Biseda | Tech

Mike Butcher: Përdorimi i teknologjisë është thelbësor për adresimin e krizës së refugjatëve

Nga - 04.10.2016

Themeluesi i Techfugees insiston se problemet e mëdha e të vështira kërkojnë zgjidhje të reja e inovative.

Një prej emrave më të mëdhenj në DOKU:TECH sivjet ishte Redaktori i Përgjithshëm i TechCrunch, Mike Butcher. TechCrunch është media online që i përkushtohet profilizimit të bizneseve të reja, recensioneve të produkteve të internetit, dhe mbulimit të përgjithshëm të lajmeve që lidhen me teknologji.

Gjatë viteve Butcher ka fituar disa tituj e çmime për inovacion dhe blogging, dhe ka qenë pjesë e rregullt e listës së ëired Top 100 njerëzit më me ndikim në Mbretërinë e Bashkuar (MB).

Gjatë fundjavës së tij në Prizren, ai dukej se tërhiqte turma njerëzish kudo që shkonte, qoftë kur dha fjalim të dielën në mbrëmje, apo deri sa po socializohej në lokacionin më të mirë të këti viti, Oqean. Madje ai edhe e drejtoi edhe një takim të improvizuar për biznese të reja dhe njerëz të teknologjisë, për të ndarë përvojën e tij të vlefshme.

K2.0 bisedoi me Butcher para fjalimit të tij në DOKU:TECH dhe e pyeti për tranzicionin e tij në botën e teknologjisë, këshillat e tij për ndërmarrës të rinj, dhe projektin e tij të fundit Techfugees, përpjekje për të shfrytëzuar energjinë e komunitetit të teknologjisë për t’i ndihmuar njerëzit e kapluar nga kriza aktuale e refugjatëve.

K2.0: Ju keni kryer baqellors në Letërsi Angleze dhe Histori, dhe keni filluar karierën e juaj si gazetar. Si kaluat në botën e teknologjisë?

Mike Butcher: Unë po shkruaja për media në fillim dhe në mes të viteve të 90-a, dhe interneti u aktivizua në 1994, e ne e konsideruam si e ardhmja e mediave, kështu që shkrova për të sikur ishte e ardhmja e mediave. Gradualisht u inkuadrova më shumë e më shumë në anën teknologjike të saj.

mike-butcher-intext-002-1470761913

Tani jeni ‘redaktor i përgjithshëm’ në TechCrunch. Nga çfarë përbëhet ky rol? Si duket një ditë tipike e punës në jetën e Mike Butcher?

Jam gazetar i teknologjisë qe një kohë mjaft të gjatë tani, dhe kam arritur në një pikë ku kam parë mjaft shumë që të mund t’i bëjë gjërat ndryshe, e prandaj edhe e kam titullin ‘redaktor i përgjithshëm’; do të thotë se mund t’i bëjë disa lloje të punëve, qoftë intervista, fjalime, çkado. Nga dita në ditë, zgjohem, e shikoj postën elektronike, bëjë atë që e bënë çdo njeri normal në internet, dhe shkruaj artikuj – njerëz cool, e-mails, marr informata, shkruaj artikuj për TechCrunch.

Është hera e parë që po vini në Kosovë, por duket se e keni marrë për zemër vendin. Çfarë përshtypje u kanë lënë ndërmarrësit lokal me të cilët keni biseduar?

Është treg i ri sa i përket ndërmarrësisë, dhe kjo pritet normalisht. Në tregje që janë në faza të hershme, si në Evropën qendrore/lindore, do të duhet kohë që njerëzit t’i nisin punët si duhet. Por ka shumë talent këtu, e prandaj jam i sigurt që do të ketë gjëra shumë interesante gjatë viteve të ardhshme.

Çfarë këshilla keni për ndërmarrës të rinj dhe biznese të reja në Ballkan e botë?

Janë disi përparësi në fakt, tregjet si ky i Kosovës, pasi që mund ta testosh produktin këtu pa e kuptuar e gjithë bota. Nëse je në Londër dhe do ta testosh një produkt, dikush mund ta kuptojë dhe ta bëjë para teje.

Por këshilla ime për njerëz që janë në shtete më të vogla është që të mundohen ta rrisin rrjetin e tyre sa më shumë. Nëse ekosistemin e ke të vogël, atëherë është ide e mirë që të ndërtosh ura me ekosisteme më të mëdha, si ai i MB ose Gjermanisë ose Francës ose SHBA ose Azisë. Dilni e bëni sa ma shumë kontakte e lidhje, sepse si ndërmarrës, është e dobishme të kesh shumë kontakte.

Ju jeni edhe themelues i Techfugees, një grumbullim i komunitetit të teknologjisë në MB, që synon zhvillimin e zgjidhjeve për problemet e refugjatëve. Ka qenë sukses masiv deri më tani, me 27 kapituj rreth botës. A mund ta shpjegoni këtë sukses?

