Pikëpamje | Demokraci

“Fondi i femrave”, një farsë e politikës kosovare

Nga - 03.06.2017

Gratë duhet të votohen, jo se janë gra, por për shkak të bindjeve të tyre politike që avancojnë pozitën e gruas.

Ditët e fundit në Kosovë është debatuar se si shoqëria, e sidomos aktivistet mbi të drejtat e grave, duhet të votojnë gra sepse duhet të kenë përfaqësim të grave brenda Kuvendit të Kosovës.

Me apo pa dashje, kjo mënyrë e të menduarit është një lloj shtypje e cila vie si pasojë e një sistemi, i cili që nga pas lufta nuk arriti ta vendos e ta trajtojë gruan në mënyrë të barabartë me burrin.

A tani, duhet të zgjidhen gra që nuk përfaqësojnë asgjë përveç se kanë emrin e një gruaje. Por ato po u dashka të figurojnë në Kuvend. Diskutimet sa thellohen më shumë kur shohim se si gratë po trajtohen brenda listave zgjedhore, apo se si bëhet thirrje të votohen sa më shumë gra duke anashkaluar programet  e subjekteve politike të cilat ato përfaqësojnë.

Çka përfaqësojnë këto gra pak ka rëndësi për disa,  apo thënë më mirë – çka është bërë deri më sot në Kosovë për çështjet e barazisë gjinore, as kjo duket nuk ka rëndësi sa thirrja “votoni gra”.

"Partitë të cilat ishin në pushtet për 10 vitet e fundit dhe gratë që përfaqësojnë politikat e tyre, e bartin përgjegjësinë kryesore për gjendjen dhe vakumin e krijuar në Kosovë në çështjet e arsimit, përfaqësimit të gruas në vendimmarrje, përfaqësimit të tyre në sektorin e sigurisë, dhe diskriminimit të tyre sistemor".

Ditët e fundit disa nga subjetet politike, e sidomos disa nga deputetet gra, po i shoh mjaft aktive në fushata duke promovuar barazi gjinore dhe duke promovuar programin e tyre brenda subjektit të cilit i takojnë. Kemi pasur disa lëvizje pozitive në këtë drejtim në skenën politike në Kosovë, me një presidente grua apo ambasadoret gra në vende të ndryshme.  Mirëpo, kjo nuk e zhbënë faktin që gratë nuk janë të përfaqësuara në mënyrë të barabartë në institucione si në nivel lokal ashtu edhe në nivelin qëndror.

Tutje, nuk do të thotë që këto gra kandidate për deputete shtyejnë përpara politika për barazi gjinore të cilat do të ofronin zgjidhje për problemet e shumta të grave në Kosovë. Kjo u dëshmua në vitin 2015 kur disa nga deputetet gra të Kuvendit të Kosovës nuk votuan amandamentimin e ligjit për përfshirjen e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Partitë të cilat ishin në pushtet për 10 vitet e fundit dhe gratë që përfaqësojnë politikat e tyre, e bartin përgjegjësinë kryesore për gjendjen dhe vakumin e krijuar në Kosovë në çështjet e arsimit, përfaqësimit të gruas në vendimmarrje, përfaqësimit të tyre në sektorin e sigurisë, dhe diskriminimit të tyre sistemor.

Një fond për “Femra” nga PDK!

Në emisionin e kësaj jave mbi programet e partive politike, në Klan Kosova, të ftuar ishin Enver Hoxhaj dhe Besim Beqaj ku shpalsonin programin e subjektit të tyre politik – Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Beqaj tha se gjatë mandatit të ri eventual, ata do ta krijojnë “Fondin e Femrave” duke i fuqizuar në aspektin ekonomik, posaqërisht në biznese, dhe duke krijuar në këtë mënyrë vende të reja të punës. E, i ashtuquajturi “Fondi i Femrave” tingëllon problematik që në emër ngase termi ‘femra’ i referohet aspektit biologjik të gruas, përderisa termi ‘grua’ i referohet gjinisë.

Interesant është fakti se si individët brenda po këtij subjekti të cilët janë në pushtet tash e 18 vite, nuk krijuan asnjë hapësirë që të përfaqësohen gratë në mënyrë të barabartë me burrat.  Për shembull, nuk u krijuan vende të punës – ende vetëm 13% e grave vazhdojnë të mbetën të punësuara krahasuar më burrat.

Sipas Agjenicionit të Statistikave të Kosovës vetëm 5 përqind e grave, kanë pronë në emrin e tyre; vetëm 13 përqind e grave udhëheqin biznese; vetëm 4.9 përqind janë bartëse të tokave bujqësore. Sipas po të njejtit raport, gratë  në pozita vendimmarëse në nivelin qëndror qëndrojnë më mirë se sa në nivelin lokal. Rreth 42 përqind e grave janë në pozita vendimarrëse në ministri të ndryshme, krahasuar me 27 përqind të grave në nivelin komunal.

