Blogbox | Demokraci

Tejkalimi i zgjedhjeve në SHBA

Nga - 14.11.2016

Për shumë amerikanë, fitorja e Donald Trump vjen me një thirrje për veprim.

Si grua muslimane-amerikane, më interesuan veçanërisht zgjedhjet e vitit 2016. Çdo gjë për të cilën qëndroj është kundërshtuar gjatë vitit të fundit. Por, ndonëse shumë miq, familjarë e moshatarë të mi kanë bërë gjithçka brenda mundësive për t’i dalë ballë kësaj që po ndodh; unë jam ndjerë si e mpirë për pjesën më të madhe të saj.

Unë vijova studimet në një universitet disi konservator në Teksas – Southern Methodist University – ku gjindet Biblioteka Presidenciale George ë. Bush. Pavarësisht faktit që ky universitet kishte lidhje konservatore, asnjëherë nuk jam ndjerë si e padëshiruar në kampusin tim. E vërtetë është që situata nuk ka qenë asnjëherë e përkryer për minoritete, por asnjëherë nuk jam ndjerë si e kërcënuar ose e paaftë për t’i shprehur besimet e mija.

Isha aktivisht e përfshirë në Asociacionin Islamik të Studentëve në kampusin tim dhe u mbështetëm prej grupeve të ndryshme gjatë viteve që i kalova atje. Askush nuk dëshironte që ne të ndihemi si të përjashtuar – aq shumë sa që kur deshën të sjellin derra në bibliotekë si metodë e lirimit nga stresi gjatë provimeve përfundimtare, na pyetën 15 herë paraprakisht, për t’u siguruar që nuk do të ofendohemi. Personalisht vazhdimisht më kanë mbështetur administrata për t’u marrë me ato që dua. Arrita që ta përfaqësojë universitetin në shumë raste dhe asnjëherë nuk jam ndejrë si e diskriminuar.

Po, e di që të tillë ndoshta nuk e kanë pasë përvojën të gjithë muslimanët në kampusin tim, veçanërisht kur e faktorizon diskriminimin jashtë kampusit, por çfarë të them…? Jam person optimist.

Për këtë arsye, asnjëherë nuk jam frikësuar nga komentet e Donald Trump. Supozova që shumica e popullsisë amerikane do ta shihnin që fanatizmi e madje edhe shprehja e interesimit për ta larguar një grup njerëzish në bazë të religjionit të tyre janë ide krejtësisht absurde.

Për shembull, morra pjesë në një program politik dy-partiak në Uashington D.C. për dy javë në vitin 2015. Shumica e konservatorëve të ri në program shprehën një mospëlqim të qartë për Hillary Clinton, por kur u bë Trump i nominuari i Republikanëve, të gjithë e denoncuan atë dhe u shprehën kundër fanatizmit të tij. Ata e mbështetën publikisht Clintonin dhe më dhanë shpresë. Këta ishin individë të zgjuar dhe të suksesshëm me të cilët dikur nuk mund të pajtohesha për asgjë që kishte të bënte me politikë, e tash papritmaës po e shprehnin qartë atë se vlerat e partisë nuk ekzistojnë kur përballemi me padrejtësi të hapur e të paturp.

U nisa për Kosovë në shtator, e gëzuar që do ta kalojë ditën e votimit në një shtet ku familja Clinton ishte më e respektuar se të gjithë. E përfytyrova ditën kur Amerika do ta zgjedhte gruan e parë presidente si ditë në të cilën rrugët e Prishtinës janë plot festime në stil shumë shqiptar. Fatkeqësisht, ajo ditë nuk erdhi kurrë.

Shumë njerëz këtu e respektojnë atë për të cilën qëndron Amerika, e edhe unë duhet ta bëjë këtë.

Në vend të asaj, qëndrova zgjuar tërë natën të martën e kaluar, duke mos besuar se çfarë kishte ndodhur në vendlindje. Një pjesë e imja mendonte se mund të ndodhte (kryesisht për shkak të numrit të njerëzve që i kisha dëgjuar duke konsideruar që të bëjnë një “votë proteste”), por nuk e mendova që është realisht e mundshme.

Por si duket e keqinterpretova këtë qëndrim në Shtetet e Bashkuara. Ndoshta që isha shumë e strehuar në fluskën time “muslimane”, por nuk e kuptoj. Politika fiskale, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe politikat e brendshme janë diçka tjetër, po anjëherë nuk kisha pritur që të zgjedhet një dikush që i bënë një pjesë të madhe të amerikanëve që të ndihen të pasigurt.

Largësia ime nga kjo ndodhi i pati të mirat e të këqijat e veta. Ende ndihem e mpirë ndaj saj, meqë protestat dhe emocionet të shtuara në Shtetet e Bashkuara janë shumë larg meje. Por duhet të pranojë e të pajtohem me këtë, sepse aktualisht jam duke përfaqësuar SHBA në klasa shkollore kosovare, ku më pyesin: “Çfarë do të ndodh me neve tani që Trump është President i Zgjedhur?” Duhet të përpiloj një përgjigje.

Ndonëse miqtë e mi në vendlindje përballen me rritje të diskriminimit në qytetet e tyre, ku u thonë “kthehuni në shtetet e juaja”, kur janë thjeshtë duke kaluar një ditë normale; e kam vështirë që të vendosi se çfarë të bëjë.

Më gëzon e më jep shpresë tepër fakti që në Kosovë prej së mërkurës shumë njerëz më kanë thënë “Urime për presidentin e juaj të ri!” Së pari u befasova shumë sepse njerëzit e parë që ma thanë këtë ishin kolegët e mi në Medresën Alauddin, shkollën islamike ku jam asistente e mësuesit të gjuhës angleze. Mendova: “Çfarë? Ju e mbështetni Trump?” Nuk e mbështesin, por e respektojnë demokracinë amerikane dhe mendojnë që zgjedhjet e drejta janë diçka për t’u festuar.

Shumë njerëz këtu ende e respektojnë atë për të cilën qëndron Amerika, e edhe unë duhet ta bëjë këtë. Këto ishin zgjedhje që më treguan se isha e mpirë në kohën e gabuar. Ka ende shumë punë për t’u bërë në këtë vend që normalisht jam shumë krenare që e përfaqësoj; Dua të ndihem krenare përsëri.

Nuk jam e sigurt se çfarë na pret tani, por e di se nuk ka ardhur fundi. Amerikanët që praktikojnë lirinë e fjalës, që protestojnë dhe që e krijojnë këtë përzierje të kulturave, janë ata që e bëjnë Amerikën vend kaq të vlerësuar në sy të botës – një person, ose përafërsisht 25 përqind e amerikanëve që votuan për atë person, nuk mund ta ndryshojnë këtë. Mund të na nxisin që t’i mjegullojmë vijat racore, religjioze e etnike, e të përpliojmë një mënyrë për ta bërë Amerikën përsëri vend të sigurt për të gjithë.

KOMENTO