Biseda | Festival

Kinisi Festivali i Tingujve dhe Muzikës: Inkurajon mënyra të reja të dëgjimit

Nga - 14.10.2016

Drejtoreshat e festivalit flasin për koncerte nën ujë, solo të priftit me zile dhe gajde bullgare.

Prej 21 deri me 23 tetor, në ishullin Santorini në Greqi, do të mbahet edicioni i dytë i Kinisi Festival of Sound and Music. Aty do bëhen bashkë artistë e muzikantë të zhanreve të ndryshme, nga Greqia e Ballkani, për disa workshop-e, koncerte e seanca, në të cilat do të inkorporohen tinguj të ambientit dhe akustika natyrale të vet ishullit. Evenimentet janë të projektuara për të inkurajuar diskutime dhe muzikë të re. Festivali është gjithashtu edhe reagim ndaj jetës së ndryshueshme kulturore të ishullit, për shkak të migrimit dhe turizmit. Shpresohet që nëpërmjet tij të pasqyrohet ishulli siç ekziston sot.

Sivjet tema është ‘poroze’, duke iu referuar edhe gurit vullkanik të ishullit, e edhe kalimit të tingujve dhe kujtimeve përtej kufijve fizik. Festivali shënon herën e parë që disa akte tradicionale do të luhen jashtë vendeve specifike brenda komuniteteve të tyre.

Organizatorë të Kinisi janë etnomuzikologët dhe artistët e tingujve Alyssa Moxley dhe Ramona Stout, të lindura në SHBA, të cilat shkuan në një udhëtim hulumtues këtë pranverë për të gjetur pjesëmarrës dhe akte për festivalin, duke dokumentuar dhe inçizuar muzikë, mjedise të ndryshme dhe intervista.

kinisi_festival002

K2.0 foli me to për koncerte nën ujë, solo me zile të priftërinjve, dhe gajde greke e bullgare.

K2.0: Si e zgjodhët Santorinin si lokacion për Kinisi?

Alyssa Moxley: Ramona ka familje që jetojnë në këtë ishull, dhe ajo vendosi që të shkojë për të jetuar aty, prej Chicago-s. Unë erdha për ta vizituar pasi erdhi ajo këtu. Ne kishim punuar së bashku shumë në të kaluarën, me punime të etnomuizkologjisë në terene të Azisë Qendrore, dhe moti Ramona fliste për idenë e krijimit të një festivali folk në Santorini. Kur e vizitova ecëm nëpër ishull dhe bëmë inçizime në teren, dhe këto u bënë instalacioni ynë i parë, “Still Here”. Pastaj e përpiluam idenë e përzierjes së këtyre mënyrave të ndryshme të dëgjimit nëpërmjet tingujve, komponimit bashkëkohor, dhe muzikës folk – duke bërë bashkë njerëz që bëjnë tinguj për të krijuar një lidhje më të thellë më ambientin.

Ramona Stout: Alyssa e përmblodhi mirë, por dua të shtoj edhe se, si dikush që e ka parë Santorinin duke ndryshuar gjatë tri dekadave të fundit – unë fillimisht e vizitova ishullin kur nuk i kisha mbushur as një vjet, në fillim të viteve të 80-a. Unë isha gjithashtu e motivuar që të krijoja diçka këtu që funksionon brenda këti ambienti të veçantë e spektakolar, pa marrë asgjë prej tij. Ndoshta u tingëllon si jo origjinale, por desha që t’i jap diçka këti vendi, dhe njerëzve që jetojnë e punojnë këtu.

"Unë e mbajta altoparlantin në det me ndihmën e një miku, deri sa valët në fund e prenë kabllin."

Alyssa Moxley

Turizmi është thikë me dy teha. Ka ndihmuar që ta ripopullojë një ishull që ishte kati i shkretë pas një tërmeti në 1956, dhe e ka bërë përsëri të mundshme ekonomikisht jetesën në këtë vend. Në anën tjetër, e ka penguar zhvillimin e institucioneve alternative kulturore. Kam qejf të mendoj se Kinisi është pjesë e një idesë së popullsisë për ta ndryshuar këtë, bashkë me disa organizata tjera, dhe për ta pasuruar jetën kulturore të ishullit për vendasit e vizituesit. Popullsia vendase është gjithashtu e shumëllojshme; shumë banorë të përhershëm janë nga Ballkani, e madje e gjithë bota. Në të ardhmën duam që ta zgjerojmë Kinisi edhe në lokacione tjera – ta kurojmë festivalin që t’i pasqyrojë kualitetet e veçanta sociale dhe topografike të secilit vend përkatës.

Cila është historia më e pëlqyer e juaj nga Kinisi 2015?