Mendoj që e kapëm këtë mundësi shumë herët. E zhvilluam mjaft herët tërë konceptin dhe e prekëm atë dëshirën e njerëzve të teknologjisë të cilët veç se kishin dëshirë të përfshihen dhe t’i përdorin aftësitë e talentet e tyre për të ndihmuar OJQ-të që merren me refugjatë, si dhe vet refugjatët.

Dhe tani është viti 2016, shekulli 21, dhe ne duhet të jemi të aftë të përdorim përshtatshmërinë e teknologjisë për këto probleme. Këto probleme nuk do të largohen së shpejti. Ka pasur refugjatë e dëbime për shkak të luftërave, fatkeqësive natyrore dhe ndryshimeve klimatike, dhe kjo është identifikuar nga forumi botëror ekonomik si një prej problemeve dhe krizave më të mëdha të planetit për 20-25 vitet e ardhshme.

Mënyra se si është drejtuar reagimi humanitar në 15 vitet e fundit duhet të ndihmohet nga të menduarit inovativ që mund ta sigurojnë njerëzit e teknologjisë, sepse kjo është e vetmja mënyrë që mund të gjejmë zgjidhje që mund të përshtatet me shpejtësi të mjaftueshme për t’i adresuar problemet e ndryshueshme. Shumë shpesh në ditë të sotit, kur merret një vendim për të përdorur ndonjë lloj zgjidhje apo reagim humanitar për refugjatë, ose ndonjë krizë tjetër humanitare, e tërë skena ndryshon, e prandaj teknologjia duhet të futet në këtë ekuacion e bisedë sa më shpejtë që është e mundur, sepse në këtë mënyrë i përshtatë zgjidhjet për këto probleme të mëdha e të vështira.

mike-butcher-intext_001-1470761914

A mund ta shpjegoni se si funksionon në fakt TechFugees?

TechFugees është një lloj lëvizje dhe nuk është në fakt e kontrolluar nga dikush në veçanti. Ne në Londër, ekipi jonë thelbësor, i këshillojmë shumë kapituj rreth botës për atë që duhet ta bëjnë, dhe për disa prej mënyrave më të mira të operimit janë: sa më shumë kontakt me organizata të refugjatëve; të mos ndërtohen zgjidhje nëpërmjet produkteve që nuk i adresojnë problemet aktuale; të mos i ndërtojnë në izolim, sepse gjëja më e keqe është të ndërtohet diçka për të cilën nuk ka nevojë askush.

Si siguroheni që projektet e zhvilluara nga TechFugees i përgjigjen nevojave të refugjatëve, dhe që veglat që i ofroni ju janë ato që i nevojiten atyre më së shumti? Si e themeloni standardin e kualitetit në projektet e juaja?

Kjo është diçka në të cilën jemi shumë të interesuar dhe po punojmë dhe po mundohemi t’i ndihmojmë njerëzit që po ndërtojnë produkte për t’i adresuar problemet reale. Qoftë në shëndetësi, arsim – aplikacionet për mësim të gjuhëve mund të projektohen për refugjatë gjithashtu.

Edhe privatësia e të dhënave është shumë e rëndësishme për refugjatë. Siguria – gjegjësisht a po përgjohet dikush nga autoritetet – këto janë të gjitha llojet e pyetjeve që duhet të adresohen nga njerëzit që po ndërtojnë produkte të teknologjisë. Nuk mund të jetë vetëm për uebfaqe e aplikacione, mund të jetë edhe për pajisje elektronike, për shembull për ëiFi, ose lloje të reja të dizajneve të tendave, e gjëra të tilla. Nëse mendon në saje të dizajnit, shpesh të bien në mend gjëra që nuk i ka menduar askush më parë… kjo është disi pjesa interesante.

Kemi disa nivele të strukturës së standardizuar në TechFugees – kemi një ekip thelbësor në Londër, të përbërë prej 10-15 njerëzve, të cilët po mundohen t’i koordinojnë aktivitetet e kapitujve, dhe t’i bëjnë bashkë kapitujt, e po mundohen t’i përfshijnë OJQ-të, e po mundohen t’i shikojnë produktet.

Në fakt po e ndërtojmë një produkt të quajtur Basefugees tani, që do të jetë platformë kurimi ku kurojmë produktet më të mira që mund t’i gjejmë. Është platformë sfiduese ku OJQ-të dorëzojnë sfida për komunitetin e teknologjisë, që pastaj prodhojnë API [Application Program Interfaces – Ndërfaqe të Aplikacioneve e Programeve] nga këto, në mënyrë që të nxjerren analitika të të dhënave etj. Duam që t’i përdorim vet, në mënyrë që t’i përshtatim disa prej zgjidhjeve që i shohim.K

Fotografitë: Fikret Ahmeti / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO