseksualiteti.

Pride Photo Award vjen në kryeqytetin e Kosovës falë mbështetjes së Ambasadës së Holandës në Kosovë. Organizohet nga Kosovo 2.0 dhe Qendra për Liri dhe Barazi. Ajo është organizuar vetëm disa javë pas Paradës së parë publike të Krenarisë, në të cilën morën pjesë qindra njerëz, si dhe në vitin i cili është karakterizuar me ndryshime të rëndësishme legjislative. Tani pranohet identiteti gjinor si bazë për ndëshkim të diskriminimit, sipas Ligjit Kundër Diskriminimit.

Një juri ndërkombëtare – e përbërë prej emrave si Ayperi Karabuda Ecer, ish-kryeredaktore në Magnum Photos, dhe Hideko Kataoka, drejtoreshë e fotografisë në Newsweek Japan – ishte përgjegjëse për përzgjedhjen përfundimtare të fotografive të shfaqura. Ekspozita shquhet jo vetëm për temat të cilat i trajton, por edhe për cilësinë dhe diversitetin e pikëpamjeve dhe formateve fotografike të cilat janë të pranishëm brenda saj. Ajo përmban një mori fotografish, prej serive intime dokumentare, e deri te eksperimentimi me fotografi të arkivave. Ka fotografi plot ngjyra, e ka tjera që janë bardhë e zi, dokumentare dhe portrete.

Erik de Krujif, menaxher i projektit dhe kurator i Pride Photo Award, ishte në Prishtinë javën e kaluar për hapjen e ekspozitës, e cila do të jetë e hapur për publikun çdo ditë prej 11:00 deri 19:00, deri më 30 nëntor. K2.0 bisedoi me de Krujif – i cili ka përvojë të madhe me ekspozita fotografike si pjesë e ekipit World Press Photo – për Pride Photo Award dhe përmbajtjen e ekspozitës.

Photo: Majlinda Hoxha / K2.0.

K2.0: Për çfarë qëllimi u realizua fillimisht ideja e krijimit të një gare ndërkombëtare që lidhet me çështjen e identitetit gjinor dhe të diversitetit seksual?

Erik de Krujif: Unë vij nga qyteti i Amsterdamit. Një grup i njerëzve ishin të mendimit se kishte nevojë të nisej debati për pozitën e minoriteteve seksuale dhe gjinore; ata po kërkonin mënyrë për ta bërë këtë. Meqë World Press Photo është me seli në Amsterdam, atyre u erdhi ideja për ta modeluar një garë ndërkombëtare të fotografisë, pakashumë si ideja e World Press Photo. Prej fillimit ajo ka qenë garë ndërkombëtare e fotografisë për këto tema specifike, dhe nga fotografitë fituese është organizuar një ekspozitë.

Para këtij viti, ekspozita u organizua vetëm në Amsterdam. Por sivjet, për herë të parë, ajo po udhëton nëpër botë. Ekspozita u shfaq në Amsterdam, Xhakartë, Hanoi, San Francisko, dhe tani në këtë rajon – në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup. Pra edhe për ne është diçka mjaft e re, meqë tani po sillet nëpër botë.

Ideja e saj është se ne besojmë që fotografia është një prej mënyrave më të mira për të komunikuar, një prej formave më të qasshme të artit; pra, ndoshta mënyra më e mirë për ta nisur diskutimin për këtë temë. Kjo është ideja e Pride Photo Award: nuk ka të bëjë me imponimin e opinioneve, nuk thotë kjo është gabim e kjo është e drejtë; nuk është për të fyer njerëz, nuk është për të kënaqur njerëz, është për ta treguar një realitet.

Këta janë njerëz. Ata jetojnë. Ky është realitet për njerëz dhe ne nuk mundemi thjeshtë të mundohemi që të mos e shohim, të mundohemi mos ta dëgjojmë.