AM: Kinisi Festival 2015 ishte shumë interesant. Patëm një koncert në një shkëmb në Plazhin Kathoros, me një altoparlant nën ujë, altoparlante në gurë, dhe altoparlante në lokacion. Gjithçka shkonte mirë gjatë testimit të pajisjeve, e pastaj gjatë performancës valët u çmendën. Natyra nuk mund të zbutet. Por disa notarë të guximshëm u hodhën në ujë për ta dëgjuar muzikën, dhe unë e mbajta altoparlantin në det me ndihmën e një miku, deri sa valët në fund e prenë kabllin; fatmirësisht amplifikuesi punonte me bateri.

Një sfidë tjetër interesante nga festivali i vitit të kaluar ishte një komponim bashkëpunues [i titulluar “Belloë”] me muzikantë improvizues (Laura Gini me Lindsey Housden, Andi Otto me Leo Hoffman, Ramona Stout me Alyssa Moxley) me tri palë zile të kishës të shpërndara përgjatë fshatit Pyrgos – janë 54 kisha në tërësi vetëm në atë fshat. Prifti i fshatit madje edhe e luajti një solo, dhe pati thirrje e seksion të reagimit me korin polifonik Chaonia.

RS: Përvetësimi i ngadalshëm por i sigurt i çelësave të tri kishave që i përdorëm në “Belloë”, për të cilën foli Alyssa, ishte përvojë mjaft e bukur. Morrëm leje nga prifti për t’i përdorur zilet, por u deshëm që të punojmë mjaft shumë për t’i marrë çelsat nga secili kujdestar përkatës i kishave. U sillëm nëpër fshat duke u munduar që t’i gjejmë plakat e duhura – nuk ka emra ose numra të rrugëve në fshatrat e Santorinit.

Gijthmonë u trajtuam me shumë dyshim fillimisht, duhej që ta thirrnim priftin përsëri, për të konfirmuar që me të vërtetë na kishe lejuar qasje në ndonjë kishë përkatëse për të inçizuar tingujt dhe krijuar komponimin tonë. Dhe na shoqëruan deri te kambanorja në fund, e sigurisht se u kënaqën duke i rënë zileve. U preka nga qasja e priftit ndaj ideve tona – dhe pjesëmarrja e tij – si dhe nga besimi që vendasit e kishin tek ne, që do të kemi respekt për hapësirat e tyre të shenjta.

Disa prej koncepteve dhe teknikave të përdorura gjatë festivalit duken mjaft abstrakte – ekologjia akustike, hartimi i tingujve dhe ecjet e audios, për shembull; a mund t’i shpjegoni teknikat e përfshira për njerëzit që nuk kanë dëgjuar për to? Çfarë mund të presin njerëzit prej një workshop-i Kinisi?

AM: Ekologjia akustike është për kuptimin e asaj se çfarë po bëjnë tingujt e mjedisit tënd – si po bashkëpunojnë. E kupton këtë duke dëgjuar mjedisin tënd thellësisht. Si duke shikuar gjelbërimin e duke parë që toka është pjellore; ose një shkretirë, e të kuptosh që është e thatë.

Workshop-et janë mjaft të ndryshme. workshop-i i hartimit të tingujve përfshinë ecje dhe dëgjim të ambientit. Të mësojmë se si të inçizosht tinguj të ambientit dhe intervista, e të projektosh platforma online për t’i vendosur këto tinguj në një hartë kuptimplotë gjeografike. Kjo është për të mësuar se si ta dëgjosh një vend – dhe për të mësuar si ta ndash këtë kuptim të një vendi nëprmjet tingujve në një mënyrë që është e kuptueshme për njerëzit nga larg.

Kemi edhe një workshop për gajde bullgare dhe greke – mësojmë melodi, ritme, këngë, histori – dhe bëjmë muzikë të re me përzierje të zhanreve dhe me këtë dituri.

Ecja e tingujve është përvojë e thellë, e udhëhequr dhe e komponuar nga artistja Katerina Tzedaki nga Kreta. Ajo jep udhëzime medituese për dëgjim, duke kërkuar nga njerëzit që ta udhëheqin njëri tjetrin symbyllur nëpër qytet, dhe duke i sjellur njerëzit në një gjendje të vetëdijës së thellë akustike.

"U munduam që të krijojmë një hapësirë ku njerëzit mund të përjetojnë pikëllimin e thellë dhe harenë e rrufeshme të cilave u flet muzika, pa marrë parasysh prejardhjes."

Ramona Stout

Uebfaqja e Kinisi flet për “muzikën e popullit, më shumë se për muzikën popullore”. A mund të shpjegoni se çfarë do të thotë kjo?

RS: Për mua kjo është për dallimin në mes të muzikës së kanonizuar folklorike, që është bërë disi pjesë e muzeve, dhe prandaj është statike, dhe muzikës folklorike që ende është duke ndryshuar e evoluar e reaguar ndaj përvojave të audiencës.

Keni thënë gjithashtu në uebfaqe se disa prej akteve më tradicionale muzikore mund të mos kenë luajtur jashtë komuniteteve të tyre të veçanta e të ngushta, me përvojë të ndarë kulturore dhe kolektive. Si përkthehet kjo nën jë performancë të lidhur me peizazhin, dhe në një vend tjetër – a prodhon muzikë shumë ndryshe?

AM: Mundohemi që të respektojmë kontekstin. Sjellim më afër muzikantë dhe audienca, duke iu shmangur skenës dhe ndarjes së audiencës. Disa prej akteve janë krejtësisht të paamplifikuar, duke përdorur akustika natyrale të punishtes së verës Venetsanos, lokacioni i sivjetëm, që ka shpella të thella tingëlluese, të gdhendura në shkëmbinj.

RS: Mund të ndryshojë perceptimin e muzikantëve për muzikën e tyre. Vitin e kaluar, kur Vasilis Triantis dhe Kostas Karapanos luajtën Epirotika [muzikë tradicionale nga rajoni historik i Epirit] në një set akustik në Pyrgos, të dy treguan se sa më ndryshe u përjetua muzika në atë mënyrë – pa amplifikim, dhe për një audiencë që nuk po vallëzonte, por po qëndronte ulur e po dëgjonte. Ata ishin mësuar që të luajnë për audienca me qindra persona, që vallëzojnë e hanë, e me volum maksimal. Ata thanë se ua kujtoi rezonancën e thellë emocionale të muzikës, edhe në mungesë të lëvizjeve rituale, dhe e vlerësuan përsëri joshjen universale.

Siç tha Alyssa, nuk duam që ta ndajmë shumë muzikën nga konteksti – Epirotika është muzikë për festivale të kishave dhe për vallëzim, por është edhe muzikë për katarsis kolektiv dhe për vajtim, dhe kështu ka qenë me shekuj. U munduam që të krijojmë një hapësirë ku njerëzit mund të përjetojnë pikëllimin e thellë dhe harenë e rrufeshme të cilave u flet muzika, pa marrë parasysh prejardhjes.

Lidhja e tingujve dhe lokacioneve fizike po duket se po rritet sa i përket popullaritetit në muzikë dhe art. A mund të thoni diçka për këtë?

AM: Tingujt dhe lokacioni fizik kanë qenë të lidhura prej kohës kur filluan njerëzit që të bëjnë muzikë. Shpellat neolite që kanë pika rezonante janë të dekoruara me piktura psikadelike. Kishat krijojnë turbullira të mëdha rezonuese për të aluduar tinguj të botërave tjera. Barinjt bëjnë tinguj me tuba dhe yodellers këndojnë e bërtasin prej kodrave. Athanius Kirche, fizikanti i shekullit 15, po bënte instalacione të tingujve për të dërguar tinguj nëpërmjet tuneleve në pjesë të ndryshme të kështjellës së padronit të tij.

Mendoj se tingujt janë të spikatur në atë që konsiderohet praktikë e artit bashkëkohor në Perendim, pasi që punimet specifike për lokacione të caktuara kanë filluar të bëhen më të njohura në 60-at, për shkak se hapësira dhe tingulli janë në fakt e njejta gjë. Në Greqi, peizazhet janë kumbuese me energji të ndryshme. Puna në ato peizazhe – si përbërja vullkanike Nisyros 24-orëshe – është dinamike, angazhuese dhe magjike.

Çfarë doni që të fitojnë vizituesit dhe performuesit nga festivali juaj?

AM: Shpresoj që njerëz të ndryshëm të bëhen bashkë e të mësojnë sende të reja nga njëri tjetri dhe të zbulojnë mënyrë të re të dëgjimit nëpërmjet një lidhjeje me tokën që kapërcen çdo lloj përvoje që mund të shfaqet, duke u zhytur në tinguj. Shpresoj gjithashtu që njerzit të kënaqen me muzikë të mirë!

Për fund, çfarë shpresoni që ju të fitoni nga festivali?

AM: Shpresoj që të krijohen komponimetë reja me ndikim, dhe të lindin ide të reja.

RS: Shpresoj të mësoj shumë – si vitin e kaluar – për procesin e bashkimit të njerëzve në këtë mënyrë, dhe për vendin në të cilin banoj. Shpresoj gjithashtu që të fitoj energji të rinovuar për ta vazhduar këtë projekt, me kënde të reja për hulumtime të së ardhmës, dhe kurime të ndriçuara.K

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO