Në thelb | Shqipëria

Një Kryetar për Tiranën e “Re”

Nga - 13.08.2015

Kryetari i ri ambicioz i Bashkisë së Tiranës përgatitet që të ballafaqohet me “3,000 probleme”.

Vera është sezoni i përtacisë politike në Tiranë. Anëtarët e parlamentit marrin pushimet e tyre të gjata verore. Institucionet tjera të shtetit janë kryesisht të përgjumura, derisa administratorët e tyre nisen në kërkim të një strehe freskuese, larg nga vapa mbytëse e kryeqyetit të Shqipërisë. Por është dikush që ka vendosur të marrë përparësi nga kjo hapësirë politike jo-aktive. Ai është kryetari i ri i zgjedhur i Tiranës, Erion Veliaj.

Veliaj fitoi zgjedhjet lokale të 21 qershorit 2015, në bashkinë më të madhe dhe më të rëndësishme të Shqipërisë. Ai e mori zyrën, që për katër vitet e mëparshme kishte qenë e kundërshtarit politik, kryetarit të Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha.

Tridhjetë e pesë vjeçari Veliaj e la pozitën e tij e tij si ministër në qeverinë e koalicionit për ta përfaqësar Partinë Socialiste (PS) në garën e Tiranës; ai fitoi lehtazi, duke i siguruar 50 mijë vota më shumë se rivali i tij kryesor, doktori i njohur dhe kandidat i PD-së, Halim Kosova.

Veliaj e mori zyren e kryetarit me 30 korrik, duke nisur me një gjest simbolik. Ai caktoi dikë për të rregulluar orën që është në majë të ndërtesës monumentale të Kullës së Sahatit. “Nuk mund t’a kemi një qytet të ngecur në kohë”, ai shkroi më vonë në llogarinë e tij në Twitter.

n1

Gjatë ditëve të tij të para si kryetar, Veliaj ka qenë vazhdimisht në lëvizje nëpër qytet duke tërhequr kështu vëmendjen e mediave. Disa kanale televizive raportojnë në të paktën tre aktivitete dhe angazhime të tij çdo ditë. Në media sociale, mund të shikoni fotografi të tij duke u nisur me autobus në punë ose duke ecur rastësisht për të inspektuar rrugët e kryeqytetit shqiptar.

Megjithatë, rivalët politikë dhe disa gazetarë nuk ndihen posaçërisht të entuziazmuar për kryetarin e ri të përcjellur nga kamerat televizive teksa ai inspekton punët në Tiranë. Kritikët vazhdimisht e akuzojnë si sipërfaqësor dhe pohojnë se ai është më i interesuar për të tërhequr vëmendjen e mediave se sa për t’u kujdesur për problemet e qytetarëve.

Por Veliaj duket se nuk ka asnjë dyshim për mënyrën se si ai ka zgjedhur t’a udhëheq qytetin.“Mënyra më e mirë për t’i zgjidhur problemet e Tiranës është që të zbresësh vetë në terren e t’i prekësh ato”, tha ai për Kosovo 2.0. “Nuk shoh spektakël në faktin që kryebashkiaku dëshiron të përmirësojë transportin publik dhe hipën vetë në autobus për të parë gjendjen”.

Kryetari gjithashtu lë të kuptohet se qëllimi i tij nuk është të shëtis nëpër rrugët e Tiranës, por të identifikojë problemet e jetës së vërtetë që këmbësorët i hasin kur ecin nëpër qytet. Veliaj shprehet se ai nuk ështe i shqetësuar mbi përceptimin e të tjerëve në lidhje me atë që ai ka nisur të bëjë, përsa kohë ai është i bindur se “kjo është puna që duhet të bëjë një kryetar Bashkie”.

Gjatë fushatës së tij zgjedhore, Veliaj udhëhoqi një platformë që në thelb kishte 12 projekte të ndërtimit të Tiranës. Ai premtoi të ndërtonte 2 kampuse të reja të universiteteve brenda katër viteve të ardhshme dhe një qendër multifunksionale për studentë. Krijimi i një parku të integruar të Tiranës – që bashkon dy parqe ekzistuese dhe i lidh me një Park të ri Olimpik – ishte një nga projektet e tjera kyçe të Veliaj, të prezentuar gjatë fushatës së tij. Një tjetër projekt ishte ndërtimi i një Bulevardi të ri të Tiranës, i cili do të krijojë hapësira të reja të gjelbërta në qytet.

Ai gjithashtu premtoi masa të shumëfishta për të lehtësuar problemet e trafikut rrugor të Tiranës dhe tha që ‘Piramida’ – një piramidë e epokës komuniste e ndërtuar në zemër të qytetit – shpejt do të transformohet në qendër kulturore, e rrethuar nga një park.

n2

Është e qartë që ai ka shumë për të bërë. Në pozitën e tij të re, Veliaj duhet të mbikëqyr një territor që është 25 herë më i madh se sa ai që paraardhësi i tij, Lulzim Basha administroi. Reforma administrative dhe territoriale, e aprovuar nga Parlamenti Shqiptar në Korrik të 2014, e uli numrin total të njësive të qeverive lokale në vend nga rreth 400 në vetëm 61. Si rezultat i kësaj reforme, Veliaj duhet të menaxhojë 13 komuna, krahas territorit urban të kryeqytetit. Ai i ka zgjedhur tashmë 24 administratorë të cilët do të shërbejnë si ndihmës të tij dhe delegatë në çdo njësi të Tiranës. Sidoqoftë, pjesa më e madhe e këtij territori të reformuar pritet të sjell shumë sfida për kryetarin e ri.

Ish-zëvëndës kryetarja e Bashkisë së Tiranës, Nevila Xhindi, tha se Tirana nuk është më një territor urban nisur nga fakti se ndryshmet e kufinjëve administrativ kanë shtuar edhe zona rurale në juridiksionin e kryeqyetit. Këto ndryshime sipas Xhindit sjellin prioritete të reja në tavolinën e kryetarit. “Integrimi i një mjedisi urban me atë rural është dhe sfida më e madhe që për mendimin tim Veliaj ka”, thotë ajo. “Mënyra sesi ai do ta përballi këtë çështje do të përcaktoj më pas dhe dinamikat e tjera të administrimit në Bashkinë e Tiranës”.

Vetë kryetari është shumë i vetëdijshëm për sfidat administrative të këtij territori të ri. Ai thotë që një nga çështjet kryesore është përballja me unifikimin e transportit publik të Tiranës, për të mundësuar lidhje më të mira ndërmjet qytetit dhe zonave rurale të shtuara rishtas. “Sot ka zona periurbane si Kashari apo Farka, të cilat kanë një popullsi të madhe, por nuk mbulohen nga transporti publik”, shpjegoi Veliaj. “Për të zgjidhur këtë problem, do të studiohen mënyrat për të krijuar linja të reja transporti”.

n3

Transporti publik i Tiranës aktualisht ka vetëm autobusa të cilët operojnë nëpërmjet një partneriteti publik-privat. Veliaj është i bindur se nëse fokusi kryesor është rritja e kualitetit të shërbimeve, kur parteriteti publik-privat të ripërtrihet, do të ketë përmirësime të mëdha në transportin publik, duke përfshirë edhe një shërbim më të shpejtë.

“Një tjetër masë, mes masave të shumta që do të ndërmarrim, është edhe rikthimi i korsive të dedikuara për transportin publik, të cilat jo vetëm që nuk u shtuan këto katër vjet, por u lanë të shkatërroheshin”, ai tha.

Veliaj beson që përpara se të mendojë mënyra tjera për ta diversifikuar transportin publik të Tiranës, bashkia duhet të maksimalizojë funksionalitetin e sistemit ekzistues. Duke e ditur që trafiku i rënduar është njëri nga problemet më të mëdha të qytetit, gjatë fushatës së tij ai u zotua për t’a përfunduar punën në tri rrugë të rëndësishme unazore, me qëllim përshpejtimin e rrjedhës së trafikut. Lirimi i trotuarëve nga shitës ta paautorizuar dhe karriget e bareve, krijimi i troturareve dhe semaforeve për personat me aftësi të kufizuar, janë premtime të tjera që Veliaj bëri gjatë fushatës.

Si ish-ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Veliaj drejtoi përpjekjet e qeverisë së koalicionit të majtë në Shqipëri për të krijuar më shumë vende pune në Shqipëri; një  nga problemet më emergjente të vendit. Bazuar në dokumente zyrtare të Institutit Shqiptar të Statistikave, vlerësohet që shkalla aktuale e papunësisë në Shqipëri është 17.3  përqind. Por kur vjen puna tek të rinjët e vendit (ata mes moshës 15 dhe 29 vjeç), papunësia ngritet në 34.1 përqind. Në realitet, meqë jo çdokush i papunësuar është i regjistruar zyrtarisht, këto shifra ka gjasa të jenë edhe më të mëdha.