Ky është realitet i përditshëm për personat LGBT, për minoritetet seksuale dhe gjinore. Nëpërmjet fotografisë mund t’u tregosh njerëzve se në fakt nuk është aq i frikshëm apo i çuditshëm, është thjesht një minoritet – siç kemi minoritete etnike apo fetare. Është e rëndësishme që njerëzit ta kuptojnë këtë, se nuk ka gjë për t’u frikësuar. Tepër shpesh njerëzit janë injorantë, të frikësuar apo paragjykojnë seksualitetin dhe gjininë, dhe nuk ka nevojë për këtë.

Në disa shtete ekziston tendenca për të thënë se homoseksualiteti, për shembull, është produkt i Perëndimit, dhe unë mendoj se kjo ekspozitë tregon se homoseksualiteti apo çështjet gjinore nuk ndodhin vetëm në Perendim – janë çdokund. Sheh histori nga e gjithë bota, nga të gjitha qoshet e botës – është diçka që ka qenë çdokund, gjithmonë, dhe ka qenë mjaft e diskutueshme.

Ngadalë dhe me kohë po shtohet niveli i mirëkuptimit dhe i edukimit tonë, po marrim më shumë informata për diversitetin seksual. Nismat si këto na sjellin realitete të tjera dhe gradualisht na befasojnë më pak kur dëgjojmë apo edhe kur flasim për to. Në kontekstin e Pride Photo Award, si kanë evoluuar pikëpamjet e fotografëve në lidhje me këtë temë? A keni vërejtur ndonjë ndryshim në mënyrat se si fotografët u janë qasur identiteteve seksuale dhe gjinore?

Deri më sot kemi zhvilluar gjashtë gara, dhe ndoshta është e vështirë të bëjmë analiza për ndryshime në këtë pikë. Me siguri mund të them se shumë më shumë vëmendje po i kushtohet kësaj teme, si dhe po punohet shumë rreth çështjeve gjinore dhe atyre të komunitetit LGBTI.

Këto janë tema për të cilat tepër pak është folur para disa vitesh, dhe tani janë bërë temë serioze dhe fotogjenike. Përveç misionit të tregimit të këtyre historive, kemi të bëjmë me një çështje mjaft fotogjenike. Është temë më e njohur.

Edhe më e pranuar?

Definitivisht në qarqe të caktuara është më e pranuar. Ne nuk do t’u ishim shmangur temave të cilat janë potencialisht të diskutueshme. Tepër shpesh po zgjedhet kjo rrugë e lehtë; mendojmë se dikush mund të ofendohet pak, dhe prandaj nuk flasim. Por këta janë njerëz. Ata jetojnë. Ky është realitet për njerëz dhe ne nuk mundemi thjesht të mundohemi të mos e shohim, të mundohemi mos t’i dëgjojmë. Këtë po e bën Pride Photo.

Photo: Agan Kosumi / K2.0.

Në hapje të ekspozitës ju i thatë publikut se disa prej fotografive mund t’i bëjnë të ndihen në siklet, meqë nuk i kuptojnë ose nuk e pranojnë realitetin të cilin e portretizojnë. Ekspozita ka qenë në qytete si Hanoi, Xhakarta, Bolonja, San Francisko. Si është pritur ajo në të gjitha këto vende?

Në fillim kisha pak frikë – për shembull kur na kontaktuan për ta organizuar në Xhakarta, sepse Indonezia me të vërtetë nuk është prej shteteve më të hapura sa u përket këtyre temave. Por e bëmë, dhe e pritën shumë mirë.

Mendoj se është e rëndësishme ta kemi parasysh se ekspozitat e tilla mund të jenë sfiduese për njerëzit të cilët ende nuk janë të hapur ndaj kësaj teme, por nëse të paktën i tërheqim njerëzit të cilët janë të hapur dhe të gatshëm për të mësuar prej kësaj, ose njerëz të cilët e njohin këtë temë, njerëz të cilët mund të kenë pyetje për gjininë apo identitetin e tyre… ata njerëz do të vijnë, dhe ndoshta këtu nis gjithçka.

Kjo mund të jetë edhe lëvizje bazë, mund të rrjedh në shoqëri. Nuk mund të presim që kjo t’i ndryshojë mendësitë brenda natës – nuk do të ndodh kjo, por hapa të vegjël si këta ndihmojnë.

Unë isha në San Francisko për këtë ekspozitë, dhe San Franciskoja ka reputacion si një prej qyteteve më të hapura në botë. Por edhe atje kjo temë mund të jetë pak delikate. Amerikë është megjithatë, dhe shumë shtete në Amerikë kanë probleme me këtë. Në fakt shumë njerëz kanë vdekur, shumë të rinj LGBT që kanë shkuar për të jetuar në San Francisko, dhe kanë gjithashtu shumë barra negative, qëndrime negative apo ngurruese në lidhje me këtë temë.

Nëse ke dëshirë të pranohesh si minoritet etnik apo si person me ngjyrë tjetër të lëkurës, është thjeshtë logjike që ta pranosh gjithashtu dikë që i përket një minoritetit seksual.

Nuk është diçka që ndodh vetëm në shtetet islamike [konservatore] apo në Europën Lindore. Ndodh çdokund, edhe në San Francisko, edhe në Amsterdam. Fatkeqësisht, ende është temë delikate. E vërtetë është. Nga përvoja e deritanishme kam mësuar se nuk ka rëndësi ku e shfaq, reagimet janë pak a shumë të njëjta.

Njerëzit që janë të gatshëm të jenë të hapur ndaj kësaj teme do ta bëjnë. Pranimi i njerëzve që janë ndryshe është parimisht e drejtë njerëzore. Këtë e theksoj vazhdimisht. Është një minoritet, siç ka shumë minoritete të tjera. Pra nëse ke dëshirë të pranohesh si minoritet etnik apo si person me ngjyrë tjetër të lëkurës, është thjesht logjike ta pranosh gjithashtu dikë që i përket një minoritetit seksual. Kjo nuk është diçka që ndodh shpesh, siç do të duhej.

Së fundmi ka njerëz të cilët thonë se duan të pranohen si minoritet etnik, por në të njëjtën kohë nuk duan t’i pranojnë njerëzit gej. Mendoj se nuk funksionon kështu. Shpresoj që njerëzit ta kuptojnë se është i njëjti parim. Nuk ka dallim sa i përket pranimit.

Ky është një çmim që lidhet specifikisht me diversitetin seksual dhe gjinor. Ju keni gjithashtu shumë përvojë me ekspozita të World Press Photo, ku keni punuar për 10 vjet. World Press Photo është zhvilluar në një ngjarje që përmban fotografi të cilat vijnë nga e gjithë bota dhe duhet të shihen nga të gjithë, të cilat zakonisht paraqiten në shtypin ditor të cilin e konsumojmë çdo ditë, dhe është pjesë e kulturës dhe e imazhit tonë. A do të mund të zinin vend këto lloj fotografish, të cilat janë pjesë e Pride Photo Award, në një garë më të madhe të rëndomtë – të paktën sa i përket shtrirjes së saj – si World Press Photo Award?

Gjatë përzgjedhjes së fotografive për World Press Photo, gati çdo vit fitojnë një ose dy fotografi apo histori që trajtojnë tema LGBT. Pra, po vërehet qartë se juria e World Press Photo, e cila është shumë ndërkombëatre, e trajton këtë si të drejtë njerëzore. Merret si çështje serioze. Të mos harrojmë se njerëzit rreth botës i rrahin, i abuzojnë dhe ua shkelin të drejtat.

Photo: Agan Kosumi / K2.0.

Ndonjëherë njerëzit e nënvlerësojnë rëndësinë e kësa teme. Në një garë të madhe si World Press Photo që merret me çështje të mëdha në të gjitha nivelet – me ambientin, politikën e me çfarëdo çështje tjetër madhore – temat që lidhen me LGBT apo gjininë po përfaqësohen gjithnjë e më shumë, sepse po pranohen më shumë si të drejta themelore të njeriut. Dhe kjo është shumë mirë.