Mirëpo në përgjithësi kur krahsojmë pozitat e grave dhe të burrave në institucionet e sigurisë ka një diskrepancë jashtëzakonisht të madhe ndërmjet tyre. Për shembull në Policinë e Kosovës në pozita vendimarrëse në uniformë janë vetëm 144 gra krahsuar me 1,423 burra. Ndërsa në Ministrinë e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës të punësuarit e stafit ushtarak janë 203 gra krahsuar me 2,295 burra.

Derisa janë pikërisht të njejtit pushtetarë që nuk kanë arritur përmirësimin e kësaj gjendje, që vazhdojnë të kërkojnë që të votohen, sepse tash po krijojkan fond të veçantë për gratë.

Një fond i tillë në fakt vetëm sa do të vazhdojë t’i trajtoj gratë ndaras nga burrat. E pjesëmarrja e grave në jetën ekonomike, politike e shoqërore mund të përmirësohet dhe adresohet vetëm duke hartuar politika afatgjate.

Pra, pse duhet të kemi fonde të tilla? Për ta vazhduar shtypjen më tutje? Apo për të dëgjuar deputetet gra të këtij subjekti duke kërkuar votën dhe duke kontribuar në shtypjen klasore mbi gratë, duke mos ofruar asnjë prespektivë në arsim, punësim dhe emancipim.

Këtë e dëshmoi fushata e vitit 2014 nga partia në pushtet (PDK e cila hyri në Koalicion me LDK-në), ku në programin e tyre parashihnin krijimin e 200 mijë vendeve të reja të punës nëpërmjet krijimit të të ashtuquajturit “Fondi i punësimit”. Sot jemi në vitin 2017 dhe 200 mijë vende të reja të punës nuk janë hap askund dhe pozita e gruas mbetet e njejtë.

Një ndër kapitujt e misionit të ri asokohe ishte edhe “Fuqizimi i rolit të gruas në shoqëri”. Ky kapitull parashihte 10 milionë euro për gratë – premtim  i cili asnjëherë nuk u realizua gjatë qeverisjes se koalicionin PDK-LDK. Kjo edhe më tutje tregon që programet e tilla mbi çështjet e barazisë gjinore mbesin vetëm premtime boshe në kohë fushate. Dhe në anën tjetër asnjeherë nuk i kemi parë 10 deputetet e PDK-së (nga gjithsej 36 deputetë sa kishte PDK në mandatin e kaluar në Parlament) duke folur për mosrealizimin e këtij premtimi.

Në mes tjerash në programin e Misionit të Ri 2014-2018,  thuhet që “gruaja tashmë nuk duhet të trajtohet vetëm si nënë por është edhe bartëse e zhvillimeve pozitive në vend.”  Këtu qëndron edhe problemi se si paraqitet gruaja në programet të cilat promovojnë fuqizim, emancipim apo punësim sepse ata konsiderojnë gratë si “natyra pozitive” – dhe duke harruar faktin që  edhe disa nga deputetet gra, ishin dhe vazhdojnë të jenë pjesë kryesore e zhvillimeve negative në vend, pjesë e politikave të padrejta për gratë në Kosovë dhe pjesë e një qeverisje të tillë kemi të bëjmë edhe me “natyra negative” apo thënë më mirë nuk përfaqësojnë asgjë përveç të sigurojnë një ulëse në Kuvend.

Brenda programit të PDK-së më bëjnë përshtyje këto dy pika. E para, ku thuhet se “Do ta rrisim numrin e vendeve të punës për gratë dhe për bizneset e grave 10 milionë euro në vit të Fondit të Ri të Punësimit do të ndahen për bizneset, 50% e punonjësve të cilave janë gra.” Dhe e dyta, që: “Ashtu siç kemi realizuar premtimin për ndërtimin e 100 shkollave, tani do të fillojmë edhe me ndërtimin e çerdheve, sepse asnjë grua nuk duhet të hamendësohet në dilemën ‘ose punën ose fëmijët’.

PDK këmbëngulë se gratë munden edhe të punojnë edhe të jenë familjare.”

Pra siç shihet këtu kemi të bëjmë më një shtypje bazike të të drejtave të gruas nga subjekti i cili premton që do të krijoj fonde për gratë, apo i quajnë ata “fonde të femrave” duke mos i parë të barabarta para ligjit, dhe duke mos i ofruar punësim në forma të ngjashme sikurse burrave. Për më tepër,  programet e tilla që i referohen gruas vetëm në rolin e nënës, dëshmojnë që këto subjekte promovojnë frymën e partriarkalizmit në shoqërinë Kosovarë.

Në programin e tyre parashihen çerdhet ku do të ishte një lehtësim për nënat, mirëpo jo domosdoshmërisht secila grua dëshron të krijojë familje e të bëhët nënë. Përderisa ideja e hapjes së më shumë çerdheve është e mirë si politikë në vetvete, nuk ka ndonjë arsye të veçantë që kjo politikë të përfshihet në kapitullin për fuqizimin e gruas.

A e kanë menduar këta politikanë që ka edhe burra familjarë që dëshirojnë të përkujdesen për fëmijët e tyre?

Kujdesi për fëmijë duhet të ju takojë familjes në përgjithësi dhe kjo duhet të reflektohet në këto politika sepse përndryshe vetëm se po i rifuqizojmë stereotipet gjinore si dhe ndajrjen e punëve në baza gjinore. Ky program dështon ta përfshijë gratë e reja që nuk janë nëna dhe familjare.

Roli i gruas padyshim që përcaktohet edhe nga rrethanat të cilat Kosova ballafaqohet mirëpo ndryshimet progesive nuk mund të ndodhin duke i kontribuar shtypjes, por duke rezistuar përballë shoqërisë, dhe duke ofruar mbështjetje institucionale dhe vende të punës në vendimarrje.

"Trajtimi i gruas si kategori e veçantë, ka krijuar rrethanat që pikërisht gratë, sidomos në zona rurale, të jenë të përjashtuara nga institucionet, të mos ju jipet hapësira e nevojshme për të ngritur zërin për të drejtat e tyre të cilat i takojnë sipas Kushtetutës së Republikës të Kosovës".

Në dy pikat e fundit të këtij programi vlen të ceket që kanë përmendur të drejtën e trashëgimisë në pronë (në një fjali) si dhe të drejtën për t’u shkolluar (në një fjali).

Gra nuk janë vetëm nënat

Në këto kampanja zgjedhore edhe Lidhja Demorkatike e Kosovës (LDK), ka filluar të promovojë praktika të reja në programin e saj politik, për përfaqësimin e grave por edhe duke e parë gruan vetëm si nënë, meqë njëri nga premtimet për siç thuhet  kontributin në barazi gjinore nga LDK, do të jetë pushimi i lehonisë 12 muaj për gratë!   

Nuk mund të anashkalohet fakti që edhe ky subjekt ka kontribuar në gjendjen nga e cila është krijuar duke qenë partnere koalicioni. Madje as nuk harrohet fakti që lideri i subjektit politik të LDK-së pati fyer gratë nga shoqeria civile duke thënë se “kullosin fonde” kinse për të drejtat e grave në Kosovë. Edhe disa nga  deputetet e LDK-së vazhdojnë të kontribuojnë në shtypjen ndaj grave, duke përforcuar stereotipet se  çka do të thotë të jesh grua e çka do të thotë të jesh burrë në shoqërinë tonë. Kujtojmë komentin e famshëm të deputetës Gaxheri “gratë nuk bëhen të forta në politikë duke u sjellë si burrat”. Trajtimi i gruas si kategori e veçantë, ka krijuar rrethanat që pikërisht gratë, sidomos në zona rurale, të jenë të përjashtuara nga institucionet, të mos ju jipet hapësira e nevojshme për të ngritur zërin për të  drejtat e tyre të cilat i takojnë sipas Kushtetutës së Republikës të Kosovës.

Uroj që secila grua të shikoj programet e partive të cilat do të kandidojnë në këto zgjedhje. Të thuash do ta votoj një grua, për të pasur përfaqësim në Kuvend, kjo nuk përbën ndryshim në vete por kontribuon në shtypje. Ne nuk duhet ta pranojmë faktin që jemi shoqëri konservatore dhe të vazhdojmë të votojmë deputetet gra, të cilat kontribuojnë në shtypje. Sepse ato gjithmonë janë votuar, por gjendja nuk ka ndryshuar në Kosovë. Shoqëria ndryshohet kur pikërisht individët e tillë nuk na përfaqësojnë, kur nuk krijohen fonde të tilla dhe kur ka rezistencë nga gratë të cilat shtypen në baza ditore.

Votoni gratë por gra të cilat ju përfaqësojnë, gra të cilat i dëgjohet zëri dhe kanë programe të qarta për të drejtat e gruas në pronë, për emancipimin e tyre brenda komunitetit, ku ndihmojnë gratë të raportojnë dhunën që përjetojnë në familje, dhe kur e kuptojnë që pozita e gruas në shoqëri është përtej ulëses në Kuvend, është përtej votave në kampanja zgjedhore.