Veliaj e pranon që në pozitën e tij të re, aftësia e tij për t’u marrë me këtë problem të madh do të jetë e kufizuar. “Në vendin tonë, politikat e punësimit janë një kompetencë e pushtetit qendror”, ai arsyeton. “Ka pak gjëra që një Bashki mund të bëjë për të rritur punësimin. Gjithsesi, ne do të shfrytëzojmë ato pak kompetenca që kemi për të nxitur sa më shumë rritjen e punësimit në Tiranë”.

Pavarësisht kufizimeve, Veliaj thotë se Bashkia e Tiranës do t’a bëjë më të mirën për të krijuar më shumë mundësi punësimi. “Ne do të hapim një Zyrë Pune pranë Bashkisë Tiranë, e cila do të ofrojë ndërmjetësime”, ai tha. “Gjithashtu, do të themelojmë Fondin Lokal për Nxitjen e Punësimit për të ofruar subvencione për ato biznese që hapin vende të reja pune”. Brenda katër mandatit të tij katër vjecar si kryetar, ai ka si qëllim të krijojë një ‘inkubator biznesi’ për të mundësuar lehtësira mbështetëse për të gjithë të rinjtë që duan të ndërtojnë kompani teknologjie.

Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Mireqenies Sociale dhe Rinise, Erion Veliaj, gjate inagurimit te Zyres se pare moderne te Punes ne Tirane, ish Lidhja e Shkrimtareve, prane "Rruges se Kavajes".

Përveç këtyre inciativave të vogla, Veliaj duhet të merret me ngarkesën kryesore të punës. Ai thotë që sot Tirana nuk ka disa por “tre mijë probleme”. Gjatë fushatës së tij zgjedhore, një grup të rinjsh udhëtuan nëpër gjithë Tiranën për të identifikuar çka po shkonte keq. “Rezultati i kësaj pune ishte hedhja në hartë e mbi tre mijë problemeve që ka Tirana”, tha Veliaj. “Për ne janë tre mijë mundësi për të bërë qytetin ku jetojmë një qytet të jetueshëm”.

Mirëpo suksesi përfundimtar për t’u ballafaquar me këto probleme nuk do të vij vetëm sepse ai dhe administrata e tij kanë qëllime të mira. Veliaj duhet poashtu të gjej konsenus me këshillin bashkiak të qytetit, ku 19 nga 61 antarë janë përfaqësues të partive opozitare.

Këshilltarët e opozitës kanë kërkuar që Veliaj të marr seriozisht anagazhimet e tij për Tiranën dhe kanë bërë thirrje që ai të fillojë punën reale sa më shpejt që të jetë e mundur. Një problem që  ata e kanë theksuar si prioritet të menjëhershëm është një cështje që tashmë ka një vit që zvarritet: shpërndarja e shtëpive sociale për familjet në nevojë. Edhe pse këto familje janë konfirmuar si përfituese të shtëpive sociale në dispozion, mungesa e konsensusit në këshillin e mëparshëm bllokuar miratimin e vendimit. Në thelb, grindjet e vogla politike i kanë penguar familjet në nevojë të marrin  shtëpitë e tyre të premtuara. Veliaj ka deklaruar se do e përfshijë këtë cështje në mbledhjen e parë të këshillit të ri që do të mbahet me 13 Gusht.

n5

Leonard Olli, udhëheqës i këshillatrëve të opozitës në këshillin e qytetit të Tiranës, thotë që grupi i tij do të bashkëpunojë më kryetarin e ri për hir të qytetarëve. “Këshillarët e opozitës do të bëjnë gjithcka për t’i sjell qytetarëve të Tiranës sa më shumë zhvillim social, ekonomik dhe kulturor”, ai tha për Kosovo 2.0. “Ky koncept është një motiv i fortë që na bënë ne të jemi të hapur për bashkëpunim”.

Në këmbim të bashkëpunimit të opozitës, Olli shpreson që Veliaj do të jetë administrator objektiv gjatë qëndrimit të tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe nuk do të veprojë si kukull e kryeministrit Edi Rama. “Unë uroj që Veliaj të shkëputet nga tutela e Ramës”, tha ai. Vetëm në këtë mënyrë ai mund të jetë një administrator i suksesshëm i të gjithë qytetarëve të Tiranës”.

Takimi i parë i Veliaj në mbledhje me këshillin bashkiak është caktuar të mbahet sot. Sytë e qytetarëve të kryeqytetit do të drejtohen tek ai gjatë ditëve, muajve dhe viteve të ardhshme, duke pritur të shohin nëse ai do të mund t’i realizojë premtimet e tij dhe të adresojë listën e problemeve të pafundme të Tiranës.K