Fatkeqësisht, në këtë pikë bota po lëviz në dy drejtime. Disa vende po mbyllen dhe po shkojnë mbrapsht sa i përket të drejtave LGBT. Turqia është shembull i kësaj. Shtetet e Europës Lindore nuk po lëvizin në drejtimin më të mirë të mundshëm sa u përket këtyre çështjeve. Ndonjëherë të drejtat LGBT përdoren si vegël politike sepse shihen si Perendimore, dhe nëse nuk ke dëshirë të asociohesh me botën e Perendimit, nuk mund t’i mbështesësh. Është pak e dhimbshme, por është gjithashtu pjesë e procesit. Ndryshimi gjithmonë shkakton shumë dhimbje.

Ekziston tendenca për t’u përballur me histori negative që kanë të bëjnë me të drejtat LGBT, por në ekspozitë shohim gjithashtu individë të cilët i gëzojnë identitetet e tyre në shoqëri konservatore të cilat të lënë përshtypjen se brenda tyre nuk respektohen apo pranohen këto të drejta. Në disa raste, për shembull në një seri nga Meksika, një grua e moshuar transgjinore është pjesë e elitës shoqërore dhe konvertohet në të krishtere në moshë të shtyrë. A mund të na tregoni më shumë për këto histori?

Ajo, për shembull, është një grua e cila u konvertua në besimin katolik. Ajo u pagëzua kur ishte 80 e ca vjeçare. Është shumë e zëshme si aktiviste për të drejtat LGBT. Ajo vet është grua transgjinore, dhe mendoj se është e rëndësishme për ta parë sepse shumë religjione kanë tendencë të jenë shumë ngurruese për t’u hapur për këto tema.

Ato pretendojnë – dhe po flas specifikisht për institucionet si kisha, por megjithatë të gjithat e kanë këtë element – një të vërtetë të caktuar, një të vërtetë që nuk është shumë e favorshme për personat LGBT. Dhe nëse një grua transgjinore e cila i mbështet të drejtat e barabarta thotë “edhe unë jam katolike”, shumë njerëz e shohin këtë si kombinim të pamundur. Por kush jemi ne për ta gjykuar?

Kjo histori tregon se është shumë e mundshme të jesh transgjinore, aktiviste LGBT dhe katolike e devotshme. Këto nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën, dhe është shumë me rëndësi ta kuptojmë, që të mos bëhemi tepër gjykues, dhe të mos pretendojmë një të vërtetë absolute.

Photo: Majlinda Hoxha / K2.0.

Ekspozita tashmë është shfaqur në Tiranë, dhe pas Prishtinës do të shkojë në Shkup. A mund të na tregoni më shumë për këtë vizitë në Ballkan? Si u prit në Tiranë dhe në Prishtinë, dhe çka prisni për paraqitjen e radhës në Shkup?

Shumë sende po ndodhin këtu. Është vizitë në një fazë tranzicioni; shumë e vërtetë. Kanë ndodhur shumë ndryshime politike përgjatë viteve. Shumë religjione janë të përfaqësuara në këtë rajon, kështu që ka shumë forca të ndryshme të cilat kanë role kyçe. Mendoj gjithashtu se ekziston një përzierje e madhe idesh dhe emocionesh sa u përket temave që lidhen me gjininë dhe seksualitetin – disa prej tyre janë negative, e disa krejtësisht mbështetëse, e pjesa më e madhe janë diku në mes.

Për shembull, në Tiranë pashë se kishte shumë energji pozitive për këtë temë. Siç thashë më parë, naive është të mendojmë se të gjithë do të jenë në favor të të drejtave të barabarta e kështu me radhë, por mendoj se njerëzit janë më të hapur sesa që kemi tendencë të mendojmë, edhe në këtë rajon. Thjesht nuk përballemi sa duhet me këtë temë. Shumë lehtë është ta kesh një mendim për diçka nëse nuk e njeh ndonjë person LGBT, për shembull, nëse nuk e njeh dikë që përballet me një problem të identitetit seksual apo gjinor. Ndoshta do të kalojë një kohë derisa të ndryshohet mendësia e njerëzve, por mendoj se është hap i mirë në drejtimin e duhur.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.